Bedri Hamza thirrje diasporës, mos lejoni të tjerët të vendosin për Kosovën

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Bedri Hamza, u ka bërë thirrje bashkatdhetarëve që të regjistrohen për të votuar në zgjedhjet e 7 qershorit, duke theksuar se diaspora ka qenë gjithmonë shtyllë e rëndësishme e Kosovës. Në një video-mesazh drejtuar mërgatës, Hamza shprehu mirënjohje për kontributin e diasporës ndër vite, duke thënë se Kosova nuk do të ishte ajo që është sot pa ndihmën dhe mbështetjen e bashkatdhetarëve në periudhat më të vështira për vendin. Ai kujtoi rolin e diasporës në mbështetjen e familjeve shqiptare, zhvillimin ekonomik dhe përkrahjen e kauzës së Kosovës në arenën ndërkombëtare. “Diaspora meriton respekt dhe mirënjohje të përhershme, jo vetëm gjatë zgjedhjeve, por çdo ditë”, deklaroi Hamza. Kreu i PDK-së bëri të ditur se afati për regjistrimin e votuesve nga diaspora është hapur dhe do të zgjasë deri më 17 maj, duke i ftuar bashkatdhetarët të bëhen pjesë e vendimmarrjes për të ardhmen e Kosovës. “Mos lejoni që të tjerët të vendosin për ju. Mos u mashtroni nga propaganda dhe fjalët boshe që u janë përsëritur që katër palë zgjedhje radhazi. Dhe mbi të gjitha, mos e lejoni askënd të na ndajë. Sepse nuk ka ‘ne’ dhe ‘ju’. Ka vetëm ne. Dhe ne jemi një”, thuhet në mesazhin e tij. Në fund, ai u bëri thirrje bashkatdhetarëve që të regjistrohen deri më 17 maj dhe të kontribuojnë, siç tha ai, në ndryshimin që i duhet Kosovës.

Kontrolloni gjithashtu

Endrit Thaçi në mbështetje të Bedri Hamzës: Kosovës i duhet ndryshimi, votoni 125

Endrit Thaçi, djali i ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, ka shprehur publikisht mbështetjen e tij …