Milazim Musli Balaj (4.5.1977 - 26.9.1998)

Milazim Musli Balaj (4.5.1977 – 26.9.1998)

Familja Balaj e Gllarevës, luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës i ka dhënë tre dëshmorë: Milazim Musli Balaj, Sylë Ali Balaj dhe Idriz Halil Balaj. Ata, luftuan dhe qëndruan trimërisht, në mbrojtje të tokës arbërore, në mbrojtje të dinjitetit njerëzor dhe kombëtar.
Milazim Balaj u lind me 4 maj të vitit 1977 në fshatin Gllarevë, në një familje atdhetare e liridashëse, por me gjendje të rënduar ekonomike, ashtu si shumica e familjeve të shqiptarëve të Kosovës e më gjerë, që jetonin në robëri e shfrytëzim sistematik nga regjimi okupator e kolonialist serb. Ai ishte djali më i ri në moshë i prindërve Musli e Mine Balaj, të cilët kishin lindur dhe rritur me mund e vështirësi 5 bijë dhe një vajzë.
Milazimi nuk arriti ta njohë babain e tij, pasi ai ishte vrarë në Gjermani, kur ky i kishte vetëm 6 muaj. Babai i tij ishte vrarë për shkak të aktivitetit atdhetar në konflikt me pjesëtarët e UDB-së.
I rritur në mungesë të babait Milazimi ishte ballafaquar me vështirësi të mëdha në jetë. Pasi kreu shkollën fillore, për shkaqe ekonomike nuk arriti të vazhdojë shkollimin e mesëm, por u detyrua të punojë për t’i dalur në ndihmë familjes.
Gjendja ekonomike e shqiptarëve në Kosovë sidomos në vitet ’90-të të shekullit 20, pas futjes së masave të dhunshme dhe largimit nga puna të punëtorëve shqiptarë ishte rënduar së tepërmi. Milazimi për ta siguruar sado pak familjen dhe me qëllim për të mos lejuar katandisjen e saj kishte nxjerrë gurë në guroren Gllarevës, një punë tejet e mundshme por e vetmja për t’i bërë ballë varfërisë. Edhe në këto kushte ai ishte çdo herë i gatshëm për të dhënë kontribut dhe kishte marrë pjesë në çdo angazhim shoqëror për të drejtat e shqiptarëve që organizoheshin në Gllarevë, Kijevë, Klinë e në vende të tjera të Kosovës, gjatë atyre viteve.
Me fillimin e luftës në trevën e Drenicës, ashtu si shumë trima e trimëresha edhe ai u bashkohet radhëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Me Sylë dhe Idriz Balajn ishin të pandashëm në çdo betejë, deri në rënien e tyre në Vuçak të Drenasit, më 26 shtator 1998.
Dëshmori Milazim Balaj prehet i qetë pranë bashkëluftëtarëve të tij dëshmorë: Idriz Balaj dhe Sylë Balaj në varrezat e dëshmorëve në fshatin e lindjes në Gllarevë, pranë shkollës fillore që mban emrin e dëshmorëve, emrin simbolik ‘‘Dëshmorët e qendrësës’’. (A Q.)

Kontrolloni gjithashtu

Bajram Hetem Sylejmani (3.12.1965 - 28.9.1998)

Bajram Hetem Sylejmani (3.12.1965 – 28.9.1998)

Dëshmori Bajram Sylejmani ka lindur më 3 dhjetor të vitit 1965, në fshatin Sadovinë të …