ASHAK-u i LDK-së financohet nga Qeveria, mbështetet nga Kuvendi dhe rron si parazit

         Akademia e Shkencave dhe Arteve të Kosovës, realisht është Akademi e ish-jugo komunistëve  të LKJ-së të konvertuar në Lidhjen Demokratike të Kosovës. Se kjo Akademi është njëpartiake, se ajo përbëhet nga klanet e LDK-së, se ajo nuk bën asnjë punë dhe nuk zhvillon asnjë aktivitet, këtë e dinë më së miri gazetarët dhe mediet, por edhe opinioni i gjerë. Këto fakte i dinë mjaft mirë edhe akademikët e njëmendë si Rexhep Qosja e të tjerë, të cilët kanë pushuar aktivitetin në këtë “krijesë koti” duke parë se ASHAK-u është  bërë çerdhe përfitimesh e favoresh e një grupi pleqsh senilë, të cilët edhe po të kenë vullnet,  nuk kanë më kapacitete intelektuale për të mbajtur hapin më kohën, jo më për t’ iu paraprirë fenomeneve shoqërore, pse jo edhe politike e strategjike, ashtu sikur ndodh kudo në botë me Akademitë e akademikët, që me të drejtë trajtohen si ajka e inteligjencies të një kombi e më gjerë. Këtë mos punë të Akademisë  e mbështesin pa rezervë Qeveria e Kuvendi, sepse atyre një Akademi e tillë nuk ua prish planet, nuk ua prish tymin e aq më pak ua prish marrëveshjet dhe trashjen e miqësisë, “pobratimisë” e jaranisë  me Serbinë.


 


              Në ASHAK janë barrikaduar ish-kuadrot e ish-regjimeve. Mosha mesatare e tyre kalon moshën e pleqërisë dhe të pensionit, edhe pse kjo nuk do të thotë shumë, po të kishte në atë mes akademikë të vërtetë, që i dalin zot titullit. Disa syresh janë pleq zevzekë, të mbyllur në guacat e tyre ideologjike të kohës së bashkim-vëllazërimit, ku edhe kanë mbetur si nostalgjikë të përjetshëm.


 


            Kjo Akademi ka shpallur akademik nderi, xhelatin e popullit shqiptar,  Josip Broz Tito, pro-jugosllavin e pro serbin, Sinan Hasani,  e sa e sa ish partiakë të tjerë të damkosur, të cilët qysh nga viti 1981 kanë qenë kundërshtarët kryesorë të të gjitha proceseve shoqërore, politike e ushtarake,  që ia kanë sjellë Kosovës lirinë e pavarësinë.


 


           Cili qytetar i vendit,  student, intelektual, gazetar, krijues di  të flasë për aktivitetin e ASHAK-ut?


           Cilat aktivitete i ka zhvilluar ky institucion që shkëlqen me një ndërtesë moderne në pamën e jashtme, por mjeron nga brenda?


          Pse  ASHAK-u nuk është prononcuar dhe nuk prononcohet për asnjë problem politik e shoqëror të vendit, ashtu sikur bëjnë Akademitë e akademikët kudo në vendet e rajonit dhe të botës?  


          Pse kryetari i Akademisë vazhdon të jetë kryetar i përjetshëm i saj dhe pse në Akademi nuk ndodhet asnjë anëtar, i cili të mos ketë qenë anëtar i zellshëm i ish Lidhjes Komuniste të Jugosllavisë?


          Pse të gjithë anëtarët e ASHAK-ut u dashka të jenë vetëm nga radhët e LDK-së dhe kurrsesi nga partitë e tjera, dhe assesi nga radhët e intelektualëve të Qëndresës sonë Kombëtare?


         Pse Adem Demaçi nuk mund të jetë, të paktën anëtar nderi i kësaj Akademie?


          Pse kjo Akademi me gjuhën e kryeparit të saj, fyen deri në neveri akademikun,  Rexhep Qosja, madje me një gjuhë rrugaçe, të cilën do ta lakmonin horr-horrorët e disa portaleve më të ndragëta?


         Pse kjo Akademi nuk ka marrëdhënie në nivelin e duhet me Akademinë simotër  në Shqipëri?


         Të shumta, për të mos thënë pa mbarim janë pyetjet, në të cilat asnjëherë deri sot nuk është përgjigjur ASHAK-u parazit, i cili financohet për parazitizëm me paratë e taksapaguesve të Kosovës?


2 milionë euro në vit nga Buxheti i ndahen institucionit më parazit të vendit, institucionit më pak akademik se çdo institucion tjetër i vendit.


           Si ndahen ato para, kush zhvat me tenderë për botim librash autorialë, kush merr rroga, mëditje, vizita nëpër vende të ndryshme etj. Kush jeton si pasha në ASHAK pa bërë asnjë punë?


            Kjo është Akademia Parazite e Shkencës dhe Arteve të Kosovës, e cila edhe ankohet për mos mbështetje financiare, sepse pak i duken 2 milionë euro për punën që nuk e bën, ajo do t’i pranonte edhe 10 milionë po t i jepeshin,  sepse njeriu dhe njerëzit që janë mësuar ta mbushin plot lugën e turpit janë të pangopshëm.


          Kjo është “lavdia e marrëzisë” e një shoqërie parazite, e cila po degjeneron në skajin ekstrem të degradimit të vlerave kombëtare e shoqërore.  Dhe shembulli më i mirë i këtij zvetënimi, degjenerimi, deformimi e kalbëzimi është ASHAK-u, mjerisht edhe shumë institucione  të tjera parazite.


          Nuk thonë kot: “peshku qelbet nga koka”.


Ahmet Qeriqi


9. 12. 2015


 


 


Kontrolloni gjithashtu

Studimi i së ashtuquajturës ‘Akademi e Studimeve Shqiptare’ në 80-vjetorin e Çlirimit të Shqipërisë, masakron historinë e LANC-it

Historianë dhe studiues gjysmakë,  me prejardhje balliste e profashiste,  në 80-vjetorin e Çlirimit të Shqipërisë …