Agim Vuniqi

Agim Vuniqi: Karamele… në tezgjah

Bisedime… me kushte, pa kushte, me flamuj, me himn, me karrige në OKB, me sovran tjetër të deleguar nga BE-ja, jo nga OKB-ja… “Ali Hoxha, Hoxhë Alia”. Për pak harruam edhe shumë ëmbëlsime tjera autoktone, lesh me fije sheqeri, sheqer-lesh, etj?

Shumica i duan festat, shumë festa. Por unë jo aq shumë, e di unë pse-në. Tension i njëjtë për çdo vit, një garë kolektive që kulmon me shumë premtime; pranimet nuk do të shtyhen…Sivjet, jo se jo, por vitin tjetër, gjithsesi…? Babadimrin finlandez Aahtisari e kishte kapur klimaksi sivjet, nuk kishte pasur rrymë të mjaftueshme për të gatitë çajërat me hithëra, që ia kishin rekomanduar mjekët popullorë. Nuk ka ndonjë arsye të përmendet fundi i këtij viti kalendarik, ashtu si ndërrimi i motit nga meteorologu… Festohen rrenat me një stres të ethshëm, edhe një komplot i cirkut ndërkombëtar, “gripi i pavarësisë”, shyqyr që s’po hamë më pula, se do të përballeshim me një situatë kaotike shëndetësore, gripin e shpezëve, ec e kupto politikanin që udhëheqë shëndetësinë me stupc në krah. Edhe ky vit s’është gjë tjetër, veçse një vit më shumë, e unë që plakem për një vit. Për atë them: “Gëzuar edhe juve, kalamaj!”… Se unë për vete s’e kam zakon të ngutem.

E pra, kush ngutet…., hëngërt karamele-sheqer-leshi, se vërtet e kisha në qejf sa herë që vinte ndonjë cirk ndërkombëtar. Por që vjen dita kështu, që të ushqehemi kaq shpesh me këta topa leshi-fije të holla të sheqerit nuk më ka shkuar mendja, sigurisht, kjo ka ndodhur pasi ndërkombëtarët i kemi këtu, sheqer-lesh, e lara-lara, sepse duam t’u hyjmë në hatër me shumë a(bs)traksione autoktone.

Ajo që i duhet kësaj gare festash është…jo vetëm fjalët e ëmbla të “hyqmetlinjëve”, që janë pelim si tabletat e përditshme që duhet t’i blej pensionisti me 70 euro, me ligjin që është në fuqi, etj. Tash, pra, kupto sa të ëmbla janë festat për ta, dhe them lirisht se këtyre, sa herë që mbahen garat zgjedhore u japin sheqer-lesh, që të ëmbëlsohen me diçka. Ai që do të zgjedh artin e gatitjes së leshit-sheqer, do të ndërtojë një biznes rentabil në të ardhmen, si veprimtari do t’i shënohet në formularët e MSHPK, gjatë fazës eksperimentale të regjistrimit të popullatës në Kosovë: leshpunues i sheqerit-shumë fije të sheqerit në lëmsh. “Art pour l’art”, do të thoshte Apolineri.

Shumë e preferoj biznesin në avlëmend, më duket më origjinal ashtu dhe përkon me art artizanati dhe kështu dua të kontribuoj me këtë propozim, për të ngritur tatëpjetë treguesin në diagramin e punësimit? Po-po, sheqer-lesh në tezgjah? Por është e vështirë se “hyqmetlijtë” kanë ngritur frerin e dorës, nuk kanë kuorum për t’i gatitur shpejt ligjet, besa është punë e vështirë, duhet të marrësh pjesë në mbledhje dhe të ngrehësh gishtërinjtë tatëpjetë. Tash u duhet t’i ngrehin tagrin përpjet edhe për kravatat shumëngjyrëshe të kryeministrit, të ministrave dhe korin e zëvendës ministrave “Collegium Cantorium”, edhepse kori i njëmendët artistik u shua, në mungesë të mjeteve buxhetore, a është ashtu apo jo… fundja lidhja nyje-“guxhë” e kravateve është profesioni më rentabil në Kosovë, qeveritarët paguhen për këtë inovacion kulturor-shkencor-mjekësor-biznesor…

U lodha, shumë mend “po shtjerri”, do të ndalem pak nga mendimet patriotike, do ta pi një kapuçino, me shumë shkumë, por kur po fryhet shumë po merr formën e lëmshit, është e natyrshme, kah po sillem po më parafytyrohet sheqer-leshi. Sa rekorde idiotike do të thyej këtë vit që po vjen? A do ta kem kështu çdo vit? Kush bëhet më i/e lumtur pse merr një rrogë në “vek” (avlëmend) prej meje? Ose, pse jo, jap dhurata një herë në vit, jo këtë vit-vitin e ardhshëm, se sivjet s’kam gjetur kohë, mundësi e vullnet për të bërë plane dhe prognozuar, 365 ditë me radhë?

Njësoj edhe politikanët tanë. Veç bëni seri, ju lutem, përmbushje premtimesh, tejkalim qind për qind i planeve, shumë projekte të “realizuara”, mesazhet e tyre për kremte, patjetër, si dezert pavarësia në bredh. Ato janë “kartolinat” e tyre për tagërpaguesit, se për serbët që s’paguajnë gjë, atyre do t’u ndahet tokë shoqërore për kthim e ndërtim, për këmbim Serbia do të dërgon ndonjë kontingjent kufomash, mirë të paketuara. S’kanë filluar ende, por do të vijnë, ju premtoj. Jam qind për qind i sigurt, krejt një si vitin e kaluar. Rrymë, ujë, bukë dhe ndonjë cirk ndërkombëtarë për popullsinë: Kremte suksesesh, shumë festa këtë vit kombi shqiptar? Le të shtyhen nga ndërkombëtarët për vitin e ardhshëm? Bisedime…, me kushte pa kushte, me flamuj me himn, me karrige në OKB, me sovran tjetër të deleguar nga BE-ja, jo nga OKB? “Ali Hoxha, Hoxhë Alia”, për pak të harroj edhe shumë ëmbëlsime tjera autoktone lesh me fije sheqeri, sheqer-lesh.

E ç’rol lozkan urimet e fundvitit të një politikani ? shpesh më duken “ashik-dylberë”, s’e çajnë “bythën” për asgjë. Jo..! Nuk është ashtu, për ta flitet 365 ditë me radhë, apo jo!?

Kontrolloni gjithashtu

Agnes Hohl: Behide Hasanaj – një grua me zemër të madhe

Behide Hasanaj – një grua me zemër të madhe Behide Hansaj ka lindur në Pejë …