Ahmet Qeriqi

Ahmet Qeriqi: Ku e ka bazën urrejtja fetare, politike, racore?

Urrejtja mbi baza politike, urrejtja pa asnjë fre drejtuar kundërshtarëve politikë, me qëllim për t i nxirosur sa më shumë, në përpjekje për ta paraqitur vetën sa më të larë e më të mirë, në këtë segment  ka qenë dhe po mbetet  e pranishme te shqiptarët në Shqipëri, Kosovë, në Maqedoni dhe kudo ku jetojmë.

Gjeneza e kësaj urrejtjeje duket se është gjenetike, sepse niveli i urrejtjes së tillë përbrenda kombit e racës nuk është karakteristikë e të gjithë popujve. Pastaj, kjo urrejtje nuk është e kohës së sotme, ajo shtrihet thellë në historinë e së kaluarës, e cila jo vetëm njëherë ka mbetur njollë e pashlyeshme gjatë shekujve me shembuj të neveritshëm.

Nga urrejtja lind tradhtia, hakmarrja pa fre, ndëshkimi, vrasja, zhdukja, shfarosja dhe krejt kjo pastaj trashëgohet nga brezi në brez dhe bëhet pjesë e jetës, ashtu sikur ka qenë pjesë e proceseve në rrugën e gjatë e të mundimshme të historisë.

Nga urrejtja e tillë e çmendur vëllai ikë nga vëllai dhe bashkohet me armikun.

Nga urrejtja e tillë vëllai vret vëllanë, djali babanë, babai vret të birin, shoku shokun e vet më të ngushtë…

Urrejtja, smira, xhelozia e lakmia janë veset më të liga njerëzore, të cilat  kanë qenë dhe janë të pranishme sidomos te popujt ku ka munguar kultura, ku feja nuk ka ushtruar dot ndikimin me ligjet e urdhëresave e ndalesave, ku nuk është përfillur morali tradicional njerëzor dhe ku interesi vetanak, i fisit, i klanit apo i partisë ka marrë formë kolektive të urrejtjes, nga e cila deri sot nuk ka fituar askush, por janë dëmtuar të gjithë.

E segmentuar në këtë rrafsh urrejtja nuk është thjesht një ves i lig njerëzor, por është një tërësi e ndërvarur vesesh e nopranish njerëzore e cila përbëhet nga shumë faktorë, jo vetëm trashëgues por edhe faktorë socialë, fetarë, ekonomikë, politikë…

 

 

Ç’ është urrejtja?

Siril Kanel,  kritik letrar dhe botues thotë se «Nuk ka urrejtje pa frikë. . . . Ne urrejmë atë që e kemi frikë,  e prandaj, atje ku ka urrejtje, ka bërë strehë frika. Shumë sociologë besojnë se urrejtja është e rrënjosur thellë në nënvetëdijen e njerëzve. Një specialist në shkencat politike tha se «një pjesë e madhe e urrejtjes mund të jetë, madje, e programuar», e ndërtuar në vetë natyrën e njerëzve.

Bibla thotë se, Vetë Krijuesi, duke hetuar njeriun e pa përsosur mijëvjeçarë më parë, «pa që ligësia e njerëzve ishte e madhe mbi tokë dhe që tërë synimet e mendimeve të zemrës së tyre nuk ishin gjë tjetër veçse e keqja në çdo kohë».​( Zanafilla 6:5.)

Paragjykimet, diskriminimi dhe urrejtja që vjen si pasojë, janë produkte të pa përsosmërisë së trashëguar dhe të egoizmit të njeriut. (Ligji i përtërirë 32:5) Mjerisht, asnjë organizatë ose qeveri njerëzore, cilado qoftë politika e saj, nuk ka qenë në gjendje që t’i detyrojë me ligj njerëzit të ndryshojnë zemrën e tyre për këto çështje. Studiuesja, Johana Mekgeri, thotë se asnjë fuqi ndërkombëtare, sado e fuqishme të jetë, nuk mund të ndërhyjë për t’i zhdukur urrejtjet që e kanë bërë Bosnjën, Somalinë, Liberinë, Kashmirin dhe Kaukazin të mbulohen me gjak.

 

 

Urrejtje e ushqyer nga frika

Urrejtja shfaqet në shumë forma e ngjyrime të ndryshme. Shkrimtari,  Endrju Salivan e përmblodhi bukur çështjen: «Ekziston urrejtja që ka frikë dhe urrejtja që thjesht ndien përbuzje; urrejtja që shpreh pushtet dhe urrejtja që vjen nga mungesa e pushtetit; hakmarrja dhe urrejtja që vjen nga smira. . . . Ekziston urrejtja e shtypësit dhe urrejtja e viktimës. Urrejtja që zien ngadalë dhe urrejtja që shuhet. Ekziston, gjithashtu, urrejtja që shpërthen dhe urrejtja që nuk merr zjarr kurrë

Pa dyshim, disa faktorë kryesorë që krijojnë konflikte plot urrejtje në kohën tonë janë shoqërorë dhe ekonomikë. Paragjykime të forta dhe shpërthime urrejtjeje shpesh vërehen në ato zona ku grupi që ka pozitën më të favorizuar ekonomike përbën një pakicë. Gjithashtu, shpesh urrejtja ekziston atje ku standardi i jetesës së një pjese të komunitetit kërcënohet nga një vërshim të huajsh.

Disa mund të mendojnë se këta të sapoardhur do të konkurrojnë për punë, duke punuar për një rrogë më të vogël ose do të bëjnë që të bjerë vlera e pronës. Nëse këto pasiguri janë të justifikuara apo jo, kjo është një çështje tjetër. Frika e humbjes nga ana ekonomike dhe frika se standardi i komunitetit ose i jetesës do të vuajë pasojat, janë faktorë të fuqishëm që nxitin paragjykimin dhe urrejtjen.  (Biblioteka online internet)

Në Kur’ an,  në suren “El-Maide” thuhet: “O ju që besuat! Tregohuni të drejtë në gjykim, dëshmitarë të sinqertë për hir të Krijuesit! Mos lejoni që urrejtja ndaj një grupi njerëzish t’ju shtyjë të bëni padrejtësi ndaj tyre! Tregohuni të drejtë! Kjo është më pranë devotshmërisë. Kijeni frikë Zotin! Ai ka dijeni se si  veproni ju.

Një segment i urrejtjes edukohet, farkohet dhe vihen në shërbim të sunduesve, duke prodhuar urrejtjen e kundërvënies

Pavarësisht se cila është urrejtja si kategori amorale, apo antinjerëzore, ajo është pjesë e jetës së çdo njeriu, sepse vetë njerëzit, në disa segmente  janë edukuar  dhe edukohen mbi baza të urrejtjes. Urrejtjen në shkallën  më ekstreme e kanë nxitur dhe e nxisin politika, sundimtarët, feja dhe klerikët, në përpjekje për ta ruajtur sundimin përmes forcës reale njerëzore dhe përmes autoritet të Zotit, të kishës xhamisë e faltoreve cilat do qofshin ato. 

Që në mësimet e para, në abetaret e para të botës mësohen shembujt e mirë dhe të këqij, sepse e mira dhe e keqja janë si nata me ditën, si drita me terrin. Duke i mësuar nxënësit se çka është e mirë dhe e keqe ne i mësojnë ta duan të mirën dhe ta urrejnë të keqen, ndryshe mësimi nuk arrin qëllimin e vet. Andaj që në embrion të edukimit, dashur pa dashur jemi të detyruar të mësojmë gjeneratat  ta dallojmë të mirën prej të keqes.

Ne i mësojmë fëmijët se feja ime është më e mirë se ajo e tjetrit. Se ka vetëm një Zot dhe vetëm një fe të drejtë dhe ajo për hebraikët është feja e tyre, për të krishterët është feja e Krishtit, për myslimanët feja e tyre, po ashtu edhe për budistët, brahmanët dhe sa e sa fe të tjera, të cilat pretendojnë të vërtetën autentike të tyre.

I krishteri do të mësojë se e vetmja fe e drejtë dhe e vërtetë është krishterimi dhe të gjitha fetë e tjera janë ose devijim. Në këtë segment ka lindur edhe fanatizmi fetar krishterë, i cili në një fazë të ballafaqimet me besimtarë të feve të tjera apo me mosbesimtarë ka shpikur edhe Inkuizicionin, si përpjekje për ta ruajtur fenë duke rrejtur, dënuar e vrarë mizorisht të gjithë ata që nuk janë apo nuk donin të jetë të krishterë. Kjo ka quar në përplasje me përmasa botërore mes feve dhe civilizimeve.

Kjo urrejtje në formën e vetë më të vrazhdë është paraqitur me kryqëzatat 200 vjeçare ku kanë humbur jetët miliona njerëz dhe që ka vazhduar më pas me urrejtjen e myslimanëve kundër krishterëve në afër 700 vjet të Perandorisë Osmane, si hakmarrje kundër të krishterëve. Realisht duhet përmendur edhe kalifatet arabe, para osmanlinjve që pushtuan vende nën maskën e islamit që shtrinë sundimin deri në mes të Evropës dhe ku ata u dobësuan  të krishterët,  u sulën drejt Palestinës për ta çliruar varrin e Krishtit.

Urrejtjen më të madhe ndër njerëzore mes popujve e qytetërimeve e kanë shkaktuar fetë me ekskluzivitetin dhe të drejtën e tyre fundamentaliste, partikulariste, meqë feja dhe besimi i vërtetë janë segmentuar  si realitet hyjnor dhe përfaqësuesit e tyre në tokë si të zgjedhur nga hyji me mision të caktuar për ta përhapur fenë e caktuar, si të vetmen fe të drejtë të shpallur nga Hyji.

Natyrisht se feja nuk do të kishte arritur të zhvillohet dhe të shtrijë ndikimin e vet pa i pasur para sundimtarët pushtetarët dhe tërë aparatin e tyre të dhunës dhe urrejtjes së farkuar kundër të keqes, kundër të pafeve, apo kundër të gjithë atyre që nuk i takojnë fesë së caktuar, fesë së drejtë, fesë së vetme të drejtë, për të cilën duhet të luftohet në emër të Zotit. Këtë e pretendojnë tri fetë monoteiste, madje secila është më fanatike se tjetra në predikimin e fesë së vetme të drejtë.

Jo rastësisht është konstatuar nga filozofët mendje ndritur të botës se “Aty ku sundon feja, arsyeja ka për detyrë të heshtë” duke nënkuptuar edhe të kundërtën, Aty ku sundon arsyeja, feja ka për detyrë të heshtë.

Toleranca e mund urrejtjen, të paktën e relativizon dhe e bën të bashkëjetojmë me të secili për interesa të veta, individuale apo kolektive. Shembulli shqiptar i tolerancës aktualisht është shënjestër e urrejtjes nga popujt që shquhen për ekskluzivitet fetar. Në vend se ky shembull dhe kjo tolerancë të merret si model, urryesit e këtij fenomeni, në shumicë sharlatanë e gjysmakë shqipfolës, pretendojnë të na bindin se toleranca nuk është asgjë më shumë se mungesë besimi të mirëfilltë. Këtë fenomen autentik shqiptar, të cilin e vlerësojnë disa shtete e kombe të botës, disa të vetëquajtur të dijshëm e analistë nga radhët e sharlatanëve pa prokopi mundohen ta paraqesin si herezi fetare, apo si mungesë besimi të mirëfilltë, apo si trashëgim i periudhës së paganizmit…

Kontrolloni gjithashtu

Arbanë Qeriqi-Gashi: Fetnete Ramosaj, një personalitet me një kompleksitet të paepur intelektual, shoqëror dhe kombëtar

Arbanë Qeriqi-Gashi: Fetnete Ramosaj, një personalitet me një kompleksitet të paepur intelektual, shoqëror dhe kombëtar

F- etnete Ramosaj, një personalitet me një kompleksitet të paepur intelektual, shoqëror dhe kombëtar, është një …