Ilir Sefaj

Ilir Sefaj: Kolektivisht të përhumbur!

“Do të vijë një kohë kur njerëzit do të presin në radhë për t’u turpëruar”, është një thënie gjeniale

që e kemi parë jo rrallë duke qarkulluar në rrjetet sociale. Nuk e di vulën e kujt emër e mban kjo

thënie profetike, por se qytetari ynë ka ardhur në këtë pikë, nuk ka asnjë dilemë. Shoqëria kosovare  është në krizë, madje në krizë të thellë, në krizë shumëdimensionale, do të thosha. Është e vështirë  të flasim për zanafillën e kësaj krize, veçse me apo pa vetëdije kemi hyrë në një fazë që unë po e  quaj, përhumbje kolektive.

Nuk e di nëse ky term është më adekuati, veçse kujtoj se secila sferë e jetës sonë shoqërore tashmë është kapluar nga kjo përhumbje, që siç e thashë, po zgjedh ta quaj, kolektive.

Në dy dekada e gjysmë liri, e në 16 vjet shtet, qytetari i Kosovës kurrsesi ta gjejë rrugën drejt një emancipimi shoqëror, i cili do të ndihmonte në tejkalimin e këtyre situatave të pakëndshme me të  cilat po ballafaqohemi në përditshmërinë tonë, e që fatkeqësisht nga një pjesë e njerëzve kanë filluar  të shihen si normale.

Por, ku është zanafilla e krejt kësaj? Ku çaluam si shoqëri, si shtet?!

Në dukje të thjeshta, por këtyre pyetjeve vështirë t’u jepen përgjigje meritore. Megjithatë, disa gjëra janë të pastra si loti. Në një përkufizim të parë, do të thoshim se kjo përhumbje kolektive ka ardhur  si rezultat i asaj që qysh me përfundimin e luftës ngarendëm të marrim atë që nuk na takon, e të  jemi aty ku nuk na përket.

Dhe, kësaj i kontribuuam të gjithë, kush më shumë e kush më pak. Në Kosovën e pasluftës u shit e  u ble çdo gjë! U shiten diplomat, u shiten titujt, u shiten gradat, u shit gjithçka, madje shumë lirë,  çmimin e lirë të të cilave po e paguajmë shtrenjtë sot.

Sigurisht se në dhjetëvjetëshin e parë të pasçlirimit të vendit nga një regjim i ashpër e kriminal siç  ishte ai i Milosheviqit, që disa preferojnë ta quajnë si fazë tranzitore, disa paudhësi edhe do të mund  të gëlltiteshin më me lehtësi, mirëpo në Kosovën e 2024-ës nuk mund të qëndrojmë indiferentë  kundrejt fenomene me të cilat ballafaqohemi si shoqëri, në të kundërtën, siç me të drejtë e tha dikush, “do të shkojmë për lesh”.

Të hapësh një temë, një çështje, një dilemë është shumë e lehtë. E vështirë është të mbyllësh tema, çështje, dilema. Kujtoj se si individë, si shoqëri, por edhe si shtet nuk duhet të mjaftohemi të merremi dhe t’i përmbushim egot tona nëpër studio televizive duke trajtuar fenomene nga më të ndryshmet, më shumë për t’i vënë në pah “(pa)aftësitë” tona në trajtimin e çështjeve sesa për të zgjidhur diçka në përditshmërinë tonë.

Diskursi i ashpër politik (normal, sa për sy e faqe), që haset në forumet ku bëhet politikë ditore e që  është zanat për politikanët, nuk duhet të bëhet normë edhe kur flasim për vrasjet, përdhunimet, ngacmimet seksuale, e fenomenet e tjera të shëmtuara me të cilat ballafaqohemi si shoqëri.   Është e shëmtuar kur në një studio televizive, gratë vetëm sa nuk ia nxjerrin sytë njëra-tjetrës kur  flasin për vrasjen e një gruaje tjetër, vetëm sa për të përmbushur egot e tyre me bindjen se dikush atje në kafene apo në ndeja mes miqsh, do të thotë: e pe çfarë i tha ajo kësaj, ose e pe çfarë i tha kjo  asaj.

Fenomenet negative me të cilat ballafaqohet shoqëria kosovare duhet të trajtohen nga profesionistë  të lëmive të caktuara dhe jo të shndërrohen në tema ku gjithkush thotë çfarë të dojë, dhe askush  nuk i përgjigjet askujt për atë që bën e thotë.

Pra, vetëdijshëm ose pa të, kur njeriu rreket pas asaj që nuk është vokacion i tij, do të ngjallë dyshime, dilema e padijeni. Dhe, nëse jemi më të përmbajtur në ato që themi e bëjmë, sidomos kur çështja nuk na përket neve, direkt ose indirekt ndihmojmë në vënien në binarë të gjërave.

Intencë e kësaj përqasjeje nuk është moralizimi, ose tendenca e krijimit të “shtetit ose shoqërisë ideale”, sepse fenomenet negative hasen në të gjitha shoqëritë, edhe në ato më të përparuara se ne,  mirëpo është koha e fundit që edhe ne si shoqëri t’u japim emër e mbiemër problematikave që na  shoqërojnë në rrugëtimin tonë, e këtë duhet lënë kompetentëve. Përndryshe, letargjia, ose kjo  përhumbje kolektive, që unë zgjodha ta quaj, do të na shoqërojë edhe për një kohë të gjatë!

 

Kontrolloni gjithashtu

-Shoqëria shqiptare shpesh ka prirjen t’i vendosë figurat publike në piedestal, duke harruar se ata mbeten njerëz me bindje, dobësi, -Nuk mund të kryqëzohet një artist i madh sepse si qytetar ka zgjedhur të mbështesë dikë, ashtu siç miliona njerëz mbështesin parti, drejtues apo ekipe sportive të ndryshme. -Ne shpesh kalojmë menjëherë nga adhurimi në linçim publik. -Një deklaratë e vetme mjafton që rrjetet sociale të harrojnë kontributet e një jete të tërë. -Kjo është padrejtësi morale dhe mungesë kulture demokratike. Albert Z. ZHOLI Kam pasur fatin të zhvilloj shumë takime dhe intervista me aktorin e madh "Nderi i Kombit" Robert Ndrenika. Në jetën e përditshme ai është krejt ndryshe nga shpërthimi artistik që shohim në skenë apo në ekran. Një intelektual i qetë, i mençur, i kulturuar, me një finesë komunikimi që të bën menjëherë për vete. Në bisedë flet me maturi, me humor të hollë dhe me atë urtësi që vjen vetëm nga njerëzit që kanë jetuar shumë dhe kanë lexuar akoma më shumë. Ndërsa në skenë ai shndërrohet krejtësisht: shpërthen me energji, emocion dhe forcë interpretimi, duke e bërë publikun të qeshë, të mendojë apo të përlotet. Bisedat me të kanë qenë gjithmonë si orë mësimi. Nga çdo takim me Robert Ndrenikën merr diçka: kulturë, përvojë jetësore, filozofi të thjeshtë njerëzore dhe mbi të gjitha dashurinë për artin. Pikërisht ndaj, kur shoh reagimet e ashpra ndaj një deklarate të tij si qytetar, mendoj se duhet të dimë të ndajmë figurën e kolosit të skenës shqiptare nga bindjet apo simpatitë personale që ai mund të ketë në jetën e tij private. Debatet shterpw Ende në rrjetet sociale vazhdon të diskutohet deklarata e aktorit të madh shqiptar Robert Ndrenika gjatë paraqitjes së kryebashkiakut Erion Veliaj në seancën gjyqësore të kësaj të premteje. Në atë seancë një numër i madh artistësh kishin shkuar në mbështetje të Veliajt, ndërsa takimi më i komentuar ishte ai i Robert Ndrenikës me kryebashkiakun, pak minuta para nisjes së procesit. Fjalët e aktorit: “Ç’të mbeti nga burgu, do ta vazhdoj unë”, krijuan menjëherë reagime të shumta. Disa e interpretuan si humor të hidhur, disa si solidaritet njerëzor, të tjerë si mbështetje politike. Në rrjetet sociale shpërthyen debatet, kritikat, ironitë dhe madje sulmet personale. Por pikërisht këtu lind nevoja për një reflektim më të thellë: a duhet gjykuar një artist i madh për një deklaratë emocionale të bërë si qytetar? Shoqëria shqiptare shpesh ka prirjen t’i vendosë figurat publike në piedestal, duke harruar se ata mbeten njerëz me bindje, dobësi, simpati dhe preferenca personale. Një artist nuk jeton vetëm në skenë. Ai ka dy jetë: jetën artistike dhe jetën qytetare. Në skenë ai i përket publikut, historisë dhe artit; jashtë saj ai i përket vetes, bindjeve dhe emocioneve të tij njerëzore. Aktor i madh Robert Ndrenika është një nga aktorët më të mëdhenj shqiptarë të të gjitha kohërave. Breza të tërë janë rritur me rolet e tij në teatër dhe kinematografi. Ai nuk është thjesht një aktor i suksesshëm, por një institucion më vete i artit shqiptar. Emri i tij lidhet me dhjetëra role që kanë hyrë në memorien kolektive të shqiptarëve. Nga “Horizonte të hapura”, “I teti në bronx”, “Kapedani”, “Koncert në vitin 1936”, “Në shtëpinë tonë”, “Mësonjtorja”, “Prefekti”, “Nëntori i dytë”, “Besa e kuqe”, “Shirat e vjeshtës”, “Shi në plazh” e deri te dhjetëra interpretime të tjera në teatër, Robert Ndrenika ka qenë një shkollë më vete interpretimi. Figura e tij artistike është ngritur mbi talentin, punën dhe përkushtimin shumëvjeçar ndaj skenës shqiptare. Vetëm roli i Qazim Mulletit tek filmi “Prefekti” do të mjaftonte që emri i tij të mbetej përgjithmonë në historinë e kinemasë shqiptare. Ndërsa personazhe të tjerë si Stefi, Agush Kalemi apo Fotaqi treguan dimensionin e jashtëzakonshëm të një aktori që dinte të lëvizte mes humorit, dramës dhe tragjikomikes me një natyrshmëri të rrallë. Deklarata spontane Por gjithë kjo pasuri artistike nuk mund dhe nuk duhet të fshihet nga një deklaratë spontane apo nga një simpati personale politike. Nuk mund të kryqëzohet një artist i madh sepse si qytetar ka zgjedhur të mbështesë dikë, ashtu siç miliona njerëz mbështesin parti, drejtues apo ekipe sportive të ndryshme. Dikush është me Partizanin, dikush me Tiranën; dikush majtas, dikush djathtas. Kjo është pjesë e pluralizmit dhe e lirisë individuale. Është e mundur që Robert Ndrenika të ketë simpati njerëzore për Erion Veliajn. Është gjithashtu e mundur që ai ta vlerësojë për investimet që janë bërë në art, kulturë, teatro apo aktivitete artistike gjatë kohës që Veliaj drejtoi Bashkinë e Tiranës. Kjo mbetet zgjedhje personale dhe nuk cenon aspak madhështinë e tij si artist. Problemi qëndron tek mënyra sesi shoqëria jonë reagon. Ne shpesh kalojmë menjëherë nga adhurimi në linçim publik. Një deklaratë e vetme mjafton që rrjetet sociale të harrojnë kontributet e një jete të tërë. Kjo është padrejtësi morale dhe mungesë kulture demokratike. Në vendet me traditë demokratike artisti ndahet nga bindja e tij politike. Askush nuk ua mohon veprat artistëve sepse votojnë majtas apo djathtas. Arti nuk është gjykatë politike. Një aktor nuk matet me deklaratat e momentit, por me atë që ka lënë në kulturën kombëtare. Robert Ndrenika ka lënë shumë më tepër sesa një fjali të komentuar në rrjetet sociale. Ai ka lënë personazhe, emocione, humor, lot dhe kujtime që jetojnë prej dekadash në publikun shqiptar. Rreziku Një komb që nuk respekton ikonat e tij artistike rrezikon të humbasë kujtesën kulturore. Kritika është normale dhe demokracia e lejon debatin, por debati nuk duhet të kthehet në fshirje të figurës së një artisti që i ka dhënë aq shumë kulturës shqiptare. Ndaj, përtej polemikave të ditës, duhet të dimë të ndajmë artistin nga qytetari. Robert Ndrenika mbetet një kolos i skenës shqiptare. Ndërsa Robert Ndrenika qytetar ka të drejtën e tij të mendojë, të ndiejë dhe të mbështesë kë të dojë. Pikërisht kjo ndarje është thelbi i një shoqërie demokratike dhe i qytetërimit kulturor.

Albert Z. Zholi: Robert Ndrenika mes artit dhe qytetarisë, mes madhështisë dhe kryqëzimit

-Shoqëria shqiptare shpesh ka prirjen t’i vendosë figurat publike në piedestal, duke harruar se ata …