Dëshmori Hetem Rexhaj ka lindur më 18 maj të vitit 1969, në Jabllanicë të Madhe të Pejës. Shkollën fillore e ka kryer në fshatin e afërt, Jabllanicë e Vogël, kurse të mesmen, në Pejë. Për shkak të kushteve ekonomike, nuk i vazhdoi studimet, por u mor me punë ndërtimtarie, bashkë me babain, Cenën dhe vëllezërit, Mehmetin e Ajetin.
Nën ndikimin e vëllezërve më të mëdhenj, Mehmetit e Ajetit, Hetemi, në vitet ’90 të shekullit të shkuar, preokupohet me çështjen e lirisë kombëtare. Dhuna e egër që ushtronte Serbia pushtuese, e kishte forcuar te ai bindjen se Kosova duhej të çlirohej me çdo kusht e me çdo mjet të luftës. Për këtë arsye, ai dhe vëllezërit, madje edhe ishin parapërgatitur, duke siguruar ca armë e municion. Pasi policia serbe e kishte pikasur familjen e tij si të rrezikshme dhe kundërshtare të regjimit, në vitin 1994, e bastis atë, me ç’rast dëshmon vrazhdësi dhe urrejtje shoveniste antishqiptare, duke përmbysur mobilet dhe orenditë shtëpiake, me motivin e kërkimit të armëve. Kjo vrazhdësi dhe urrejtje, nuk e frikëson Hetemin, por përkundrazi e shton edhe më tepër vendosmërinë e tij për ta luftuar robëruesin. Dita për ta realizuar këtë qëllim, arriti me lindjen e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës të Komandantit Legjendar Adem Jashari dhe me fillimin e luftës çlirimtare.
Me formimin e Brigadës 133 “Adrian Krasniqi” në Zonën Operative të Dukagjinit, në janar të vitit 1999, Hetemi dhe vëllezërit e tij më të mëdhenj, Mehmeti e Ajeti, ngarkohen me detyra të caktuara ushtarake, në sektorin e logjistikës. Ata angazhohen për bartjen e armatimit, i cili sigurohej në trevën e Rozhajës, nga boshnjakët. Po ashtu, të armatosur me automatikë e me bomba dore, ata mbajnë edhe pikat ushtarake të formuara në fshat, siç ishin ato te “Vreshtat”, te “Lugu i Gjatë” e në vente të tjera. Hetemi ishte në kontakt të përhershëm me eprorë dhe ushtarë të Brigadës 133, siç janë Binak Muçaj, Azem Veselaj, Naim Gjuraj, Muhamet Demaj e të tjerë.
Familja e dëshmorit Hetem Rexhaj, sikurse edhe popullata tjetër e trevës ku vepronte Brigada 133, pas fillimit të fushatës ajrore të NATO-s, në fund të muajit mars të vitit 1999, u detyrua ta lëshojë shtëpinë e të vendoset në male, për shkak të egërsisë së forcave serbe, të cilat nuk kursenin popullatën civile nga masakrimi. Ajo u vendos në vendin e quajtur Fusha e Madhe në bjeshkën e Sejnovës. Gjatë kohës së qëndrimit të saj në këtë bjeshkë, Hetemi me vëllezërit e me djalin e xhaxhait, Arbenin, e furnizojnë atë dhe popullatën tjetër të zhvendosur, me miell e me gjëra të tjera ushqimore.
Për të plotësuar nevojat për armatim, të cilat ishin mjaft të mëdha, të brigadës brenda së cilës vepronte, Hetemi, vazhdoi të angazhohet në sigurimin e armatimit, duke shfrytëzuar vijën e furnizimit nga territori i Rozhajës. Në një detyrë të tillë ishte nisur, së bashku me vëllezërit bashkëluftëtarë, Mehmetin e Ajetin, si dhe me djalin e xhaxhait, Arbenin, edhe më 21 maj të vitit 1999. Mirëpo, në rrugë për në vendin e caktuar, drejt kufirit me Malin e Zi, te vendi i quajtur Maja e Zezë, ata bien në pritën e organizuar të forcave serbe. Këto forca tashmë ishin vendosur në prapashpinë të bjeshkëve të Kosovës, në frontin që nga “Kulla” e deri te “Mokna” dhe “Maja e Madhe”, në pjesën verilindore të kësaj treve.
Nga sulmi i pritës së organizuar në “Majën e Zezë”, në fushën e nderit, për lirinë e Kosovës, ranë dëshmorët: Hetem, Ajet dhe Mehmet Rexhaj. Arrin t’i shpëtojë sulmit asgjësues vetëm Arbeni.
Pas përfundimit të luftës, në qershor të vitit 1999, trupat e këtyre tre dëshmorëve u rivarrosën në varrezat e fshatit Jabllanicë e Madhe. Në sheshin e këtij fshati është ngritur edhe permendorja e tyre e përbashkët, e cila flet edhe kur ne të gjallët harrojmë të flasim dhe e cila shkëlqen edhe atëherë kur ne të gjallëve nuk na bëjnë sytë të shohim. Ajo është vula e një epoke heroike të popullit shqiptar, në të cilën toka e Kosovës u la me gjakun e bijve më të mirë, që të mos ketë mort kurrë më dhe që të mos e shkelë kurrë më këmba e shkjaut pushtues.
Dëshmori Hetem Rexhaj ishte fëmija i tretë i prindërve, Cenës dhe Hylës, të cilët sot jetojnë me krenarinë që Kosovës dhe kombit shqiptar ia rritën tre bijë dëshmorë: Hetemin, Ajetin dhe Mehmetin. Këta prindër jetojnë me dashurinë e dy fëmijëve të tjerë, Emrushit dhe Hidajetes, të nuseve të lëna nga bijtë dëshmorë dhe të pasardhësve të tyre: Musës, Albertit, Albertinës, Arianitit, Albionit dhe Artonit. Artoni është dëshiri, për të cilin përkujdeset bashkëshortja e lënë nga dëshmori Hetem Rexhaj. (N. M.)
Kontrolloni gjithashtu
Gursel Hetem Sylejmani (1.11.1961 – 28.9.1998)
Duke parë sjelljet, qëndrimin dhe fjalët e Gurselit, shpeshherë mendoja dhe i thosha vetes: ky …