leoni

Asllan Zymer Fazliu (10.10.1963 – 23.3.1999)

Asllan Zymer Fazliu (10.10.1963 – 23.3.1999)

Fshati Gradicë i Drenicës, luftës heroike të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës i ka dhënë dëshmorët: Asllan Fazliu, Lec Leci, Milazim Fazliu, Mehdi Fazliu, Muhamet Dervishi, Antigone Fazliu, Mehmet Saliuka Hashim Uka si dhe shumë martirë.

Emrat e njohur të së kaluarës nga ky fshat kanë qenë, Tahir Gradica, Lec Gradica, Mehmet Gradica e të tjerë.

Asllan Fazliu lindi më 10 shtator të vitit 1963. Babai Zymeri dhe nëna Ajetja rriten bijtë: Asllanin, Rrahmanin, Ganiun, Mehdiun, Hamdiun, Avdiun dhe bijat: Eminen, Zarifen, Hatixhen, Miniren dhe Halimen.

Asllani shkollën fillore e mbaroi në vendlindjen e tij , në Gradicë, ndërsa shkollën e mesme e teknike – drejtimin metalgdhendës e mbaroi në Drenas (ish-Gllogoc). Ndërkohë kishte regjistruar studimet në Shkollën e Lartë Teknike në Ferizaj, por i ndërpreu për shkak të gjendjes jo të volitshme ekonomike.

Në pranverë të vitit 1981, Asllan Fazliu, së bashku me Ramadan Nikën, Ejup Rexhepin, e shumë të tjerë merr pjesë në demonstratat e rinisë, me kërkesa për krijimin e Republikën e Kosovës. Asokohe, Asllani njihet edhe me Fehmi Lladrovcin, njërin prej prijatarëve të mirënjohur të lëvizjes së rezistencës në Drenicën Qendrore si dhe Enver Topillën, i cili ishte dënuar për shkak të aktivitetit antijugosllav. Ka bashkëvepruar në drejtim të zgjerimit të radhëve edhe me xhaxhanë, Milazimin dhe me të afërm të tjerë.

Duke qenë e identifikuar nga regjimi antishqiptar i Beogradit  si një familje atdhetare dhe qëndrestare, në vitin 1995, policia serbe  arreston Milazim Fazliun, me pretekst të dorëzimit të armëve. Ndërkohë ata e arrestojnë edhe Asllanin. Të dy i torturojnë mizorisht, por asnjëri nuk pranojnë se kishin armë. Policët kishin rrahur brutalisht në tren edhe babanë e Asllanit, Zymerin, nga i cili kishin kërkuar ta lavdëronte kriminelin shqiptarvrasës, Millosheviq. As pas torturave dhe mizorive që kishin ushtruar në prani të udhëtarëve, Zymeri e kishte kyçur gojën dhe nuk kishte folur.

Asllani ka kryer shërbimin e detyrueshëm ushtarak në Lubjanë të Sllovenisë, por eprorët kanë konstatuar se ka qenë ushtar i padëgjueshëm dhe problematik.

Asllani ishte në dijeni të aktivitetit çlirimtar të Komandantit Adem Jashari. Më 3 mars kishte kontaktuar në Prekaz me Adem Jasharin, i cili edhe e pranon në radhët e UÇK-së, ndërkohë që ngarkohet me një armë të tipit PKT.

Me rastin e kthimit të Fehmi Lladrovcit në Drenicë, në pranverë të vitit 1998,  kontakton dhe me Sabit Lladrovcin, i cili ishte dora e djathtë e komandant Fehmiut. Asllani tashmë ishte i mobilizuar dhe oda e tij në Gradicë ishte bërë pikë e luftëtarëve të lirisë, ku frekuentonin edhe kuadrot e larta të luftës së UÇK-së, jo vetëm të kësaj ane.

Me rastin e krijimit të pikave, komandant Fehmi Lladrovci, së bashku me bashkëshorten e tij Xhevë Krasniqi, kushëririn Sabit Lladrovci e të tjerë krijojnë pikat e para mbrojtëse në rajonin e kësaj pjese të  Drenicës.

Pika e parë, e quajtur “Shkaba”  1 përfshinte territorin e fshatit Çikatovë e Vjetër. Shkaba II rajonin e Gllanasellës. Shkabaj III Dritanin, ish Dobrashecin. Shkaba IV  fshatrat Vasilevë, Paklek, Karraticë. Shkaba V fshatin Graboc në lindje të Qyqavicës. Shkaba VI fshatin Gradicë etj.

Në pikën e pozicioneve mbrojtëse të Shkabës I  “Te Trafostacioni”, të cilën e komandonte Asllan Fazliu, bënin pjesë luftëtarët: Ferki Karaxha, Enver Topilla, Muhamet Karaxha, Qamil Dervishi,  Gani Nika, Ramadam Kurrumeli, Sami Kurrumeli, Ismajl Topilla, Xhemajl Muja, Shaban Fazliu,  e të tjerë.

Më 24 qershor 1998, Fehmi Lladrovci me Asllan Fazliun, Sabit Lladrovcin, gjithsej 12 luftëtarë të përkushtuar të lirisë zënë pozicione në fshatin Bardh i Madh, pikë kjo e cila paraprakisht ishte futur nën kontroll nga Fatmir Humolli, Mensur Kasumaj, Mujë Sibovci e të tjerë nga  Zona Operative e Shalës. Në bashkujdi me Zonën e Shalës, Asllan Fazliu caktohet komandant i Pikës bë Bardh të Madh.

Më 29 qershor zhvillohen luftme sporadike mes forcave të UÇK-së dhe forcave serbe.

Më 30 qershor duke filluar nga ora 5 e mëngjesit është zhvilluar beteja e njohur në Hade, me ç’ rast në luftë kundër forcave ushtarake dhe policore serbe kanë rënë dëshmorë: Mentor Dervishaj, nga Zabllaqi i Burimit, Xhemajl Mehmeti nga Plluzhina dhe Ismet Uka nga fshati Ticë i Skënderajt. Në luftime kanë marrë pjesë edhe Gani Hoxha, i cili mori plagë si dhe Qamil Shehu, Abedin Sogojeva, Pal Paluca e shumë të tjerë.

Më 26 korrik të vitit 1998, Asllan Fazliu, i cili tashmë ishte bërë shembull i luftëtarit të përkushtuar, me shtatin e tij të  hedhur dhe hapërimin e pandashëm nga një pikë e luftimeve në tjetrën, merr pjesë edhe në luftimet e zhvilluara në mbrojtje të  Grykës së Llapushnikut, ku kishin luftuar edhe Fehmi Lladrovci, Xhevë Krasniqi-Lladrovci, Sabit Lladrovci, Muhamet Dervishi e te tjerë.

Asllani ishte shumë aktiv në luftime. Ai ishte kurdoherë në kreun e komandës së bashku me Fehmi Lladrovcin, Sabit Lladrovcin, Rabit Aliun nga Presheva,  Enver Lladrovcin, nip i familjes Fazliu, e të tjerë

Më 22 shtator fillon ofensiva e verës e forcave serbe kundër tërë Zonës së Drenicës, e përqendruar në sulm sidomos në fshatrat e brezit të Qyqavicës.

Ofensiva serbe,  qysh herët në mëngjes kishte përfshirë rrezen e veprimit në fshatrat: Çikatovë, Gllanasellë, Dobrashec, Paklek, Graboc, Vasilevë, Karraticë, Bardh i Madh, të cilat po sulmoheshin me të gjitha armët e makinerisë ushtarake dhe policore serbe.

Asllan Fazliu ndodhej në pikën Shkaba I së bashku me Haxhi Gjelin i cili kishte zënë pozicion me murtajën  tip 500, dhe Afrim Gjelin e Likoshanit, Kishin zënë pozicione edhe Enver  dhe Ismajl Topilla, Ramadan Kurrumeli, i cili kishte një murtajë 62 mm, pastaj Ferki Karaxha, Qamil Shehu, Skënder Nika, Xhavit Krasniqi Gani Nika, Muhamet Karaxha, e të tjerë, të gjithë të armatosur dhe të gatshëm për t’u përballur me forcat armike.

Komandant Fehmi Lladroci kishte përforcuar pozicionet dhe kishte caktuar komandantët e pikave. Vetë së bashku me Xhevën dhe disa luftëtarë ishte pozicionuar në pikën e quajtur “Gradina”.Duke identifikuar pikën  e Gradinës, ku po rezistonte Fehmi Lladrovci, serbët e kishin sulmuar nga prapa, meqë paraprakisht ishte thyer një pikë. Duke parandier rrezikun që i kanosej Komandantit, Asllan Fazliu i shkon  në ndihmë. Ndërkohë autoblinda që godiste përballë trimave dhe trimëreshave të lirisë kishte marrë në shënjestër komandant Fehmiun, pastaj edhe bashkëshorten e tij. Kohë më parë kishte marrë plagë vdekjeje luftëtarja Fatime Hetemi.  Asllani bën përpjekje për ta nxjerrë Xhevën nga rrethimi, por nuk arrin. Duke parë se ishte rrezikuar edhe ai të mbetej në rreth, Xheva e urdhëron të largohet, duke i premtuar se edhe ajo vetë do të tërhiqej. Në pikën ku kishte rënë Fehmiu e Xheva kishin rezistuar trimërisht, Asllan Fazliu, Hazir Berisha, Shefqet Morina, Muhamet Llugani, Zymer Karaçica, Habib Lladrovci, Idriz Karaxha, Rexhep Gllareva, Rashit Lladrovci e të tjerë. Po atë ditë, gjatë luftimeve të pabarabarta të luftëtarëve të lirisë kundër forcave serbe, në pikën e quajtur “Shkabaj I” ka rënë luftëtari i lirisë, Shefqet Zeka  nga Lagja “Kodra e Trimave”, në Prishtinë.

Katër ditë më vonë, Asllan Fazliu së bashku me Sami Lushtakun, Nuredin Kodrën, Fadil Kodrën, Sabit Lladrovcin e të tjerë, marrin kufomën e Fehmiut dhe të rënëve të tjerë dhe i varrosin me nderime ushtarake, në vendin që tani është përjetësuar si Kulla e Qëndresës.

Asllan Fazliu, Sabit Lladrovci, Besim Mala, Rabit Aliu, Ramadan Kurrumeli dhe eprorë e luftëtarë të kësaj ane kanë ndërmarrë shumë aksione kundër forcave policore dhe ushtarake serbe, të cilat me një arsenal të madh ushtarak ishin pozicionuar në “Ferronikel” të Drenasit.

Në nëntor të vitit 1998, Batalioni i Parë i Brigadës 114, “Fehmi Lladrovci” i Zonës Operative të Drenicës, që komandohej nga Sabit Lladrovci, ishte ndarë në dy grupe për të sulmuar forcat serbe në “Ferronikel”. Në grupin e dytë sulmues, të cilit i printe Asllan Fazliu bënin pjesë edhe luftëtarët: Enver Lladrovci, Ferki Karaxha, Brahim nika e të tjerë.

Asllan Fazliu me bashkëluftëtarët e tij ka marrë pjesë edhe në një sulm tjetër kundër forcave serbe në “Ferronikël”, duke akorduar paraprakisht veprimet me komandantin e njësiteve “Tigrat e Zinj”, Besim Mala.

Shtëpia e Asllan Fazliut në Gradicë, ishte bazë e fortë ushtarake, që shërbente për komunikim edhe për kreun e luftës së UÇK-së dhe për Brigadën 114. Nga rradhët e kësaj familjeje kishte shumë luftëtarë dhe luftëtare të lirisë.

Më 22 mars të vitit 1999, Asllan Fazliu, Sabit Lladrovci e luftëtarë të tjerë po konsolidonin radhët në përpjekjte për të mos lejuar depërtimin e forcave armike në fshat dhe në zonat ku ishte strehuar popullata civile e katandisur nëpër male e lugina të Qyqavicës.

Po atë ditë dy aeroplanë vëzhgues të forcave armike kishin kryer vëzhgimin e terrenit, duke bërë përpjekje për të identifikuar bazat mbrojtëse të UÇK-së.

Më 23 mars, Asllan Fazliu dhe Sabit Lladrovci po hulumtonin vendin e përshtatshëm për ta  vendosur në pozicione topin pa dridhje 82 mm. Pas një kohe topi do të vendoset në lagjen Fazliu, afër shtëpisë së Asllanit. Ndërkohë luftëtarët: Arsim Kurrumeli, Bajram Berisha, Shemsi Berisha, Fitim Shishani vendosin topin në pozicionin e caktuar. Asllani, me dylbitë të cilat ia kishte dhënë komandant Fehmi Lladrovci po vëzhgonte terrenin, ku po pozicionoheshin forcat ushtarake e policore serbe. Ndërkohë kishte shkuar te lagja Bardiqi, për t u konsultuar me Sabit Lladrovcin.

Gjatë vëzhgimit në vendin e quajtur “Te guri” Asllani ishte vërejtur nga forcat serbe, të cilat po përgatiteshin për të sulmuar nga distanca. Forcat serbe po vinin nga vendi i quajtur Magure, afër Makreshit. Ndërkohë një predhë armike merr në shenj dhe godet pozicionin ku ndodheshin Asllan Fazliu, Sabit Lladrovci e disa luftëtarë të tjerë.  Cifla e predhës, Asllanin  e kishte goditur në syrin e djathtë. Ndërkohë në të njëjtin vend godasin edhe katër predha të armëve armike. Sabit Lladrovci kishte lajmëruar luftëtarët, Arsim Kurrumeli, Skënder Nika, Florije Rashica për rënien e  Asllan Fazliut. Trupi i tij, të nesërmen tërhiqet nga: Ferki Karaxha, Selim Fazliu, Zahir Bardiqi dhe pas kryerjes së ceremonisë varroset në vendin e rënies.

Asllani ka lënë prindërit: babanë Zymerin dhe nënën,  Ajeten, vëllezërit : Rrahmanin Ganiun, Hamdiun dhe Avdiun, motrat: Eminen, Zarifen, Hatixhen, Miniren dhe Halimen. Ai ka lënë bashkëshorten Ajshen, bijat: Lirijen, Qëndresën,  Bjondinën dhe djalin Liridonin. Trupi i dëshmorit, Asllan Fazliu  prehet në kompleksin e varrezave në Shkabaj, së bashku me dëshmorët e tjerë të kombit të kësaj ane.

Kontrolloni gjithashtu

Feriz Faik Guri (2.7.1970 – 22.4.1999)

Feriz Faik Guri (2.7.1970 – 22.4.1999)

Feriz Guri u lind më 2 korrik të vitit1970 në fshatin Nikaj të komunës së …