Agim Aliu vizitoi Kishën Katolike në Ferizaj, uron Krishtlindjen

Në mesditë, i pari i Ferizajt, Agim Aliu bashkë me deputetin e Kuvendit të Republikës së Kosovës, Elmi Reçica, ish Kryetarin e Ferizajt, Bajrush Xhemaili, Kryesuesen e Kuvendit të Komunës, Kristina Gashi Bytyçi, drejtorë komunal, kreun e Bashkësisë Islame në Ferizaj e bashkëpunëtorë të tjerë, vizituan Kishën Katolike “Engjulli i Rojës” në Ferizaj, për të uruar klerin fetar katolik dhe besimtarët e krishterë me rastin e festës së Krishtlindjes. Një pritje të ngrohtë, kreut institucional lokal dhe qendror, i rezervoi famullitari i Kishës Katolike “Engjulli i Rojës” në Ferizaj, Dom Viktor Sopi i cili i uroi mirëseardhjen në shtëpinë e Zotit dhe falënderoi për urimet me rastin e Krishtlindjes. Në anën tjetër, i pari i Ferizajt, Agim Aliu duke vlerësuar këtë ditë si një bashkim e dashuri mes njëri-tjetrit tha se Ferizaj ka qenë dhe mbetet shembull i tolerancës ndërfetare. “Ishim të gjithë bashkë, për të uruar kreun e Kishës Katolike “Engjulli i Rojës” në Ferizaj dhe njëkohësisht edhe të gjithë besimtarët e krishterë me rastin e festës së Krishtlindjes, një festë që na ka bashkuar gjithmonë, sepse kombi ynë e në mënyrë të veçantë Ferizaj, ka qenë dhe mbetet shembull i tolerancës, shembull i respektimit të këtyre vlerave dhe pikërisht në këtë kuadër erdhëm që të dëshmojmë edhe njëherë, se jemi po të njejtin dhe çdoherë do të jemi po të njejtit, dhe çdoherë kombi ynë do të jetë i bashkuar. Sigurisht se mesazhi i Krishtlindjes është mesazhi i lindjes së shpresës, mesazh për më shumë dashuri, për më shumë mirëqenie. Ne e kemi ofruar atë, gjatë këtij viti që po e lëmë dhe sigurisht se me mesazhet e porositë më të mira të kësaj feste po hyjmë në vitin tjetër, për të dhënë edhe më shumë dashuri, mirëqenie sociale dhe sa më shumë tolerancë. Edhe njëherë, në emër të të gjithë qytetarëve, uroj gjithë besimtarët e krishterë, të Ferizajt, të Republikës së Kosovës por njëkohësisht uroj gjithë besimtarët e krishterë të kombeve të tjera, që janë në Ferizaj dhe që shërbejnë në mënyrë të veçantë në Kampin Bondsteel por edhe në agjenci e organizata tjera ndërkombëtare që kanë rastisur apo janë në misione apo detyra që të shërbejnë në Kosovë. Urime dhe për shumë mote Kërshëndellat” tha i pari i Ferizajt, Agim Aliu. Tutje, deputeti i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Elmi Reçica kishte përgatitur një dhuratë simbolike për këtë festë, të cilën me urimet për paqe, dashuri e solidaritet mes njëri-tjetrit, ia dhuroi kreut të Kishës Katolike “Engjulli i Rojës” në Ferizaj, Dom Viktor Sopi. Ferizaj, qyteti simbol i tolerancës ndërfetare, nuk kishte sesi të paraqitej në këtë festë, në vizitën dhe urimet e së cilës mori pjesë edhe Kryetari i i Bashkësisë Islame në Ferizaj, Bujar Hasani, i cili në një fjalë rasti tha se tolerancën që e kemi ne është shembull për gjithë botën, andaj edhe uroi çdo të mirë besimtarëve katolik, duke përçuar mesazhin se si gjithmonë, të bashkuar, të punojmë që ta gëzojmë të ardhmen. Nikoqiri kishte rezervuar një moment kremte e mesazhi fuqiplotë për solidaritetin dhe vëllazërinë me njëri-tjetrin duke përgatitur tortën e Krishtlindjes, me ç’rast pritën Kryetarin e Ferizajt, Agim Aliu që bashkë me deputetin Elmi Reçica dhe Kryetarin e Këshillit të Bashkësisë Islame në Ferizaj, Bujar Hasani ta prejnë këtë tortë që t’i shpërndahet gjithë mysafirëve të sotëm që do ta vizitojnë Kishën Katolike “Engjulli i Rojës” në Ferizaj. Kreu i Komunës së Ferizajt siguroi klerin fetar se Komuna e Ferizajt do të intensifikoj bashkëpunimin dhe nismat në ndihmë nevojtarëve duke investuar në programe shërbimesh sociale që sadopak do të ulin numrin e rasteve më në nevojë dhe përmirësimit të përgjithshëm të mirëqenies sociale në nivelin lokal.

Kontrolloni gjithashtu

Në Sllatinë të Epërme të Vitisë u përkujtua dëshmori Njazi Rexhepi dhe u shënua dita e shkollës

Sot, në Sllatinë të Epërme të Vitisë, u shënua dita e shkollës dhe u përkujtua …