Asllan Canë Dinaj (25.11.1980 – 18.4.1999)

Asllan Canë Dinaj (25.11.1980 – 18.4.1999)

Asllan Dinaj u lind më 25 nëntor të vitit 1980, në Skivjan të Gjakovës. Shkollën fillore e kreu në Skivjan. U regjistrua në Shkollën e mesme teknike  “Nexhmedin Nixha”, të cilën në vitin 1998 e kishte ndërprerë për t iu bashkuar  radhëve të UÇK-së.

Kontaktin e parë me UÇK-në e pati në fillim të muajit prill, në vendin e quajtur “te varret e Hasan Beqirëve” në kodër të Dujakës.

Atë ditë prilli një kolonë e madhe e forcave serbe u nisë nga Gjakova në drejtim të Rastavicës dhe Prijlepit. Që të mos rrezikohej jeta e nxënësve të Sh.F. “Fan S. Noli” në shkollën e Dujakës, drejtori i shkollës Ymer Alijaj i liroi nxënësit nga mësimi dhe e mbylli shkollën. Ushtarët e Shtabit Lokal të Dujakës u mobilizuan shpejt dhe u pozicionuan në pyllin e Dujakës te varret e Hasan Beqirëve.Mirëpo guximi dhe vendosmëria te Asllani tanimë ishin ngulitur per tu rreshtuar në UÇK.

Më 7 qershor 1998, kur u sulmua fshati Dujakë, ai ndihmoi popullsinë që të evakuoheshin. Vlen të theksohet tërheqja dhe bartja e Ahmet Zog Morinës i cili kishte mbet në fushë në mes Dujakës dhe Skivjanit sepse ishte invalid me karrocë. Kjo tërheqje ishte shumë e mundimshme dhe mjaft e rrezikshme nga granatimet serbe. Tërheqjen e Ahmetit e bëri me ndihmën e djalit të axhës,Valdet Dinaj. Ishte i sistemuar në Brigadën 131 “Jusuf Gërvalla” në Gllogjan. Ishte luftëtar i pandashëm me Shkëlzen Haradinaj. Mori pjesë në betejën e Loxhës më 6.7.1998, në Prejlep te Ura e Bajram Hasanit (korrik 1998) ku bashkë me vëllezërit Haradinaj kreu një aksion të sukseshëm. Në betejën e zhvilluar në Gllogjan, më 17 dhjetor 1998, ku fal gjeturisë së Shkelzenit dhe Asllanit, luftëtarët e Brigadës 131 “Jusuf Gërvalla” me luftë të armatosur arrijnë të qajnë rrethimin dhe të ripozicionohen në Ratishë. Atë ditë ranë dy shokë të Asllanit nga Gjakova.

Asllani me shokë ndërmori aksione të sukseshme edhe në Izniq, në Carrabreg, në Voksh, në Junik etj.

Dekorata- medalja e artë

Vijat e frontit në Ratishë të Epërme e Dashinoc, nën drejtimin e Shkelzen Haradinajt me bashkëluftëtarin Asllan Dinaj e shokë të tjerë të Brigadave 131 e 134 do të bëhen digë e pakalueshme dhe varr për forcat pushtuese serbe që tani e tutje e deri në përfundim të luftës kurrë nuk do të thyhen nga armiku. Për nëntë ditë me radhë, prej datës 9 deri 18 janar 1999, luftëtarët e lirisë do të qëndrojnë stoikisht, duke i thyer keq forcat serbe, dhe duke i detyruar të kthehen prapa.

“Bashkë me komandantin Shkelzen Haradinaj, Asllan Dinaj në luftën e Pozharit tregoi trimëri të rrallë, duke dëbuar forcat serbe nga ambulanca e Lumbardhit, përkatësisht forcat serbe këtu lanë mbi 20 të vrarë, në këtë betejë bijnë edhe dëshmorët Elez geci e Maxhun Berisha”.

Gjatë ditëve të prillit Asllani do të gjendet edhe në Gërgoc, Kralan, Jabllanicë, Bardhaniq, Zhabel e Ratishë. Po ashtu dëshmori Asllan Dinaj mori pjesë edhe në marshin e 5 prillit 1999 për tërheqjen e më se dyzet luftëtarëve të plagosur në drejtim të Istogut. “edhe pse kolona dy herë ndeshet me forcat armike (në afërsi të Kotradiqit dhe në Osdrim), pararoja e drejtuar nga Shkelzeni me bashkëluftëtarët Dautin, Bujarin, Asllanin, Fatmirin, Agimin, Burimin, Luanin, Shpendin, Florimin etj., arrijnë që t’i eliminojnë ato dhe vazhdojnë rrugën.

Në komunën e Burimit, në Vrellë, Ruhot, Saradran etj., ky njësitë i udhëhequr nga Shkelzeni ndihmuan shumë në organizimin dhe përforcimin e vijave të frontit.

“Kur e kërkoi nevoja aty u gjend Asllan Dinaj, si në Beleg, Dashinoc, Maznik, Broliq, Dubovik, Izniq, Lëbushë, Strellc, Lybeniq etj. Këmbë e tij shkeli nga Pashtriku deri në Drenicë, gjithnjë në luftë kundër pushtuesit serb për lirinë e Kosovës”.

Asllani me shokë, luftëtarë të Brigadës 131 “Jusuf Gërvalla” udhëtoi disa herë për në Shqipëri për të bartur armë e municion dhe transportuar të plagosur. Rrugëtimin të shumtën e herave e bënte nëpër Skivjan për të kaluar në Rekë të Keqe e më pas në kufirin shqiptaro-shqiptar. Sa herë e kalonte natën e vonë kah shtëpia e tij në Skivjan, e lëvizte një dru të shtratit të rrushit, i cili ishte kah rruga kryesore e lëvizjes së ushtarëve të UÇK-së, me qëllim që të nesërmen të kuptohet nga prindërit dhe anëtarët e tjerë të familjes se këndej ka kaluar Asllani me shokë shëndosh e mirë.

Nuk ishin të pakta rastet kur gjatë kthimit nga Shqipëria, Asllani me shokë çlodhej pak në Odën tonë të burrave në Skivjan, ushqeheshin me bukë e pemë e më pas vazhdonin drejt frontit në Gllogjan e gjetiu. Jo rrallë herë në shtëpinë e Asllanit kishin ndaluar të pushonin shokë të Asllanit pa prezencën e tij, sepse aty llogaritnin si bazë të sigurtë të UÇK-së. Ndër ta ishin Dervish, Tahiri, Pingja, Musa Fetahaj me 17 shokë etj.

Po ashtu në këtë familje si dhe në shumë familje tjera të Skivjanit, kishte shumë të zhvendosur. Numri i tyre kishte raste i kalonte të dyqind.

Pas një qëndrimi në komunë të Istogut (Burimit), Asllani me shokë të Brigadës 131 “Jusuf Gërvalla” kthehen në rrethinat e Maznikut, ku vazhdonte rrethimi i hekurt. “Më 16 prill 1999, në malet e Maznikut, në një betejë të ashpër të zhvilluar gjoks për gjoks e dhëmbë për dhëmbë me forcat serbe për të mbrojtur popullatën civile që ishte strehuar në vendin e quajtur Dubuçak të Bardhaniqit, Shkelzen Haradinaj bie heroikisht në altarin e Atdheut bashkë me shokët dëshmorë Fatmir Nimanaj, Hasim Halilaj”, dhe plagoset rëndë Luan Nimani. Pas vdekjes së Shkelzen Haradinajt me shokë, Asllani u mërzit shumë, filloi të qajë me zë sepse deri atëherë në shumë beteja këndonin së bashku me Shkelzenin. Kënga ishte frymëzim dhe kurajo për fitore të lavdishme për ta. Duke e vërejtur në këtë gjendje të rëndë shpirtërore Asllanin, Ramush Haradinaj e qorton me fjalët se “duhet të bëhemi të fortë” dhe ta vazhdojmë luftën deri në fitore përfundimtare, andaj që sot e tutje të kemi ty Asllan në vend të Shkelzenit”. Këtu shihet qartë respekti që komandanti Ramush Haradinaj tregonte ndaj bashkëluftëtarëve në përgjithësi e ndaj Asllan Dinajt në veçanti.

Asllani Komandant togu, Zëvendës komandant i Batalionit të Dytë të Rrafshit të Dukagjinit

Për Asllan Dinaj dëshmojnë edhe shumë bashkëluftëtarë që aso kohe ishin në pozitat kyçe të veprimtarisë luftarake të UÇK-së si: Ismet Ahmetaj, Zeqir Haxhiu (Kanuni), Daut Haradinaj, Isuf e Beg Dervishaj, Ibrahim Selmanaj, Bekim Vishaj, Murat Mazrekaj, Besim Selmanaj e shumë bashkëluftëtarë të tjerë. Sipas tyre Asllani ishte një djalë i ri në moshë por i burrëruar në qëndrime e veprime. Guximtar e sypatrembur, vigjilentë e konsekuent. Gjithë herë i gatshëm për veprim sa herë që e kërkonte nevoja. Sipas tyre Asllani e kishte edhe një talent të lindur. Ishte këngëtar i shquar andaj këndonin bashkë me Shkelzen Haradinajn dhe Bekim Vishën e Kodralisë. Lodhjen dhe mërzinë e kalonin me këngë.

Frymëzimin Asllani e kishte marrë në moshë të re nga gjyshi Mala i cili i tregonte për pjesëmarrjen e tij në Luftën e Plavës dhe Gusisë e viseve të tjera veriore shqiptare. Po ashtu gjyshi Mala i rrëfente edhe për babën e tij Asllanin (stërgjyshin e Asllan Dinaj) që kishte marrë pjesë nëpër luftërat nëpër Kosovë dhe ishte bashkëluftëtarë i Sylejman Vokshit, luftoi edhe kundër Mehmet Ali Pashë Maxharrit në Gjakovë (i njohur me emrin në popull Maxharr Pasha- Sh.D.),sepse te paret e Asllanit ishin nga Pobërgja e Deqanit,të vendosur me banim ne Skivjan Të Gjakovës,kusheri te Sylejman Vokshit

Asllani i dëgjonte me vëmendje rrëfimet e gjyshit Malës dhe thoshte se kur të rritem do të luftoi edhe unë si Sylejman Vokshi dhe stërgjyshi im Asllan Beqa (Dinaj).

Sipas pohimeve të shokëve, pas vrasjes së Shkelzenit dhe Fatmirit ishte shumë i mërzitur ”Rrobat që i kam qitur në trup do t’i mbroj me heroizëm të madh”- thoshte Asllani. Vendosi ta përcjell Luanin e plagosur rëndë për t’ia shpëtuar jetën dhe se ishte parë deri në Bjeshkët e Rugovës. Kjo ditë duhet të jetë 18 prilli i vitit 1999. Dhe që nga ajo ditë asgjë nuk dihet më për fatin e Asllan Dinajt.

Asllani ka lënë pas prindërit: Canën dhe Hysen; vëllezërit: Kapllanin, Luanin dhe Fidanin; Motrat: Ajnishahin, Nurishahin, Afërditën dhe Linditën si dhe familjen e gjerë Dinaj nga Skivjani.

Asllan Dinaj pas luftës u dekurua, me medalje, certifikata e  mirënjohje të shumta si nga Qeveria e Përkohshme e Kosovës, pastaj me medaljen e artë nga OVL-UÇK-së, Shoqata e Familjeve të Deshmorëve,  nga Komandanti i Rrafshit të Dukagjinit, si dhe nga Presindenca e Kosovës me urdhërin HERO i Kosovës me 11.03.2019.

Familja Dinaj nga Skivjani i Gjakovës ja fali Kosovës dy dëshmorë Asllanin dhe Isufin, të cilet këta emra prapë po i gëzojnë nipat e tyre, qe po rriten ne Kosovën e lirë

Lavdi jetës dhe veprës heroike të Dëshmorit të UÇK-së Asllan Canë Dinaj!

Shefqet Dinaj

Skivjan,

24.06.2021.

Kontrolloni gjithashtu

Ferat Xhafer Dvorani (2.6.1968 – 30.4.1999)

Ferat Xhafer Dvorani (2.6.1968 – 30.4.1999)

Fshati Qëndresë (ish-Terstenik) i komunës së Drenasit, që konsiderohet si fshati më i madh i …