Ahmet Qeriqi

Ahmet Qeriqi: Çka kanë të përbashkët shqiptarët dhe hebrenjtë?

27 janari shënon Ditën Ndërkombëtare e Holokaustit, me ç’ rast përkujtohen miliona viktima të gjenocidit, që kishte kryer  Gjermania naziste gjatë Luftës së Dytë Botërore, ku rreth gjashtë milionë hebrenj i vranë, në përpjekjen sistematike për shfarosjen e tyre kolektive. Shqipëria dhe shqiptarët përgjithësisht kanë luajtur një rol të jashtëzakonshëm në strehimin dhe ndihmën që iu kanë bërë hebrenjve për të mos rënë në duar të gjermanëve.  Trojet shqiptare janë prej vendeve të rralla në botë ku gjatë Luftës së Dytë Botërore, u strehuan e gjetën shpëtim, jo vetëm hebrenjtë që jetonin në Shqipëri, por edhe disa mijëra hebrenj të vendeve të Ballkanit dhe të Evropës Qendrore.‪ Arsyet pse shqiptarët ishin ndër popujt e vetëm që ndihmuna hebrenjtë në radhë të parë i përket traditës zakonore shqiptare lidhur me ruajtjen e mikut në Besë të Konakut, por me siguri edhe për disa lidhje të  ndryshme kulturore e dokësore.

Tashmë dihet historikisht se “hebrenjtë erdhën në Gadishullin e Ballkanit, shumë më herët se sllavët e Jugut, ndoshta qysh në kohën e ekspeditës së Darit të Persisë kundër skitëve, pas ekspeditës së Lekës së Madh në Azinë e vogël dhe pushtimit të Ballkanit nga romakët” ( Dr. Muhamet Tërnava, “Popullsia e Kosovës gjatë shekujve XIV-XVI, Prishtinë 1995, f. 395.). Në defterin e Sanxhakut të Vushtrrisë, të vitit 1526 janë shënuar  një grup hebrenjsh, gjashtë shtëpi në Novoberdë, të njohur në kohën e Perandorisë Osmane, si “Xhemati xhuhdan”. Ashtu si kudo nëpër vendet e Evropës, hebraikët merreshin me tregti, me përfitime nga kamatat  dhe me shtypjen e monedhave, në vende të njohura si, Derbhana( Po aty, faqe 369).

Popullata hebraike ka qenë e pranishme në shumë qytete, mbase edhe nëpër fshatra të Kosovës e gjithandej nëpër trojet shqiptare. Të përmendim me këtë rast se me shekuj kanë mbijetuar një shumësi emrash hebraikë ndër shqiptarë dhe kjo na shtyn të mendojnë se një pjesë e tyre është asimiluar heshtas, sidomos në qytete për shkaqe të ruajtjes dhe zgjerimit të pasurisë.

Në Besëlidhjen e Vjetër, në Librin e Kronikave, faqe 475-506, gjenden  një duzinë  emra e patronime që janë identike edhe për shqiptarët. Një pjesë e këtyre emrave mund të ketë ardhur me kohën e përhapjes së krishterimit, por disa syresh me kohë janë ngulitur si emra të veçantë.

Dadani i Kamajve, mbase edhe nga Dardan, apo Dedan, Dedali, Dedë, Dedaj etj

Trajta hebraike, Gergeziu, i përshtatet emri shqip Gjergj, mbase Gjergji i Zi.

Zara e Ezaut të Ismaelit. Emri Zarë, mbase edhe shkurtesë nga Zarife, është mjaft i përhapur ndër ne. Trajta Zarë-a ka qenë dhe është e përhapur si ndër shqiptarët krishterë ashtu edhe te ata me fe islame. Trajta e sllavizuar Zariq.

Emri  i gjinisë femërore Zizë-a, me siguri nga Azize, është i përhapur sidomos në Kosovë.

Emra të tjerë  të njëjtë nga shqiptimi si:

Jaku, Jakini, nga Jakob,

Maka, Makaj, Makolli. ( i biri i Makut)

Sara, Sarë, mbase nga Serafim, Serafinë…

Bebai, Bebaj, patronim jo aq i përhapur në Kosovë.

Zakai, Zakau, Zakaj. Zaiko( te bullgarët).

Besai. Emër hebraik i prezantuar në Kronikat… Besë- Besa, emër i gjinisë femërore shumë i përhapur ndër shqiptarë, Trajta mashkullore  Besian, Besëtar, Besart, janë emra të prejardhur nga emir Besë.

Huli. Patronim jo shumë i përhapur. Hulaj, në Dukagjin, Anadrin…

Zamiri, Zemrani, emra të përhapur edhe ndër ne. Mbase kemi të bëjmë me koincidencë, meqë emri Zamir, apo Zamire, është përfituar nga “zë i mirë”.

Hanah, trajta shqipe, Hana, po kështu një emër popullor shumë i përhapur, i cili mund të lidhet edhe Hanën, satelitin e tokës.

Gera, në shqip  e hasim edhe këtë patonim, si  Dile Geraj, etj, në Shqipërinë veriore.

Gjosh, Gjoshi. Patronim i pranishëm edhe ndër shqiptarë.

Kada, Kadish, në gjuhën shqipe mund të ketë prejardhje nga emri arab, Kadri-e, apo Kadri-u në gjininë mashkullore. Deri vonë në Drenicë ku emër është shqiptuar si Kadishe, por edhe Kadë.

Metushael. Trajta shqipe Metë- Metush, me prapashtesën, ush, si vogëlush, lepurush, etj.

Trajta arabe e përbashkët me atë hebraike mund të rrjedhë nga Mehmet, Muhamet. Në traditën shqipe, është e njohur forma e shkurtimit të emrave. Përgjithësisht preferohen emrat me një e me dy rrokje. Andaj ndodh që qysh nga fëmijëria emri i gjatë të shkurtohet gjatë komunikimit dhe të mbetet i tillë gjatë tërë jetës.

Fran nga Françesko, Ndue nga Andon, Zef nga Jozef, trajta islame Jusuf-Cufë.

Dan nga Ramadan, Din nga Nexhmedin, Metë nga Mehmet e shumë të tjerë.

Në Librin e Kronikave janë të pranishëm edhe shumë e shumë emra të tillë, ku vërehet një afri shqiptimi si te hebrenjët ashtu edhe të shqiptarët e tri besimeve fetare. Ky fenomen gjuhësor, hebraik-shqiptar nuk del të jetë i studiuar, me aq sa dimë ne.

Trajtimi njerëzor që iu bë hebrenjve nuk ishte trajtim i organizuar shtetëror, për më tepër në Kosovë dhe në Shqipëri gjatë luftës së Dytë Botërore kishte të instaluara edhe dy qeveri kuislinge, të cilat dashur pa dashur duhej t’ i zbatonin ligjet dhe synimet e pushtuesve italianë e gjermanë, atyre të cilëve edhe iu kishin bindur në rrethana të caktuara dhe të njohura historike.

Përveç ndonjë rasti të veçantë sikur kanë shënuar përfaqësues të organizatave shqiptaro-izraelite, tregojnë se ky angazhim dhe kjo “Besë e dhënë” nuk ishin akte vetëm individuale, por edhe institucionale.

 

Përkime kulturore hebraike-shqiptare

Ndodhë që tradita kulturore e një populli të ketë përkime të shumta e traditën e popullit tjetër, edhe në rastet kur dihet nga historia se nuk kanë qenë madje as fqinj. Ndikimi I kulturës e I trashëgimisë fetare monoteiste hebraike, hetohet ku më shumë e ku më pak, te të gjithë popujt, sidomos ne Evropë dhe në Lindjen e Afërt. Vendet në të cilat u zhvillua besimi fetar monoteist, qoftë ai i periudhës para krishtere apo pas krishtere, kryesisht iu nënshtrua një ndikimi jo edhe aq spontan. Të dhënat që kemi nga periudha e lashtësisë ilire, nuk ofrojnë fakte të mjaftueshme lidhur me përkime a marrëdhënie të ndërsjella kulturore. Megjithatë, dihet fare mirë se i gjithë komunikimi, qoftë tregtar, ekonomik a kulturor mes Lindjes së Afërt dhe Evropës, zhvillohej nëpër truallin e Ilirisë.

Përcjellja e traditës me interpretim gojor

Trashëgimia ilire e më pastaj ajo arbëreshe, kryesisht ishte e transmetuar dhe interpretuar gojarisht. Tradita e shkrimit ose kishte qenë e përhapur dhe ishte rrënuar, ose nuk kishte qenë fare karakteristikë e botës iliro-arbëreshe. Ato fragmente të shkurtra të mbishkrimeve mbi gurë varrezash, nuk mjaftojnë as përafërsisht për të konceptuar drejt dhe me njëmendësi atë epokë mjaftë të gjatë kohore.

Një ndër argumentet më bindëse në këtë mes, do të mund të pranohej fakti I përcjelljes së traditës me interpretim gojor. Eposi i periudhës së hershme në fazën e pare të shtjellimit, nuk ishte shkruar. Të dhënat tregojnë se, “ Mahabharata”, “Ramajana”, “Veda” si dhe literature e lashtë biblike, në periudhën e hershme të interpretimit nuk kishin qenë të shkruara. Trashëgimia kulturore ishte përcjell me të mësuar përmendësh. Kundërshtitë, të cilat I hasim në literaturën hebraike lidhur me shënimin e shkrimit të shenjt, apo interpretimin gojor, kanë zgjatur me shekuj.

Kasta fetare e saducenjëve, duke bashkëjetuar e bashkëpunuar me pushtuesit Helen, ishte më reformatore. Ata e kishin përfillur traditën e shkrimit.

Kasta e farisenjve ishte më konservatore. Farisenjtë i përmbaheshin rigorozisht interpretimit gojor të traditës fetare e kulturore. “ Fjala e gjallë mund të zhvillohet, mund të adaptohet në situate e rrethana të caktuara…Ajo, shumë më lehtë interpretohej e shumë më vështirë ndalohej, për më tepër ajo i bishtëronte edhe censurës, të cilën e kishte aplikuar pushtuesi. Ajo ( fjala ) nuk mund të ndizej në turr të druve, veç se në rastet kur digjej së bashku me interpretuesin( Talmudi, parathënia e Eugjen Veberit, fq. 23-24, Beograd, 1990).

Analogjikisht, me këtë traditë, do të mund të shpjegohej interpretimi e transmetimi i ligjit shqiptar. Kanuni i Lekë Dukagjinit apo e drejta popullore shqiptare, të cilën e mblodhi, e sistemoi dhe e botoi ati I nderuar, Shtjefën Gjeçovi, dëshmon bindshëm se ky ligj, qysh nga lashtësia, kishte arritur deri në kohën tone, duke i nënshtruar kodekset e njohura të shkruara, romake e bizantine, sllave e turke. “ Sikurse gjuha shqipe dhe historia shqiptare lëshojnë një dritë të re mbi ngjarjet historike të Ballkanit, ashtu edhe e drejta popullore shqiptare, sidomos Kanuni I Lek Dukagjinit, hap horizonte qindvjeçare për studimin e zhvillimit dhe të kryqëzimit të sistemeve të ndryshme juridike”( Cit. I M. Mlladoneviqit në studimin KLD, fq.3, Beograd, 1938). U ndala me qëllim te citati i tillë, për të argumentuar supozimin se kultura dhe tradita shqiptare e lashtësisë, kishin mbijetuar në memorien e popullit. Tradita e shkrimit dhe integrimi i saj në kulturën evropiane ndodhi me shumë vonesë. Mirëpo, prezantimi i begatisë kulturore shqiptare i qartësoi shumë nga dilemat dhe i avancoi studimet e ndryshme historike, gjuhësore etj.

 

 

Ç’kanë të përbashkët hebrenjtë dhe shqiptarët?

 

Para se të viheshin në spikamë disa rite, kulte dhe besime të njëjta, të cilat janë të barasvlershme për të dy këta popuj, do të duhej të kihej parasysh një fakt, të cilin askush dhe asnjëherë nuk e studioi me seriozitetin e duhur.

A u ndoq ndonjëherë qoftë edhe një hebre në truallin shqiptar?

Duke njohur sadopak historinë mijëvjeçaret të martirizimeve hebraike, kampet, holokaustet, getoizimin, përndjekjet dhe të gjitha të ligat e nopranitë që ushtruan të tjerët kundër hebrenjve, s’ka si të mos shtrohet pyetja e mësipërme. Shqiptaria në etapa të caktuar mund të ketë njohur antibizantizmin, antiturqizmin e antisllavizmin, po kurrë nuk e njohu antisemitizmin. Jo se shqiptarët nuk kishin komunikuar me hebrenjtë, jo se nuk kishte pasur hebrenj tregtarë në truallin shqiptar, po duket sikur ndjenja e përbashkët e pësimeve gjatë historisë, kishte përcaktuar të njëjtin fat tragjik. Për më tepër, po të studiohet me kujdes mentaliteti dhe etnopsikologjia e këtyre dy popujve, do të mund të veçoheshin të dhëna me shumë interes. Shqipëria ka mirënjohje e lavdërime nga bashkësia hebraike, sepse në botën shqiptare hebrenjtë ishin ruajtur si miq të vërtetë, e miku në vatër sipas ligjit shqiptar ishte i paprekshëm, i pacenueshëm.

Historia hebraike është histori e njeriut të qytetëruar, të ndeshur kurdoherë me barbarinë. Duke qenë prore të rrezikuar e të dëbuar me dhunë nga atdheu, duke qenë të shtrënguar të lëshojnë trojet e tyre jetike, të rrezikuar nga asimilimi, hebrenjtë kishin krijuar mekanizma përkatës të ruajtjes dhe konstituimit të traditës. Kulti i ruajtjes dhe i përcjelljes së traditës me besnikëri, nevoja e përhershme për të ruajtur autonominë e qenies, i kishte shtyrë të organizoheshin në bashkësi të qëndrueshme, ku ruhej dhe zhvillohej feja, ku mësohej dhe transmetohej tradita, duke organizuar me maturi dhe fanatizëm jetën paralele qytetare. Etnosi hebraik, sado që i shpërndarë në të katër anët e rruzullit, kishte arritur të mbijetojë duke u mbështetur fuqimisht në traditën autentike. E kaluara iliro-shqiptare ishte ndeshur me të njëjtin fat tragjik. Pushtimi romak sikurse në Iliri, me tërë barbarinë ishte manifestuar edhe kundër hebrenjve. Kolonizimi e dhuna helono-bizantine, kishte shkaktuar pothuajse të njëjtin fat tragjik. Edhe periudha e pushtimeve turko-arabe, nuk i kishte kursyer këta dhe popujt të tjerë, numerikisht të vegjël.

Duke qenë prore me atdhe dhe përkatësisht të mohuar, sublimohej dashuria e zjarrtë për token, bukën, traditën, lirinë. Kudo që vdiste hebreu linte amanet që mundësisht të varrosej në Izrael. E tillë ishte edhe porosia e shqiptarit. Hebrenjtë në mënyrë rigoroze e kishin ruajtur fenë e të parëve, shqiptarët i kishin sendërtuar kultin e besës, e kishin ruajtur gjuhën, traditën e transmetimit gojor të begatisë kulturore.

Kulti i shenjtërisë së bukës

Në traditën hebraike janë të njohura katër ndalesa lidhur me trajtimin e bukës.

Mbi bukë nuk bënë të vendosen gota a ena me ujë.

Mbi bukë nuk bënë të lihet a të vihet sipëri mishi i papjekur.

Buka nuk bënë të hidhet.

Është e ndaluar që ena të pastrohet me bukë.

Këto dhe ndalesa të tjera, të cilat në tërësi i ka përfillur dhe në një masë i përfill edhe sot tradita shqiptare. Ato  shënojnë të njëjtin kult, lidhur me bukën si ushqim, si “ Shpirt i shpirtit”. Motoja e jetës tradicionale shqiptare ishte:Bukë e krip e zemër”. Për më tepër tradita shqiptare njeh edhe ndalesa të tjera lidhur me trajtimin e bukës. Mbi troha të bukës nuk bënë të shkelet. Troshat pastrohen nga tryeza dhe nuk hidhen në mbeturina, por zakonisht u hidhen shpendëve a kafshëve. Trajtimi i tillë, sidomos përfillja dhe ruajtja e këtij relikti tradicional, zbulon esencën e qëndrimit konservativ për të ruajtur me besnikëri vlerat e qytetërimit autentik.

Përkatësia fisnore hebraike njihet qysh nga koha e profetit Jakob. Të dymbëdhjetë djemtë e profetit ishin shpërndarë në token e premtuar dhe kishin formësuar etnikumin hebraik. Iliriku i dikurshëm njihte organizimin fisnor. Formimi i mëvonshëm i dymbëdhjetë fiseve shqiptare, karakteristikë që është ruajtur deri vonë, sidomos në Shqipërinë veriore dhe verilindore ( në Kosovë dhe viset e tjera shqiptare ), nuk është mbase vetëm një rastisje. Fisi ishte instance e një organizimi të jetës qytetare, që ruante kryesisht prejardhjen mbi baza gjinie e gjaku. Anëtarët e një fisi konsideroheshin si të një trungu, të një bashkësie të afërt, e cila konstituohej si organizëm autonom me të drejta dhe obligime, që buronin nga tradita patriarkale.

Organizimi i jetës qytetare patriarkale, nderi dhe respekti për të moshuarit, respektimi i prindërve, ngritja në këmbë në momente kur hynë miku, por edhe personi tjetër më i moshuar, janë disa nga reliktet që e kanë begatuar traditën shqiptare.

Ligji i Moisiut, i cili në një fare mënyre ka ndërtuar bazamentin e traditës morale monoteiste mbi parime të rigorozitetit të përmbajtjeve etike, ka ngjashmëri të shumta me ligjin shqiptar. S’ka dyshim se Ligji i Moisiut ka ndikuar në të gjitha kodekset morale të kohës, andaj edhe ndikimi në ligjin shqiptar nuk është i rastësishëm. Për më tepër, ligji tradicional shqiptar ka përmbaruar një sistem të mëvetësishëm në interpretimin e disa normativave morale. Rrethi i lidhjeve me kurorë në Ligjin e Moisiut dhe përgjithësisht në traditën monoteiste, ishte përcaktuar në një rreth të ngushtë shtrirjeje.

Ligji shqiptar, lidhjen e kurorës mes burrit e gruas e sanksiononte edhe në kuadër të fisit, si dhe në vëllamërinë e lidhur me personin e fisit tjetër. Ky fenomen, gjithsesi interesant, ka bërë që bota shqiptare, jo vetëm të mos e njohë incestin dhe veprime të tjera të panatyrshme e perverse, por të krijojë institucione autonome në kryqëzimin e kurorave jashtë lidhjeve të gjakut, elementë që ndoshta më së miri e ka ruajtur mëvetësinë qytetëruese.

Ligji i njohur i Leviratit, sado që nuk është përfshirë në KLD, në të kaluarën ka gjetur shtrirje në veçanti te shqiptarët, të cilët kishin pranuar islamin.

Kulti i ditës së shtunë-Shabat

Dita e fundit e javës, e shtuna, të hebrenjtë është dita rigorozisht e përcaktuar për pushim. Sipas gjenezës, Hyji, krijuesi JAHV, e kishte ndërtuar botën dhe gjithësinë për gjashtë ditë, ndërsa ditën e shtatë kishte pushuar. Kulti i kësaj dite të mirënjohur në traditën hebraike shënon festën e përhershme javore. Tradita monoteiste e krishterë si dhe ajo islame, nuk i kishin përfillur shenjtërinë e kësaj dite. Se kishte qenë dikur kjo ditë e shenjt edhe të shqiptarët, nuk ka të dhëna të shumta. Me gjithë atë, duke u bazuar në një përbetim popullor të mirënjohur dhe mjaft të përhapur në formulimin:“për të shtunë e shtatëqind vjet”, do të mund të hetohej një analogji gjithsesi interesante. E shtuna, sipas formulimit përbetues, është e vetmja ditë për të cilën dikur janë betuar shqiptarët. Dihet po ashtu nga tradita se dita e shtunë ishte ditë tregu, pra, gjithsesi si e tillë është edhe ditë pushimi. Këtë e vërteton formulimi, “shtunak”, një mbiemërzim me të cilin shënohet personi i cili është kthyer nga tregu. Tradita gojore shqiptare ka ruajtur një motiv nga një legjendë ku flitet për bekimin, përkatësisht nderimin e ditës së diel si ditë të shenjt. Ky motiv i përket periudhës së përhapjes së monoteizmit të krishterë, si dhe zëvendësimit të festave e të riteve të ndryshme fetare. Një shenjtor i qorton nëntë vëllezërit që punojnë ditën e diel. Vëllezërit arsyetohen me faktin se që të gjithë kishin trashëgimtar memecë e të verbër, dhe për t’i mbajtur në jetë duhet të punonin ditë e natë. Shenjti shëron ashtu sikur dikur zoti Krisht, të verbëritë shohin e të pagojët flasin. Ky motiv që, gjithsesi i përket periudhës së hershme të përhapjes së krishterimit, në mos tjetër, tregon se kalendari i vjetër me shumë vështirësi zëvendësohej me të riun. Përbetimi “ Për të shtunë e shtatëqind vjet”, vërtetë zbulon një fakt, një relikt nga tradita e begatë e trashëgimisë sonë kulturore.

Përkimet kulturore hebraiko-shqiptare, nuk mund të jenë të rastësishme, as mund të jetë ky ndonjë fenomen i shkëputur. Po të bëheshin studime edhe më  serioze dhe të avancuara në këtë segment, gjithë sesi do të zbuloheshin të dhëna e fakte me interes për të kaluarën dhe traditën e begatshme kulturore e historike të këtyre dy popujve.

 

Literatura:

 

  1. Kanuni i Lekë Dukagjinit, Shkodër 1933.
  2. Muhamet Tërnava, “Popullsia e Kosovës gjatë shekujve XIV-XVI, Prishtinë 1995.
  3. Bibla shqip, Ferizaj, 1994.
  4. Codice di Manui, lib. III nd. 99-101. në KLD.
  5. Talmudi, parathënia e Eugjen Veberit, Beograd, 1990.
  6. Mlladoneviq në studimin, “Kanuni i Lekë Dukagjinit”, Beograd, 1938.
  7. Bujku, Prishtinë 1994.
  8. Qeriqi: Gjurmime dhe studime, Prishtinë 2011.

Kontrolloni gjithashtu

Arbanë Qeriqi-Gashi: Fetnete Ramosaj, një personalitet me një kompleksitet të paepur intelektual, shoqëror dhe kombëtar

Arbanë Qeriqi-Gashi: Fetnete Ramosaj, një personalitet me një kompleksitet të paepur intelektual, shoqëror dhe kombëtar

F- etnete Ramosaj, një personalitet me një kompleksitet të paepur intelektual, shoqëror dhe kombëtar, është një …