Azem Ukë Muslijaj (10.6.1972 – 9.5.1999)

Azem Ukë Muslijaj (10.6.1972 – 9.5.1999)

Azem Muslijaj u lind më 10 qershor të vitit 1972, në Shaptej të Deçanit, në një familje të ndershme, bujare e atdhetare. Ishte fëmija i gjashtë i prindërve Ukë e Gjykë Muslijaj, dhe dëshmori i tretë i kësaj familjeje.
Mësimet e para i mori në shkollën fillore “Drita” të Gramaçelit, ndërsa shkollimin e mesëm, drejtimi i hotelierisë, e përfundoi në Gjakovë.
Gjatë luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, nga 82 shtëpi të fshatit Shaptej, vetëm 7 prej tyre shpëtuan pa u djegur. Fshati ka dhënë nëntë dëshmorë e martirë.
Azemi, i takon brezit të rinisë shqiptare, që nuk iu përgjigj letërthirrjeve për të shkuar në shërbimin ushtarak të armatës vrastare jugosllave, pasi ajo ishte vënë tërësisht në shërbim të udhëheqjes shoviniste serbe për zhdukjen e popujve joserbë dhe jetësimin e ëndrrës për Serbinë e Madhe, dhe si një instrument i saj, po vriste pa dallim popullatën civile joserbe, veçanërisht në Kroaci e Bosnjë, gjë që e përsëriti më vonë edhe në Kosovë. Por me t’u dhënë kushtrimi i luftës çlirimtare, Azemi u kyç në radhët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, për të vepruar e luftuar me ndershmëri e përkushtim në mbrojtje të popullit dhe atdheut deri në frymën e fundit. Deri në shtator të vitit 1998 veproi në kuadër të Shtabit Lokal të UÇK-së në Shaptej, komandant i të cilit ishte vëllai i tij, Osmani. Së bashku me vëllezërit mori pjesë në luftime kudo që e kërkoi nevoja, si në Shaptej, Gramaçel, Biteshe, Prejlep etj. Më pas veprimtarinë e tij e zhvilloi në kuadër të Brigadës 131 “Jusuf Gërvalla”, duke dhënë kontribut të madh në vëzhgimin e terrenit, pritjen dhe përcjelljen e njësive të furnizimit me armë etj.
Vëllezërit Muslijaj ishin në lidhje të drejtpërdrejtë me heroin Shkëlzen Haradinaj, komandant për Operacione Luftarake të Zonës Operative të Dukagjinit.
Azem Muslijaj, ra dëshmor vetë i treti vëlla, e me kushëririn Rifat Beqiraj, më 9 maj 1999, në mes të fshatrave Shaptej e Gramaçel. Pas vetes ka lënë nënën, Gjykën, vëllezërit Osmanin, Bashkimin e Agronin dhe motrën Rrushen.
Familja Muslijaj është nderuar me mirënjohje nga Shtabi i Përgjithshëm i UÇK-së, Zona Operative e Dukagjinit, Qeveria e Përkohshme e Kosovës, Brigada 131 “Jusuf Gërvalla”, shoqatat e dala nga lufta e UÇK-së etj.
Trupi i dëshmorit Azem Muslijaj, prehet në Kompleksin Memorial të Dëshmorëve të Kombit në Gllogjan. (F. R.)

Kontrolloni gjithashtu

Fejzullah Sokol Graiçevci (22.1.1951 - 19.4.1999)

Fejzullah Sokol Graiçevci (22.1.1951 – 19.4.1999)

Fejzullahu ishte djali i Sokol e Vahide Graiçevcit. Lindi më 22 janar të vitit 1951, …