Në moshën 79 vjeçare ndërroi jetë drejtori i Radios-Kosova e Lirë, profesor, Ahmet Qeriqi

Ahmet Qeriqi: Arrestimi i shqiptarëve në Serbi, nuk është ndërprerë asnjëherë, para as pas luftës

Arrestimi i shqiptarëve në territorin e sotëm të  Serbisë, as pas luftës së UÇK-së  nuk është ndërprerë asnjëherë. Ata ish-pjesëtarë të UÇK-së që rrezikojnë të hyjnë në Serbi, nuk janë sa duhet të përgjegjshëm, ose duan ta sfidojmë inatin e zemërimin e Beogradit, ose bëjnë punë për të cilat nuk di opinioni. Është shumë më tragjik fakti se ata luftëtarë që i kërkon Serbia për t’ i arrestuar, sipas dosjeve të kohës së Milosheviqit, ndalohen edhe në kufirin e Kosovës me Shqipërinë. Një praktikë e tillë edhe aktualisht është në fuqi dhe kjo bën që shumë ish-pjesëtarë të UÇK-së, në mesin e tyre edhe të tillë që kanë lënë gjymtyrë duke luftuar regjimin fashist të Beogradit, të ndalohen gjatë kalimit, sepse emrat e tyre ndodhen në Interpol, me kërkesë të Serbisë. Shumë prej tyre kalojnë kufirin, ilegalisht ose gjejnë ndonjë polic të njohur për të kaluar në pikat kufitare të Kosovës me  Shqipërinë. Kuvendi kurrë nuk ka diskutuar për problemet e tilla të më shumë se 300 ish pjesëtarëve të UÇK-së, të cilët Serbia i ndjek përmes Interpolit. Kjo çështje shtrohet për shqyrtim dhe deklarim verbal vetëm kur preket kupola e UÇK-së sikur janë ndaluar disa herë: Gjenerali i UÇK-së-TMIK-së, Agim Çeku, pastaj edhe Hashim Thaçi, Ramush Haradinaj e disa të tjerë.

Janë qindra luftëtarë të UÇK-së që janë ndaluar dhe ndalohen në kufirin e Kosovës me Shqipërinë, Maqedoninë, Malin e Zi dhe Serbinë. Për këta çlirimtarë, të privuar nga lëvizja e lirë në trojet shqiptare, të cilat sa e sa  herë janë larë me gjak nga pushtuesit fashistë sllavë, duket se nuk dinë, apo nuk janë të interesuar të dinë deputetët e Kuvendit të Kosovës, madje as disa deputetët që fryhen për prejardhjen e tyre nga lufta e UÇK-së.

Rasti i Nehat Thaçit bëri bujë vetëm sepse ishte oficer i lartë i Policisë, edhe pse tashmë është bërë e ditur se ai nuk ka qenë në rrugëtim zyrtar, sikur shkon zyrtarisht  në Serbi kryepolici i Kosovës Shpend Maxhuni, i cili mirëpritet atje si polic rajonal, madje edhe me respekt… Thaçi ka rrugëtuar  privatisht nëpër Serbi. Këtë e ka  bërë të ditur vetë Kryeministri Isa Mustafa, ndërsa pacifisti  mjeran, Skënder Hyseni, madje edhe  ministër  Punëve të Brendshme të Kosovës, ka deklaruar në Kuvend  se që nga momenti i arrestimit të Nehat Thaçit, Qeveria e Kosovës me dikasteret përkatëse qenkan  vënë në lëvizje.

“Jemi përkujdesur dhe do të vazhdojmë të përkujdesemi që me asnjë deklarim publik të mos ta vështirësojmë procesin në të cilin ndodhet Nehat Thaçi. Nuk dëshirojmë të deklarojmë ne diçka që shkon ndesh me deklarimet që i bën Thaçi atje, duke mos e ngarkuar gjendjen e tij të rëndë nëpër burgjet e Serbisë”, ka shtuar Hyseni, duke mos arritur ta fshehë  pozitën e tij të mjerë në raport me Serbinë. Ky ministër tregon mirëfilli mjerimin, vetë-nënshtrimin dhe frikën deri në palcë, që e ka pasur dhe e ka nga Serbia. Ai thotë se me heshtjen e institucionit që përfaqëson,  është përkujdesur të mos e zemërojë Serbinë, në mënyrë që të mos i vështirësohet pozita policit të tij, po ashtu të mjerë dhe të papërgjegjshëm, sepse me sy në ballë nuk shkohet “si cjapi te kasapi”.

Rasti i Nehat Thaçit, pavarësisht çfarë rezolute do të nxjerrë Kuvendi, nuk zgjidh asnjë problem, përkundrazi problemin e një shumice të luftëtarëve të UÇK-së e redukton si rast individual, rast të veçuar, dhe kjo i shkon shumë për shtati qeveritarëve. Kjo mënyrë e qasjes spontane të kësaj çështjeje, tregon mirëfilli se institucionet në Kosovë as janë interesuar, as interesohen për fatin kolektiv të luftëtarëve të lirisë, por vetëm për rastet e veçanta, vetëm atëherë kur janë në pyetje zyrtarët e lartë  dhe deputetët.

Disa përpëlitje e belbëzime të ministrave, si ajo për dialog me Serbinë, Edita Tahiri, apo edhe e ministrit të Jashtëm, Enver Hoxhaj, se me Serbinë duhet të aplikohet  reciprocitet u hoqën me shpejtësi nga fjalori politik,  kur kryetari i Kosovës, Hashim Thaçi nga Tirana ku ndodhej për një vizitë, lëshoi kumtimin drejtuar ministrave të Isa Mustafës, që të mos flasin për reciprocitet, sepse veprimi i tillë nuk do të ndodh kurrë. “Ne nuk i përgjigjemi dhunës me dhunë”, kishte saktësuar Thaçi gjatë vizitës së bujshme në Tiranë.

Reciprocitetin në veprimet e Serbisë nuk e bën dot kjo klasë politike, e cila po mbahet në pushtet, pikërisht për bashkëpunim dhe dialog pa kushte me Serbinë, duke lëshuar pe në dëm të sovranitetit të Kosovës, me qëllim  për të marrë përkrahjen e Brukselit dhe për të qeverisur urtë e butë, sidomos me Serbinë por edhe me fqinjët e tjerë.

Epilogu

Sot, më 12 tetor 2016,  në Kuvendin e Kosovës, deputetët kanë paraqitur dy rezoluta. Rezoluta e propozuar nga koalicioni qeveritar, lidhur me rastin e oficerit të Policisë së Kosovës Nehat Thaçi, i cili po mbahet në arrest në Serbi, konkretisht rezolutë e koalicionit qeveritar PDK-LDK  ka marrë 51 vota pro, 13 kundër dhe 8 abstenime. Rezoluta e propozuar nga deputeti, Gëzim Kelmendi, të cilën e kanë mbështetur edhe disa deputetë të opozitës,  ka marrë 19 vota pro, 38 kundër dhe 18 abstenime. Rezoluta e koalicionit qeveritar nuk parasheh ndërprerjen e dialogut me Serbinë, as veprimet reciproke kundër saj.  Asnjëra nga rezolutat nuk kishte të bënte me ndalimin e arrestimit nga Serbia të të gjithë të akuzuarve për krime lufte, duke u bazuar nga aktakuzat e ngritura të kohës së  regjimit të Milosheviqit.  Edhe propozimi i Vetëvendosjes kishte të bënte vetëm me mos arrestimin e zyrtarëve të lartë dhe jo të gjithë atyre luftëtarëve të UÇK-së të cilët akuzohen nga Serbia, për gjoja krime lufte.

Kontrolloni gjithashtu

-Shoqëria shqiptare shpesh ka prirjen t’i vendosë figurat publike në piedestal, duke harruar se ata mbeten njerëz me bindje, dobësi, -Nuk mund të kryqëzohet një artist i madh sepse si qytetar ka zgjedhur të mbështesë dikë, ashtu siç miliona njerëz mbështesin parti, drejtues apo ekipe sportive të ndryshme. -Ne shpesh kalojmë menjëherë nga adhurimi në linçim publik. -Një deklaratë e vetme mjafton që rrjetet sociale të harrojnë kontributet e një jete të tërë. -Kjo është padrejtësi morale dhe mungesë kulture demokratike. Albert Z. ZHOLI Kam pasur fatin të zhvilloj shumë takime dhe intervista me aktorin e madh "Nderi i Kombit" Robert Ndrenika. Në jetën e përditshme ai është krejt ndryshe nga shpërthimi artistik që shohim në skenë apo në ekran. Një intelektual i qetë, i mençur, i kulturuar, me një finesë komunikimi që të bën menjëherë për vete. Në bisedë flet me maturi, me humor të hollë dhe me atë urtësi që vjen vetëm nga njerëzit që kanë jetuar shumë dhe kanë lexuar akoma më shumë. Ndërsa në skenë ai shndërrohet krejtësisht: shpërthen me energji, emocion dhe forcë interpretimi, duke e bërë publikun të qeshë, të mendojë apo të përlotet. Bisedat me të kanë qenë gjithmonë si orë mësimi. Nga çdo takim me Robert Ndrenikën merr diçka: kulturë, përvojë jetësore, filozofi të thjeshtë njerëzore dhe mbi të gjitha dashurinë për artin. Pikërisht ndaj, kur shoh reagimet e ashpra ndaj një deklarate të tij si qytetar, mendoj se duhet të dimë të ndajmë figurën e kolosit të skenës shqiptare nga bindjet apo simpatitë personale që ai mund të ketë në jetën e tij private. Debatet shterpw Ende në rrjetet sociale vazhdon të diskutohet deklarata e aktorit të madh shqiptar Robert Ndrenika gjatë paraqitjes së kryebashkiakut Erion Veliaj në seancën gjyqësore të kësaj të premteje. Në atë seancë një numër i madh artistësh kishin shkuar në mbështetje të Veliajt, ndërsa takimi më i komentuar ishte ai i Robert Ndrenikës me kryebashkiakun, pak minuta para nisjes së procesit. Fjalët e aktorit: “Ç’të mbeti nga burgu, do ta vazhdoj unë”, krijuan menjëherë reagime të shumta. Disa e interpretuan si humor të hidhur, disa si solidaritet njerëzor, të tjerë si mbështetje politike. Në rrjetet sociale shpërthyen debatet, kritikat, ironitë dhe madje sulmet personale. Por pikërisht këtu lind nevoja për një reflektim më të thellë: a duhet gjykuar një artist i madh për një deklaratë emocionale të bërë si qytetar? Shoqëria shqiptare shpesh ka prirjen t’i vendosë figurat publike në piedestal, duke harruar se ata mbeten njerëz me bindje, dobësi, simpati dhe preferenca personale. Një artist nuk jeton vetëm në skenë. Ai ka dy jetë: jetën artistike dhe jetën qytetare. Në skenë ai i përket publikut, historisë dhe artit; jashtë saj ai i përket vetes, bindjeve dhe emocioneve të tij njerëzore. Aktor i madh Robert Ndrenika është një nga aktorët më të mëdhenj shqiptarë të të gjitha kohërave. Breza të tërë janë rritur me rolet e tij në teatër dhe kinematografi. Ai nuk është thjesht një aktor i suksesshëm, por një institucion më vete i artit shqiptar. Emri i tij lidhet me dhjetëra role që kanë hyrë në memorien kolektive të shqiptarëve. Nga “Horizonte të hapura”, “I teti në bronx”, “Kapedani”, “Koncert në vitin 1936”, “Në shtëpinë tonë”, “Mësonjtorja”, “Prefekti”, “Nëntori i dytë”, “Besa e kuqe”, “Shirat e vjeshtës”, “Shi në plazh” e deri te dhjetëra interpretime të tjera në teatër, Robert Ndrenika ka qenë një shkollë më vete interpretimi. Figura e tij artistike është ngritur mbi talentin, punën dhe përkushtimin shumëvjeçar ndaj skenës shqiptare. Vetëm roli i Qazim Mulletit tek filmi “Prefekti” do të mjaftonte që emri i tij të mbetej përgjithmonë në historinë e kinemasë shqiptare. Ndërsa personazhe të tjerë si Stefi, Agush Kalemi apo Fotaqi treguan dimensionin e jashtëzakonshëm të një aktori që dinte të lëvizte mes humorit, dramës dhe tragjikomikes me një natyrshmëri të rrallë. Deklarata spontane Por gjithë kjo pasuri artistike nuk mund dhe nuk duhet të fshihet nga një deklaratë spontane apo nga një simpati personale politike. Nuk mund të kryqëzohet një artist i madh sepse si qytetar ka zgjedhur të mbështesë dikë, ashtu siç miliona njerëz mbështesin parti, drejtues apo ekipe sportive të ndryshme. Dikush është me Partizanin, dikush me Tiranën; dikush majtas, dikush djathtas. Kjo është pjesë e pluralizmit dhe e lirisë individuale. Është e mundur që Robert Ndrenika të ketë simpati njerëzore për Erion Veliajn. Është gjithashtu e mundur që ai ta vlerësojë për investimet që janë bërë në art, kulturë, teatro apo aktivitete artistike gjatë kohës që Veliaj drejtoi Bashkinë e Tiranës. Kjo mbetet zgjedhje personale dhe nuk cenon aspak madhështinë e tij si artist. Problemi qëndron tek mënyra sesi shoqëria jonë reagon. Ne shpesh kalojmë menjëherë nga adhurimi në linçim publik. Një deklaratë e vetme mjafton që rrjetet sociale të harrojnë kontributet e një jete të tërë. Kjo është padrejtësi morale dhe mungesë kulture demokratike. Në vendet me traditë demokratike artisti ndahet nga bindja e tij politike. Askush nuk ua mohon veprat artistëve sepse votojnë majtas apo djathtas. Arti nuk është gjykatë politike. Një aktor nuk matet me deklaratat e momentit, por me atë që ka lënë në kulturën kombëtare. Robert Ndrenika ka lënë shumë më tepër sesa një fjali të komentuar në rrjetet sociale. Ai ka lënë personazhe, emocione, humor, lot dhe kujtime që jetojnë prej dekadash në publikun shqiptar. Rreziku Një komb që nuk respekton ikonat e tij artistike rrezikon të humbasë kujtesën kulturore. Kritika është normale dhe demokracia e lejon debatin, por debati nuk duhet të kthehet në fshirje të figurës së një artisti që i ka dhënë aq shumë kulturës shqiptare. Ndaj, përtej polemikave të ditës, duhet të dimë të ndajmë artistin nga qytetari. Robert Ndrenika mbetet një kolos i skenës shqiptare. Ndërsa Robert Ndrenika qytetar ka të drejtën e tij të mendojë, të ndiejë dhe të mbështesë kë të dojë. Pikërisht kjo ndarje është thelbi i një shoqërie demokratike dhe i qytetërimit kulturor.

Albert Z. Zholi: Robert Ndrenika mes artit dhe qytetarisë, mes madhështisë dhe kryqëzimit

-Shoqëria shqiptare shpesh ka prirjen t’i vendosë figurat publike në piedestal, duke harruar se ata …