REAGIM
Organizimi i ligjëratave nga e ashtuquajtura Gjykatë Speciale në Shkollën e Mesme “Xhevdet Doda” në Prishtinë përbën një akt të rëndë politik, institucional dhe moral, i cili nuk mund dhe nuk duhet të kalojë pa reagim të fuqishëm publik.
Ky veprim nuk është i rastësishëm dhe as neutral. Ai përbën pjesë të një strategjie të vazhdueshme për normalizimin e një mekanizmi gjyqësor politik, i cili që nga themelimi i tij ka pasur për qëllim kompromitimin e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe relativizimin e luftës çlirimtare të popullit të Kosovës.
Drejtoria e Arsimit në Prishtinë dhe Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit (MASHTI) bartin përgjegjësi të drejtpërdrejtë politike dhe institucionale për lejimin e këtyre ligjëratave në shkolla. Institucionet arsimore nuk janë dhe nuk duhet të shndërrohen në hapësira propagandistike për struktura që synojnë të rishkruajnë historinë e Kosovës dhe të kriminalizojnë rezistencën për liri.
Gjykata Speciale nuk është instrument i drejtësisë universale, por një gjykatë selektive dhe politike, e cila gjykon vetëm një palë – UÇK-në – duke injoruar krimet gjenocidale të shtetit serb në Kosovë. Përpjekja për ta paraqitur këtë gjykatë si autoritet edukativ për nxënësit përbën ndërhyrje të drejtpërdrejtë në ndërgjegjen historike të brezave të rinj.
Nëse Drejtoria e Arsimit në Prishtinë dhe MASHTI pretendojnë se po veprojnë në frymën e edukimit demokratik dhe pluralist, atëherë janë të obliguara që të organizojnë ligjërata shtesë jashtë kurrikulës, ku nxënësit të informohen:
• për karakterin çlirimtar të UÇK-së,
• për tentativat e vazhdueshme për kompromitimin e saj,
• për padrejtësitë, selektivitetin dhe natyrën politike të Gjykatës Speciale,
• dhe për përpjekjet e hapura për rishkrimin e historisë së Kosovës.
Çdo qasje njëanshme që favorizon narrativën e Gjykatës Speciale, pa debat, pa balancë dhe pa të vërtetën historike, përbën akt të dëmshëm për interesin kombëtar dhe shtetëror të Kosovës.
Kosova nuk ka nevojë për edukim që prodhon vetëfajësim kolektiv dhe delegjitimon luftën çlirimtare, por për arsim që mbron të vërtetën historike, dinjitetin kombëtar dhe sovranitetin e saj.
Akademik Arsim Bajrami
Radio Kosova e Lirë Radio-Kosova e Lirë, Radio e luftës çlirimtare, paqes dhe bashkimit kombëtar, Zëri i lirisë, besnikja e pavarësisë dhe e bashkimit të shqiptarëve.
