Ahmet Qeriqi: BE-ja dhe Serbia kanë nënshtruar politikën e Kosovës, Lëvizja Vetëvendosje nuk e përballon e vetme

Zëdhënësi shpirtëror i kryekriminelit serb, Milosheviq, kryeministri aktual i Serbisë, Ivica Daçiq është bashkëbiseduesi dhe negociatori numër një i Serbisë, në bisedime me kryeministrin e Kosovës, Hashim Thaçi.


Në bisedimet e deritanishme, në marrëveshjet e arritura mes Kosovës dhe Serbisë, jo të ndërmjetësuara, por të arbitruara nga komisarja e Lartë për Siguri dhe Politikë të Jashtme e BE-së, Ketrin Ashton, Daçiq ka arritur të përfitojë madje edhe më tepër sesa ka menduar me rastin e rifillimit të bisedimeve. Jo sepse ka qenë shumë më i mençur se Hashim Thaçi, as më trim se ai, por sepse lojën tinëzare të politikës perfide serbe e ka luajtur dhjetë herë më mirë se Hashim Thaçi dhe delegacioni i tij.


Po ashtu, përderisa BE-ja Thaçin e paragjykon e mbase edhe e  konsideron si kapo të trafikimit të organeve të serbëve, (edhe pse nuk ka asnjë të dhënë apo dëshmi relevante, mjafton përbaltja paraprake),  ndërsa Daçiqin dhe Serbinë si viktimë të bombardimit nga Amerika  dhe  nga Anglia (NATO-ja), doemos se përkrahja e Serbisë nga BE-ja ka qenë dhe po mbetet vendimtare, jo lehtësuese, sikur pretendojnë shumë nga  leshko politikanët e leshko gazetarët tanë, por një përkrahje e fuqishme, e gjithanshme  për ta diskredituar, për ta copëtuar dhe enklavizuar shtetin e Kosovës.


Mjerisht, ky diskreditim i shtetit të Kosovës ka ndodhur dhe është shumë vështirë të kthehet prapa. Serbia, me ndihmën e pakursyer të Brukselit zyrtar dhe të qarqeve të tjera antishqiptare, ka arritur në kthehet në Kosovë, jo vetëm në Veri, por përmes veriut në të gjitha enklavat, madje në të gjitha familjet serbe.


Kthimin e tillë në Kosovë, Serbia nuk do të mund ta kishte arritur, po të mos e kishte pasur përkrahjen pa rezervë të Brukselit dhe politikën miope, nganjëherë edhe  naive të kreut politik dhe institucional të Kosovës.


 


Tashmë krejt kjo është një histori e gjatë,  e cila ka ndodhur prej rifillimit të bisedimeve, fillimisht të paraqitura si bisedime teknike, pastaj të pranuara si bisedime politike dhe më në fund të kurorëzuara si bisedime për ripërkufizimin e statusit të Kosovës, edhe pse vendi ynë ka shpallur pavarësinë më 17 shkurt të vitit 2008 dhe pretendon se është shtet i pavarur, të cilin e kanë njohur 100 shtete të botës, por nuk e ka pranuar Serbia, BE-ja, Rusia, Kina dhe afër 100 shtete të tjera të rruzullit.


Mënyra si e interpretojnë marrëveshjen dhe tërë procesin e bisedimeve të Kosovës me Serbinë, krerët tanë politikë dhe institucionalë, të gjithë tok përveç Vetëvendosjes, thënë më së buti është një mënyrë tejet hipokrite, tejet e pamoralshme dhe krejtësisht e papërgjegjshme.


 


Në fillim u tha se kurrë nuk do të ketë bisedime politike, u tha se kurrë nuk do të ketë kompromis,  sepse kompromisi, madje shumë i dhimbshëm qenka bërë me rastin e pranimit të Pakos së Ahtisarit, më vonë u pranua se ka pasur kompromise edhe më shumë sesa parasheh Pakoja e zezë e Ahtisarit. Për më keq do të ketë edhe shumë kompromise të tjera, krejt derisa Serbia t’i realizojë synimet e veta kolonialiste e hegjemoniste mbi vendin tonë.


 


U tha se Kosova e ka ruajtur dhe e ka rikthyer sovranitetin e saj në çdo centimetër katrorë të vendit, ndërsa në një të katërtën e territorit të Kosovës nuk ka guxim të shkel këmba e asnjë zyrtari të Qeverisë, e asnjë deputeti të Kuvendit, e asnjë qytetari shqiptar të Kosovës, përveç atyre që bëjnë tregti të zezë dhe të cilët  zhvillojnë  biznese në veri, përmes lidhjeve të tyre me Serbinë, si dhe  atyre zyrtarëve të cilët kanë mbajtur dhe mbajnë lidhje me zyrtarët e kriminelët serbë.


 


U tha se do të ndiqen dhe do të dënohen të gjithë serbët për veprat e tyre kriminale, që kanë kryer krime kundër shqiptarëve në veri, por nuk u arrestua as u dënua askush deri sot. Për më tepër Qeveria e Kosovës, pa marrë leje prej 12.000 familjeve të viktimizuar të luftës, dhe 1700 familjeve me pjesëtarë  të zhdukur, ka hartuar ligjin për amnistinë e të gjithë serbëve, që kanë kryer krime kundër shqiptarëve,  deri më 20 qershor të vitit 2013.


 


U tha se asnjë kriminel, asnjë serb, që ka rënë ndesh me ligjin e vendit, nuk do të mund të jetë pjesëtar i Policisë së Kosovës, ndërsa Qeveria jonë pranoi për Komandant të Policisë në pjesën veriore të Kosovës, kriminelin, i cili  së bashku me vëllanë e tij,  kishte vrarë e masakruar shqiptarë gjatë luftës, në Drenicë,  kishte qenë pjesëtar i MUP-it të Serbisë, më vonë i Policisë së Kosovës, madje edhe i suspenduar për shkelje të detyrës, derisa kishte qenë zyrtar i latë i Policisë në vendin tonë.


 


Duke interpretuar ligjin e amnistisë për kriminelët serbë, kryeministri i Serbisë, Daçiq ka deklaruar se “Ligji për amnistinë, ( të cilin e ka hartuar Ministria e Drejtësisë e Qeverisë së Kosovës dhe të cilin  pritet ta  miratojnë deputetët akinxhinj të Kuvendit, ashtu sikur miratuan marrëveshjen e 19 prillit 2013), sipas tij ka të bëjë me të gjithë qytetarët e Kosovës dhe është me rëndësi të jetë akt i faljes dhe i pajtimit. Daçiq ka thënë për gazetarët në Beograd se është me rëndësi të mos ketë represion ndaj atyre serbëve, që janë amnistuar për vepra që kanë bërë. Kur është fjala për serbët e Kosovës, Daçiq mendon se ato nuk janë  vepra të gjenocidit apo krimit dhe vrasjeve. Fjala është për njerëzit, që thjesht nuk e respektojnë shtetin e Kosovës dhe rendin juridik të saj, meqë ne serbet  nuk e kemi njohur pavarësinë dhe nuk mund të ndiqemi me ligjet e një shteti që nuk e kemi njohur, ka saktësuar, Daçiq, i cili pa pikë turpi e frike  i trimëron serbët për të mos e njohur pavarësinë, por përshëndet ligjin për amnisti,  të cilin e ka nxjerrë Shteti ynë gjysmak. Daçiqi tashmë ka filluar ta sheshojë cinizmin e kriminelit ndaj viktimës, cinizmin e ideatorit të tij shpirtëror, Milosheviq. Ai ka arritur të shkel mbi gjakun e derdhur rrëke  të shqiptarëve liridashës, ashtu sikur kishte shkelur gjatë luftës, sepse këtë ia ka lejuar politika poltrone, servile, vasale, e papërgjegjshme  dhe e turpshme e Kosovës.


 


Në bisedimet e deritanishme të Kosovës me Serbinë, Beogradi zyrtar i mbështetur fuqishëm nga Brukseli ka arritur të realizojë një nga një të gjitha kërkesat, të gjitha synimet, madje ka arritur shumë më tepër sesa ka menduar në fillim të bisedimeve.


 


Nuk është për t’ u habitur nëse BE-ja dhe Serbia, një ditë të afërt, kërkojnë nga kreu politik dhe institucional i Kosovës që ata vetë t’ u kërkojnë falje kriminelëve të Serbisë për krimet dhe masakrat  që kanë kryer në Kosovë, meqë në veprime të tilla i paska nxitur Ushtria Çlirimtare e Kosovës. Askush në Kosovë nuk ka pse habitet nëse ndodh edhe kjo mynxyrë e ligësisë, nënshtrimit dhe e poltronizmit, nga ata që me çdo kusht pretendojnë ta ruajnë pushtetin, përfitimet dhe pasurinë që kanë arritur duke shkelur  interesat e kombit e atdheut. 


 


Serbia ka arritur, që përmes Brukselit t’i anashkalojë dhe t’i  largojë nga politika e Kosovës, të gjitha  ato personalitete që do ta pengonin procesin e negociatave. Ka arritur që përmes EULEX-it të prangos kreun e luftës në Kosovë. Ka arritur ta diskreditojë luftën e UÇK-së, me faktin se veteranët nuk po ia dalin ta demonstrojnë fuqinë e tyre kundër përbaltjes së vlerave të luftës, sepse janë të shantazhuar nga politikanët dhe zyrtarët e caktuar të Qeverisë, ose sepse nuk janë të gatshëm të ruajnë frytet e fitores me të cilën jemi krenuar dhe vazhdojmë të krenohemi.


 


Serbia aktualisht nuk ka arritur t’i stopojë aktivitetet kombëtare e politike të Lëvizjes Vetëvendosje, sepse në këtë Lëvizje duket se ende nuk janë infiltruar elementët pacifistë, kolaboracionistë. Por, politika poltrone e Kosovës, shumica e partive politike dhe të gjitha institucionet  kanë arritur dhe po arrijnë ta izolojë aktivitetin e saj, duke e paraqitur para botës si forcë destruktive. Edhe në këtë drejtim, politika largpamëse dhe antishqiptare e Beogradit, në mos më shumë, ka arritur të thellojë hendekun mes Lëvizjes dhe krejt krahut tjetër politik dhe institucional në vendin tonë.


 


Me qëndrimet dhe veprimet e saj, Vetëvendosja ka treguar dhe po tregon se din çka do. Ajo aspiron të realizojë të drejtat elementare të një kombi të ndarë në pesë shtete, të katandisur e të degdisur si asnjë popull tjetër i botës. Mospranimi dhe kundërshtimi i fuqishëm i miratimit  të Marrëveshjes Thaçi-Daçiq,  më 23 qershor 2013, në Kuvend dhe jashtë Kuvendit të Kosovës, është një akt historik, me përmbajtje kombëtare,  që përfaqëson qëndrimin, jo vetëm të kreut dhe të  anëtarësisë së Lëvizjes,  por edhe të gjithë shqiptarëve liridashës, në Kosovë e më gjerë.


 


Vetëvendosja tashmë ka ngarkuar mbi supe një barrë shumë të rëndë, të cilën vështirë se do ta bartë vetë, nëse rreth saj nuk unifikohen të gjitha forcat e vërteta liridashëse. Gjatë viteve të saj të veprimit,  ajo  i ka përjetuar baticat e zbaticat, jo kurdoherë me sukses, dhe jo kurdoherë në mënyrë parimore, sepse nganjëherë nuk ka manifestuar fuqi dhe vizion për të bërë dallime të qarta mes strukturave të vërteta idealiste dhe shtiracakëve të prejardhjeve të ndryshme. Pavarësisht nga kjo, është shumë me rëndësi se  ka arritur të mbahet e të forcohet si forcë e vetme politike opozitare në vend, si forcë që përfaqëson dhe aspiron realizimin e aspiratave të shqiptarëve për bashkim kombëtar, proces dhe e drejtë elementare kombëtare e shqiptarëve, që ende nuk është konsumuar.

Kontrolloni gjithashtu

Sejdi Veseli

Sejdi Veseli: URANIUMI I VARFËRUAR DHE NDOTËSIT E TJERË RREZIK SERIOZ PËR KOSOVËN

Po mbushen tetë vete të plota nga përfundimi i luftës së armatosur kundër shkelësve të …