Bedri Hamza akuzon Kurtin: Kërkoi gjithë pushtetin, prandaj vendi po shkon në zgjedhje

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Bedri Hamza, ka deklaruar se vendi po shkon në zgjedhje për shkak të mungesës së vullnetit për marrëveshje politike dhe, sipas tij, përpjekjeve të kryeministrit në detyrë Albin Kurti për përqendrim të pushtetit. Hamza tha se ka ekzistuar mundësia për stabilitet institucional dhe politik, por sipas tij kjo është pamundësuar nga mungesa e kompromisit mes palëve politike. “Në zgjedhje jemi duke shkuar për shkak se ka kërkuar dhe ka punuar për të shkuar në zgjedhje zoti Kurti. Ka pas mundësi me pas stabilitet politik dhe institucional, mirëpo kur ka qëllim që i gjithë pushteti të koncentrohet në një vend, atëherë dëmi i prodhohet vendit”, deklaroi Hamza. Ai shtoi se, sipas tij, Kurti ka synuar të marrë “komplet pushtetin” pa i pasur votat e nevojshme, duke theksuar se funksionalizimi i institucioneve kërkon marrëveshje politike dhe kompromis. “Për plotësimin e këtyre pozitave dhe konstituimin e institucioneve duhet të ketë marrëveshje politike. Ka pas mundësi që vendi të ketë president, Kuvendi është konstituuar, qeveria është votuar dhe vendi të mos shkojë në zgjedhje. Mirëpo nuk ka pas vullnet dhe gatishmëri për një marrëveshje politike”, tha ai.

Kontrolloni gjithashtu

Zëvendësministri i Mbrojtjes, Gegë Lleshi, merr pjesë në Konferencën Ndërkombëtare ASDA 2026 në Zagreb

Zëvendësministri i Mbrojtjes, Gegë Lleshi, së bashku me delegacionin e Ministrisë së Mbrojtjes, po merr …