Ahmet Qeriqi: Përse shtetet islame po hezitojnë ta njohin pavarësinë e Kosovës?

Vonesa në njohjen e pavarësisë së Kosovës nga vendet e Konferencës Islamike dhe nga vendet islame përgjithësisht ka krijuar huti, jo vetëm ndër shqiptarë, por edhe në qarqet politike ndërkombëtare.

Llogaritë paraprake të liderëve të vendit tonë, lidhur me pranimin e shpalljes së pavarësisë së Kosovës nga shumë vende të botës, dolën të pasakta. Edhe gjashtë muaj pas shpalljes së pavarësisë dhe pranimit të saj nga 43 shtete të botës, vetëm pak shtete islame e kanë njohur pavarësinë e vendit tonë. Shkaqet janë të shumta dhe përgjithësisht kanë të bëjnë me ndjenjat e fuqishme antiamerikane, të shteteve islame, si dhe mungesën e theksuar të ndikimit të faktorit politik shqiptar në botën arabe dhe në botën islame përgjithësisht.
Është një e vërtetë e hidhur se, shumica e shteteve islame Amerikën e konsiderojnë armike të çështjes, ndërsa Kosovën si shtet vazal të krijuar dhe të mbështetur fuqishëm nga Amerika. Ndjenja antiamerikane e shumicës së këtyre shteteve është më e fuqishme sesa ndjenja e përkrahjes për një popull evropian, por me shumicë dërrmuese me përkatësi fetare islame. Kjo lë për të kuptuar se edhe bota islame ka vënë politikën para fesë dhe në këtë mënyrë po vepron sipas interesit të përgjithshëm strategjik të saj, pa ndonjë interesim të vaçantë për fatin e myslimanëve të katandisur në vendet e ndryshme të botës.

Edhe gjatë kohës së luftës në Kosovë, sidomos në vitin 1999, në kohën kur Serbia kishte filluar spastrimin etnik të trojeve shqiptare të Kosovës, ndërsa Kisha serbe arsyetonte krimet kundër shqiptarëve islamë, duke i trajtuar si “muxhahedinë”, bota islame nuk ishte sensibilizuar në masën e duhur. Ajo në të vërtetë kishte qëndruar mjaft indiferente edhe në kohën e luftës në Bosnje e Hercegovinë, kur nga forcat e barbarive serbe, dhe në prani të forcave ndërkombëtare, u vranë dhe u masakruan rreth 200.000 myslimanë dhe u dëbuan nga trojet e veta më shumë se 1 milionë prej tyre.

Prodekani i Fakultetit të Studimeve Islame, në Prishtinë, Qemajl Morina, duke komentuar refuzimin e shteteve islame për ta njohur pavarësinë e vendit tonë, ka deklaruar se injorimi që iu është bërë shteteve islame nga institucionet e vendit, nga frika se Kosova do të identifikohej me atë pjesë të botës, ka bërë që ato shtete deri më tani të mos e njohin pavarësinë e Kosovës. Z. Morina, nuk ka marrë para sysh argumentin kryesor të çështjes, se pa pranimin dhe mbështetjen e pavarësisë së Kosovës nga Amerika dhe shtetet më të fuqishme të botës, përveç Rusisë dhe Kinës, pranimi nga të gjitha shtetet islame do të ishte një hiq, pa asnjë ndikim relevant, meqë ndikimi i kësaj bote në vendimmarrjen politike ndërkombëtare, është shumë i dobët. Z. Morina ndihet thellë i zhgënjyer me këtë qëndrim injorues të shteteve islame, dhe për këtë fajëson klasën politike të Kosovës, e cila realisht ka mundur të bëjë më shumë në aspektin diplomatik, por kurrsesi nuk do të merrte guximin për të bërë ndonjë hap në drejtim të kundërt. Mungesa e pranisë së kreut politik të Kosovës në Konferencën e fundit islamike, ka qenë një lëshim i pafalshëm, sepse është vetë Amerika ajo, e cila po mundohet t’i nxit shtetet islame për ta pranuar pavarësinë e Kosovës.

Në këtë drejtim, i dërguari i posaçëm i Amerikës në Konferencën Islamike, Sada Cumber, po viziton rajonin dhe ka qëndruar për dy ditë në Sulltanatin e Bruneit, ku ka nxitur zyrtarët e këtij shteti që ta njohin sa më parë Kosovën. Është shumë e rëndësishme që shtetet islame ta njohin shpalljen e pavarësisë së Kosovës, ka deklaruar Cumber duke shtuar se Kosova është një shtet i ri me shumicë myslimane. Sipas diplomatit amerikan, shtetet islamike duhet ta njohin Kosovën në mënyrë që të bëhet shtet i suksesshëm dhe që do të luajë rol të rëndësishëm në Islamin modern dhe përparimtar.

Përfaqësuesit e institucioneve të vendit tonë, por edhe kleri islam nuk kanë bërë sa duhet për ta prezantuar fatin tragjik të së kalurës të islamit në Ballkan. Me siguri se përfaqësuesit e vendeve islame, të cilat, mjerisht kanë njëfarë nostalgjie të sëmurë për ish Jugosllavinë e Titos, nuk kanë sa duhet informata lidhur me të kalurën tronditëse të myslimanëve në kohën e krijimit të ish-Jugosllavisë. Ata, mbase nuk dinë se Serbia ka ushtruar dhunën më barbare dhe më brutale kundër të gjithë myslimanëve në Ballkan, sidomos prej vitit 1912. Shtetet islame nuk e dinë se vetëm në territorin e sotëm të Serbisë dikur kishte 3400 xhami, mesxhide e mejtepe dhe tashmë kanë ngelur vetëm dy, një në Beograd dhe një në Nish. Ata nuk e dinë se gjatë luftërave ballkanike u dëbuan, u vranë dhe u zhdukën në mënyrën më mizore rreth 1 milionë myslimanë. Krime këto që tronditën edhe reporterin rus të luftës, Leon Trocki, i cili demaskoi politikën shfaruese sllave e serbe kundër shqiptarëve, turqve dhe hebrenjve. Përfaqësuesit e botës islame, duhet të njoftohen nga dikush me këto shifra e fakte rrëqethëse, të cilat duhet të prezantohen, jo me qëllim të hakmarrjes dhe ndreqjes të së kaluarës, por me qëllim të mos-harrimit të krimeve dhe të shëmtive, në esencë antinjerëzore. Më shumë myslimanë ka vrarë Serbia në Ballkan, sesa që janë vrarë gjatë kohës së fundit në tërë botën, duke përfshirë edhe luftën në Irak, e cila tashmë është kthyer në luftë vëllavrasëse mes sunitëve dhe shiitëve, luftë kjo cila po zgjat qe 1400 vjet. Për ta njoftuar botën islame me aktorët dhe shkaktarët e kësaj tragjedie të ushtruar nga serbët kundër myslimanëve nuk është vonë dhe këtë duhet ta bëjnë, në radhë të parë kleri mysliman i Kosovës, por edhe institucionet relevante të vendit.

Kontrolloni gjithashtu

RrGK: Sot gjithë shoqëria duhet të bëhet zë ri i grave dhe vajzave

Ende pa kaluar 5 ditë nga rasti tragjik i vrasjes së gruas në Ferizaj, sot …