leoni

Ahmet Qeriqi: Rezistencë e heshtur e grupeve pacifiste (E diel 21 qershor, 1998)

Ahmet Qeriqi: Rezistencë e heshtur e grupeve pacifiste (E diel 21 qershor, 1998)

Ndërprerja e aktiviteteve partiake, fillimisht ka shkaktuar huti, jo te populli por te disa, që quhen kuadro udhëheqës. Këta njerëz nuk i besojnë forcës së kundërvënies, madje një pjesë e tyre është e bindur se me luftë punët shkallëzohen për të keq. Disa nga partiakët e moçëm të LKJ-së, të cilët tani ndodhen në LDK, jo vetëm nuk na shohin me sy të mirë, por bëjnë çmos që të mos na takojnë fare. Ata, po takohen tinëz sidomos gjatë natës. Disa të tjerë, të cilët kanë bashkëpunuar madje edhe hapur me Gjurë Tanaskoviqin e milicë të tjerë të Lipjanit e të Shtimes, ndihen edhe të rrezikuar. Edhe ata, nuk para pëlqejnë të shihen me UÇK-në, por nuk kanë forcë t’ i ndalojnë vëllezërit por as edhe bijtë e bijat e tyre, jo vetëm për të kontaktuar por edhe për t u kyçur në radhët. ( Tetë rreshta të koduar) 

Tani përçarja u ka hyrë përbrenda. Disa prej atyre që gjithnjë kanë bashkëpunuar me pushtuesin janë jo vetëm të hutuar por edhe të shokuar. Ata, po zhvillojnë luftë speciale kundër UÇK-së, duke  përhapur gënjeshtra ndër më të ndryshmet. Të gjithë këta tanimë e kanë kuptuar se ndikimi i Rugovës në Drenicë, as  ka qenë ndonjëherë ndikim, as mund të flitet se Drenica e njeh atë, sidomos  pas prononcimeve të tij kundër UÇK-së. Ata pak rugovistë që janë në Drenicë, fatkeqësisht janë  kategori denoncuese.

Të tillët tanimë po  ikin nga Drenica.

Sot pasdite, nga Prishtina ka ardhur Hilmi Ramadani dhe Ahmet Isufi. Me Hilmiun jam njohur në Burgun e Novi Sadit, 12 vjet më parë. Edhe Ahmeti ka qenë i burgosur politik i viteve të tetëdhjeta. Ata kanë ardhur për ta takuar Ramë Bujën e Shukri Bujën.

Me Hilmiun kemi mbajtur kontakte ilegaliteti. Ai është veprimtar i shquar i lëvizjes, është i palodhur dhe kurdoherë vepron me zell e zgjuarsi, shok veprimtarie e më vonë edhe shok burgu me Rexhep Malën.

Në ndërkohë nga Mollapolci ka ardhur nipi i Sylës, Shaip Mujota. Ai na ka sjellë një kamerë gjermane, e cila do të hyjë në punë, për të filmuar ngjarjet që po zhvillohen para syve tanë dhe ende nuk kemi bërë incizime.

Gëzohem tej mase që tani e tutje, veprimet tona në terren do t i xhirojmë, mirëpo duhet caktuar njërin nga ushtarët që di ta përdorë kamerën. Të tillë do të gjejmë po asnjëri nga ata nuk ka gatishmëri ta zëvendësojë pushkën me kamerë.

Pas një kohe, nga Carraleva ka ardhur edhe Luani (Ramiz Qeriqi) i cili rrëfen se forcat serbe kanë defiluar në disa pika në asfalt për të treguar prezencën e tyre. Ramizi ka një karakter tepër të papërcaktuar dhe të bezdisshëm. Ai flet shumë dhe kryesisht flet fjalë pa lidhje, me çka lë përshtypje jo të mirë te njerëzit. Deri tani është treguar trim dhe tejet i vendosur në aksione. Ç’ është kryesorja ai e nderon dhe e respekton sidomos Sylën, pa të cilin nuk del as në pozicione. Ramizin duhet mbajtur me shumë kujdes, meqë karakteri i tij konfliktuoz, veprimet shpeshherë të pamatura, yshtjet dhe fjalët e liga sidomos për familjen Buja, po ushtrojnë ndikim të papëlqyeshëm…(6 rreshta të koduar)

Deri tani, nuk ka bërë ndonjë veprim të lig, edhe pse i disponon të gjitha predispozitat për të vepruar kokë në vete. Tani për tani po e mbajmë nën kontroll, por kam frikë se shpejt mund të na dalë nga ndikimi. Ramizi është një paraqitje e veçantë, ka një botë të fortë të emocioneve të cilën  mundohet ta vë në veprim. Shihet se ka qenë i shtypur dhe i papranuar nga rrethi. Ka krijuar shumë armiq dhe ç është më keq paraqitet si krah radikal, me çka po e dëmton imazhin e UÇK-së. Pavarësisht nga të gjitha, Ramizi është trim, por duhet të vihet nën kujdes të posaçëm.

                                              …

Hilmi Ramadani dhe Ahmet Isufi ndihen tejet të ngazëllyer me punën dhe organizimin tonë. Ata gëzohen pa masë kur shohin të gjithë ata ushtarë, edhe pse shumica syresh ende nuk kanë uniforma me emblemë të UÇK-së. Meqë shfaqin dëshirë të shohin pikë-pozicione tona, nisemi me veturën e tyre deri te Kodra në Carralevë.

Në orët e pas ditës, Hilmiu dhe Ahmeti nisën në drejtim të Magurës. Me ta kam shkuar deri në Shalë, te  Vehbi Shamolli. Kam ndërmend të bisedoj me mikun tim Muhametin…. Tash për tash vetëm djali i tij 20 vjeçar Mentori, është kyçur në ambulancë, ku edhe më parë ka punuar si teknik i mjekësisë. Të tjerët, hezitojnë.

Kontrolloni gjithashtu

Ahmet Qeriqi: Organizimi i punkteve të reja shëndetësore (E shtunë, 20 qershor, 1998)

Ahmet Qeriqi: Organizimi i punkteve të reja shëndetësore (E shtunë, 20 qershor, 1998)

Të shumta janë punët dhe vështirësitë me të cilat ndeshim për çdo çast. Rendi ekzistues …