Alicia Kearns ka ngritur alarmin në Këshilli i Evropës për gjendjen e demokracisë dhe lirisë së mediave në Serbi, duke deklaruar se Evropa nuk duhet të qëndrojë indiferente përballë, sipas saj, shkatërrimit të lirive demokratike. Në një video të publikuar në rrjetin social X, Kearns tha se qytetarët serbë meritojnë zgjedhje të lira, media të lira dhe një demokraci të çliruar nga korrupsioni dhe kapja e shtetit. “Evropa nuk duhet ta kthejë shikimin nga ana tjetër ndërsa liritë demokratike po shkatërrohen”, ka shkruar ajo. Duke iu referuar tragjedisë në Novi Sad, deputetja britanike përmendi protestat masive në Serbi, duke theksuar se miliona qytetarë dolën në rrugë për të kërkuar përgjegjësi dhe ndryshim. Kearns ngriti shqetësime edhe për gjendjen e mediave të pavarura në Serbi, duke deklaruar se shtypi i lirë po “çmontohet qëllimisht dhe në sy të publikut”. Sipas saj, drejtuesit e redaksive të pavarura janë larguar, ndërsa mediat N1, Nova S dhe Danas janë shitur te një kompani që, sipas pretendimeve të saj, është e lidhur me Viktor Orbán dhe Aleksandar Vuçiç. Në fjalimin e saj, Kearns krahasoi zhvillimet në Serbi me modelin rus të qeverisjes dhe përmendi edhe sulmin terrorist në Banjskë, duke shprehur shqetësim për, sipas saj, qasjen e Serbisë ndaj fqinjëve dhe stabilitetit në rajon.
Radio Kosova e Lirë Radio-Kosova e Lirë, Radio e luftës çlirimtare, paqes dhe bashkimit kombëtar, Zëri i lirisë, besnikja e pavarësisë dhe e bashkimit të shqiptarëve.
