Brickos

Agim Zukë Osaj (1.10.1974 – 26.3.1999)

Agim Zukë Osaj (1.10.1974 – 26.3.1999)

Fshati Brainë i Llapit ka një histori të begatshme të luftërave dhe rezistencës gjithë-popullore shqiptare kundër depërtimit të forcave ushtarake e policore serbe në Kosovë, qysh prej vitit 1912.
Edhe në kohën e luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, djalëria e këtij fshati i doli zot atdheut në luftë kundër forcave okupatore serbe.
Agim Osaj, u lind më 1 tetor të vitit 1974, në fshatin Brainë të komunës së Besianës (ish-Podujevë).
Babai, Zuka dhe nëna, Hanifja, rriten me kujdes e përkushtim bijtë: Agimin, Ademin, Xhemajlin, Brahimin, Naimin, Afrimin dhe bijat: Sabrijen, Sanijen, Arifen e Nazifen.
Me qëllim për ta ngritur familjen, babai Zuka kishte zënë punë në Austri, ku punonte dhe ndihmonte materialisht bijtë e bijat e tij.
Shkollën fillore, Agim e kreu në vendlindje, ndërsa të mesmen, drejtimin e veterinarisë, e filloi në Arllan dhe e mbaroi në Prishtinë.
Agimi me vëllezërit, në vitet 90, të shekullit 20, njiheshin dhe mbanin kontakte me veprimtarin e mirënjohur të kësaj ane, komandantin, Zahir Pajaziti. Ata, ishin në rrjedhë të aktiviteteve ushtarake, që po zhvilloheshin asokohe në krye me Zahir Pajazitin, Sejdi Veselin e veprimtarë të tjerë, si Muhamet Nura, Behxhet Saliu.
Ky aktivitet nënkuptonte stërvitjen me armë zjarri të atyre të rinjve që shfaqnin interesim dhe tregoheshin të përkushtuar për t’u përgatitur për luftë të armatosur kundër regjimit okupator të Serbisë. Ata bënin organizmin e rojës dhe të vëzhgimit nëpër fshatra, si dhe dëgjimin e ligjëratave lidhur me organizimin e veprimeve ilegale, guerile.
Duke qenë se policia serbe kishte informata lidhur me këtë aktivitet, ajo kishte filluar edhe bastisjen e shtëpive në këto anë, me pretekst të kërkimit të armëve, si dhe me qëllim për rekrutimin e dhunshëm, të të rinjve shqiptarë në shërbimin ushtarak jugosllav.
Duke qenë se Agimi me vëllezërit ishte në shënjestër të vazhdueshme të policisë serbe e tërë familja e tij u shpërngul në Prishtinë.
Në kohën e fillimit të luftës në Kroaci, në vitin 1991, vëllai i Agimit, Brahimi ndodhej në shërbimin e detyrueshëm ushtarak. Ndërkohë, ai si edhe shumë ushtarë të tjerë shqiptarë, dezertoi nga radhët e Ushtrisë Jugosllave dhe iu bashkua forcave vullnetare kroate, të cilat po luftonin me qëllim për t’u shkëputur nga Jugosllavia. Policia serbe kishte njohuri lidhur me aktivitetin e Brahimit.
Edhe pas vendosjes së familjes në Prishtinë, Agimi me vëllezërit mbeti po ashtu në shënjestër të bastisjeve dhe kontrollimeve të shpeshta të policisë serbe.
Më 25 maj të vitit 1997, Agimi migroi në Gjermani ku edhe filloi të punojë, me qëllim për ta ndihmuar familjen.
Agimi ishte edhe rapsod. Së bashku me vëllanë, Ademin, ai këndonte këngë të ndryshme e sidomos këngë patriotike.
Gjatë qëndrimit në Gjermani, ishte aktiv në fondet për grumbullimin e ndihmave që dërgoheshin në Kosovë si dhe në grumbullimin e mjeteve për Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës.
Duke parë se lufta e UÇK-së ishte zgjeruar në shumicën e viseve të Kosovës, Agim Osaj, në dhjetor të vitit 1998 kthehet në Kosovë dhe më 8 dhjetor të po atij viti, u bashkohet radhëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Fillimisht sistemohet në Brigadën 153 të Zonës Operative të Llapit të cilën e komandonte oficeri i Ushtrisë së Shqipërisë, kolonel Adem Shehu.
Zona e Llapit dhe e Malësisë së Marecit dhe Karadakut, ishin konsoliduar tashmë dhe ndërkohë kishin filluar edhe ofensivat serbe, të cilat kishin për qëllim ta shpartallonin UÇK-në, sidomos në zonat kufitare me Serbinë.
Luftimet që u zhvilluan “Te Tabet e Llapashticës” por edhe në tërë vijën e fronit përgjatë kufirit me Serbinë, lanë për të kuptuar se forcat e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës ishin konsoliduar dhe ato nuk mund të zhbëheshin.
Më 24 mars të vitit 1999, Komanda ushtarake e NATO-s kishte filluar sulmin nga ajri kundër bazave ushtarake, policore dhe ekonomike të Serbisë.
Dy ditë më vonë, më 26 mars, Agim Osaj bie në pritë të forcave serbe, në lagjen “Berisha” të fshatit Llugar, të Prishtinës. Me të ndodhej edhe vëllai i tij, Ademi, i cili kishte shpëtuar. Trupi i dëshmorit Agim Osaj është varrosur së bashku me tre dëshmorë të tjerë, në fshatin Makoc.
Agimi ka qenë i martuar dhe ka lënë bijën, Mirandën dhe djalin, Agronin, të cilët ndihen krenarë për babanë e tyre dëshmor, i cili dha jetën për çlirimin e Kosovës nga okupimi serb. Familja Osaj ka marrë mirënjohje për djalin dëshmor. (A. Q.)

Kontrolloni gjithashtu

Ismajl Isuf Kryeziu (20.2.1965 – 18.4.1999)

Ismajl Isuf Kryeziu (20.2.1965 – 18.4.1999)

Dëshmori i kombit, Ismajl Kryeziu, ka lindur më 20 shkurt të vitit 1965,  në Arbanë …