Ahmet Qeriqi: Fillon ofensiva në Drenicë. Në Tiranë në rrethana të pasqaruara vritet Ahmet Krasniqi (E martë 22 shtator, 1998)

Ahmet Qeriqi: Fillon ofensiva në Drenicë. Në Tiranë në rrethana të pasqaruara vritet Ahmet Krasniqi (E martë 22 shtator, 1998)

Herët në mëngjes  kanë filluar të dëgjohen detonime e shpërthime të fuqishme armësh të rënda të artilerisë në drejtim të Drenicës Qendrore sidomos rreth Qyqavisë. Forca armike ka vënë nën rrethim tërë territorin si nga ana e Vushtrrisë ashtu edhe nëpër rrugët magjistrale Te Kroni i Mbretit, në Komaran, Në Grykë të Llapushnikut, në Kijevë e deri në Klinë. Serbët kanë filluar rrethimin edhe në rrugën tjetër Mitrovicë, Broboniq, Skënderaj dhe Skënderaj  Runik, Istok.

Drenica, Termopila e përjetshme e Shqipërisë  edhe kësaj radhe po ballafaqohet me një rrethim të hekurt të armës gjakatare serbe. Në krye të fronteve tona qëndrojnë komandantët më të njohur të UÇK-së, bashkëkuftëtarët më të ngushtë të kryetrimit Adem Jashari, si Fehmi Lladrovci, Sami Lushtaku, Ilaz Kodra, Ilaz Dërguti, e shumë të tjerë.

Edhe pse jemi të rrethuar nga të gjitha anët, edhe pse propagandës serbe po i shkon përshtati pacifizmi i neveritshëm i Ibrahim Rugovës, kam besim të plotë se edhe kësaj radhe do t`ia dalim.

Kushtrimi  dhe shembulli vetëflijues i Adem Jasharit dhe i Jasharëve të tjerë ka mobilizuar  shtresën më militante kombëtare e cila kurrsesi nuk do të pranojë të gjunjëzohet.

Në lajmet e mëngjesit  njoftohet  se në rrethana të pasqaruara është vrarë në Tiranë, ish oficeri i armatës jugosllave, Ahmet Krasniqi, i emëruar në postin e ministrit të Mbrojtjes nga Qeveria e Republikës së Kosovës në mërgim, komandant i FARK-ut. Kjo vrasje mund të ketë pasoja, sepse kohëve të fundit po bëhen përpjekje për ta luftuar Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës, jo vetëm nga serbët por edhe nga koniukturat e matrapazëve politikë.

Pavarësisht nga motivet, kjo vrasje do të lë vend për dyshime dhe do të ndikojë sidomos në mesin e atyre luftëtarëve të cilët nuk janë sa duhet të vendosur për të luftuar. Përçarja në këto rrethana kur Drenica dhe Dukagjini po ndizen flakë, është krejtësisht e pajustifikueshme, ashtu sikurse është krejtësisht e dënueshme përpjekja për ta demonizuar UÇK-në, e cila tanimë është bërë forca e vetme ushtarake që po lufton me sukses kundër barbarisë sllave.

Ofensiva serbe po vazhdon. Lajmet që i marrim përmes radiolidhjeve bëjnë të ditur se me qindra tanke janë lëshuar në veprim. Drenica kësaj radhe është vënë nën rrethim të hekurt. Luftëtarët e lirisë po ballafaqohen me të gjitha të ligat, madje edhe me thikën e futur pas shpine nga e ashtuquajtura Qeveri e Bujar Bukoshit. Kam frikë se mund të ripërsëritet dimri i vitit 1945. Asokohe forcat partizane të Fadil Hoxhës dhe të Sava Dërleviqit sulmuan  formacionet çlirimtare të Shaban Polluzhës.

A thua kush po angazhohet me çdo kusht që të përsëritet një version i tillë i së kaluarës të përgjakshme.

Serbët po i sulmojnë fshatrat e Artakollit, të Vushtrrisë, të Skënderajt, të Gllogovcit dhe të Klinës. Qyqavia po rrethohet nga të gjitha anët. Fill i vetëm kam dalë te kodra dhe po vëzhgoj andej nga ku fshatrat i ka mbuluar tymi, ndërsa krismat e shpërthimet e fuqishme  jehonën e dridhjes e përçojnë deri në Krojmir.

Janë dhjetëra mijëra banorë në luginat e Qyqavisë dhe në fshatrat e tjera të Drenicës Qendrore. Një pjesë e popullatës së zhvendosur është edhe në malet e Kosmaqit, në Krojkovë, në Baicë Domanek, Arbri, Tërdec e gjetkë. Luftëtarët e lirisë edhe kësaj radhe do t ia dalin. Përparësi e kanë moralin luftarak dhe  njohjen e terrenit.

Në mbrëmje kemi shkuar si rëndom për ta përcjellë TVSH-në. Asnjë lajm për luftimet deri tani më të përgjakura në Drenicë. Me rastin e vrasjes së kolonelit Ahmet Krasniqi  jepet një reportazh dokumentar i incizuar brenda kufirit të Shqipërisë, muaj më parë, ku Ahmet Krasniqi dekoron me urdhër ushtarak njëfarë, Tahir Zemën. Filmi është xhiruar në kushte të përgatitjeve për luftë dhe në mesin e ushtarëve të rreshtuar në formacion vërehen ushtarë të pushuar, të shëndoshë, jo të uritur dhe të bërë fërtele nga luftimet, sikur ushtarët tanë. Filmi nuk lë fare përshtypje se kemi të bëjmë me luftëtarë, por me një propagandë për këto farë forca të liga të pabesisë dhe të ndeshtrashën së neveritshme të gjakut të prishur.

-Asnjë lajm për luftën në Drenicë, thotë një nga ushtarët.

– Or dai, ndërhyn një tjetër, këta që po i shohim në televizor janë në Tropojë apo në Tiranë, ia kthen tjetri.

-Këta po presin kur të mbarojë lufta të vijnë si çlirimtar, thotë një tjetër.

-A po i sheh të duken si pëllumba, të rruar të kallaisur he nënën… nuk përmbahet një tjetër  Luftëtarët tanë janë të orientuar drejt edhe politikisht.

Përpjekjet e mjera të këtyre farkistëve dhe farkuesve të tjerë të ndasisë do të dështojnë me turp për të tërë jetën dhe këto kreatura të mjera esattoptaniste do të radhitën në faqet e zeza të së kaluarës sonë shpeshherë edhe tragjikomike.

Detonimet e armës armike në Drenicë po e dridhin tokën.

Serbët po godasin sidomos nga baza e tyre në Feronikël, në Komoran dhe në disa pika të tjera nga ana e Mitrovicës…

Kontrolloni gjithashtu

Ahmet Qeriqi: Në fshatin Apterushë kanë rënë në pusi të forcave të okupatorit pesë luftëtarë të lirisë, në mesin e tyre edhe Toni e Mici (E premte 6 nëntor, 1998)

Ahmet Qeriqi: Në fshatin Apterushë kanë rënë në pusi të forcave të okupatorit pesë luftëtarë të lirisë, në mesin e tyre edhe Toni e Mici (E premte 6 nëntor, 1998)

Pasi kemi ngrënë bukë Jakup Krasniqi, Ramë Buja dhe Agron Krasniqi janë nisur në drejtim …