Beqir Nebih Meha (2.2.1936 - 25.3.1999)

Beqir Nebih Meha (2.2.1936 – 25.3.1999)

Familja e Emin Latit nga Prekazi i Ulët i Drenicës, e njohur si a familja Mehaj, është njëra ndër familjet e rralla emblematike të kombit shqiptar. Katër breza të kësaj familje luftuan dhe qëndruan në katër periudhat historike të robërisë së Kosovës. Në vitin 1913, kur u pushtua Kosova nga bandat vrasëtare serbe, luftoi dhe ra heroikisht Meha i Parë, vëllai i burrit të historisë, Emin Lati.

Emin Lati luftoi trimërisht në çetat çlirimtare të Azem Bejtë Galicës, prej vitit 1918 deri në vitin 1924. Ishte njëri ndër bashkëluftëtarët më të ngushtë të kryetrimit të Drenicës në atë kohë. Në luftën çlirimtare të Shaban Palluzhës merr pjesë dhe lufton heroikisht djali i Emin Latit, Nebih Meha.

Më 13 maj të vitit 1981, kundër forcave rrethuese të sigurimit jugosllav, luftojnë për 20 orë rresht, në kullën e tyre në Prekaz, dhe bien heroikisht, Tahir Meha dhe babai i tij, Nebih Meha. Më 25 mars të vitit 1999, vëllai i Tahir Mehës, Beqir Meha, bashkëluftëtar i Legjendarit Adem Jashari, bie heroikisht në luftën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Emin Lati nga lagja Meha e Prekazit të Ulët, la dy djem, Nebihun dhe Mehmetin. Nebihu ka marrë pjesë në formacionet 45 Feniksët e lirisë – 7 luftarake çlirimtare të Shaban Palluzhës, në dimër të vitit 1945. Ishte i ndjekur dhe i persekutuar familjarisht nga regjimit okupator titist, jugosllav.

Ai ka lënë dy bij, Beqirin e Tahirin dhe dy bija: Shefkijën dhe Miradien. Beqir Meha u lind në Prekaz të Ulët të Drenicës, më 2 shkurt të vitit 1936. Kishte mbaruar vetëm disa klasë mësim të fillores, gjatë dhe pas kohës së Luftës së Dytë Botërore. Rrjedh nga një familje tradicionale, ku trimëria, besa, guximi, përkushtimi për liri kishte vazhduar nga brezi në brez. Në vitin 1951, xhaxhai i tij, Mehmet Emin Lati qe dënuar për veprimtari të organizuar antijugosllave, së bashku me dhjetëra bashkëmendimtarë. Nën ndikim dhe frymëzim atdhetar të babait, gjyshit dhe xhaxhait, Mehmetit, Beqir Meha, së bashku me disa bashkëveprimtarë zhvillojnë aktivitete atdhetare. Më 14 prill të vitit 1959, së bashku me Bislim Tahirin, Adem Aliun, Sherif Musliun, Istref Osmanin, Muhamet Qerimin dhe Ramadan Zenelin, arrestohet dhe më pas dënohet për veprimtari antijugosllave, sipas nenit 117 të Ligjit Penal të Jugosllavisë. Beqir Meha dënohet dy vjet burg dhe dërgohet për ta vuajtur dënimin në Burgun famëkeq të Goli Otokut, në Kroaci. Pas vuajtjes së dënimit, Beqiri, së bashku me të vëllanë Tahirin, për të ndihmuar në ngritjen e familjes, kërkon punë në Maqedoni, në Mal të Zi e gjetkë. Duke qenë të edukuar me ideale atdhetare e çlirimtare, dy vëllezërit ishin në shënjestër të forcave titiste-rankoviqiste. Në anën tjetër, argatët e regjimit okupator kishin izoluar këtë familje dhe denonconin lëvizjet e tyre dhe të shokëve të tyre.

Në prill të viti 1980, Tahir Meha, vëllai i Beqirit, bie në konflikt me policinë titiste të Kosovës dhe për disa muaj rresht jeton ilegalisht të miqtë dhe shokët e besës. Asokohe Tahiri lidh kontakte me të burgosurin politik Selman Berisha, bashkëveprimtar politik i Adem Demaçit dhe Zeqir Gërvallës. Demonstratat e rinisë studentore të Marsit dhe Prillit të vitit 1981, Tahir Nebih Mehës i dhanë zemër dhe forcë për të vepruar edhe më fuqishëm kundër forcave okupatore. Duke qenë se policia e Skënderajt dhe SPB-ja e Prishtinës ishte në dijeni të faktit se ai kishte armë dhe nuk i dorëzohej policisë, Sekretariati i Punëve të Brendshme të Kosovës, në bashkëpunimin me Sekretariatin e Serbisë dhe atë federal, vendosin ta rrethojn shtëpinë e Tahir Mehës dhe ta detyrojnë të dorëzohet.

Data e rrethimit qe caktuar 13 maji, pikërisht “Dita e Armës” së Sigurimit jugosllav. Shteti policor titist, i dominuar nga Serbia hegjemone, atë ditë donte ta demonstronte forcën e vet e të shërbimit të sigurimit, edhe me një “fitore” më tepër në luftë kundër irredentizmit dhe nacionalizmit shqiptar. Pasi forcat policore kishin marrë leje nga Ali Shukriu, Azem Vllasi, Mehmet Maliqi e të tjerë krerë kolaboracionistë proverbë, herët në mëngjesin e 13 majit të vitit 1981, qindra pjesëtarë të njësive speciale dhe të ushtrisë jugosllave kishin rrethuar një rreze të gjerë veprimi rreth shtëpisë së Tahir Nebih Mehës.

Në thirrjen e policisë vendore për t’u dorëzuar, Tahiri ishte përgjigjur me vendosmëri, “jo për së gjalli”. Vendimin e të birit për të rezistuar dhe për të mos iu dorëzuar forcave okupatore, që kishin vrarë nxënës dhe studentë në Prishtinë dhe në disa qytete të Kosovës, e kishte mbështetur edhe ish-luftëtari i Shaban Palluzhës, Nebih Meha, babai i Tahirit. Të gjitha shtëpitë e lagjes Meha qenë rrethuar. Nën rrethim ndodhej edhe Beqir Meha me të gjithë anëtarët e familjes. Tahir Meha dhe Nebih Meha qëndrojnë trimërisht dhe bien heroikisht pas 20 orë luftimesh, duke luftuar ballë për ballë kundër forcave policore dhe ushtarake të Jugosllavisë. Në “Kullën e qëndresës” bien trimërisht babë e bir, Nebih meha e Tahir Meha.

E tërë familja Meha ishte ngulfatur me gazin helmues lotsjellës. Ishte plagosur edhe bija e vogël e Tahirit. Forcat vrasëtare jugosllave, atëherëë shpallën katër policë të vrarë dhe katër të tjerë të plagosur. Në vend të shënimit të një fitoreje më tepër kundër nacionalizmit shqiptar, Jugosllavia shënoi një turp të vetin më shumë në ngulfatjen e lirisë së shqiptarëve dhe në ndëshkimin mizor të një familjeje të varfër, në Prekaz të Drenicës. Në varrimin e Tahir dhe Nebih Mehës, në Prekaz, marrin pjesë vetëm pjesëtarët e familjes së ngushtë si dhe Shaban Jashari me bijtë: Ademin dhe Hamzën. Tahiri kishte lënë pesë bijat: Zaden, Bukurien, Antigonen, Sofinë dhe Salën, të cilat kishin pësuar nga gazi lotsjellës, ishin traumatizuar nga të shtënat, nga rënia e babait dhe e gjyshit të tyre të dashur. Beqir Meha kishte mbetur për të përjetuar mbi kurriz, jo vetëm shtypjen e dhunën e forcave pushtuese, por edhe barbarinë që u ushtrua kundër kësaj familjeje izolimin, yshtjen e atdhetare. Beqir Meha ka mbajtur kontakte ilegaliteti me legjendarin e UÇK-së, Adem Jashari, me bashkëluftëtarët e tij: Ilaz Kodra, Zenun Kodra, Fadil Kodra, Xhemë Kodra, Musë Jashari, Sahit Jashari, Sami Lushtaku, Besim Rama, Jakup Nura e të tjerë. Më 22 janar të vitit 1998, kur forcat serbe rrethojnë dhe sulmojnë shtëpinë e Shaban Jasharit, Beqir Meha me Emin Latin (i Riu), pozicionohen për sulm kundër forcave serbe.

Beqiri me Eminin dhe Nagip Mehmetin, ishte ndër të parët që kishte arritur te Jasharët. Më 27 shkurt të vitit 1998, me urdhër të komandantit Adem Jashari, Beqir Meha niset me një veturë në drejtimin Qirez, Likoshan, Gllanasellë. Me veturën tjetër ishte nisur edhe Musa Jashari. Urdhri i komandantit ishte që të merreshin informatat mbi dhunën që policia serbe po ushtronte mbi popullatën civile. Më 28 shkurt rreth orës 10.20 minuta, forcat policore serbe ndeshen në veturën e Musa Jasharit dhe fillon shkëmbimi i zjarrit. Lajmin për luftimet te Lisat Gjashtënjakë, Beqir Mehës ia kumton, Beqir Rexhepi nga Qirezi.

Në drejtim të vendit ku qenë zhvilluar luftimet nisen: Beqir Meha, Isë Ferati, Beqir Rexhepi, Xhemë Kodra, Skënder Gjeli, Zeqir Rexhepi e Rexhep Rexhepi. Në kohën kur vetura e policisë afrohet te shtëpia e familjes Ahmeti, Beqir Meha jep urdhër për sulm. Në luftime vriten katër policë serbë dhe shkatërrohet  vetura e tyre. Luftëtarët çlirimtarë arrijnë t’ua marrin armët policëve. Nga plagët që kishte marrë ndërron jetë luftëtari trim, Rexhep Rexhepi. Ndërkohë, gjatë luftimeve që u zhvilluan deri në orët e vona të natës kundër forcave serbe, në altarin e lirisë bie dëshmor edhe Beqir Brahim Rexhepi.

Kishin marrë plagët e para të lirisë: Musa Jashari, Sabit Lladrovci dhe Sabit Geci. Duke qenë se forcave serbe iu arrijnë përforcime të shumta, ndërsa në sulm qenë lëshuar edhe dy helikopterë, Beqir Meha urdhëron tërheqjen e luftëtarëve. Për shkak të humbjes së katër policëve, forcat serbe masakrojnë 24 pjesëtarë të lagjeve të Qirezit dhe Likoshanit. Më 4 mars 1998, Beqir Meha shoqëron legjendarin Adem Jashari për t’i vizituar tre të plagosurit: Musë Jashari, Sabit Lladrovci dhe Sabit Geci, të cilët ndodheshin duke u shëruar në një familje të fshatit Ticë, të Skënderajt. Gjatë kthimit në Prekaz, rreth orës 2.00 të datës 5 Mars, Beqir Meha, i fundit nga bashkëluftëtarët, ndahet nga legjendari Adem Jashari dhe daja i Ademit, Osman Geci. Vetëm tri orë më vonë, në mëngjesin e hershëm të 5 marsit të vitit 1998, fillon sulmi barbar serb kundër Kullës së Qëndresës, kundër familjes së legjendarit Adem Jashari.

Beqir Meha së bashku me Emin Latin dhe Nagip Mehmetin, nisen nga drejtimi i Prellocit për t’i shkuar në ndihmë Adem Jasharit. Aty hasin në kordonin e pathyeshëm të forcave serbe dhe barrikadohen në Lagjen e Kodrajve, ku po kështu kishte filluar rrethimi nga forcat armike. Prej marsit të vitit 1998 e deri më 25 mars të vitit 1999, Beqir Meha ka luftuar në rajonin e Zonës Operative të Drenicës. Ai kishte autoritet të pakontestueshëm, si i vëllai i Tahir Mehës, si biri i Nebih Mehës, por edhe si bashkëluftëtari i ngushtë i Jasharëve, e sidomos i Legjendarit Adem Jashari. Meqë ishte kalitur në burgje dhe ndër betejat e luftës, ai printe kudo ku ishte rreziku. Në mars të vitit 1999, në kohën kur kishte filluar ofensiva e dimrit në Drenicë, Beqir Meha me bashkëluftëtarë ndodhet në fshatin Rakinicë. Aty takohet me njësitin e fshatit Oshlan, i cili sapo kishte arritur me armatim nga Shqipëria. Duke qenë se luftimet zhvilloheshin në të gjitha anët, Beqir Meha merr përsipër për të ndihmuar luftëtarët në drejtim të Oshlanit, në Zonën Operative të Shalës.

Me qëllim për të kaluar me sukses, Beqir Meha kishte urdhëruar ushtarët që gjatë tërheqjes të mos parakalonin në grupe, por në njëshe dhe dyshe, për të krijuar distancë të duhur mes veti, në mënyrë që të mos befasoheshin nga ndonjë sulm i papritur i forcave ushtarake e policore serbe, që ishin dislokuar në të gjitha shtigjet nga ku supozohej se mund të kalonin çlirimtarët e Kosovës. Rreth orës 23 të natës së 25 marsit të vitit 1999, Beqir Meha, bie në pritë të forcave serbe. Pas një luftimi të ashpër ballë për ballë forcave të armikut, merr plagë të rënda vdekjepruese, duke kaluar nëpër fshatin Qubrel të Drenicës. Beqir Meha ka lënë bashkëshorten, Qamën, bijtë: Naserin, Enverin, Ilirin dhe bijat: Hanifen, Vahiden dhe Afërditën. Familjes Meha i ka dhënë “Mirënjohje” Shtabi i Përgjithshëm i UÇK-së, Ministria e Mbrojtjes e Qeverisë së Përkohshme të Kosovës, Kuvendi Komunal i Skënderajt dhe Shoqata e Familjeve të Dëshmorëve. (A. Q.)

Kontrolloni gjithashtu

Zabit Ahmet Shabandula (5.4.1964 - 29.3.1999)

Zabit Ahmet Shabandula (5.4.1964 – 29.3.1999)

Menjëherë pas 24 marsit të vitit 1999, pas bombardimeve të NAT0-s mbi forcat çetnike serbe, …