Airport Adem Jashari
kek
mbpzhr 2018
MIT
Fillimi / Analiza / Ahmet Qeriqi: Luftëtari i lirisë dhe ish i burgosuri politik, Qerim Arifi nuk kërkon mëshirë, por drejtësi

Ahmet Qeriqi: Luftëtari i lirisë dhe ish i burgosuri politik, Qerim Arifi nuk kërkon mëshirë, por drejtësi

Se ku e si janë katandisur dhe si jetojnë sot shumë nga më meritorët për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës, flet edhe rasti i ish të burgosurit politik të viteve  ‘80, asokohe djaloshi 20 vjeçar, Qerim Arifi nga fshati Rimanishtë, i cili me protestuesit e tjerë, më 2 prill të vitit 1981 u kishte rrëmbyer armët forcave rezerviste e policore jugosllave, me qëllim  për të mos i lejuar të futeshin në Prishtinë, ku policia jugosllave dhe ajo e Krahinës Autonome të Kosovës kishin martirizuar dhjetëra protestues dhe kishin plagosur qindra të tjerë.


I dënuar tetë vjet burg të rëndë, në mesin e 38 flakadanëve të parë të Republikës së Kosovës, Qerim Arifi kryen burgun dhe kthehet në familje. Prej atëherë e deri sot, kanë kaluar afër 25 vjet dhe Qerimi nuk ka gjetur punë asnjëherë. Në kohën e regjimit okupator nuk gjeti punë meqë konsiderohej kundërshtar i regjimit, në vitet 90 nuk gjeti punë meqë konsiderohej militant dhe jo urtak pacifist. Edhe pse mori pjesë aktive në Lëvizjen ilegale dhe  në luftën e UÇK-së, Qerimi nuk  i gëzoi frytet e fitores, për të cilën kishte dhënë aq shumë. Ai nuk uzurpoi, nuk reketoi, nuk  plaçkiti, nuk u dallua si ndonjë tifoz apo militant partie dhe mbeti ashtu sikur kanë mbetur mijëra luftëtarë të lirisë, mijëra të burgosur politikë dhe  dhjetëra-mijëra varfanjakë të Kosovës.


 


 Mirëpo Qerim Arifi, ashtu si shumë bashkëvuajtës dhe çlirimtarë të Kosovës ka realizuar synimin e tij jetësor. Ka arritur ta shohë Kosovën e lirë dhe të pavarur, për të cilën ka kontribuar me krejt fuqinë e tij. Por,  realizimi i këtij qëllimi historik, nuk ia zgjodhi asnjë problem jetësor, meqë ai u lind jetoi (dhe tashmë i ka mbushur 52 vjet) në varfëri ekstreme. Me bashkëshorten dhe tre fëmijë jeton me qira në një shtëpi në rrugën “Fitush Kuka” nr. 7. në lagjen “Kodra e Trimave”, në Prishtinë, në kushte dhe rrethana minimale për ekzistencë.


Qerimi nuk kërkon lëmoshë, nuk kërkon të jetojë si parazit, edhe pse vitet e rënda të burgut dhe të luftës  ia kanë shkalluar shëndetin. Ai kërkon të trajtohet si qytetar i barabartë me të tjerët, me kategorinë së cilës i takon. Nuk merr ndihma si veteran i luftës as si i burgosur politik. Ai kërkon punë, por punë nuk ka, ose ka ndonjë ditë dhe disa ditë të tjera kthehet duarbosh në shtëpi. Për ditë del në “Tregun e Prishtinës”, por shpeshherë kthehet pa fituar asnjë qindarkë. Ndihma sociale nuk i mjafton, as për pesë ditë të muajit. Për të ekzistuar, ditët e tjera duhet të rropatet, sepse fëmijët janë në shkollë e mbi të gjitha janë të zgjuar në mësime.


 


Duke qenë se nuk ka trashëguar ndonjë pasuri të luajtshme, duke qenë se jeton me qira dhe në kushte tejet të rënda sociale, ai kishte paraqitur kërkesë për një banesë të solidaritetit, të cilat qe dy vjet rresht  i ndan komuna e Prishtinës. Kishte kompletuar të gjitha dokumentet dhe kishte arritur në radhën e parë për t’ iu ndarë banesa, meqë kishte plotësuar kushtet optimale, si asnjë tjetër. Në kohën kur u bë ndarja, emri i tij kishte rënë nga regjistri, me motivacion se atje në djerrinat  e Rimanishtes, kishte 3o ari tokë.


Realisht, atë pasuri, tokë djerrinë ai ua ka lënë vëllezërve dhe nuk posedon asnjë ari tokë, në Rimanishtë, as në Prishtinë. Këtë të dhënë ai e ka vërtetuar dhe e vërteton me dëshmi relevante nga kadastra e komunës.


 


I pakënaqur me vendimin e  komunës së Prishtinës për ndarjen e banesave të solidaritetit, Qerim Arifi iu ka drejtuar Gjykatës Supreme të Kosovës, më 30. 9 2011.  Pasi Gjykata ka marrë në shqyrtim ankesën e tij, duke u mbështetur në dokumentacionin e prezantuar si dhe në kopjen e kadastrës, ku shihet se ai nuk posedon pasuri të paluajtshme, kishte aprovuar padinë e ankuesit, Qerim Arifi dhe lëndën e kishte kthyer për rishqyrtim.


  


Ndërkohë, komuna e Prishtinës më datë 13. 10. 2011, A.nr. 985/2011 ka kontestuar  vendimin e Gjykatës Supreme, duke u thirrur si gjithnjë në të dhënën se Qerim Arfi ka 30 ari tokë në Rimanishtë të komunës së Prishtinës.


 



Qerim Arifi nuk kërkon lëmoshë. Ai ka konkurruar për një banesë solidariteti, meqë i ka plotësuar të gjitha kushtet e kërkuara me konkurs. Për më tepër, ai do të duhej të kishte përparësi, në krahasim me shumë aplikues të tjerë për  faktin se ka kaluar shumë vite në burg, ka marrë pjesë në luftën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, është i papunë, jeton me qira në një banesë ku nuk ka kushte minimale për ekzistencë. I bindur se iu ka shkelur e drejta, Qerim Arifi sërish iu ka drejtuar Gjykatës Supreme të Kosovës dhe më 21. 12. 2012  ka kërkuar nga Komisioni për Dhënien e Banesave në komunën e Prishtinës, ta rishqyrtojë lëndën me arsyetimin se i ka plotësuar të gjitha kushtet për të marrë banesë, meqë kjo është dëshmuar me prova të pakontestueshme.


 


Në padi sërish është vërtetuar e dhëna se  Qerim Arifi ka qenë i burgosur politik, ka qenë ushtar i UÇK-së dhe e gëzon të drejtën për të qenë shfrytëzues i banesës, për rastet me përkujdesje sociale, pasi që jeton me gruan dhe tre fëmijë në kushte të këqija të banimit. Pikërisht për këtë, vendimi refuzues i organit të Shkallës së Parë është në kundërshtim me kriteret e kërkuara për të qenë shfrytëzues i banesës.


 


Gjykata Supreme e Kosovës më 12. 11. 2012,  përmes Aktgjykimit, ka refuzuar si të pa bazuar ankesën e Komunës së Prishtinës dhe ka vërtetuar Aktgjykimin, A. Nr 985/2011 i datës, 19. 4. 2012, me arsyetimin se ankesa e paditësit, Qerim Arifi është e bazuar….


 


Kolegji i Shkallës së Dytë i kësaj gjykate, duke u nisur nga gjendja e tillë e çështjes, pranon në tërësi si të drejtë dhe të ligjshëm një konkludim të tillë juridik të Kolegjit të Shkallës së Parë, sepse me rastin e pranimit të padisë së komunës në mënyrë të drejtë janë zbatuar dispozitat procedurale dhe materiale.


 


Gjykata Supreme e Kosovës në bazë të nenit 200 të LPK, të zbatueshëm sipas nenit 63 të LKA, u vendos si në dispozitën të këtij Aktgjykimi. Gjykata Supreme e Kosovës, A.A. 86/2012, më 12. 11. 2012. Kryetari i Kolegjit Shukri  Sylejmani.


 


Qerim Arifi ka fituar gjyqin në Gjykatën Supreme të Kosovës, por komuna e Prishtinës, nuk e merr fare para sysh këtë vendim të kësaj Gjykate, edhe pse nuk ka paraqitur asnjë dëshmi konkrete për injorimin e vendimit por vetëm të dhëna gojore se paditësi, Qerim Arifi, paska apo paska pasur tokë në Rimanishtë. Komuna nuk merr parasysh as edhe Certifikatën e Ministrisë së Administratës Publike të Qeverisë së Kosovës, e cila më datë 27. 12. 2012 ka vërtetuar se Qerim Arifi nuk posedon pasuri të paluajtshme, në rajonin e komunës së Prishtinës, as gjetkë.


 


 Qerim Arifi pret të realizohet e drejta e tij.


 


 1. Gjykata Supreme e Kosovës dy herë deri tani ka marrë vendin në dobi të padisë së tij.


2. Ministria e Administratës Publike  ka vërtetuar faktin se Qerim Arifi nuk posedon pronë të paluajtshme.


3. Shoqata e të Burgosurve Politikë vërteton se ai ka mbajtur 8 vjet burg për veprimtari të organizuar kundër regjimit okupator jugosllav.


4. Shoqata e Veteranëve të Luftës, vërteton pjesëmarrjen e tij në UÇK.


5. Komuna është në njohuri të faktit se ai jeton me ndihma sociale.


6. Komuna po ashtu ka të dhëna se ai jeton në një kthinë ku nuk ka kushte elementare për jetesë.


 


 



 



 



 



 



 


Kontrolloni gjithashtu

Elife Luzha

ELIFE LUZHA: INTEGRIMI I SLLOVENISË NË BE, SHEMBULL PËR RAJONIN

Europa asnjëherë nuk do të jetonte në paqe përderisa Ballkani ziente nga politikat konfliktoze. Në ...