Bedri Islami

Bedri Islami: Lulzim Basha hyri në politikë nga dera serbe, po del nga ajo ruse

Ende askush nuk e di se si erdhi Lulzim Basha në politikën shqiptare. Kush e solli, çfarë merite kishte ai në politikën e mëhershme, si krejt befas ai u shfaq si ylli në ngjitje i një partie që po synonte pas 8 vite në opozitë të merrte pushtetin. Ai ishte enigmë e madhe. E vetmja gjë e sigurtë që do të dihej fare pak kohë më vonë, është që ai kishte ardhur në politikën shqiptare nga një derë serbe, e cila e kishte kapardisur përmes një njeriu mafioz, të skutave të errëta, bashkëlidhje e një klani udb-ash që përfshinte shefin e sigurimit serb Millosheviçin, ministrin e Brendshëm serb të kësaj kohe dhe një lob jashtë shtetit serb, i cili kishte pasur lidhje edhe më të mëhershme financiare. Në miniaturë ai dukej si vazhdimi i Berishës në një variant të zbutur dhe ndoshta ky do të ishte shkaku përse ai erdhi duke tundur një kartë të fortë në politikën shqiptare, në të vërtetë kartë të dyfishtë: miqësinë me vajzën kryeministrore dhe mikun e përbashkët serbo-boshnjak, të cilin, si edhe origjinali i së cilës ishte kopje, do e kishin mik shtëpie, do të krijonin firma fantazmë dhe do të zhvatnin dhjetëra e qindra miliona euro nga financat e shtetit të varfër.

Tani, si do të ishte normale të ndodhte, ai, si duket, do të dalë nga politika përmes një porte ruse. Edhe nëse në hartën shqiptare të politikës do të vazhdojë të jetë një pinjoll enigmë, në atë të botës euroatlantike, ai është tashmë një lojtar i djegur, i cili, duke djegur veten, nuk ka merak se mund të djegë edhe partinë ku e vendosën kryetar, por edhe shtetin ku i përket një pjesë e tij. Si dihet, pjesa tjetër e tij është në Holandë.

Çfarë e lidh Bashën me politikën regresive ruse? Përse ai i është drejtuar firmave off-shore ruse për të bërë pagesa konfidenciale ose për të pranuar dhurata prej tyre, në këmbim të vlerave të pakta ose të askërkundta që mund të të sjellë në politikë një lider, ende i padjersitur për të marrë partinë? A ka lidhje ardhja e tij me ngulmimin e politikës serbe apo ruse në segmentet e Shqu-it politik, apo gjithçka është vetëm një rastësi fatkeqe? Përse, në të njëjtën kohë me një ultra nacionalist maqedonas, të rënë nga pushteti, antishqiptar klasik i tërbuar, ai do të fillojë lëvizjen e tij politike për destabilizimin e shtetit dhe çfarë lidhje ekzistonte mes tij, mes një pjese të shumicës qeverisëse të kohës, segmenteve të drejtësisë dhe zyrës presidenciale?

Janë shtruar shumë pyetje në të njëjtën kohë. Disa janë shtruar që në krye të herës, disa të tjera po zbardhen marramendshëm shpejt pas një artikulli të medias investigative me 10 milionë ndjekës në muaj, Mother Jones, një shkrimi të gazetës famoze, Nju Jork Tajms, “Zërit të Amerikës”, që nuk është thjeshtë një media jashtë qeverisë amerikane, por edhe fakteve e dokumenteve që po shfaqen rrëmujshëm e jo vetëm rrëmujshëm.

Fakti i dukshëm i tanishëm është se Basha dhe një grupim prej tij, herë pas here i dyshuar për lidhje me strukturat serbe të sigurisë, si Noka, për shembull, kur ngritën Çadrën në mesin e Bulevardit dhe filluan tratativat me diplomatë rusë, nuk e kishin menduar se gjërat një ditë do të zbardheshin. Alibitë budallaqe që po ngritin sot, si ajo e së majtës radikale për Mother Jones, pastaj për pagesën 2 milionë dollarësh nga Rama për një investigim, më tej si një përllogaritje e Soros, më tej, si një gjetje e qeverisë për të hequr vëmendjen nga droga e fortë 613 kg, nga rasti Tahiri, për Nju Jork Taims si një letër higjienike, e ajo më “brilante”, që një fondacion shqiptaro–amerikan, papritur, paskan paguar 500 mijë dollarë për mbulimin e lobimit pëdëist, jo vetëm nuk zbardhin asgjë, por fundosin më tej botën politike bashiste.

E zëmë sikur të gjitha këto janë të vërteta. Le ta mendojmë për një çast. Por çfarë lidhje kanë këto me firmat e vëna në kontratat lobiste.

Çfarë lidhje kanë të gjitha këto me deklarimet e firmave të njohura lobiste amerikane pranë thesarit të shtetit dhe departamenteve të posaçme amerikane, të cilat nuk mund të mashtrojnë për asnjë vend, e jo më për shuma miliona dollarësh.

Nëse Basha i mendon këto struktura si prokurorinë e Llallës, ai është ende me mendtë e hajdutit të Rrugës së Kombit, që pozita e dhuruar nuk i ka mësuar asnjë nga politika, as edhe thënien e të vërtetës, se sa është ora.

Për të synuar mundësi për depërtim në hapësirën presidenciale të Trump, paratë lobuese, ende të dyshimta fund e majë, ose kanë kaluar përmes një kompanie off-shore ruse, çka është bërë e qartë nga deklarimet e firmave lobuese, ose janë dhuruar nga këto kompani ruse. Rrugë tjetër nuk ka. Paratë janë derdhur në arkat e firmave lobuese, nga më të njohurat, aq më shumë të lidhura me presidentin aktual. Ata nuk kanë shkruar se paratë janë marrë nga Soros, nga Rama, nga një fondacion misterioz shqiptaro–amerikan, por nga firma ruse në dobi të Partisë Demokratike, drejtuar nga Basha.

Ky është fakti i parë tronditës, i cili ka të bëjë me strategjinë politike të Bashës drejt lindjes dhe “harrimin” jo të rastësishëm të linjës euroatlantike. Fakti i dytë, që është një problem brenda shqiptar, qëndron në fshehjen e këtyre donacioneve, çka është një enigmë tjetër, më shumë afariste.

Basha do të ketë gjithë kohën e duhur për të dhënë përgjigjen e tij të saktë, jo si në “Opinion”, përse pagesat për firmat lobiste amerikane janë kaluar përmes firmave ruse, ose përse janë dhuruar prej firmave ruse. Çfarë lidhje ka mes këtyre pagesave dhe takimit, gjysmë të fshehtë të Bashës me ambasadorin rus në Tiranë, takim i cili ende ka mbetur enigmë për kohën kur u bë, për mos zbardhjen e tij dhe për heshtjen e mëtejshme.

A mund të jetë i besuar një lider i tillë, thellësisht i lakuar drejt lindjes dhe burracak ndaj perëndimit?

Ka pasur në fillimin e vitit të kaluar një lëvizje jo të panjohur politike që përmblidhte një trekëndësh politik : Basha-Gruevski–Meta. Ndërsa i pari synonte destabilizimin, i treti kishte mbajtjen e pushtetit, duke qenë ende lojtari më i fuqishëm në qeveritë që mund të ndërtoheshin.

Kjo lëvizje, thellësisht e përbashkët, synoi krijimin e një qeverie Gruevski – Ahmeti, si kundërvënie ndaj aspiratës drejt Europës që ishte shfaqur në zgjedhjet e fundit në këtë shtet ku më se një e treta ishin shqiptarë autoktonë.

Në kohën kur gjithçka po shkonte drejt një përplasjeje të paralajmëruar në shtetin maqedonas, Basha ngriti teorinë e tij të Çadrës, me thirrjen megalomane për një republikë të re. Përmes saj, në secilën paradite dhe para gjumit, ai lëshonte kërcënimet e radhës dhe bënte thirrje për ngritje për rrëzimin e pushtetit. Në çastet entuziaste, kur edhe përkrahja e lobit serb apo rus në Tiranë rritej, ai kalonte në ekstazë politike, duke bërë thirrje për thyerje xhamesh, hedhje makinash, të shpoheshin gomat dhe të fillonte një lëvizje popullore kërcënuese. Të njëjtat thirrje bënte edhe Berisha, por ai, duke qenë i rrahur me vaj e me uthull, duke e pas provuar në vitin 1997 se çfarë është zemërimi perëndimor, kur e braktisën të gjithë, la në vijën e parë Bashën, një karabush në politikë, por i rrezikshëm në aspiratën e tij për të përmbysur gjithçka. Çadra u ngrit në shkurt dhe u shkul në maj, kur ai e mori vesh se të gjitha tentativat ishin drejt shuarjes. U kthye për pak kohë tek zanati i vjetër: përfituesit. Mori ministritë ku mund të kishte para, drejtori të rëndësishme financiare, shiti mandatesh deputetësh, kjo e fundit edhe me ndihmën e familjes biologjike e jashtë saj.

Agjenci prestigjioze që monitorojnë Shqipërinë dhe vendet ballkanike kishin paralajmëruar seriozisht për skenarin e mundshëm të destabilizimit të vendit. Njëra ndër pikat e mundshme të shpërthimit ishte Çadra, si koncept politiko–ushtarak, për t’u zhvendosur ndaj selisë së shqup-asit.

Ndaj, të gjitha vendet perëndimore bënë atë çka nuk ishte menduar në politikë dhe që Basha, aguridhe, nuk mund ta kishte menduar: ata deklaruan haptas se zgjedhjet politike të qershorit do të njiheshin si të rregullta dhe të lira, edhe nëse opozita nuk do të merrte pjesë.

Loja kishte mbaruar. Zaret që ishin menduar të hidheshin ishin kthyer pas. I gjithë skenari, i punuar në vend apo i ardhur i gatshëm, si ai i 14 shtatorit 1998, ishte në dritën e diellit dhe asgjë nuk mund ta lëvizte nga vendi.

Kur u mendua se agonia e një force politike mund të zgjatej dhe se mund të kishte një formësim të ri, ndodhi një lëvizje tjetër politike: në Shqipëri erdhi i plotfuqishmi amerikan Noyt Brian Yee, që pasi kishte shuar zjarrin në Shkup, hodhi ujët e ftohtë mbi politikën bashiste. Nuk e la të ndizej ëndrra ruse për depërtim në Ballkan. Mohimet e ambasadorit rus për ndërhyrjen e shtetit të tij nuk hedhin dot poshtë dhe as nuk e kanë provuar të hedhin poshtë pagesat e kompanive off-shore ruse.

Prokuroria maqedonase denoncoi skenarin rus. Prokuroria shqiptare heshti. Ky është një ndër shkaqet përse opozita u përlesh me policinë dhe deshi të zaptonte parlamentin me huliganë, si kishte ndodhur në Shkup, ruajtja e kësaj strukture në prokurorinë e përgjithshme, ku, në vendin kryesor ishte një mashtrues ordiner, i kapur politikisht dhe financiarisht.

Kur Basha dhe një pjesë tjetër e opozitës, disa me përcaktim të qartë e të tjerë, ose nga naiviteti politik, ose për mbulesa financiare, menduan se vëmendja nuk është më tek ato, synuan përsëri destabilizimin, përmes një grushti shteti institucional, duke e kthyer parlamentin në një arenë lufte, duke hedhur poshtë ligjin për reformën në Drejtësi, çka ishin dy aspiratat dhe investimet më të mëdha të BE dhe SHBA.

Lëvizjet politike të Bashës shkojnë drejt asgjësimit të tij si figurë politike. Është krejt e pamundur që një figurë e tillë politike, që në të njëjtën kohë i shpall luftë perëndimit dhe ndjen t’i rrahë shpatullat politika agresive ruse, të jetë ende i besuar.

Në fakt ai ka qenë gjithnjë një e keqe e domosdoshme që duhej takuar.

Si duket, kësaj të keqeje, po i vjen fundi shumë më shpejt nga sa ai vetë dhe përkrahësit e tij, kanë menduar. (Dita)

 

Kontrolloni gjithashtu

Arbanë Qeriqi-Gashi: Fetnete Ramosaj, një personalitet me një kompleksitet të paepur intelektual, shoqëror dhe kombëtar

Arbanë Qeriqi-Gashi: Fetnete Ramosaj, një personalitet me një kompleksitet të paepur intelektual, shoqëror dhe kombëtar

F- etnete Ramosaj, një personalitet me një kompleksitet të paepur intelektual, shoqëror dhe kombëtar, është një …