Ahmet Hysen Hoxha (12.6.1945 - 21.5.1999)

Ahmet Hysen Hoxha (12.6.1945 – 21.5.1999)

Ndër pjesëtarët e lëvizjes militante të rezistencës kombëtare në Kosovë dhe pjesëtar i hershëm i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, përkatësisht, i celulave të para të kësaj ushtrie, i cili ra në plojën e burgut të Dubravës, është edhe dëshmori Ahmet Hoxha. Më 21 maj të vitit 1999, Ahmeti, së bashku me shumë të burgosur të tjerë, kishte qëlluar në oborrin e burgut në Dubravë, ku ndodhej në vuajtje të dënimit për veprimtari atdhetare, si njëri prej organizatorëve të njësive të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në trevën e Ferizajt, kur roja e burgut, së bashku me forcat e tjera militare serbe, duke shfrytëzuar si shkas bombardimin nga aeroplanët e NATO-s të këtij kampi, një pjesë e të cilit ishte shndërruar në bazë ushtarake të forcave serbe, zbrazën breshëri rafalesh të armëve në masën e të burgosurve, duke shkaktuar njërën prej masakrave më të lemeritshme në historinë e burgjeve e të kampeve të përqendrimit. Nga kjo breshëri armësh ra edhe dëshmori Ahmet Hoxha, i cili përherë kishte ëndërruar të shkëmbente plumba me pushtuesin serb.
Ahmet Hoxha ka lindur më 12 qershor të vitit 1945, në fshatin Pleshinë të komunës së Ferizajt. Ai e kreu shkollën fillore në fshatin e lindjes, kurse në Ferizaj e mbaroi shkollën normale. Në Shkollën e Lartë Pedagoghjike të Prishtinës studioi në degën e kulturës fizike. Meqenëse, në atë kohë, në Prishtinë nuk kishte fakultet të kulturës fizike, studimet në këtë fushë i vazhdoi në Universitetin e Sarajevës, të cilat i mbaroi në Prishtinë, pas hapjes së Fakultetit të Kulturës Fizike. I përgatitur si kuadër arsimor, Ahmeti punoi mësimdhënës në shumë shkolla të mesme të Ferizajt, si në Shkollën Normale, në Gjimnaz e në Shkollën Teknike. Në këtë veprimtari, ishte njëri prej punëtorëve më të përkushtuar arsimorë, i cili gëzonte autoritet të madh te nxënësit dhe te kolegët e tij.
Krahas punës me nxënës, dëshmorin Ahmet Hoxha e preokuponte edhe pozita e pjesës së robëruar të popullit shqiptar, si dhe e Kosovës, e cila pas Luftës së Dytë Botërore ishte ripushtuar nga Jugosllavia titiste. Kjo pozitë ishte reflektuar në mendjen dhe ndërgjegjen e Ahmetit, qysh si i ri, prandaj, tek ai ishte ngjizur ideali i çlirimit kombëtar. Në formimin e këtij ideali kishin ndikuar edhe demonstratat me karakter kombëtar në disa qytete të Kosovës, në nëntor të vitit 1968, si dhe disa rrethana të caktuara historike, siç ishte veprimtaria e lëvizjes kombëtare shqiptare në Kosovë, në mbarim të Luftës së Dytë Botërore. Pas përfundimit të kësaj lufte, i ati, Hyseni, qëndroi në arrati për 3 vjet rresht, pasi si shumë bashkëveprimtarë të kësaj ane, siç ishin Shaban Biba, Avdyl Dura, Sahit Xhuka, Hysen Tërpeza e të tjerë, ishte vënë nën përndjekjen e pushtetit të ri jugosllav. Në atë kohë, Hysen Hoxha kishte marrë pjesë edhe në betëjën e njohur të Kukulicës, në malet e Pleshinës.
Nga dëshira për të shijuar aromën e lirisë kombëtare në pjesën e lirë të atdheut, në fund të viteve 60, ai me gjashtë bashkëmendimtarë vendos ta shkelë e ta kalojë kufirin midis Kosovës dhe Republikës së Shqipërisë. Mirëpo, ende pa kaluar këtë kufi, ky grup të rinjsh hetohet nga spiunët e zonës kufitare të këtejkufirit, të cilët i dorëzojnë te organet jugosllave. Për këtë tentim të kalimit ilegal të kufirit, Ahmeti dhe shokët e tij u dënuan për kundërvajtje.
Në ngjarjet e zgjimit kombëtar të vitit 1981, dëshmori Ahmet Hoxha ushtroi ndikimin e vet në radhët e nxënësve, të kolegëve të punës e të masës popullore, duke përkrahur e afirmuar demonstratat e rinisë. Në këtë kohë, ai kudo dallohej si një propagandues i flaktë i kërkesës së demonstratave për republikën e Kosovës.
Rritja e shtypjes serbe mbi shqiptarët, në fund të viteve 80, si dhe zbatimi i aparteidit serb ne Kosovë, në fillim të viteve 90, ndikuan që te Ahmeti të krijohej bindja mbi domosdoshmërinë e kundërvënies së armikut me forcë. Gatishmërinë për t’iu kundërvënë armikut në këtë mënyrë, ai e dëshmoi edhe në një rast konfrontimi me policinë serbe, në vitin 1991, kur ajo u përpoq të rrëmbejë regjistrat e nxënësve shqiptarë, pas segregacionit të shkollës shqipe. Për shkak të këtij konfrontimi, u dënua me 60 ditë burg, të cilin dënim e vuajti në burgun e Prishtinës.
Në këtë kohë, Ahmeti, jo vetëm ishte bindur se çlirimi i Kosovës nga pushtuesi serb nuk do të mund të arrihej pa kundërvënie me forcë, por edhe kishte qartësuar vizionin e tij të luftës së ardhshme çlirimtare dhe kishte përcaktuar rolin e vet në këtë luftë. Për këtë arsye, në vitet 1990/91, ndër të parët angazhohet për organizimin e grupeve të të rinjve, të cilët do të dërgohen në Republikën e Shqipërisë për t’u stërvitur dhe aftësuar ushtarakisht, në mënyrë që të përballohen sfidat që do ta presin Kosovën dhe popullin e saj. Fotografitë e kësaj kohe, që sot i ruan familja e dëshmorit Ahmet Hoxha, në të cilat ai shihet në mesin e të rinjve që u stërvitën ushtarakisht nga oficerët e ushtrisë shqiptare, në Shqipëri, dëshmojnë angazhimin në shkallë të gjerë dhe rolin kyç të tij në aftësimin dhe parapërgatitjen e rinisë së Kosovës për aksione ushtarake. Në këto fotografi shihen të rinj nga anë të ndryshme të Kosovës, në njërën prej të cilave ndodhet edhe dëshmori Zahir Pajaziti. Në grupin e dytë të atyre që në këtë kohë shkuan të stërviten në Shqipëri ishte edhe komandanti i ardhshëm legjendar, Adem Jashari, me shokë. Për rolin e dëshmorit Ahmet Hoxha në këtë aktivitet kanë dëshmuar edhe oficerët e ushtrisë shqiptare, të cilët i kanë udhëhequr stërvitjet e tilla. Njëri ndër ta është edhe oficeri Dodë Dodani, nga i cili, ai ka ushtruar metodat e minimeve nën ujë. Në kuadër të këtij angazhimi, dëshmori Ahmet Hoxha kishte arritur të krijojë një rrjet të gjerë bashkëveprimtarësh, në të gjitha trevat e Kosovës. Lidhje të forta kishte krijuar edhe me djemtë e Drenicës, në krye me komandantin Adem Jashari, siç janë Sami Lushtaku, Nuredin Lushtaku, Ilaz Kodra, Fadil Kodra e të tjerë. Lidhjet me pjesëtarët e lëvizjes së rezistencës në Drenicë i vazhdoi dhe i forcoi edhe në vitet e mëvonshme, kur u formua Ushtria Çlirimtare e Kosovës. Në këtë periudhë, të gjitha fijet e tij ishin të lidhura me komandantin legjendar, Adem Jashari. Ndërkohë, shtëpia e tij në Ferizaj u bë bazë e rëndësishme e militantëve të atdheut. Pas aftësimit ushtarak në Shqipëri, ai vazhdimisht kishte qenë i armatosur. Që nga kjo kohë ka poseduar pushkë automatike.
Pas betejës në Prekaz dhe rënies së komandantit Adem Jashari, lidhjet e Ahmet Hoxhës me Drenicën vazhduan përmes bashkëluftëtarëve të tjerë. Ai tashmë riorientoi aktivitetin e tij në drejtim të organizimit dhe të shtrirjes së UÇK-së edhe në trevën e Ferizajt, duke pasë edhe ndihmën e bashkëveprimtarëve të tjerë në këtë anë, siç ishin, Cen Dugolli, Rexhep Bislimi, Ekrem Metushi, Ylber Topalli e të tjerë. Sigurimi serb kishte parandier ngritjen e UÇK-së edhe në këtë anë, prandaj në qershor të vitit 1998 ndërmori një fushatë të egër të arrestimeve të veprimtarëve shqiptarë. Kësaj fushate nuk i shpëtoi as Ahmet Hoxha. Më 25 qershor të atij viti, ai u arrestua në orët e mëngjesit, pasi forca të mëdha policore serbe, rrethuan shtëpinë e tij. Pas arrestimit të Cen Dugollit, Rexhep Bislimit, disa ditë më parë, për të humbur gjurmët e për t’iu shmangur fushatës, Ahmeti kishte qëndruar në arrati. Mirëpo, arrestimi që të nesërmen e kthimit të tij në shtëpi, dëshmoi se ai kishte qenë në kërkim të rreptë.
Gjatë dy muajve të parë të arrestit, familja e Ahmetit nuk pati asnjë informacion se ku ndodhej ai. Pas kësaj periudhe vërtetohet ndodhja e tij në burgun e qarkut në Gjilan. Gjatë procesit të hetimeve, Ahmeti u kishte përballuar torturave të egra. Me qëndresën e tij, u kishte dhënë kurajë edhe të burgosurve të tjerë. Ai ishte eksplicit dhe i drejtpërdrejtë në qëndrimet ndaj pushtuesit. Shokët e dhomës e kanë përshkruar rastin kur ai i është përgjigjur pyetjes së ministrit serb të drejtësisë, i cili kishte vizituar burgun e Gjilanit, se ç’i duhej arma atij. Ahmeti, pa ngurrim i përgjigjet: Për të luftuar me ju.
Hetimet kundër Ahmet Hoxhës zgjatën disa muaj. Ai dhe 25 bashkëveprimtarët e përfshirë në aktakuzë u akuzuan për aktivitet lidhur me zgjerimin e radhëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe me përhapjen e aksioneve ushtarake në trevën e Ferizajt. Në procesin gjyqësor, i cili zgjati prej datës 23 dhjetor të vitit 1998, deri më 5 shkurt të vitit 1999, Ahmetit iu shqiptua dënimi prej 5 vjetësh. Pas shqiptimit të dënimit, vazhdoi të mbahej në burgun e qarkut në Gjilan, deri më 30 prill të vitit 1999, kur së bashku me të bashkakuzuarit u transferua në burgun e Dubravës. Në këtë burg, në dhomë kishte edhe dy bashkëveprimtarët, Sylejman Bytyçi dhe Ylber Topalli.
Në gjysmën e dytë të muajit maj të vitit 1999, NATO-ja e kishte identifikuar si cak të domosdoshëm sulmi edhe një pjesë të burgut të Dubravës, e cila ishte bërë qendër komanduese për forcat militare serbe. Seria e parë e bombardimit të kësaj pjese të burgut u bë më 19 maj. Fatkeqësisht, ky bombardim shkaktoi edhe disa viktima në radhët e të burgosurve shqiptarë, ndër të cilët ranë edhe Enver Topalli, nga Gremja e Ferizajt, Abdullah Tahiri, nga Malisheva e Gjilanit dhe Gjokë Ndrecaj nga Biteshi i Gjakovës. Ky bombardim, pastaj, u shfrytëzua nga roja e burgut dhe nga forcat e tjera militare serbe për të vrarë në masë të burgosurit shqiptarë, në shenjë hakmarrjeje. Në këtë mënyrë, çdo seri bombardimesh mbi burgun, u pasua me sulme të forcave militare serbe mbi të burgosurit. Një sulm i tillë u bë edhe dy ditë më pas, më 21 maj, kur plumbat e vrasësve serbë goditën për vdekje trupin e Ahmet Hoxhës, në mesin e shumë të burgosurve të nxjerrur në oborrin e burgut. Shokët e burgut ishin bindur për rënien e tij, në momentin kur ai nuk u ishte përgjigjur thirrjeve të tyre.
Trupi i dëshmorit Ahmet Hoxha, u varros nga forcat serbe në varrezat masive të fshatit Rakosh. Ai u identifikua në gusht të vitit 1999. E bija e tij, Besa, e kishte njohur pjesën e epërme të trenerkës, të cilën e kishte pasur veshur në momentin e rënies. Në xhepin e kësaj trenerke ishte gjetur një letër identifikuese, me emrin dhe mbiemrin e dëshmorit. Me letra të tilla, ato ditë ishin pajisur të gjithë të burgosurit e dhomës së dëshmorit Ahmet Hoxha. Ato i kishte shkruar Ylber Topalli, duke shfrytëzuar letrën prej stanioli të paketës së cigareve.
Pas identifikimit, trupi i dëshmorit Ahmet Hoxha u varros në fshatin e lindjes, në Pleshinë. Në shtator të vitit 1999, ai u rivarros në Varrezat e Dëshmorëve, në Ferizaj, ku vazhdon të prehet përkrah trupave të dëshmorëve të tjerë, të rënë në vijat e frontit, për të cilat ishte angazhuar dhe kishte ëndërruar edhe dëshmori Ahmet Hoxha. Në këto vija të frontit atë e zëvendësoi e bija, Besa. Uniforma e saj, si ushtare e lirisë, pas emblemës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, u stolis edhe me ato të UÇPMB-së e të Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare.
Kontributin dhe meritat e dëshmorit Ahmet Hoxha, për luftën çlirimtare, sot i dëshmojnë lapidari i ngritur, rrugët, shkollat dhe institucionet e emërtuara me emrin e tij. Në lapidarin e përbashkët të ngritur për dëshmorët e fshatit, në Pleshinë të Poshtme, është skalitur edhe emri i dëshmorit Ahmet Hoxha. Emri i tij u është vënë shkollës fillore në Pleshinë, si dhe një rruge në qytetin e Ferizajt. Për merita të veçanta në sportin e pingpongut, këtë emër e ka marrë edhe shkolla e pingpongut për të rinj, në Ferizaj. Ndërsa, klubi i pingpongut në këtë qytet ka akorduar mirënjohje për dëshmorin Ahmet Hoxha, ngase për shumë kohë kishte qenë trajner i këtij klubi. Kontribut, jo më të vogël ai kishte dhënë edhe në futbollin dhe në sporte të tjera të qytetit të Ferizajt, ngase sporti ishte njëkohësisht profesion dhe pasion i tij. Për nder të këtij kontributi, në qytetin e Ferizajt organizohen turne përkujtimore në sportin e pingpongut e të futbollit.
Për sakrifikimin dhe rënien në interes të kombit e të Kosovës, familja e dëshmorit Ahmet Hoxha është mirënjohur me pllakatën Nderim, nga Ministria e Mbrojtjes e Qeverisë së Përkohshme të Kosovës.
Në mesin e 10 fëmijëve të prindërve, Hysenit e Fikries, (dëshmori Ahmet Hoxha ka lënë 5 vëllezër dhe 4 motra: Zejnullahun, Aliun, Avdullahun, Fadilin, Qamilin, Safeten, Haliden, Hatixhen dhe Fadilen), dëshmori Ahmet Hoxha rrezaton dritë të amshueshme, e cila do ta ndriçojë përherë rrugën drejt lirisë së Kosovës dhe ardhmënisë, pjesë e së cilës do të jenë edhe bashkëshortja, Fevzia dhe 5 fëmijët e tyre: Astriti, Albani, Luljeta, Besa e Shqipja. (N. M.)

Kontrolloni gjithashtu

Zabit Ahmet Shabandula (5.4.1964 - 29.3.1999)

Zabit Ahmet Shabandula (5.4.1964 – 29.3.1999)

Menjëherë pas 24 marsit të vitit 1999, pas bombardimeve të NAT0-s mbi forcat çetnike serbe, …