Skënder Hamdi Gashi (28.6.1970 – 9.5.1999)

Skënder Hamdi Gashi (28.6.1970 – 9.5.1999)

Familja Gashi në Anallap të Besianës është ndër familjet e njohura në Llap për angazhim kundër okupatorit serbo. Në këtë familje bujare të fisit Gashi më 28.6.1970 u lind dëshmori i kombit, Skënder Hamdi Gashi. Babai, Hamdi Gashi ishte i martuar me Fatime Zenelin nga Sibofci, të cilëve u lindën gjashtë fëmijë, dy djem, Xhaferi e Skënderi dhe katër vajzat, Shukrija, Remzija, Fatmirja dhe Hafija.
Dëshmori i kombit Skënder Gashi ishte fëmija i katërt i kësaj familje. Shkollën fillore e kreu në fshatin e lindjes, të mesmen në Besianë. Për shkak të kushteve të rënda ekonomike nuk mundi të vazhdoi shkollimin e mëtejmë. Edhe pse nuk ndoqi shkollim të mëtejmë ai ishte shumë i informuar për çështjen kombëtare dhe qysh si i ri interesohej dhe angazhohej që të japë kontributin e tij në këtë drejtim. Ai këtë e kishte edhe trashëgim sepse edhe babi i tij që ishte roje e pyllit kishte dhënë një kontribut të madh duke ju ndihmuar grupeve ilegale që vepronin në këto anë. Po ashtu merrte pjesë edhe në protesta dhe demonstrate që organizoheshin në Llap kundër regjimit të okupatorit. Andaj edhe Skënderi shkoi pas tij dhe disa herë kishin marr pjesë bashkërisht në këto protesta. Për veprimtarin e tij babai i dëshmorit ishte halë në sy të okupatorit dhe që nga të parët që u largua nga puna pas aplikimit të masave të dhunshme në organizatën ku ai punoi. Dëshmori i kombit Skënder Gashi ishte pjesëmarrës aktiv në protestat e organizuara në Kosovë, sikur që ishte edhe babi i tij Hamdiu. Për shkak të kushteve të rënda ekonomike sikur shumë të rinj shqiptarë të asaj kohe u detyrua për të marrë rrugën e kurbetit. Skënderi shkoi të punojë në Slloveni dhe atje qëndroi deri në vitin 1998. Punën në këtë vend e ndërpreu vetëm kur shkoi në shërbim ushtarak të cilin gjithashtu e kreu në Slloveni.
Me daljen publike të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës kthehet në vendlindje për t’u bashkuar me shokët të cilët kishin rrokë armët e lirisë. Kontaktet e para me UÇK i vuri në shtator të vitit 1989 ku edhe kyçet në njësitin e fshatit në Mbrojtjen Civile. Gjatë kohës sa ishte pjesëtar i mbrojtjes civile në fshatin e tij, ai pos detyrave që i kryente me përpikëri kontribuonte edhe në ndihmë materiale për pjesëtarët e UÇK-së. Kështu ai sa e sa herë pikave më të afërta të UÇK-së u kishte dërguar ushqime dhe veshmbathje të nevojshme. Këtë e vazhdoi edhe më vonë edhe për popullatën e zhvendosur nga shtëpitë e tyre për të cilat siguronte ushqime të nevojshme.
Uniformën e UÇK-së si ushtar i rregullt e veshi në janar të vitit 1999 ku edhe sistemohet në njësitin “Ulpiana 54” në fshatin Kastrat (ish-Obrançë) te komandant Jahë Hasani (dëshmor i kombit). Skënderi e kishte të kryer shërbimin ushtarak dhe ishte njohës i mirë i armëve të këmbësorisë. Njësiti “Ulpiana 54” vepronte në kuadër të Batalionit të Parë të Brigadës 152 “Shaban Shala” me të cilën në atë kohë komandonte Arif Muçolli.
Ndër bashkëluftëtarët e tij të ngushtë ishin Jahë Hasani (dëshmor i kombit), Hyzdri Durmishi, Kosum Kosumi, Vëllazërim Qerimi, Arsim Gjata, Ramë Zhegrova e shumë të tjerë.
Në muajin janar 1999, në ZOLL u zhvilluan një varg betejash ndër të cilat edhe ato në pjesën ku vepronte njësiti në të cilin ishte Skënderi. Ai është shquar për trimëri dhe art luftarak në betejat e zhvilluara në periudhën janar-mars 1999 që u zhvilluan në Peran, Katunishtë, Bradash, Potok, Revuçë, Sylevicë, Brecë, Pakashticë etj.
Siç rrëfen bashkëluftëtari i tij Vëllaznim Qerimi në kuadër të njësitit “Ulpiana 54” ishte edhe një top pa dridhje i kalibrit 75 mm dhe me urdhër të komandantit të brigadës, njësiti ndahet në dysh. Një pjesë në fshatin Katunishtë ku vendoset edhe topi për shkak të pozitës strategjike. Një nga ushtarët e këtij grupi caktohet edhe Skënder Gashi. Ndërsa pjesa tjetër e njësitit kalon në Bradash dhe për t’u bashkuar prapë në fund të prillit rreth datave 29, 30, në fshatin Potok. Në këtë kohë aty është zhvilluar një betejë e fuqishme ku duhej mbrojtur Shkëmbi i Bardhë. Edhe këtu Skënderi tregoi trimëri të vërtetë dhe ka qenë pjesëmarrës i betejës deri në fundin e saj.
Përpos kontributit luftarak në vijat e frontit Skënderi dha një kontribut të çmueshëm edhe në mbrojtjen e popullatës dhe sigurimin e ushqimit për ta. Sa e sa herë ai rrezikoi jetën e tij duke hyrë thellë në fshatra edhe aty ku ishin të përqendruar forcat e armikut dhe merrte ushqim të cilin ua dërgonte në male atje ku ishte e strehuar një pjesë e madhe e popullatës nga fshatrat e Llapit. Edhe në ditën kritike kur është plagosur ai ishte në një mision të tillë. Skënder Gashi është plagosur më 7 maj 1999 gjersa ishte në një aksion të grumbullimit të ushqimit për popullatën e cila kishte mbetur nëpër male dhe ishte pa ushqim të mjaftueshëm. Kjo gjendje e popullatës e mundonte pa masë dhe kishte vendosur të bëjë diç për këta fëmijë që rrinin në male. Atë ditë kishte arritur ta marr ushqimin por jo edhe ta sjell në vendin ku nevojitej pasi kishte rënë në prit të forcave armike. Në këtë aksion ai plagoset rëndë dhe nga plagët e marra dy ditë më vonë ka ndërruar jetë. Skënderi është plagosur në vendin e quajtur “Kroi i Delisë” në bjeshkët e fshatit Albonë (ish-Pakashticë).
Dëshmori i kombit e fitoi përjetësinë më 9 maj 1999 në fshatin Ahishtë (ish – Zhiti). Është varrosur nga bashkëluftëtarët me nderime të larta ushtarake në fshatin Ahishtë. Pas përfundimit të luftës është bërë rivarrimi i tij në fshatin e lindjes në Anallap bri rrugës Besianë – Llapias më 13 korrik 1999.
Një pllakë përkujtimore i është ngritur nga familja në vendin e rënies, ndërsa aty ku qëndrojnë eshtrat e dëshmorit i është vendosur vetëm një shtizë që mban Flamurin kombëtar. Pasion kishte jetën e lirë, e donte shumë gjahun dhe shëtitjen në bjeshkë në ajër të pastër.
Janë botuar shkrime në librin “Dëshmorët UÇK-së-ZOLL” dhe është shkruar në gazeta e revista kryesisht në përvjetorin e rënies së tij, si dhe i këndohet këngë për trimërinë dhe veprën madhore të tij. Pas luftës familja e dëshmorit të kombit Skënder Gashi është nderuar me mirënjohje nga Qeveria e Përkohshme, nga UÇK-së, ZOLL-it, nga Shoqata e Familjeve të Dëshmorëve të UÇK-së. (M. K.)

Kontrolloni gjithashtu

Feti Jahir Haxholli (11.6.1975 – 20.4.1999)

Feti Jahir Haxholli (11.6.1975 – 20.4.1999)

Fetiu u lind më 11 qershor të vitit 1975 në fshatin Viti të Marecit, komuna …