Bedri Halimi

Bedri Halimi: Një ligjëratë për Nexhmedin Spahiun rreth titizmit të Titos dhe krimeve të tij ndaj shqiptarëve në ish RSFJ I

Në kuadër të prononcimeve publike, ndodhi edhe një prononcim i Nexhmedin Spahiut, i cili si gjithmone e bluan trashë, bollgur, në çdo gjë politike që plason. Së fundi ai deklaroi diçka të paqëndrueshme historikisht, duke thënë se:

“Demonstratat e vitit 1981 janë pjesë e errët e historisë së Kosovës. Pasi më 1968 komunistët kosovarë (të zhgënjyer me komunistët serbë), duke bashkëpunuar me komunistët kroatë, sllovenë e boshnjakë dhe duke i hapë rrugë nacionalizmit kosovar krijojnë më 1968 autonominë e Kosovës dhe e zhvillojnë atë viteve të 70ta, më 1981 Enver Hoxha në koketim me nacionalistët serbë hidhet në aksion për ta shkatërruar këtë autonomi me parullën për republikën e Kosovës me ide staliniste. Enver Hoxha pasi kishte “rehatuar” mirë e mirë Shqipërinë i erdhi serish në ndihmë Serbisë për ta “rehatuar” edhe Kosovën. Rezultati: mijëra kosovarë nëpër burgje, politikanët më të shquar kosovarë në pension, autonomia e Kosovës humbet më 1989.”

Unë për këtë postim të tij, shkrova si vijon:

“Nexhmedin Spahiu apo “shakaxhiu i përparimit”

Kur një njeri si Nexhmedin Spahiu, me botkuptime dhe ide të errta, me sjellje dhe veprime të errta, në emër të lirisë së shprehjes, mohon një pjesë më të lavdishme të historisë, siç janë ngjarjet e vitit 1981, ashtu siç e mohon edhe kombin të cilit i përket, përkatësisht ëndërron formimin e kombit të ri, të ashtuquajtur “komb kosovar”, a duhet marrë seriozisht?.

Tipat si ky, janë pak, shumë pak, sa që nuk e bejnë as një rimorkio të qerres së kuajve.

Dhe shyqyr që janë kaq pak.

Dhe jo vetëm kaq!

Shyqyr që janë kaq shumë destruktiv, sepse kështu janë shembulli më i mirë i mesazhit për tërë popullin shqiptarë në Kosovë dhe jo vetëm në Kosovë, se si nuk duhet të pëqafohen idetë destruktive, prapavajtëse dhe antihistorike.

Noli i madh, për këtë do të thoshte:

Rroftë Nexhmedin Spahiu rroftë!

Shakaxhiu i përparimit.

Brez pas brezi u kujtojftë.

Si stërnip i Nasradinit.”

Nexhmedini me shkroi pas ca dite kështu:

Bedri Halimi, po të jetoja nën pushtetin e atij Enverit tënd unë si pjesëtar i familjes nacionaliste jo që nuk bëhesha lider studentor po as në Universitet nuk më regjistronin. Por gjyshi im i dënuar nga Tito, dhe me vëlla të vrarë nga partizanët e Titos, thoshte: Tito është qeni i madh, Enver Hoxha është këlyshi i tij. Këlyshi i qenit të keq është akoma më i keq. Dhe kishte të drejtë. Kur u zhvillua autonomia e Kosovës nuk isha i vetmi nacionalist që mora pozitë. Shumica e kosovarëve në atë kohë në pozita udhëheqëse ishin nacionalistë sepse në Kosovë gjatë Luftës së Dytë Botërore nuk kishte më shumë se 20 komunistë, e familjarët e tyre nuk mjaftonin për të zënë gjithë pozitat.

Unë i ktheva këtë përgjigje:

Së pari, nuk është temë figura e Enver Hoxhës, dhe as ai nuk ka qenë e as është i imi, por ka qenë dhe ka mbetur përsonalitet që i takon historisë. Pra temë e papritur, nga ju doli qëndrimi për ngjarjet e vitit 1981, të cilat ti i mohon. Është çeshtje e juaja edhe kjo se si mendoni, sepse me asgjë nuk mund të argumentoni këtë ide, (për aq sa as mohuesit e tjerë nuk kanë mundur ta bëjnë këtë), prandaj kanë mbetur në kuadër të propagandës verbale.

Së dyti, LNÇ-në mundohesh gjithashtu ta mohon, pa asnjë mbështetje shkencore në këtë postim tuajin, por jo në shkrimin që me nxiti të shkruaj. Ti mundesh të mendon çfarë të deshiron edhe për LNÇ, por realitetin e LNÇ –së nuk mund ta zhbën.

Së treti, po, unë përderisa kam qenë përkrahës i ngjarjeve të vitit 1981, nuk mund të kem qenë me Titon (dhe politikën antishqiptare të tij), për shkak se ky i fundit, ka bërë një varg të shkeljeve për të drejtat e shqiptarëve të Kosovës dhe viseve shqiptare nën ish RSFJ (dhe pozitës së tyre në ish RSFJ).

Së katërti, unë nuk kam folur për asnjë të afërm tuajin. Pra, as ju dhe asnjë i afërm i juaji, e madje asnjë bashkëmendimtar i juaji, nuk është, nuk ka qenë dhe nuk mund të jetë instrument matës për nacionalizmin, kombëtarizmin dhe historinë. Ju mund të mendoni si të doni, por janë institucionet shkencore ato që e kanë dhënë dhe vazhdojnë të japin vlerësimin për të gjitha këto gjëra.

Nexhmedini se di a pati lexuar, por si prej grykës pushkës bëri këtë pyetje:

Bedri Halimi një pyetje e thjeshtë: a më shumë shqiptarë ka vrarë Tito apo Enver Hoxha? Kaq mjafton.

Unë, meqenëse kisha dasmën e vëllaut tim për djalin e tij, megjithatë, ja dhashë këtë përgjigje:

Nexhmedin Spahiu per Enverin nuk e di, por per Titon e di sakte. Meqenese jam ne gazmend familjar, te premtoj se neser e ke pergjigjen. Per Titon natyrisht, se per Enverin ti i di tana.

Kaq.

Por duke menduar se duhet gjetur të dhënat e vrasjeve të regjimit të Titos, mu dasht me i numëru disa gjëra, disa vite e disa gjenerata. Dhe jo vetëm kaq. Mu dasht me hy në arkivin e shkrimeve të mia (sepse Tito dhe regjimi i tij, nuk burgosnin njerëz kot apo jo, ai – Titua pra, nuk i kishte qejf hiq, ama bash hiq ata shqiptarë që kërkonin barazi, pale pastaj edhe Republikë.

Dhe meqenese i premtova Nexhmedin Spahiut, se nesër do të bëjë një gjë të tillë, meqenëse jam në një gazmend familjar (vëllau marton djalin), do ti, që deri nesër mu duk larg. Dhe nisa ti numëroj argumentet për Titon, sepse si enverist të asaj kohe kemi pas mësuar për të bëmat e Titos ndaj shqiptarëve jo vetëm në Kosovë por në tërë ish Jugosllavinë. Dhe e dini pse, sepse atëherë Nexhi nuk ishte gjëkundi, apo ishte në ingranazhet e jugosllavizmit. Dhe jo vetëm kaq. Ne nuk e dinim se ndonjë i afërm i Nexhit kishe bërë apo mund të bënte kërdi ndaj komunistëve jugosllavë. Dhe meqenëse as Nexhi nuk e kish bërë një gjë të tillë, e bëmë ne, pa ndihmën e Nexhit dhe të afërmëve të tij familjarë.

Nexhi i di tana, siç e kam thënë, pore i din vetëm ato të Shqipërisë. Nexhi nuk di asgjë në Kosovë e as në ish Jugosllavi, për veprimet antishqiptare. Dhe jo vetëm kaq. Nexhi, or ti, i di të gjitha siç u tha, i di të gjitha vrasjet e Enverit për shqiptarët. Por Nexhi nuk di asgjë, për vrasjet e shqiptarëve nga Tito dhe regjimi i tij.

Prandaj në këtë rast, po i jap Nexhit (dhe jo vetëm atij) disa të dhëna që tashmë janë të botuara në librin tim “Ora e lirisë përballë krimeve të Serbisë”.

ANTISHQIPTARIZMI i JOSIP BROZ TITOS

Dhuna serbe ndaj shqiptarëve ka vazhduar edhe nga viti 1912 (me renien perandorise osmane) e këndej e cila dhunë në vazhdimësi ka ardhur duke u rritur e funksionuar në forma e mënyra të ndryshme ndaj shiptarëve në të gjitha trojet shqiptare. Edhe me vendosjen e sistemit monist në Jugosllavi, dhuna ndaj shqiptarëve nuk u ndal, por vazhdoi të veproj në forma të ndryshme, si lufta e Drenicës, duke vazhduar me Masakrën e Tivarit, Informbyronë, periudhën e ashtuquajtur të aksionit për mbledhjen e armëve etj. Aparati represiv në duart e komunistëve jugosllavë, shkaktoi një tmerr të pa parë në historinë më të re të Kosovës. Ndaj të gjitha veprimeve antishqiptare në periudhën e pasluftës së dytë në Kosovë, kishte mendime nga disa njerëz që Titon ta shfajsonin nga këto veprime makabre antishqiptare. Ky mendim madje është tentuar të futet edhe në kujtesën kolektive të shqiptarëve në Kosovë. Por, a kishin të drejtë këta njerëz të mendonin kështu? Duke i patur parasysh pozitat dhe veprimtarinë e Titos në Jugosllavi, faktet flasin ndryshe: Tito merret si udhëheqës i luftës antifashiste nacionalçlirimtare në tërë Jugosllavinë. Tito ishte kryepartiaku i PKJ-së. Tito ishte ideatori i të ashtuquajturit vëllazrim – bashkim. Tito ishte kryepushtetari i “Jugosllavisë së re”. Tito ishte kryekomandanti i përgjithshëm i armatës jugosllave. Tito ishte kryetar i Frontit Demokratik të Jugosllavisë. Tito në cilësinë e komandantit të përgjithshëm firmosi urdhërin e vendosjes së pushtetit dhe të administratës ushtarake në Kosovë më 8 shkurt 1945, të cilën e masakroi në kohën kur tashmë asnjë këmbë nazifashiste nuk ekzistonte në Kosovë. Tito ishte ai që e drejtoi AVNOJ-in e parë dhe të dytë, ku nuk u përfaqsua Kosova. Tito ishte ai që e mohoi referendumin e Kosovës. Tito ishte ai që në cilësinë e kryekomandantit dhe të kryepushtetarit jugosllav, rivendosi piramidat e përgjakura kufitare mes shqiptarëve në dobi të Jugosllavisë dhe në dëm të kombit shqiptar në përgjithësi e të pjesës shtetërore shqiptare në veçanti. Kjo nënkupton se Tito si në kohë lufte, ashtu edhe në kohën e ‘lirisë’ së vendit ka pasur fuqi dhe rrjedhimisht edhe informacione për të gjitha ndodhitë dhe veprimet që bëheshin në shtetin që ai e drejtonte. Duke pasur si model ÇEKA-n ruse, Partia Komuniste Jugosllave me 13 maj 1944, themeloi, shërbimin sekret OZNA (Odsek za Zaštitu Naroda – sektori për mbrojtjen e popullit). Që nga themelimi i tij e deri në vitin 1966, Tito do ta vendos Aleksandar Rankoviqin si udhëheqës të këtij shërbimi. Kjo datë, (13 maji) do të shënojë datën e themelimit të këtij aparati dhune në Jugosllavi, që për një kohë të shkurtër do të veproj pamëshirshëm tek të gjithë popujt që jetonin në shtetin jugosllav, e në veçanti te populli shqiptar. Që nga shtatori i vitit 1944 e deri në fund të këtij vitit 1945, nën akuzat e „antikomunizmit ekstrem“ u ekzekutuan me dhjetra mijë shqiptarë. Zyrtarisht vetëm në Kosovë u ekzekutuan pa gjyq 17400 shqiptar. Për të gjitha këto veprime, nga një pjesë e inteligjencës në Kosovë thuhet se Tito nuk i ka ditur këto ngjarje. Duke pasur parasysh të gjitha postet e përmendura më lartë për Titon, si dhe faktin se si funksionjnë institucionet e një shteti monist, është e pamundur që të mos ketë pasur njohuri Tito. Por edhe hipotetikisht po të thuhej se Tito nuk ka ditur çka ka ndodhur me shqiptarët dhe ndaj shqiptarëve nën Jugosllavi, më vonë sigurisht se do të merrte vesh dhe si rrjedhojë do të distancohej nga këto veprime antishqiptare duke i gjykuar, gjë të cilën nuk e bëri kurrë. Kështu për shembull, për të dëshmuar mirënjohjen e tyre për krijimin e Republikës Socialiste të Maqedonisë në kuadër të Federatës Jugpsllave, pjesa maqedonase e OZNA-s ekzekutoi mbi 700 shqiptarë në Kumanovë, 1400 në Shkup, 1200 në Kampin e Monopolit në Tetovë, 800 në Kampin e Gostivarit, 320 në fshatin Zajaz… Mbi 8500 shqiptar u mobilizuan për Frontin e Sremit, nga ku nuk u kthyen as 1%. Krijimi i Ministrisë së Punëve të Brendshme dhe ndarja e OZNA-s në UDB (Drejtoria e Sigurisë Shtetërore) dhe KOS (Shërbimi i Kundërzbulimit) nuk mund të fshihte krimet e instalimit të komunizmit ndaj shqiptarëve. Në këtë rast nuk do të përmendim të gjitha krimet e mëvonshme të periudhës së INFORMBYRO-së, por do të kufizohem vetëm në një vendim që flet vet si për nga përmbajtja ashtu edhe për nga veprimtaria antishqiptare. Më 18 shkurt 1953 Jugosllavia ripërtëriu Marrëveshjen e vitit 1938 me Turqinë për shpërnguljen e shqiptarëve. Tito ngarkoi Aleksandar Rankoviqin që të krijojë Shtabin Operativ për zbatimin me përpikëri të këtij operacioni. Në krye të këtij Shtabi Operativ ishte vetë Rankoviqi. Pas tij vinin: Kërste Cërvenkovski, Sfetislav Stefanoviq, Millan Bartosh, Leo Grishkovski, Vojkan Llukiq, Marko Vuçkoviq, Pavle Joviçeviq, Petar Stamboliq, Sllobodan Peneziq-Kërçun, Gjoko Pajkoviq, Gojko Medenica, Çedo Mijoviq, Sërba Saviq dhe Dushan Mugosha. Për të përshpejtuar procesin e shpërnguljes së shqiptarëve, në një intervistë dhënë gazetës BORBA, më 12 prill 1956 Aleksandar Rankoviq në cilësinë e Ministrit të Brendshëm Jugosllav, shpalli publikisht rrezikun që i kanosej sigurisë së shtetit nga ekzistimi i armëve ilegale në duart e shqiptarëve në Kosovë.

Dhuna ndaj shqiptarëve

Kjo datë, pra 12 prilli, do të shënojë fillimin e asaj që në memorien kolektive të shqiptarëve mbetet si “tragjedia e Aksionit të Armëve”. Brenda një muaji, deri më 12 maj 1956, nën akuzën ndaj shqiptarëve si “kontrabandistë të armëve dhe kriminelë që e destabilizojnë vendin” u bastisën, me mijëra shqiptarë u arrestuan dhe u torturuan barbarisht me dhjetëra mijë familje shqiptare… Dita e përvjetorit të OZNA-s, 13 maji i vitit 1956, u shënua me ‘rezultate’ të mëdha. Para medieve të kontrolluara nga Partia Komuniste Jugosllave dhe para Korit Diplomatik në Beograd, u ekspozuan “armët e konfiskuara” ndaj shqiptarëve! Kështu gjatë vitit 1956 në Jugosllavinë komuniste të udhëhequr nga Tito, u bë terror shtetëror mbi shqiptarët, ku 106 vetë u vranë dhe mbi 10 mijë të tjerë mbetën me pasoja të përjetshme shëndetësore. Ky terror shtetëror kundër shqiptarëve i udhëhequr nga Aleksandër Rankoviq, shkaktoi një klimë të pasigurisë kolektive që pati për efekt shpërnguljet masive të shqiptarëve për Turqi. Duke u mbështetur në të dhënat e dy shërbimeve konzulare (sektorit të pasaportave) jugosllave dhe turke, dëshmohet se në periudhën 1953-1966 prej Jugosllavisë në Turqi janë shpërngulur 415.371 shqiptarë…

Viti Numri i të shpërngulurve

1953 19.300

1954 17 500

1955 51.000

1956 54.000

1957 57.710

1958 41.300

1959 32.000

1960 27.980

1961 31.600

1962 15.910

1963 25.720

1964 21.530

1965 19.821

Në vitin 1966, kur nga ky aparat represiv u rrezikua edhe vetë kreu i shtetit dhe partisë, Josip Broz Tito, shkarkoi Aleksandar Rankoviqin. Përpos shkarkimit nga funksionet shtetërore dhe dënimit deklarativ përmes konkluzioneve të Plenumit të Brioneve asnjë pasojë nuk patën organizatorët dhe ekzekutorët e këtij terrori shtetëror antishqiptar. As Aleksandar Rankoviqi, as Kërse Cërvenkovski e as kriminelët tjerë nuk pësuan asnjë përgjegjësi penale për krimet antishqiptare. Ata vazhduan përmes pasardhësve të tyre që më vonë të aplikonin të njëjtat metoda të dhunës dhe terrorit ndaj shqiptarëve, ku diskriminimi ekonomik, politik dhe social i shqiptarëve dhe dhuna e terrori shtetëror permanent ndaj tyre, krijuan klimën e pasigurisë totale dhe papërspektivës së tyre në trojet e veta etnike.

Kontrolloni gjithashtu

Ahmet Qeriqi: Fshatrat rreth Kozmaqit po digjen flakë. Nuk dihet për fatin e popullatës. Po zgjerohet fronti i UÇK-së, në Koshare ( E martë 13 prill, 1999)

Ahmet Qeriqi: Fshatrat rreth Kozmaqit po digjen flakë. Nuk dihet për fatin e popullatës. Po zgjerohet fronti i UÇK-së, në Koshare ( E martë 13 prill, 1999)

Burimet e ndryshme të lajmeve nga Drenica Qendrore bëjnë të ditur se atje ka ndodhur …