Besnik Tahiri: Boll më me retorikë nacionaliste kundër Kosovës!

Shefi i deputetëve të Aleancës, Besnik Tahiri, ka reaguar ashpër ndaj retorikës nacionaliste të politikanëve serbë kundër Kosovës, duke e cilësuar atë si manipulim elektoral dhe mashtrim të qytetarëve. Gjatë fushatës parazgjedhore në Serbi, para zgjedhjeve të parakohshme të 25 tetorit, Kosova është rikthyer në qendër të deklaratave të partive politike, si atyre në pushtet, ashtu edhe në opozitë. Sipas Tahirit, përdorimi i çështjes së Kosovës për qëllime elektorale bie ndesh me vlerat demokratike dhe synimet evropiane që Serbia pretendon se i ndjek. “Retorika politike dhe elektorale në Serbi, si nga partitë në pushtet, e edhe nga ato në opozitë, ndaj Kosovës, jo vetëm që është antidemokratike dhe në kundërshtim të plotë me vlerat dhe synimet evropiane që ky shtet pretendon t’i ketë, por është edhe një gënjeshtër dhe një mashtrim i hapur ndaj elektoratit në Serbi”, ka shkruar Tahiri. Ai ka rikujtuar se Kosova u çlirua më 12 qershor 1999, pas përfundimit të luftës dhe largimit të forcave të regjimit të Slobodan Millosheviqit, ndërsa më 17 shkurt 2008 shpalli pavarësinë. Tahiri ka përmendur edhe opinionin këshillëdhënës të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë të korrikut 2010, e cila konstatoi se deklarata e shpalljes së pavarësisë së Kosovës nuk kishte shkelur të drejtën ndërkombëtare. Duke iu drejtuar politikanëve serbë, Tahiri ka kërkuar përfundimin e asaj që e cilëson si propagandë nacionaliste, duke theksuar se statusi i Kosovës nuk mund të shndërrohet në instrument për sigurimin e votave. “Prandaj, boll më me manipulime, boll më me mashtrime elektorale dhe me retorikë nacionaliste! E vërteta nuk ndryshon sipas interesave të partive politike dhe as sipas fushatave elektorale. Kosova është e lirë. Kosova është e pavarur. Dhe realiteti i saj shtetëror nuk mund të zhbëhet me propagandë politike”, ka deklaruar ai.

Kontrolloni gjithashtu

Presidentja Shiroka-Pula u bën thirrje shqiptarëve të Luginës të votojnë për më shumë deputetë në Parlamentin e Serbisë

Presidentja e Kosovës, Justina Shiroka-Pula, u ka bërë thirrje shqiptarëve nga Presheva, Medvegja dhe Bujanoci …