Blerim Agim Saraçi (12.3.1980-2.4.1999)

Blerim Agim Saraçi (12.3.1980-2.4.1999)

Me shtrirjen e saj në trevën e Artakollit, në fshatrat rrëzë bjeshkës së Qyqavicës, fshati Gurakuq (ish-Gllavotin) i komunës së Vushtrrisë u bë bazë e fortë e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Shumë burra dhe djem të këtij fshati, kjo ushtri e lavdishme, i gjeti në gjendje gatishmërie për të ngjeshur armët e lirisë. Nga trungu familjar Saraçi, thirrjes së atdheut iu përgjigj një skuadër luftëtarësh, prej të cilëve 11 të derës së gjyshit të dëshmorit Blerim Saraçi.
Blerim Saraçi ka lindur më 12 mars të vitit 1980, në fshatin Gurakuq. Prindërit e tij, Agimi e Sadia, nuk kishin kushte më të mira ekonomike se shumica e shqiptarëve në Kosovën e robëruar, për t’i rritur pesë fëmijët e tyre: Lulëzimin, Blerimin, Burimin (i ndjerë), Luljetën dhe Valentinën. Për të siguruar ekzistencën ekonomike të familjes, babai i Blerimit, Agimi ishte detyruar të mërgojë në Bosnjë-Hercegovinë, ku punoi mbi dhjetë vjet në një ndërmarrje të Sarajevës. Ai punoi në këtë qytet deri në fillim të viteve 90 të shekullit të shkuar, kur atje plasi lufta midis boshnjakëve dhe hegjemonistëve serbë. Jetën e mërgimtarit, për shkak të nevojave ekonomike të familjes, sapo i kishte mbushur 16 pranvera, më vonë do ta shijojë edhe djali i dytë i Agimit, Blerimi, i cili, gati tre vjet rresht bëri punë stinore me mëditje në treva të ndryshme të Malit të Zi, si në Podgoricë, Tuz e të tjera. Nevoja për ta ndihmuar familjen, por edhe kushtet e përndjekjes policore serbe të shkollës sonë dhe të të rinjve shqiptarë, në vitet 90, nuk e lanë ta vazhdojë shkollën e mesme, të cilën e kishte regjistruar në Vushtrri, ndonëse shkollën fillore në fshatin fqinj, Strofc, e kishte mbaruar me sukses të dalluar. Për të vijuar së bashku me vëllanë, një vit më të madh, Lulëzimin, klasën e parë të shkollës fillore ai e kishte filluar në moshën 5-vjeçare. Përveç vëllait dhe kushëririt Shaban Saraçi, shok të pandashëm të shkollës ai kishte pasë edhe nxënësin Bektesh Haliti, dëshmor i kombit, i rënë në luftën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Në kohën e shtimit të fushatës serbe kundër shqiptarëve, nën pretekstin e kërkimit të armëve, në vitet 90 të shekullit të kaluar, në shënjestër të pushtuesit ishte vënë edhe familja e Blerimit. Me këtë pretekst, policia serbe, e stacionuar në fshatin e afërm Prelluzhë, e kishte kërkuar, por edhe e kishte arrestuar disa herë, të atin e tij, Agimin, gati sa herë që ai kishte ardhur nga Sarajeva në vendlindje. Duke qenë nën një presion të tillë policor, Blerimit i ishte bërë shprehi të hetonte gjithmonë lëvizjen e policisë serbe, e cila për të, tashmë identifikonte pushtuesin serb.
Urrejtja kundër robëruesit serb, Blerimit iu kishte shtuar sidomos me rastin e vrasjes kriminale, që ai kishte kryer në Likoshan e në Qirez. Në atë kohë ai ndodhej në vendlindje. Duke parë tmerrin që kishte shkaktuar policia serbe në këto dy fshatra të Drenicës, me rastin e pjesëmarrjes në ceremoninë e varrimit, Blerimi ia kishte thënë të atit, Agimit, vendimin për t’u mobilizuar në radhët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Dhe një ditë përcëlluese nga zjarri i luftës, në verë të vitit 1998, në prag të ofensivës së përgjithshme serbe kundër UÇK-së, duke përfshirë edhe trevën e Artakollit, Blerimi njofton familjen se së shpejti do të kthehet nga Mali i Zi në Kosovë, për t’u inkuadruar në luftë, ose do të shkojë në Shqipëri për t’u armatosur. Në kohën kur kishte bërë këtë telefonatë në familje, e cila për shkak të luftimeve të përditshme, tashmë ishte detyruar ta braktiste shtëpinë dhe ishte strehuar në fshatin Strofc, në realitet ai ndodhej në fshatin fqinj, Burim (ish-Bivolak). Ai kishte arritur në pikën ushtarake të këtij fshati me qëllimin e vetëm për t’u inkuadruar në UÇK, ëndërr që e kishte projektuar disa muaj më parë. Sprovën e parë të guximit e të shkathtësisë, ky luftëtar i lirisë e kishte kaluar me sukses që ditën e fillimit të ofensivës së gjerë të forcave serbe kundër pozicioneve të UÇK-së në këtë trevë, më 22 shtator të vitit 1998. Atë ditë, komandanti i Batalionit të Parë të ardhshëm të Brigadës 142 të UÇK-së, Aziz Bici, Blerimin e kishte ngarkuar me detyrën për bartjen e një minahedhësi, nga Zhilivoda, ku ndodhej shtabi i njësitit të atëhershëm të UÇK-së, në Gurakuq, ku duhej bërë rezistencë forcave serbe të vendosura në Prelluzhë. Konsiderata që do të fitojë te komandanti, me rastin e kryerjes së kësaj detyre ushtarake, do të bëjë që Blerimi ta meritojë snajperin e tij. Këtë armë snajperike e kishte në dorë edhe në çastin e rënies, më 2 prill të vitit 1999, në pozicionin e parë të pikës ushtarake në Strofc.
Me hyrjen në UÇK, dëshmori Blerim Saraçi u bë krah lufte i të atit, Agimit, axhës, Sheremetit, djemve të axhallarëve: Kujtimit, Gëzimit, Arbenit, Fitimit, Nuhiut, Samiut, Bejtullahut e Naimit; kushërirëve Ferki Saraçi, Bedri Saraçi, Fatmir Saraçi, si dhe i bashkëluftëtarëve të paepur: Gëzim Rama (dëshmor), Avdyl Klinaku, Faton Klinaku, Nezir Klinaku, Mehdi Nasufi, Nasuf Nasufi e të tjerë. Pikat ushtarake në të cilat veproi ai dhe njësiti i tij, përbënin vijën që përshkonte fshatrat rrëzë Çyçavicës, nga Pantina deri në Hade të komunës së Kastriotit. Blerimi, sulmonte me mospërmbajtje forcat serbe në pozicionet e tyre në Prelluzhë, në Ceravodicë e në vende të tjera përreth. Sa herë që këto forca kishin shtënë me armë në drejtim të pozicioneve të UÇK-së, Blerimi u ishte kundërpërgjigjur furishëm me snajperin e vet. Disa herë, aksione të armatosura kishte ndërmarrë edhe te ura mbi lumin Sitnicë në fshatin e banuar me serbë, Prelluzhë, i cili ishte edhe bazë e policisë serbe. Në pozicion lufte kundër forcave të pushtuesit serb, në mars të vitit 1999, atë dhe kushëririn e tij, Bedri Saraçi, i paraqiti edhe stacioni televiziv Euronjuz.
Meqenëse fshatit Gurakuq i kanosej rreziku i drejtpërdrejtë nga serbët e fshatit fqinj, Prelluzhë, Ushtria Çlirimtare e Kosovës e kishte paraparë si nevojë të ngutshme strategjike formimin e pikës ushtarake në këtë fshat. Prandaj, krahas pikave në Strofc e në Burim, në muajin prill të vitit 1998, pika ushtarake u formua edhe në Gurakuq. Njësitin e këtij fshati e formoi babai i Blerimit, Agim Saraçi, me kërkesën e Jashar Jasharit-komandant Duraku (dëshmor) e të bashkëluftëtarëve të tij, Bashkim Saraçi, Hashim Saraçi e Hajdar Saraçi. Ky njësit bashkëpunoi ngusht me njësitin e pikës së Burimit. Në këtë kohë, shtëpia e Blerimit ishte pikë vëzhgimi, por edhe bazë e njësitit të UÇK-së në këtë fshat. Për këtë arsye, në ofensivën e shtatorit të vitit 1998, forcat serbe e dogjën atë.
Pas riorganizimit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, në vjeshtë të vitit 1998, dëshmori Blerim Saraçi u sistemua në njësitin vëzhgues, në kuadrin e Batalionit të Parë të Brigadës 142. Përveç tij, në këtë njësit bënin pjesë Avdyl Klinaku, Avdi Hasani, Eset Klinaku, Sheremet Saraçi, Agim Saraçi e luftëtarë të tjerë.
Në fillim të pranverës së vitit 1999, sidomos pas fillimit të bombardimeve nga NATO-ja, pushtuesi serb, si kudo në vijat e frontit, po ndërmerrte sulme të tërbuara kundër pozicioneve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës edhe në trevën e Artakollit të Zonës Operative të Shalës. Një sulm i ashpër nga të tri drejtimet (verilindje, lindje, juglindje), u ndërmor edhe më 2 prill të atij viti. Forcat serbe, të pozicionuara në fshatrat Beçuk, Zhilivodë, në hyrje të fshatit Strofc e në disa vende të tjera, granatuan me armatim të rëndë, rrëzën e Çyçavicës, duke përfshirë edhe istikamet e fshatit Strofc, ku ndodhej Blerimi me bashkëluftëtarë. Vendi ku ndodhej bunkeri i tij konsiderohej si pozicioni i parë i pikës ushtarake të njësistit të UÇK-së në këtë fshat. Granatimi kishte vazhduar disa orë rresht dhe luftëtarët çlirimtarë, po ashtu ishin kundërpërgjigjur me armët që kishin në dispozicion. Në këtë shkëmbim zjarri, pak para mbrëmjes, bunkeri i Blerimit u godit nga një predhë topi. Një pjesë e saj përshkoi edhe trupin e tij. Aty pranë u plagos edhe bashkëluftëtari, Avdi Hasani, nga fshati Mihaliq i komunës së Vushtrrisë. Bashkëluftëtarët e tjerë të istikamit, Avdyl Klinaku, Mehdi Nasufi, Nasuf Nasufi dhe axha Sheremet Saraçi, bënë të gjitha përpjekjet për t’ia dhënë Blerimit ndihmën e parë, por çdo gjë ishte e kotë. Ai hyri në përjetësi, duke skuqur dheun e tokës stërgjyshore me gjakun e pastër rinor. Kjo rënie nuk i ligështoi shokët e tij të pushkës e të idealit, por i mobilizoi ata edhe më shumë për ta luftuar pamëshirshëm pushtuesin. Në atë çast, në bunkerin tjetër, vetëm disa metra larg nga ai ku kishte rënë Blerimi, babai i tij, Agimi po vazhdonte breshërinë kundër forcave serbe. Duke shtënë kundër tyre kishte qenë edhe vetë Blerimi, në momentin e goditjes nga arma serbe. Bashkëluftëtari i tij, Gëzim Rama, nga fshati Kollë i komunës së Vushtrrisë, i rënë dëshmor disa kohë më vonë, ishte betuar se do t’ia merrte hakun Blerimit. Dhe kështu kishte ndodhur. Një javë më vonë, në një aksion sulmi, ai kishte vrarë 8 militarë serbë.
Trupi i dëshmorit Blerim Saraçi, u varros të nesërmen, më 3 prill të vitit 1999, në lagjen Bardiqi të Gradicës. Ceremonia e varrimit u bë me nderime të larta ushtarake. Pas përfundimit të luftës, më 1 shtator të vitit 1999, trupi i tij u rivarros në Varrezat e Dëshmorëve në Bletajë (ish-Stanofc) të Vushtrrisë.
Prindërit, anëtarët e familjes dhe të gjithë të afërmit e tjerë, shokët dhe bashkëluftëtarët, dëshmorin Blerim Saraçi e kujtojnë përherë si një të ri me shpirt engjëllor, me shtat të zhvilluar, të dashur e bujar. Familja e tij ruan për kujtim fotografi të dëshmorit në uniformë të UÇK-së e me armë në dorë. Si shenja të tij ruhen edhe rroba dhe gjërat që kishte me vete, në momentin e rënies: letërnjoftimi, notesi me numra telefonash, kuleta dhe një shkrepse cigaresh.
Ministria e Mbrojtjes e Qeverisë së Përkohshme të Kosovës e ka nderuar familjen e dëshmorit Blerim Saraçi, ndërsa, komanda e Brigadës 142 e UÇK-së ka lëshuar fletëdëshminë, në të cilën shënohet data e inkuadrimit të tij në radhët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe data e rënies, 18.8.1998-2.4.1999. (N. M.)

Kontrolloni gjithashtu

Feriz Faik Guri (2.7.1970 – 22.4.1999)

Feriz Faik Guri (2.7.1970 – 22.4.1999)

Feriz Guri u lind më 2 korrik të vitit1970 në fshatin Nikaj të komunës së …