Afrim Fazli Hajdaraj (14.9.1975 – 26.9.1998)

Afrim Fazli Hajdaraj (14.9.1975 – 26.9.1998)

Kontribut të dalluar në luftën për lirinë e Kosovës kanë dhënë luftëtarët trima të fshatit Abri i trevës së Drenicës. Abria e Epërme, luftës për liri ia ka falur dhjetëra dëshmorë e martirë. Njëri prej luftëtarëve çlirimtar të këtij fshati, i cili pati fatin të bjerë ndër të parët në altarin e lirisë ishte dëshmori Afrim Hajdaraj.

Dëshmori Afrim Hajdaraj, biri i Fazli e Bahrie Hajdarajt, është i lindur më 14 shtator të vitit 1975 në Abri të Epërme, që shtrihet në komunën e Drenasit. Ai kishte kryer arsimin fillor në shkollën “Shotë Galica” të fshatit Abri, kurse atë të mesëm, në gjimnazin e Drenasit, në kushtet e segregacionit racist serb ndaj arsimit dhe shkollës shqipe. Ndërkohë, përveç ndjekjes së mësimeve, për ta mbështetur familjen për sig-urimin e kushteve ekonomike, angazhohej edhe në punët e bujqësisë familjare.

Afrimi kishte tre vëllezër e tri motra: Fatmirin, Rasimin (i ndjerë), Zekën, Za-hiden, Aidën dhe Fitoren. Ai kishte një rreth shokësh bashkëmoshatarësh të fshatit, me të cilët mbajti raporte të qëndrueshme, të cilat i forcoi edhe më shumë në kohën e angazhimit në aktivitete luftarake si pjesëtarë të formacioneve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Shokë të tij të rinisë ishin Valdet Xhemaili (dëshmor), Arben Xhemaili, luftëtar dhe invalid i UÇK-së, Haki Xhemaili, pjesëtar i njësitit special të policisë ushtarake “Tigrat e zinj”, Imer Xhemaili, e të tjerë.

Me hapjen e istikameve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në fshatrat e trevës së Drenicës, pas Epopesë së qëndresës së Komandantit Legjendar Adem Jashari dhe të familjes së tij në Prekaz, në agun e pranverës së vitit 1998, Afrim Hajdaraj, pa hezitim u vu në shërbim të luftës për çlirim, për të clën kauzë kishin punuar e ishin sakrifikuar historikisht brezat e shqiptarëve. I vetëdijshëm se nuk duhej të kishte kohë për pritje, në pranverë të vitit 1998 ai u angazhua në detyra ushtarake për të bartur armatim nga territori i Shqipërisë administrative për nevojat e luftës në Kosovë, të cilin mision e kishte kryer më 25 maj të vitit 1998, së bashku me luftëtarë të tjerë, si Afrim De-maku nga Abria, Jahë Kabashi (dëshmor), Shefqet Kabashi e Bashkim Kabashi nga Zahaçi i Pejës e të tjerë. Prandaj data 25 maj shënon edhe mobilizimin e tij zyrtar në UÇK, i cili akt ishte pasuar me stërvitjet ushtarake në Shqiponjë të Zonës Operative të Dukagjinit e në Shqipëri. Përveç Afrimit, në mbështetje të luftës së Ushtrisë Çlir-imtare e Kosovës ishte vënë madje edhe tërë familja e tij, duke hapur istikamet e duke ndihmuar logjistikën e saj.

Edhe vëllai i Afrimit, Rasimi, ishte angazhuar të siguronte armatim për luftën, menjëherë pas betejës në Qirez e në Likoshan në muajin shkurt të vitit 1998. Për këtë qëllim ai kishte synuar të shkonte në fshatin Sankovc të Drenasit, te Kadri Jusufaj. Mirëpo, policia serbe e stacionuar në udhëkryqin e Komoranit, e kishte ndaluar dhe torturuar fizikisht, duke i shkaktuar pasoja të rënda për shëndetin.

Dëshmori Afrim Hajdaraj ishte i sistemuar në formacionin e komanduar nga luftëtari Isë Xhemaili, që më vonë ishte pjesë e Brigadës 113 “Mujë Krasniqi” të UÇK-së. Ky formacion bëri rezistencë të pashoqe kundër përpjekjeve të pushtuesit serb për të depërtuar në Abri e prej atje edhe në Likoc ku tashmë ndodhej selia e Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe ku bëhej rekrutimi i luftëtarëve të rinj të lirisë. Një mësymje të tillë armiku e ndërmori edhe më 26 shtator të vitit 1998, kur u bë granatimi i Abrisë nga të gjitha drejtimet me qëllim që pas spastrimit të terrenit të depërtonte këmbësoria. Atë ditë në pozicionet te shkolla e fshatit ndod-heshin luftëtarët Afrim Hajdaraj, Vesel Demaku, Arben Xhemaili e Valdet Xhemaili. Gjatë luftimeve ishin plagosur Afrim Hajdaraj, Vesel Demaku e Arben Xhemaili. Valdet Xhemaili bën përpjekje për t’i tërhequr të plagosurit, por në aksion e sipër goditet nga një snajperist pushtues. Në ato luftime, humbje të konsiderueshme kishte pësuar edhe armiku serb. Kur tri ditë më vonë ishte gjetur trupi i dëshmorit Vesel Demaku, në snajperin e tij kishe tepëruar vetëm një fishek, pasi të tjerët ua kishte “dhuruar” peshqesh kriminelëve serbë që kishin ardhur nga ana e anës së Serbisë për ta shkelur tokën e Drenicës.

Varrimi i dëshmorëve Afrim Hajdaraj e Valdet Xemajli, kurse tri ditë më vonë edhe i dëshmorit Vesel Demaku, ishte bërë në vendin e rënies, ndërsa rivarrimi i tru-pave të tyre u bë disa ditë më vonë. (N. M.)

Kontrolloni gjithashtu

Bajram Hetem Sylejmani (3.12.1965 - 28.9.1998)

Bajram Hetem Sylejmani (3.12.1965 – 28.9.1998)

Dëshmori Bajram Sylejmani ka lindur më 3 dhjetor të vitit 1965, në fshatin Sadovinë të …