leoni

Bajram Curri (1866-1925)

Ahmet Qeriqi: Bajram Curri në disa nga këngët historike dhe të trimërisë

Jeta dhe vepra atdhetare e Bajram Currit ka mbetur shembull i veçantë i heroizmit historik të shqiptarëve, të cilët alfën dhe omegën e angazhimit të tyre jetësor e kishin pasur luftën për çlirim nga robëria dhe bashkimin e shqiptarëve në një shtet të vetëm.

Njëri prej këtyre atdhetarëve të përkushtuar, i cili tërë jetën e kishte vënë në shërbim të popullit është edhe Bajram Curri, apo Bajram Begu, veç tjerash edhe një personazh heroik i këngëve historike dhe të trimërisë.

Këngëtari popullor, Bajram Currin e përshkruan trim të paepur  dhe përkrahës të vegjëlisë, të popullit fukara, edhe pse ai rridhte nga një familje e kamur, por me ndjenjë të theksuar të barazisë, lirisë e solidarësisë.

Kënga e parë e shënuar për veprimtarinë atdhetare të Bajram Currit, është këngë me përmbajtje sociale. Këngëtari anonim, ka spikatur shpirtin kryengritës të heroit, ftesës që i bën popullit për kryengritje kundër pashallarëve plaçkitës dhe uzurpatorëve  të të drejtave kombëtare por edhe njerëzore të shqiptarëve.

 Bajram Curri fjalë ka çue:

– A po vini shokë me m’ndihmue?

– Se Sulltani na ka çue.

– Shemsi Pashën me na shtrue.

– Me na shtru’ kët copë Shqipni

– Duen të dhjeta, duen vergi.

– Duen vergji e duen nizam,

– Kanë qitë topat në istikam.

Gratë e Pejës janë çu’ në kamb’.

Po i thonë Pejë e po i thonë Gjakovë

– S’japim vergji, s’japim nizam’!

Kënga më e përkushtuar e këngëtarit popullor është ajo e qëndresës dhe heroizmit të Bajram Currit në Shpellën e Dragobisë, në mars të vitit 1925. Kënga paraqet një histori reale të zhvillimeve në Shqipëri, pas përmbysjes së Revolucionit Demokratik Borgjez të Fan Nolit, Bajram Currit, Luigj Gurakuqit, Hasan Prishtinës.

Asokohe Ahmet Zogu, kishte shkuar në Beograd dhe i kishte kërkuar Mbretit serb Aleksandër,  që ta ndihmonte me ushtri për ta përmbysur Qeverinë demokratike, në Tiranë. Ai i kishte premtuar edhe një port në Durrës dhe faljen e  disa tokave në vijën kufitare.

Në asnjë këngë tjetër këngëtari anonim popullor nuk ka rrëfyer më qartë dhe më realisht veprën luftarake të  Bajram Currit se sa në këngën epike heroike, të cilën e kanë kënduar dhe e këndojnë shumica dërrmuese e këngëtarëve shqiptarë, sidomos rapsodët.

Për këtë rast kemi zgjedhur ta analizojmë variantin e këngës për Bajram Currin të cilën e kanë kënduar rapsodët tani të ndjerë, Tahir Drenica dhe Hashim Shala.

Kënga fillon me paraqitjen e situatës që asokohe mbretëronte në Shqipëri.

Po bajnë seri të shtatë krajlat e mbreti,

Qysh me u qartë shqiptarët ndër veti,

Ahmet Zogu, Bajram Begi.

Bajram begu koka dakë kaçak

Ahmet Zogu shkojka ne Beograd.

Që në fillim këngëtari dallon pozicionet kundërshtare të dy forcave, njëra e cila kishte marrë përsipër të mbronte atdheun dhe tjera kishte shkuar në Serbi, me qëllim për të kërkuar ndihmë dhe për ta përmbysur pushtetin e vegjëlisë.

Në Beligrad Zogu koka shkue

Aleksandrit  na i ka kallzue

Aman  kral, po i thotë më ndihmue,

Bajram Begu m’ ka ndjekë mue,

Edhe pushtetin ma ka zaptue,

N tokë të Shqipnisë kral n’ mujsh mem çue.

Për ta përforcuar këtë ndihmë, Zogu i kujton Kralit serb, sesi kur kishte ikur nga froni, dhe ishte rrezikuar për jetë nga kalimi ilegalisht nëpër malet e Shqipërisë,  Zogu me xhandarët e tij i kishte ndihmuar dhe ia kishin siguruar rrugën deri në Portin e Durrësit.

 

A e di kral ku je kanë ngushtue

N tokë të Shqipnisë ke trupue

Sa kollaj në Francë ke shkue.

Krejt e natyrshme paraqitet gatishmëria e kralit të Serbisë për t’ i ndihmuar Zogut, por edhe për të përfituar, me qëllim që edhe Portin e Durrësit ta merrte për vete. Ai merr masa të përnjëhershme.

Aleksandri  n kamë asht çue

Dhe një leter e ka mbarue

Në telefon koka afrue. 

Tel  Gjakovës na i ka çue,

Cena Begit  na i kish kallzue,

Shumë xhandar nga Gjakovë me i shkrue,

Batalionet me i formue,

Per Shqipni duem me i çue.

Ahmet Zogut dona me i ndihmue.

Lidhjet që Serbia kishte mbajtur me Ceno beg Kryeziun bënë që krali serb të mbështetet te një njeri i sigurt, të cilit i kishte dhënë ndihmë ushtarake, duke dërguar qindra bjellogardistë rusë e banditë  serbë, por edhe ndihmë të pakursyer  në logjistikë.

Cena begi në kambë asht çue,

Shumë xhandar në Gjakovë na i ka shkrue.

Edhe rrogat jau ka caktue,

Edhe ditën ja u ka shënue,

Kan marrë rrugën kanë tfillue,

Për Shqipni janë tue shkue,

Në Grykë të Lumës kur janë shkue,

Në Bajram Begun kokan qillue,

Luftë e vogël aty ka fillue.

Me zor begun e kanë çue,

Marrke letrën  e ka lexue

Letra e kralit  krejt  na i ka kallzue.

Këngëtari popullor tregon se Bajram Curri nuk e kishte ndërmend të dorëzohej, edhe pse e dinte se raporti i forcave ishte shumëfish më i madh nga pala armike. Ai vendos rrugën e tij, betimin dhe sakrificën për komb e atdhe.

Bajram begu na i hipi atit

Ja dha majës ja dha shpatit.

Fjalë po i qon parësimit të Gashit,

Musë Zenelit, Kadri Smajlit,

Hoxhës së Vogël prej Muhjanit,

Juve u plaçin sytë e ballit!

Qysh po i hani paret  e Kralit!

Me ja marrë Vatanin djalit,

Zanat të zi pi i leni djalit.

Ja murrët fytyrën qetij plakut,

Per ket plak mos kini dert

I kam mbushë unë plot 70 vjet.

Për Shqipni xhig po më jet

S’ mund e qita n’ shkretën selamet

Se për ta, boll kam hjekë

Nga tre muj rrobat pa i deshë,

Nepër stane nëpër Bjeshkë.

Ju shkel Luma vjet per vjet

Pushkët jau merr haraq ju qet.

Pastaj këngëtari anonim popullor përshkruan fillimin e betejës në mbrojtje të nderit dhe dinjitetit të kombit e atdheut.

Sali Mani po i lypë dylbitë,

Shumë asqer kokan hy për grykë

Shumë asqer grykës janë tue shkue

Edhe shpellën ia kanë rrethue,

Bajram Begu n Lumë ish’ kanë qillue,

Jalla bani n kambë na u çue,

– Bajraktar ti shka po thue?

– A thue m pret sot Krasniqja mue?

Fjalët s vonojnë shpella na u rrethue,

Për një herë pushka paska fillue,

Shata a tetë n’ vend  e varrue,

Në Dragobi haberi ka  shkue,

Shkoi  haberi te nëntogeri,

Na faroi sot Bajram Begi.

Nëntogeri keq koka idhnue,

Burizanit iu ka ngërmue,

Burizani po i bjen burisë,

Ja tubon  asqerin Kadrisë.

Në vazhdim të këngës përshkruhet represioni dhe dhuna që kishte ushtruar oficeri i Zogut, Kadri Mehmeti, i cili u kishte djegur shtëpitë të gjithë përkrahësve të Bajram Currit.

 

Kah po shkon ai toger Kadria,

Po djeg kulla po djeg shpija.

Qashtu grykës po shkon përpjetë,

N Bajram begun kokan zatetë.

– A po lidhesh beg a don me vdekë?

 

Bajram begu, trimi, çka po i thet’

– More fëmijë mos folni keq,

– I kam mbushë plot 70 vjet,

– Njëherë nana m ka lidhë në djep,

– S’ m’ ka lidhë, Krali as Mbreti,

– Jo po m lidh Kadri Mehmeti,

Nxor alltinë begu i ra veti,

Na i ra veti besa në ballë,

Bash në ballë e përmbi sy.

Akti i vetëvrasjes së Bajram Currit, me qëllim për të mos rënë i gjallë në duart e një mercenari të Serbisë, ngrehë në piedestal karakterin, dinjitetin dhe autoritetin e Bajram Currit, i cili me një akt të tillë përbuzte e mallkonte tradhtarët, që po i hanin paret e kralit, për interesat e Serbisë dhe kundër trojeve shqiptare, gjysmën e të cilave e mbante nën robëri Jugosllavia despotike e kohës. Pastaj këngëtari popullor vajton edhe fatin e popullit, duke bërë të ditur se pushka të kishte goditur Bajram Currin dhe trimat e tij kishte pasur  jehonë zezone mbi krejt shqiptarët.

S’ t’ ka marrë beg, pushka vetëm ty’

Mor Kosovën bitevi,

Edhe Gjakovën me Malsi

Mori Lumen me nahi,

Edhe Krasniqen shpi për shpi.

Haj medet për djemtë e Kosovës,

Sot u vra Curri i Gjakovës.

 

Atëherë trupin e kanë ngarkue

Në Dragobi e paskan que.

Nëntogeri e dërgojka telin,

Flet në Kukës me Muharremin,

Preu Krasniqja sot Bajram begin,

Muharremi ma dërgojka telin

Po m’ ja qon atij Cena begut

Prenë Krasniqja Bajram begun,

Cena Begu ma dërgojka telin

Ne Tiranë po kuvend me mbretin,

Prenë Kosova Bajram Begin,

Ahmet begu na dergojka  telin,

Krejt Evropës na i ka dhanë haberin,

Preu Kosova po thotë Bajram Begun.

N Itali ja kanë pi sherbetin.

Pjesa e fundit e këngës, zbulon një të vërtetë tjetër të hidhur, që kishte lënë e kaluara e palavdishme shqiptare, e kaluara e mercenarëve dhe tradhtarëve, e cila nuk ka mbetur pa u shënuar nga këngëtari popullor. Kjo ka të bëjë me përpjekjet që vrasjen e Bajram Currit, kriminelët  t’ ia lënë  njëri tjetrit,  për t’ i dhënë një kahe tjetër veprës  së tij atdhetare.

Nëntoger, Kadri Mehmeti, i cili ishte caktuar  në krye të ekspeditës vrastare, kishte lajmëruar mercenarin, Muharrem Bajraktari për vrasjen e Bajram Currit, sepse ai ishte edhe kryexhandari i Ahmet Zogut në Tiranë. Pastaj ky e kishte lajmëruar Cena Begun, mikun më të madh të Serbisë, pas Esad Pashë Toptanit,  dhëndrin e Zogut, duke i thënë  se Bajram Currin e kanë pre Krasniqja, pra fisi i tij. Ai pa vonuar ia kishte dhënë  lajmin Ahmet Zogut dhe satrapi e kishte përhapur në tërë Evropën, duke akuzuar Gjakovën e Kosovën, për vrasjen e Bajram Currit.

Në asnjë këngë tjetër të këngëve të trimërisë, këngëtari popullor  nuk ka stigmatizuar  më shumë tradhtinë veçmas tradhtinë e katër  emrave të përmendur, të cilët për krimin e tyre të shëmtuar kishin festuar në Itali,  ku edhe ia pinë, “sherbetin” sikur  ironizohet me të drejtë akti tradhtar.  Këta emra të neveritshëm të kujtesës sonë kombëtare, Ahmet Zogu, Muharrem Bajraktari, Ceno beg Kryeziu dhe Kadri Mehmeti, kanë mbetur përgjithmonë në vargjet  kësaj kënge, por edhe kazanin e zi të tradhtisë, e cila mjerisht nuk na ka kursyer as po na kursen.

Një këngë tjetër e cila është kënduar sidomos në vitet 70 e 80 të shekullit të kaluar dhe e cila ka qenë ndër më të preferuarat e më të dëgjuarat në atë kohë,  është edhe kënga popullore,  po ashtu epike heroike:

Bajram Curr, o Bajram Curr, Emni yt s’harrohet kurrë

 

Dridhet toka, po ushton Malësia,

Në këto male po lufton djalëria,

Bashkë me trimat e kësaj Krasniqes,

Me Bajram Burrin zemër-çelik.

 

Ref.

Bajram Curr, o Bajram Curr

Emni yt s’harrohet kurrë

Ty të lindi  Dragobia,

S’të harron Shqipnia!

 

Na duel trimi në këto male tona,

Tym e flakë po n’ a i rrjedh nga goja,

N’ luftë me tradhtarin, e Kadri Mehmetin,

Se n’ Dragobi-i ai trimi na mbeti.

 

Ref.

Bajram Curr, o Bajram Curr,

Emni yt s’harrohet kurrë

Ty të lindi  Dragobia,

S’të harron Shqipnia!

 

Moj Kosovë-o ty t’a lumsha shpinën!

Bijtë e tu’ e kanë lujtë martinën!

Me Bajram Currin, Isa Boletinin,

Me Azem Bejtën e Hasan Prishtinën.

 

Ref.

Bajram Curr, o Bajram Curr

Emni yt s’harrohet kurrë

Ty të lindi  Dragobia

S’të harron Shqipnia!

Një këngë tjetër malli por edhe me tone vajtimi e mallkimi drejtuar vrasësve të pabesë, është edhe kënga e vrasjes së Bajram Currit nga Ahmet Zogu dhe mercenarët e tij serbë e bjellogardistë rusë, që i kishte përzënë regjimi i Leninit nga Rusia. Këto vargje të kënduara nga rapsodi i mirënjohur, Dervish Shaqa shënojnë kulmin e krijimtarisë artistike popullore dhe pa dyshim se janë ndër vargjet më  antologjike, që ka krijuar gjeniu anonim popullor.

Kërciti pushka,

Po ushtonte mali,

-Dilni, kush u vra?

 

Bajram Curri i ri,

Pa kapak në kry,

Mbaroi trupi  i tij,

Pa kapak në krye,

Mbaroi jeta e tij.

 

Bajram Curri n’ bjeshkë

Dimnit ka qu jetë.

 

Bajram Curri plak,

Mjekra i pikon gjak

Mbaroj ai kohjak.

 

Bajram Curri  i ri,

Ujë po rri o pa pi,

Vetëm, per Shqypni.

 

Bajram Curri n’ borë

Buke po rri pa ngranë

Vetëm për Kosovë.

 

-Oj Sherife hanëm

Djali po thërret babë!,

Babë nuk ka n’ dynja!

Babën ja kanë vra!

Këto dhe variante të tjera të ciklit të këngëve për Bajram Currin, në disa segmente pasqyrojnë jo vetëm jetën, veprën dhe heroizmin e tij, por edhe të gjitha rrjedhat  shoqërore, politike e zezonat me të cilat ishin përballuar shqiptarët në trojet e tyre,  të pushtuara dhe të protektuara nga fqinjët grabitqarë me bekimin e Evropës dhe kurdoherë me ndihmën e Rusisë.

Kontrolloni gjithashtu

FADIL REXHA: KUR MUNGON LUANI MAJMUNËT BËHEN MBRETËR

Fadil Rexha: LARGIMI NGA VENDLINDJA

Ishte një mëngjes i ftohtë pranvere me bore e shi. Me lot në sy, u …