Në një operacion të gjerë antidrogë të zhvilluar dje, Policia ka arrestuar 22 persona të dyshuar për pjesëmarrje në një rrjet të organizuar të trafikimit të drogës. Ndër ta, edhe Shemsi Bahtiri, një anëtar aktiv i Lëvizjes Vetëvendosje në Qendrën e Prishtinës, i njohur për përfshirjen e tij në aktivitetet e brendshme të partisë. Sipas raportimeve të “Kallxo”, Bahtiri rezulton të jetë një nga figurat kyçe të këtij rrjeti, ku janë sekuestruar qindra mijëra euro para të gatshme e të falsifikuara, llogari bankare, automjete luksoze, armë dhe lëndë narkotike. Lëvizja Vetëvendosje, në një reagim të shkurtër, njoftoi se ka verifikuar emrin e Bahtirit në “databazën” e anëtarësisë dhe ka ndërprerë menjëherë raportin me të. Megjithatë, profili i tij në rrjete sociale, tashmë i fshirë, e tregonte si një aktivist të afërt me figura si Gëzim Sveçla, Xhelal Sveçla, dhe madje edhe me Kryeministrin Albin Kurti. Ky është rasti i dytë që përfshin një anëtar të Vetëvendosjes në trafikim të drogës. Besnik Mujeci, një tjetër ish-aktivist i kësaj partie, vijon të jetë në burg në Shqipëri për pjesëmarrje në një rrjet ndërkombëtar të trafikut të ekstazisë.
