Ahmet Qeriqi: Ilirida, duhet të ribëhet

 


Në vitet 90, në euforinë e proceseve demokratike, shqiptarët  në jug-lindje të Shqipërisë, (në ish-RJ të Maqedonisë) kishin afishuar kërkesën për formimin e Iliridës, e cila me Kosovën, përbënte dy njësitë e mëdha territoriale të shqiptarëve, që ishin okupuar nga Serbia dhe “Aleanca e Shenjtë e popujve sllavë” në krye  me Rusinë Cariste,  qysh në vitin 1912-1913. Emërtimi “Iliridë” i kësaj pjese të atdheut të copëtuar të shqiptarëve, nuk ishte vetëm një ndjenjë romantike, apo  nostalgjie për të kaluarën.  Realisht, Ilirida e lashtë, Dardania e Lashtë, Maqedonia e kohës së Lekës së Madh, vendlindja e kryengritësit më të madh shqiptar të kohës së Perandorisë Osmane, Halil Patrona, ( 1690-1730),   vendi ku u kodifikua dhe ku u mbajt Kongresi i Alfabetit të gjuhës shqipe, Vilajeti i Manastirit, Shkupi, kryeqyteti i Vilajetit të Kosovës, janë pjesët më të ndritshme të historisë sonë kombëtare, e cila “de facto” ndodhet  nën okupimin sllavo-bullgar, aktualisht me një autonomi më të gjerë sesa e ka pasur,  qysh prej kohës kur kjo pjesë e atdheut shqiptar është shkëputur dhunshëm dhe iu ka aneksuar fillimisht Bullgarisë, më pastaj Jugosllavisë, burgut më të madh të popujve të Ballkanit, në këtë pjesë të Evropës.


 


Me plot të drejtë është hedhur ideja edhe për mundësinë e krijimit të “Shteteve të Bashkuara Shqiptare”, ku do të përfshiheshin: Shqipëria, Kosova dhe Ilirida, e cila nuk ka fare problem me emërtimin  dhe nuk mund ta kontestojë askush, ashtu sikur ka problem “Maqedonia historike”, e cila si e tillë, pa asnjë pikë dyshimi ka qenë helene dhe dardane, me një kufi gjithnjë të paqëndrueshëm. 


Pretendimet e sllavo-bullgarëve për përvetësimin e emrit të Maqedonisë, ngritja e shtatores  së Lekës së Madh, në Shkup dhe pretendimet për të përvetësuar historinë antike, në kohën kur fiset sllave jetonin në hordhi fisnore përtej Dnjeprit dhe Uralit, janë pretendime që nuk mbështeten në asnjë fakt shkencor, në asnjë argument relevant shkrimor, në asnjë bazë arkeologjike, meqë ardhja e fiseve sllave në Ballkan ndodhi 1100 vjet pas Lekës së Madh dhe krijimit të Maqedonisë helene, që ishte Perandoria më e madhe e botës.


Krejt haptas, madje në sy të krejt botës po lejohet të ndodh një falsifikim  i tillë i historisë dhe  po bëhen përpjekje të përvetësohet njëri nga perandorët, në mos Perandori  më i madh i  botës, duke e konvertuar atë në origjinë sllavo-bullgare, edhe pse në të gjitha enciklopeditë dhe historitë e botës dëshmohet origjina dhe bëmat e tij. Përderisa bota vëren me indolencë këtë  falsifikim notorn  të historisë, BE-ja kërkon që kjo çështje të zgjidhet mes Shkupit dhe Athinës zyrtare, duke mos çarë fare kokën për këtë falsifikim të historisë.


 


Krijimi i Iliridës, në territoret etnike të Shqipërisë. mbështetur  mbi bazën e së drejtës etnike dhe historike, që do të rezultonte me ndarjen dhe shpërbërjen e shtetit artificial sllavo-maqedonas, ( apo thënë me drejtë    shtetit  sllavo-bullgar, i cili është krijuar në vitin 1945 në AVNOJ-in e RSFJ-së) , është e drejtë historike e pamohueshme  dhe e patjetërsueshme e shqiptarëve autoktonë, të cilët nuk kërkojnë t’ i rikthejnë  territoret e dikurshme të Ilirisë antike, atje ku dikur nuk kishte asnjë kokë bullgari apo sllavi, ashtu sikur pretendon Qeveria e Shkupit ta përvetësojë historinë e lashtë helene të kohës,  kur fiset barbare sllave banonin në Ural.


 


Nëse sllavo-bullgarët lejohen ta falsifikojnë dhe ta deformojnë historinë, për se shqiptarët të mos lejohen ta përjetësojnë historinë e tyre, duke u bazuar në fakte e argumente historike, të cilat nuk mund të kontestohen me të dhëna relevante, shkencore.


 


Krijimi i Iliridës mund dhe duhet të ndodh, jo me marrëveshje të dështuara si ajo e Ohrit e vitit 2001, as me kokëfortësinë uloke të kreut politik shqiptar, për ruajtjen e tërësisë së ish-RJ të Maqedonisë, por me plebishit popullor, për ndarje të natyrshme, mbi principe të së drejtës etnike dhe historike, për bashkim të natyrshëm me Kosovën, Shqipërinë, apo  me “Shtetet e Bashkuara Shqiptare”.  E njëjta,  do të duhej të ndodhte edhe me sllavo-bullgarët, të cilët do t’ i bashkoheshin Bullgarisë, në një mënyrë,  që ata vetë do të mund ta zgjidhnin. Rasti i formimit të këtij kombi hibrid është treguar krejtësisht i pasuksesshëm. Edhe pse ekziston ndjenja e përkatësisë sllavo-maqedonase e një pjese të madhe të këtij populli të ndarë, ndjenjë kjo e emancipuar me politikën edukative dhe arsimore të Qeverisë së Shkupit,  realisht tërë historia e këtij populli është historia e Bullgarisë, që nga Koha e Mbretit Samuil e më vonë. Nuk mund të ndahet historia e përbashkët e një populli,  ashtu sikur nuk ndahet thoni nga mishtë, edhe pse sllavo-bullgarët e Maqedonisë u krijuan si komb i barabartë me popujt e RSFJ-së, në vitin 1945, kur mendohej të krijohej e ashtuquajtura federatë ballkanike dhe ku Bullgaria e Dimitrovit pretendonte ta merrte drejtimin e saj.


 Për 65 vitet sa ka funksionuar ky komb hibrid, nuk janë arritur rezultate të dëshiruara, sepse Bullgaria nuk e njeh kombin maqedon,  historinë kulturën, as gjuhën si të tillë, por e njeh shtetin,  ndërsa Greqia me të drejtën historike dhe shkencore  e konteston emrin Maqedoni. Ishte Qeveria e Sali Berishës, e cila bëri turr për ta njohur shtetin dhe kombin sllavo-bullgar, edhe pse  shqiptarët e Iliridës, që përbëjnë afër gjysmën e territorit të kësaj krijese shtetërore artificiale, diskriminoheshin brutalisht dhe në mënyrë sistematike nga Shkupi zyrtar.


 


Ilirida nuk duhet të mbetet vetëm një emër kuptimi, derisa Leka i Madh shpallet  sllavo bullgar, derisa Qeveria e Maqedonisë injoron kulturën gjuhën dhe  entitetin shqiptar,  derisa  në Kalanë  ilire e Shkupit ndërtohen kisha fantome ortodokse, madje edhe  atje ku nuk ka pasur kurrë të tilla,  dhe, derisa “shkencëtarët” sllavo-bullgarë  po shfaqin pretendime të mohimit të autoktonisë shqiptare, në Iliridë. Koha nuk punon për ata që presin, por për ata që veprojnë në drejtim të interesit të përgjithshëm kombëtar, pa dëmtuar interesat e vërteta dhe historike të popujve fqinj, të popujve historikë dhe  jo të entiteteve, të shpikura në një kohë të caktuar dhe kryesisht për interesa politike.


 


Policia e Shqipërisë ka ndaluar  dhe vazhdon të ndalojë ish luftëtarë të UÇK-së, sipas urdhër arresteve të Serbisë


 


 


Arrestimi i Naser Shatrit nga Policia kufitare e Shqipërisë, në vendkalimin kufitar me Kosovën,  bazuar në urdhër-arrestet e shqiptarëve, sipas  dosjeve të regjimit të Serbisë të kohës së Milosheviqit, nuk është një rast i izoluar, as është rasti i parë i këtij lloji. Sipas shënimeve që disponon Radio-Kosova e lirë,  në vend-kalimet kufitare të Kosovës me Shqipërinë dhe Maqedoninë, gjatë këtij viti janë mbajtur në arrest, gjoja me vendim  të Interpolit, të paktën  shtatë ish luftëtarë të lirisë, për lirimin e të cilëve është angazhuar kreu politik në Prishtinë dhe në Tiranë. Shumica e rasteve nuk janë publikuar për opinion me kërkesë të zyrtarëve të ambasadës së Shqipërisë në Prishtinë dhe të Ministrisë së Brendshme të Kosovës. Tashmë dihet botërisht se një segment i Policisë kufitare të Shqipërisë bashkëpunon ngushtë me regjimin e Beogradit dhe arreston në kufi madje edhe personalitete dhe komandantë të njohur të UÇK-së, duke i mbajtur me orë të tëra të prangosur dhe të izoluar.


 


Fushata e tillë e Serbisë, e orientuar kundër 157 të aportofuarve për gjoja krime lufte, nga Prokuroria e Serbisë, qysh nga koha e regjimit të Milosheviqit  po vazhdon pa ndërprerje. Disa  ditë më parë në kufirin e Serbisë me Hungarinë, derisa po kthehej për pushim veror, së bashku me familjen e tij, është arrestuar dhe po mbahet në Burgun e Suboticës,  Sylejman Rrahman Qeriqi, nga Krojmiri, edhe pse nuk ka qenë pjesëtar i UÇK-së, por vetëm sepse disa kushërinj të tij gjenden në listat fantome të Prokurorisë së Serbisë, që kërkohen për t’u arrestuar për shkak të pjesëmarrjes së tyre në luftë për çlirimin e Kosovës nga robëria serbe.


 


Luftëtarët e UÇK-së, të cilët me gjakun dhe djersën e  tyre kishin thyer   kufirin mes Kosovës dhe Shqipërisë, tani duhet të hyjnë e të dalin në Shqipëri nëpër vendkalimet e kohës së luftës, në shtigjet që aq shpesh janë larë me gjak, sepse gurët e shkulur të kufirit gjatë luftës, i rivendosi bashkësia ndërkombëtare me lejen  e Prishtinës dhe aprovimin e Tiranës,  përnjëherë pas mbarimit të luftës, në vitin 1999.


 


Brithmat pompoze të Sali Berishës se Kosova kurrë nuk do të bashkohet me Shqipërinë, marrëveshja e fshehtë për ndjekjen dhe arrestimin e ish luftëtarëve të lirisë, që kishte arritur, një vit më parë, asokohe  zëvendës-kryeministri, Ilir Meta dhe Boris Tadiq në Beograd, ulërimat  e ministrit të jashtëm të Shqipërisë, Haxhinasto kundër bashkimit kombëtar të shqiptarëve,  janë tregues të mjaftueshëm lidhur me “përkrahjen parimore dhe vëllazërore” të kreut të Shqipërisë dhënë Kosovës. Në këtë kor shtrigash bashkohen edhe  çirrje histerike që përditë shpërndahen nga Beogradi, që rikonfirmojnë për çdo ditë se  Serbia kurrë dhe në asnjë rast nuk do ta njohë pavarësinë e Kosovës. 


 


Të veçojmë me këtë rast se një vit më parë, gjatë takimit të Ilir Metës, në Beograd me kryetarin e Serbisë, Boris Tadiq, ata kanë arritur marrëveshje për sikur thuhet, “bashkëpunim në luftën kundër krimit të organizuar, tregtisë ilegale me drogë dhe terrorizmit ndërkombëtar”. Meta, tashmë nën hetime për korrupsion dhe abuzime me paratë e shtetit,  asokohe kishte biseduar edhe me ministrin e brendshëm, Ivica Daçiq, ministrin e jashtëm, Vuk Jeremiq dhe nënkryetarin e Qeverisë së Serbisë, Bozhidar Gjeliq.


 


Për njëherë pas këtij takimi, janë mbajtur disa orë në arrest dy luftëtarë të lirisë nga Hasi, në pikëkalimin kufitar Qafë-Prush, pastaj në Morinë. Në pikëkalimin e Kosovës me Maqedoninë, në Glloboçicë, në shkurt të këtij viti nga Policia e Kosovës është ndaluar autori i këtij shkrimi, emri i të cilit gjendet i afishuar në listën e të kërkuarve nga Policia e Serbisë.


Këto veprime  hipokrite, djallëzore dhe antikombëtare të kreut politik të Shqipërisë, të  heshtura dhe të  pranuara  në mënyrë qyqare nga kreu politik i Kosovës, japin  për të kuptuar se klasa aktuale e politikanëve shqiptarë, jo vetëm që nuk tregon asnjë pikë respekti e ndjenje vëllazërore për qytetarët e rrezikuar nga regjimi gjithnjë kriminal i Beogradit,  por është vënë kryekëput në shërbim të politikave antishqiptare të Athinës, Beogradit zyrtar dhe segmentit antishqiptar të pesë shteteve të BE-së, që nuk e kanë njohur pavarësinë e Kosovës.


 


Ndalimi, me urdhër arrest të Prokurorisë së Serbisë  i ish luftëtarëve të lirisë në pikat kufitare mes Kosovës e Shqipërisë, është një akt i dënueshëm kombëtarisht, sepse me këtë shërbim të llojit të politikës esattoptaniste, që po i bën Tirana zyrtare Beogradit, nuk mund të përmirësohet  situata politike në Kosovë, as në Shqipëri, por as në ish-RJ të Maqedonisë, ku diskriminimi që ushtron ky shtet sllavo bullgar kundër shqiptarëve ka arritur kulmin, me mbajtjen në burg të rreth 1000 shqiptarëve, kryesisht nga mesi i luftëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare, të dënuar me burg të rëndë deri edhe me burg të përjetshëm.


 


Fushata e egër me ngjyrime fashiste e Beogradit kundër shqiptarëve  liridashës përgjithësisht,  dhe kundër ish luftëtarëve të lirisë veçanërisht, përpjekjet që po bën EULEX-i për arrestimin e dy krerëve të UÇK-së, të akuzuar gjoja për krime lufte, duke kërcënuar Kuvendin dhe Qeverinë lidhur me imunitetin e dy deputetëve të apostrofuar, pozita përçmuese dhe denigruese e delegacionit të Kosovës në bisedime me Serbinë, pazaret gjithnjë e më komprometuese  në dëm të interesit kombëtar nga politikanët aktualë në Tiranë, Prishtinë dhe në Shkup janë tregues të mirëfilltë të mbretërimit të gjendjes kaotike, në nivel kombëtar,  e cila po e dëmton rëndë interesin e përgjithshëm  të shqiptarëve, në trojet e tyre etnike.

Kontrolloni gjithashtu

Edi Rama

Edi Rama: Rilindëm Shqipërinë e rrënuar nga ata që tani klithin e bërtasin të shfrenuar në foltore e në ekranet televizive

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, në fjalën e tij të mbajtur  në  mbledhjen e Grupit …