leoni

Zade Tahir Meha

Ahmet Qeriqi: Zade Tahir Meha, 40 vjet jeton me traumat e pasojat e luftës të 13 majit të vitit 1981

Bija e Tahir Mehës, Zadja,  “kujdeset” me aq sa mundet për kullën e babait, kullën e familjes tashmë Muze, në Lagjen Meha të Prekazit.

Kishte 15-vjet në natën e 13 majit të vitit 1981, kur kishte përjetuar tmerrin e kësaj bote.

Atë natë rruga e saj jetësore mori një kahe pa kthim…

Babai i saj, Tahiri dhe gjyshi, Nebihu, kishin luftuar ballë për ballë kundër njësive speciale të Milicisë Jugosllave, të cilët pasi kishin vrarë shqiptarë të rinj e liridashës nëpër protesta e demonstrata, kudo në Kosovë, me tërë një arsenal luftarak u kishin rrethuar kullën, në Prekaz  dhe kërkonin,  që ata të dorëzonin armët…

Në atë ditë tmerri,  ajo ishte zgjuar nga krismat e fuqishme të armëve dhe ishte ngulfatur nga tymi lotsjellës. Në fillim nuk dinte se po ëndërronte apo bubullimat po  rrënonin kullën, ku ajo jetonte me nënën, dy dadot e katër  motrat e saj. Kishte arritur të dilte nga kulla, ndërsa plumbi  ia kishte përshkuar shtatin në brez. Me plagë në trup ishte zvarritur dhe  ishte futur në hambarin e shtëpisë, ku për 18 orë kishte qëndruar në vend, e frikësuar se sapo të hetohej, do ta vrisnin. Më vonë kur e kishin zbuluar të plagosur, njerëzit e regjimit e kishin dërguar në spital sa për të treguar “humanizëm, edhe pse ajo ishte bija e një nacionalisti e irredentisti, që kishte guxuar ta sfidonte shtetin, ndër më të fortit të Evropës, shtetin që quhej Republika Socialiste Federative e Jugosllavisë dhe  që nuk ekziston më.

 Zadja, pas qëndrimit 18 orë e ngujuar në hambar dhe me plagën në këmbë kishte humbur ndjenjat dhe ishte zgjuar, në Spital. Por zgjimi kishte qenë krejt ndryshe. Ajo tashmë jetonte në një botë tjetër, me dromca kujtimesh, për babanë e gjyshin,  që nuk i kishte parë kurrë më, jetonte në një makth që nuk po i hiqej nga mendja me kujtime për natën e zezë sterrë, për plumbin që ia kishte dëmtuar përjetë këmbën, për motrat, dadot, nënën dhe anëtarët e tjerë të familjes.

Nga ajo ditë, iu këput jeta në dysh, iu vulos ardhmëria me trauma të rënda,  që kishte përjetuar natën e 13 majit të vitit 1981, kur babai dhe gjyshi i saj kishin tretur në përjetësi, ndërsa ajo kishte mbetur gjallë, mes përjetësisë dhe jetës reale, të cilën e jeton si invalide e luftës së babait e të gjyshit,  si krijesë që ka mbetur shembull i vuajtjes njerëzore, e prekur në trurin e saj nga dhuna morbide serbe, e goditur për të jetuar një jetë të tërë, e traumatizuar, duke sjellë në kujtesë natën e tmerrit, natën që ia prishi të gjitha ëndrrat, që ia mori babanë e gjyshin e dashur, natën që ia vulosi fatin e saj, martire e martirizuar për së gjalli.

…Dhe Zadja rron, rron me veten e saj të ngujuar në kohën fiktive,  rron tok me të vetët. Kishte jetuar në kullën e babait si atitudë, si trashëgimtare e gjallë e vuajtjes, por edhe durimit mbinjerëzor, sepse duhej të jetonte, jo për ta rrëfyer me gojën e vetë  qëndresën e   një ndeshjeje titanike të dy titanëve, kundër 2000 hienave, por për ta dëshmuar atë me praninë e saj, me tërë qenien e saj, me frymën e saj në trojet e babait, të të afërmve, të vizitorëve që shkojnë herë pas herë në kullë, për ta vizituar atë.

Zadja është pasqyra e gjallë jetësore që rrëfen trishtimin, por edhe ngadhënjimin mbi të ligën, mbi errësirën e barbarinë.

Ajo jeton jetën e saj, gjithnjë në pritje, në një agoni që po zgjat e po zgjat, me ditë e javë, me muaj e vite, deri tani duke pritur jo 20 vjet si Penelopa e Odiseut apo Doruntina, Kostandinin,  por plot 40 vjet si Zadja vetë, duke hyrë në një histori të veçantë të vuajtjes njerëzore, të asaj vuajtje,  së cilës për çdo ditë i mjafton pikëllimi i vet.

Ajo është “Bija e oxhakut”, e vetëflijuar për ta ruajtur kullën e babait, tani Kullën-Muze të historisë sonë më të re.

…dhe rron sot Kosova, që ka fituar lirinë nga gjaku i dëshmorëve dhe i martirëve, në mesin e tyre edhe nga gjaku i Tahirit, Nebihut, Beqirit dhe nga plaga në shtat e Zades, nga plaga e saj 40-vjeçare…

Dhe për jetën, vuajtjet e sakrificën familjare, sakrificën e një jete të tërë, nga Kosova e Lirë dhe e pavarur, nga Qeveria më e pasur e vendit më të varfër të Evropës, nga buxheti i Kosovës,  Zade Tahir Meha për çdo muaj merr një pension, jo nuk është pension, por një mëshirë, nga ato të kohës së Migjenit, derisa gruaja e një futbollisti tani të ndjerë, i njohur dhe i çmuar në RSFJ-në, (e cila e kishte goditur Zaden dhe familjen e saj) merr 1000 euro në muaj, ka të siguruar veturën, shoferin dhe rojën, ashtu sikur merr nga Qeveria edhe Fana Rugova dhe fana të tjera, për të cilat nuk është në dijeni opinioni.

Ndërsa Zadja merr lëmoshën mujore për kontributin që ka dhënë dhe po e jep edhe sot si ‘kustose  e Kullës-Muze,  pastaj gjaku që kanë derdhur babai, Tahir Meha, xhaxhai Beqir Meha, gjyshi, Nebih  Meha, lufta e atgjyshit, Emin Lati-Meha…

Por Zadja rron dhe do të rrojë jetën e saj,  duke ecur nëpër kthinat e shtëpisë, në shtëpinë e babës, ku i pushon rehat trupi i hajthshim,  duke pritur vizitorët, duke u munduar të komunikojë me ta, duke u treguar se ajo rron jetën e saj, ashtu sikur e ka shkruar Zoti. Zadja rron e vetmuar në botën e saj të vetmisë metafizike, por nuk është vetë. Ajo ka edhe motrat: Bukurinë, Antigonën, Sofinë dhe Salën, që e vizitojnë herë pas herë.  Ka kush kujdeset për jetën, bukën e veshjen e saj, sepse i ka të afërmit e gjakut, bijtë e xhaxhait. Jeton nën përkujdesjen e djalit të xhaxhait, Ilir Beqir Mehës dhe familjes së tij.  Por mbi të gjitha e ka botën e saj, që kurrë nuk do ta kuptojmë edhe pse mund ta përshkruajmë, mund ta zbërthejmë deri diku, por kurrë nuk arrijmë të depërtojmë në thellësinë e shpirtit të saj të torturuar mizorisht nga barbaria serbe…

Zaden askush nuk do ta shpallë të shenjtë për vuajtjet e saj, sepse janë krejt pak ata që i dinë dhe i kuptojnë ato vuajtje, janë krejt pak ata që e mëshirojnë dhe i kushtojnë respekt, sepse ajo jeton jetën e saj specifike, jetën e martires për së gjalli, jetën me shpirtin e saj të syrgjynosur në amshim, për së gjalli…

Zadja nuk ka nevojë të shpallet martire, ajo është e tillë dhe po do të jetë, përgjithmonë e jetë, bija e Tahirit, mbesa e Nebihut, martirja e Mehajve të Prekazit, e Prekazit të Tahir Mehës e Adem Jasharit dhe shumë  dëshmorëve e martirëve të tjerë, sot vend- pelegrinazhi i ri i shqiptarëve.

Kontrolloni gjithashtu

Enver Hoxha

ISA FERIZAJ: RRON E DREJTA, E VËRTETA

ENVERIZMI ATDHETAR! Erdhi serish prilli, në vendin tim; Gjetur, i ka shqipet, në fluturim. Gjet …