leoni

Bedrush Avdi Gashi (24.2.1964 - 12.5.1999)

Bedrush Avdi Gashi (24.2.1964 – 12.5.1999)

Për nënë Bademën e fshatit Drenaj të Anadrinit, shumëçka zuri fill më 26 prill të vitit 1998, kur shtëpia iu bë çerdhe djelmoshash të Drenicës, të Dukagjinit e të Anadrinit, kur shtëpia iu bë kazermë e luftëtarëve të lirisë që arritën në odat e Osman Zyberajt, të Avdiut e të Isuf Sherifit dhe themeluan Shtabin Operativ Rajonal të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës për Anadrinin, të cilit nënëlokja do t’ia falë dy djem: Bedrushin dhe Feimin: Feimin ta përcjellë në përjetësi më 27 maj të vitit 1998, kur krisën pushkët e Feimit, të Sakipit e të Përparimit në Bregun e Drinit të Bardhë, kurse Bedrushin, nëna Demë e përcolli më 12 maj 1999, pa iu mbushur viti nga rënia e Feimit.
Kështu nisi krenaria e plakut Avdi Sherif Gashi, që rriti pesë djem e tri vajza, për t’i vendosur dy në themelet e Kosovës. Feimi, rrugëtar nëpër shtigjet e kërkimit të lirisë dhe të dijes, diplomoi në frontet për lirinë e Kosovës, kurse Bedrushi pa mbaruar amanetin e të vëllat, me pushkë e me indeks qëndroi si titan ashtu siç e kishte mësuar profesor Ukshin Hoti me mesazhin “Bëje ose vdis!”.

Bedrush Avdi Gashi, e bëri dhe mori përjetësinë, sepse vetëm burrat e fortë dinë për të bërë veprat e mëdha të cilat i nisën: Adem Jashari, Luan Haradinaj, Zahir Pajaziti, Edmond Hoxha e Hakif Zejnullahu me shumë shokë të vëllezërve Gashi nga Drenajt e vëllezërve Hajda nga Rahaveci.
Bedrush Gashi është i lindur më 24 shkurt të vitit 1964. Doli nga vatra familjare e Avdi Sherifit të Drenajt, një bujk i vyeshëm e mikpritës i njohur i Anadrinit, por edhe pasardhës i të parëve të pushkës e të fjalës. Avdiu, nxënës i patriotit të madh, mësuesit Ali Bajram Haskut prej Rahaveci, i martuar me Bademën e Krasniqëve të Frashnjetit (ish-Senoc) të Anadrinit, kishte tetë fëmijë: Amrushin, Bedrushin, Badushën, Fatimën, Feimin, Xhelalin, Ademin dhe Dritën. Shkollën fillore, si të gjithë vëllezërit e motrat, Bedrushi e bëri në vendlindje, ndërsa të mesmen në Rahavec, në gjimnazin që sot mban emrin “Xhelal Hajda – Tonit”, të cilin Bedrush Gashi e kishte shok dhe bashkëluftëtar. Si nxënës i shkollës së mesme Bedrushi merr barrë sa të mëdha, aq edhe të rëndësishme, për shtrirjen dhe veprimtarinë e ilegales në Rrafshin e Anadrinit dhe më gjerë, kurse si student i Fakultetit Teknik, Dega e Makinerisë në Universitetin e Prishtinës, e zgjeron këtë veprimtari duke u lidhur me veprimtarët të shumtë të brezit të tij, si Nuri Behxheti, Hashim Thaçi, Fatmir Limaj, Nait Hasani, Smajl Latifi e të tjerë.
Pas aktiviteteve të zhvilluara rreth organizimit të revoltave të vitit 1981, me shpërndarjen e trakteve, të afisheve dhe të apeleve për pjesëmarrjen sa më masive në demonstrata, policia i bie në gjurmë, por i shpëton dënimit për shkak të moshës së mitur. Në vend të tij, i dënohet prindi. Veprimtarinë e vazhdon pasi lidhet me veprimtarët e Grupit të Lubjanës dhe ilegalisht shpërndan nëpër Kosovë gazetat që asokohe botoheshin në Slloveni (Demokracia autentike, Alternativa dhe Republika).
Kjo është fazë kur Bedrush Gashi rryhet dhe piqet në ilegale dhe nuk mund të gjendet manifestim ku kishte për të munguar ndonjëri prej shokëve të Bedrushit apo i vëllai, Feimi me Mensur Zyberajn, Tafilin e Bedriun, e në Prishtinë bashkëvepronte me Nuri Behxhetin e Hashim Thaçin. E tërë veprimtaria e Bedrush Gashit ishte në shënjestër, sa prej policisë serbe aq edhe prej argatëve shqipfolës, por falë organizimit të mirë, vështirë ishte për ndjekësit që t’i bien në gjurmë Bedrushit. Kjo veprimtari kulmon më 1993, pas rënies së dëshmorëve Jahë Hoti e Shkëlzen Krasniqi, në Pashtrik.
Me rastin e kërkesës për arrestimin e të vëllajt, Xhelalit, Bedrushi konfrontohet ashpër me policët Trajko Roganoviq dhe Dushan Gjurishiq.
Më 1996, Bedrushi vepron në bërthamën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, kurse më 1997 aktivizohet në linjat e korridorit logjistik të Gllogjanit; i organizuar dhe i ngarkuar me detyra permanente së bashku me të vëllanë – Feimin, me Qerim Kelmendin e Adrian Krasniqin, dhe sulmohen stacionet policore e grupit të Bedrushit i mbeti detyrë stacioni policor i Drinasit.
Rënia e Luan Haradinajt, Bedrushin e gjeti në Shqiponjë të Dushkajës, ndërsa ajo e mësuesit – dëshmor Halit Geci, e gjeti në Skënderaj. Këtu ngarkohet me detyra veprimi në logjistikë, prandaj edhe kishte mundësi për t’u stërvitur e ristërvitur me eminencën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Me riaktivizimin e korridorit logjistik të Hasit, Bedrushi është së bashku me Haxhi Hotin – “komandant Lleshin”, me Osman Zyberajn, Nuri Behxhetin e Vehbi Muharremin, e matanë Pashtrikut edhe me Qenë Abdylin.
Më 26 prill të vitit 1998, ndërmjet fshatrave: Krushë e Vogël, Piranë e Qëndresë (ish – Randubravë), me një aksion të përbashkët të Djemëve të Drenajt e të Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, shpërthehet një pritë policore te “Përroni i Keq” dhe pas këtij suksesi dalin nëpër pozicione njëzetë ushtarë të parë të efektivit të Anadrinit në fshatin Drenaj, e në krye të tyre gjenden edhe Bedrushi me Feimin. Dhe kështu filloi jeta ushtarake e luftëtarëve të parë të lirisë në këtë fshat të Nënzatriqit. Më 12 maj 1998 kur shpërthejnë luftimet në fshatin Bardhatin, Bedrushi, gueril me përvojë, shkëlqen në luftë e forcat serbe thehen me turp, kurse Gashët e përfundojnë këtë betejë me humbjen e Milaim Krasniqit e të Elmi Morinës, por edhe me plagosjen e Osman Zyberajt.
Më 14 maj 1998, forcat edhe më të mëdha policore serboçetnike, ndërsehen sërish kah Drenajt për ta thyer Bërthamën e këtij fshati, por kësaj radhe provojnë për të hyrë prej Gardhishtit, nëpër Gexhë, Malësi të Vogël, Drinas dhe thehen definitivisht në “Qafën e Gardhishtit”, buzë “Urës së Fshajt”, sepse kësaj radhe për kurbanë të urave lypseshin burrat, e në këtë betejë mori përjetësinë Mehedin Morina i Qëndresës së Klinës (ish-Gllarevë), por nuk ra Gardhishti, nuk ra “Lugu i Drinit” – luftonin si dy shqipe, Bedrushi me Feimin.
Pas thyerjes së forcave serbe, Bedrushi sërish angazhohet në logjistikë dhe në dinamikën e shtrirjes së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në fshatrat: Nushpal, Burim i Epërm, Burim i Poshtëm, Sopaj e Fortesë, sepse këto fshatra i duheshin korridorit logjistik që lidhte Drenicë e Dukagjin me Hasin. Ato ditë Shtabi Operativ Rajonal i Anadrinit, në Drenaj, ishte i konstituuar dhe në çdo segment funksiononte në frymën e imperativit për shtrirje sa më të shpejtë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në Rrafshin e Anadrinit, sepse lufta e Dukagjinit, Gllogjan e Shqiponjë, i forconte “Djemtë e Anadrinit”. Por forcat policore serbe, të thyera në dy beteja, ndryshojnë taktikën dhe në pritën e kurthuar ndërmjet fshatrave Fortesë e Xërxë, Bedrush Gashi mbetet pa të vëllanë Feimin, pa bashkëluftëtarët: Sakip Bellaqën e Përparim Thaçin e me djalin e axhës Islamin e plagosur rëndë. Edhe pas kësaj ngjarjeje, Bedrushi forcohet me gajretin e burrave; përcjell të vëllanë për në përjetësi dhe vazhdon luftën drejt fitoreve të reja duke kënduar këngën e Mujës e të Beqës, të cilën tashmë e dinin të gjithë luftëtarët e lirisë.
Pas ceremonialit të përcjelljes së “Dëshmorëve të Përudhës”, Bedrushi vepron në drejtim të shtrirjes së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, së bashku me Xhelal Hajdën-Tonin dhe Selajdin Mullabazin-Micin, në drejtim të “Rrasave të Rahavecit” nëpër Burim të Epërm, Burim të Poshtëm, Sopaj e Fortesë, sepse sipas vizionit të Bedrushit, Mensur Zyberajt, Tonit dhe Micit, forcimi i korridorit logjistik prej Hasi në Drenicë, nëpër Rrafshin e Anadrinit, vlerësohej si detyrë permanente. Në luftimet e 6 qershorit 1998, në Drinas e Malësi të Vogël dhe të 19 qershorit në Drinas dhe Kromnik, Bedrush Gashi është në nivelin e detyrave si në rrafshin logjistik, ashtu edhe në atë operativ pasi që Anadrini granatohej prej shumë anëve. Në granatimet mbi fshatin Drinas merr përjetësinë Naser Veli Krasniqi, ndërsa në ato mbi fshatin Kromnik (Beteja në “Bokat e Kromnikut”) edhe Sadri Thaçi, por Bedrush Gashi bëhet edhe më i fortë. Në luftimet e Apterrushit, të Retisë dhe të Rahavecit, Bedrush Gashi ishte shend e verë, “duhet të luftojë për Feimin dhe për veten time!” – u thoshte shokëve.
Pas përfundimeve të betejave të korrikut 1998, hetohej mungesa e materialeve luftarake – “Zjarrit të Lirisë” dhe bashkëluftëtarët e Bedrush Gashit riforcojnë sektorin e logjistikës në brigadën e Gani Paçarizit, rënë dëshmor më 18 korrik 1998, në luftimet e Fortesës. Brigada e tërë gjendet në detyrat logjistiko – operative, sa në furnizim aq edhe në mbrojtjen e Zatriqit (Kush i ka kodrat, e ka fitoren). Pas qëndresës heroike përreth Zatriqit, ku shquhen Vajdini, Muharremi e Bajram Berisha, Remziu e Sherif Haxhia, Xhevdeti e Sabri Mekani, Nesimi Zyberaj e Avni Xhaferaj prej Drenajt e Afrim Morina prej Nushpali, Bedrush Gashi emërohet zëvëndëskomandant i Brigadës 124 “Gani Paçarizi” të Zonës Operative të Pashtrikut, detyrë kjo dhe pozitë në të cilën me vendosmëri qëndron dhe vepron deri në ditën e përjetësisë më 12 maj 1999, kur përgatitej për detyrën e zëvendëskomandantit të Logjistikës për Zonën Operative të Pashtrikut.
Për nder të njëvjetorit të rënies së të vëllait, Feimit, në krye të “Dëshmorëve të Përudhës” Bedrush Gashi operacionalizon sulmin dhe aksionin në rrugën që lidh Rahavecin me fshatrat e Nënzatriqit. Shtabi i Brigadës 124 “Gani Paçarizi” ato ditë vepronte nga fshati Shkozë, prandaj Bedrushi niset nga Shkoza duke prerë aksin e rajonales Prishtinë – Rahavec, afër fshatit Dragabil dhe depërton deri në afërsi të Akavaneve të Zatriqit. Në këtë pikë, Bedrushi vendos për ta sulmuar aksin e rrugës rurale nga qarkullonte ushtria serbe. Kështu edhe depërton në drejtimin: “Guri i Mrizit”, “Mrizi” e “Mella” dhe nga afërsia sulmon automjetet e ushtrisë serbe. Pas një qëndrese dyorëshe, pothuajse në njëvjetorin e rënies së të vëllait, Feimit, merr përjetësinë edhe Bedrush Avdi Gashi për t’ia lënë amanetin Mensur Zyberajt, që luftën ta vazhdojë deri në realizimin e vizioneve të Bedrushit e të Feimit. E nëna Bademë?! Ajo dëgjonte rapsodinë e pambaruar:

“Dhe krisën shumë pushkë
E dridhën Anadrinin.
– Kë t’vajtoj më parë,
Bedrushin a Feimin?!”

E sot! Sot nuk e pranon nënëlokja këtë “fakt rapsodik”.” – Nuk i vajtoj, por flas me Ata. Shkoj kah “Lugu i Demirit”, ulem ndërmjet Feimit dhe Bedrushit, ua pastroj gomurin e dheut, ua rregulloj lulet, e shikoj vorrin e Mensur Zyberajt dhe u flas fëmijëve të Bedrushit; Brikenës, Seprandit dhe Elirës. Pak më shumë i flas Feimit, sepse më shkoi beqar. E kur flas, nashta më del edhe ndonjë pikë loti, por më rallë. Pra, nuk i qaj, por u flas duke i premtuar Bedrushit se Brikena tashmë është rritur, Seprandi është nxënës i mirë, kurse Elira, Elira si Kosova, ende nuk është e lirë. Ajo nuk e njeh të anë!”, ndërpret rrëfimin nëna – Demë.
Sot, bri cepit të djathtë të rrugës Rahavec – Drenaj, aty ku bëri luftime Bedrushi, është ngritur një lapidar modest por që shkëlqen me madhështi dhe flet për heroizmin e Bedrushit, për trimërinë e “Djemëve të Anadrinit”, për Avdi Sherifin krenar, për Islam Isuf Sherifin e plagosur e tash të prangosur e për Isuf Sherif “Bacën”, të plagosur, me nipër të rënë dhe tash e sa vjet të prangosur e të burgosur së bashku me Dautin dhe shokët në Dubravë e Holandë.
Sa shumë lapidarë sot ka Kosova e përgjakur?! Por, Elirë Gashi, bijë e Bedrushit dhe mbesë e Feimit, ende kërkon Lirinë duke pyetur Ermalin e Selajdin Mullabazit – Micit, se ku janë dhe për çka shkuan etërit dhe xhaxhallarët, për çka u shkuan gjyshërit dhe stërgjyshërit, tash e një shekull.
Për dëshmorin e kombit Bedrush Gashi është ngritur një lapidar në vendin e rënies, ndërsa me shkrime e kanë nderuar edhe autorët e eseve: Bedri Zyberaj, Agim Metbala, Bedri Dulaj, Flurim Gashi, Bajram Kurti e Qemajl Krasniqi. (S. C.)

Kontrolloni gjithashtu

Feriz Faik Guri (2.7.1970 – 22.4.1999)

Feriz Faik Guri (2.7.1970 – 22.4.1999)

Feriz Guri u lind më 2 korrik të vitit1970 në fshatin Nikaj të komunës së …