AKB: Kosova rrezikon të humbasë fonde të BE-së për shkak të vonesave në reforma

Aleanca Kosovare e Bizneseve ka paralajmëruar se Kosova rrezikon të humbasë një pjesë të fondeve të Bashkimit Evropian, për shkak të vonesave në zbatimin e reformave të kërkuara në kuadër të Planit të Rritjes. Sipas AKB-së, institucionet e Kosovës nuk i kanë përmbushur me kohë obligimet e përcaktuara, duke ngadalësuar përfitimin e fondeve evropiane dhe duke e vendosur vendin në pozitë më të pafavorshme krahasuar me shtetet e tjera të rajonit. Kosova ka në dispozicion 882 milionë e 600 mijë euro nga Plani i Rritjes i Bashkimit Evropian për periudhën 2024–2027, por deri më tani ka përfituar vetëm 61 milionë euro në formë parafinancimi, ose rreth 7 për qind të shumës së përgjithshme. AKB thekson se Kosova ishte vendi i fundit në rajon që dorëzoi raportin për zbatimin e reformave, vetëm pak para skadimit të afatit. Sipas Aleancës Kosovare të Bizneseve, kjo situatë pasqyron mungesë të planifikimit strategjik, koordinimit institucional dhe përgjegjësisë në një proces me rëndësi për zhvillimin ekonomik dhe integrimin evropian.

Kontrolloni gjithashtu

Smajl Latifi: Sigurojmë kuorumin për presidentin nëse pranohen gjashtë pikat e ofertës sonë

Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës është e gatshme të kontribuojë në sigurimin e kuorumit për …