Blerim Muriqi: DERISA TË KETË GJEOPOLITIKË DO TË KETË PATRIOT E TRADHTARË. Fjalori i frikësimit, sinergjia e politikës kosovare!

Blerim Muriqi: DERISA TË KETË GJEOPOLITIKË DO TË KETË PATRIOT E TRADHTARË. Fjalori i frikësimit, sinergjia e politikës kosovare!

Te ne, zgjedhjet asnjëherë nuk janë vetëm zgjedhje. Ato nuk janë parë ndonjëherë si garë me programe, vizione ose zotime për politikat publike. Në vend të kësaj konkurrence, ato ngrisin bedenat e një referendumi emocional, ku partitë luftojnë për ta delegjitimuar njëra-tjetrën jo për atë që bëjnë, por për atë që gjoja përfaqësojnë: patriotizmin e pastër apo tradhtinë e fshehur.

Ky fenomen nuk vjen nga hiçi; është produkt i drejtpërdrejtë i pozitës gjeopolitike të Kosovës. Tensioni me Serbinë, varësia nga aleatët perëndimorë, frika se shteti mund të rrëshqasë në tatëpjetë i bëjnë partitë të kapin shtigjet e lehta drejt pushtetit. Përdorimi i këtij boshllëku në pasigurinë e madhe që këta faktorë determinojnë është biletë e sigurt për një vend në arenën tonë të lodhur, por që akoma po mban pilafi ujë e elektorati po ndjek marrëzinë e tyre.

Në një vend të vogël, të ri dhe të pambyllur në proceset shtetformuese, sikur është vendi ynë, gjeopolitika nuk është një temë e jashtme. Ajo vjen e bëhet gati sa tërësia e materies së vet politikës dhe përplasjes së saj të brendshme.
Çdo vendim i qeverisë lidhet e merr vlerësim a ç’vlerësim për raportet me Shqipërinë, SHBA-në, BE-në, NATO-n, KFOR-in, Serbinë apo diçka që pritet të ndodhë në Bruksel. Kjo pasiguri dhe braktisje e vetvetes vjen si rezultat i leximit të pamjaftueshëm që politikëbërja identitare kërkon.

Kapacitetet e munguara për ta bërë e përdorur politikën prodhojnë terrenin e rrëshqitshëm të kënetës ku partitë ndërtojnë artifice për të goditur njëra-tjetrën, si mjeti i vetëm i mbijetesës në skenë për rastin e madh të pushtetimit steril e vegjetues.

Fjalori dominues i fushatave te ne, sikur po ngjizet edhe ky i riu, edhe pse është i varfër, nuk themi dot se nuk është goditës dhe se nuk prodhon efektin e mbështetjes elektorale. Frikësimi i elektoratit është arma e vetme e përdorur në këto 25 vite të Kosovës së Re.

Janë krejt pak formulime, por shumë goditëse, dhe pa frikë mund të themi se ato tashmë janë slogane që kanë zënë vend e po e bëjnë namin: “Nëse e marrin ata pushtetin, Serbia ulet këmbëkryq në Kosovë”; “Ata po na vrasin”; “Nëse vijnë ata, rrezikon shteti”; “Vetëm ne e ruajmë interesin kombëtar”; “Ata janë të gatshëm ta shesin vendin”; “Ne të mirët, ata të këqinjtë”; “Ne të mirët kundër gjithë të tjerëve të këqinjëve”; etj.

Kosovën dhe neve na ka lodhur fakti që sa herë hapet ndonjë temë negociuese apo ndonjë perspektivë për vendin, tensionohet jeta institucionale. Ato shërbejnë vetëm sa për të ndërruar rolet: herë njëri shpallet “tradhtar”, herë tjetri “patriot”.

Partitë e dinë që një pjesë e elektoratit voton më shumë me ndjenja se me informacion. Vetë ato janë kujdesur ta jetësojnë këtë realitet. Vota e injorancës, ajo që lind nga frika, zemërimi, ndjenja e rrezikut kolektiv, është më e lehtë për t’u fituar sesa vota e arsyes së konsultuar, e cila kërkon program, llogari publike, kohë e veprime dëshmuese.

Kjo sjellje përjashton debatin politik, kritikën kërkuese dhe mjaftohet me sulmin verbal — mjetin e vetëm të mbetur për prodhimin e armiqve tradhtarë.
Në këtë luftë, qytetari e ka të pamundur të votojë për cilësinë e jetës. Ai, i kapur nga histeria e frikës se po humb gjithçka, voton për “mbijetesën e shtetit” në thesin e taborrit që ia ka dalë t’ia mbjellë frikën.

Kosova ende jeton në hijen e luftës dhe të statusit të saj të paplotë ndërkombëtar. Kjo e bën rrëfimin “patriot/tradhtar” instrumentin madhor të kapjes elektorale, ngase lidhet me emocione të pakapërcyeshme. Vetëm një çerek shekulli më parë ne ishim të pushtuar nën kërcënimin e shfarosjes.
Këto etiketa, që ia kanë dalë të bëhen gjuha e përditshme në komunikimin publik të përballjes dhe veshja e secilit cikël zgjedhor, shërbesën e madhe ua bëjnë pushteteve edhe për të shmangur përgjegjësitë për keqqeverisjen, qoftë për mungesën e reformave, qoftë për dështimet ekonomike, korrupsionin e veset tjera të batakut ku një pushtet i kapur përfundon.

Andaj mungon debati racional.

Ky binom, Patriot/Tradhtarë, e ngushton politikën në strofullën e të parit të pushtetit, tamam për xhepin e tij. Andaj ne kemi liderë me aureolë shpëtimtari të mesias, të cilët nuk lejojnë që debati të shtrohet në rrafshin e argumenteve, por e mbajnë atë me shtrëngesë në terrenin e akuzave morale, me ç’rast shtyhet qytetari te vota për flamurin e liderit dhe jo për programin e fatit të tij të jetësës.

Kjo mbrojtje nga ndëshkimi qytetar për keqqeverisjen po i vonon shumë integrimet euroatlantike, të cilat janë edhe vetë hapësira e vetme që na garanton vazhdimësi në rrugën e bërjes së vendit dhe hapjes së perspektivës për realizimin e idealeve që po ndjekim nëpër shekuj — bashkimin e vendit.

Në një situatë të tillë, vetiu vjen pyetja: A ka dalje nga ky rreth?
Binomi Patriot/Tradhtar e bën daljen jo të kollajtë dhe jo të shpejtë. Ka shumë faktorë, por le të listojmë disa të parët që po prodhojnë ngërçin e mosecjes me kapacitete të mëdha ndaljeje, të themi teha shpatash nëpër të cilat ecën kjo ndalje.

Së pari, na duhet një klasë politike që e pranon konkurrencën pa e kriminalizuar opozitën deri në tradhti.
Së dyti, na duhet një media që nuk e prodhon dhe ushqen frikën e opinioneve.
Së treti, na duhet Shqipëria në kapacitet të plotë të vëllait të madh.
Së katërti, ta rifitojmë besimin e miqve ndërkombëtarë, me theks SHBA-të. Dhe me realitetin e ri të ribërjes së kapaciteteve tona, na duhet normalizimi i plotë me Serbinë si dy fqinj të gatshëm për paqe po aq sa edhe për mbylljen e hesapeve, qoftë edhe me luftë.

Në rrethanë të tillë sikur jemi sot, ku gjeopolitika lëkundet nëpër apetite e mundësi dhe kur interesat e të mëdhenjve nuk çajnë kokën as për krimet mbi fëmijët e popujve në fatkeqësi kusuritjesh e interesash deri meskine, retorika Patriot/Tradhtar do t’u mjaftojë partive tona për tapetin e përplasjes elektorale. Mjerisht!

Teza “derisa të ketë gjeopolitikë do të ketë patriotë dhe tradhtarë” nuk është parullë, është diagnozë.
Ajo përmbledh logjikën e tërë politikës së Kosovës, ku frika nga jashtë ushqehet me përplasjet e brendshme, dhe ku konkurrenca zgjedhore kthehet në betejë morale për mbijetesë.
Në këtë terren, partitë nuk fitojnë duke bindur qytetarët, por duke i frikësuar ata me të këqiat që ua mveshit “tradhëtarëve“ oponenecës. Dhe derisa ky model të vazhdojë, zgjedhjet nuk do të jenë garë për qeverisje. Ato do të mbeten garë për kontrollin e emocioneve kolektive që “elitat” ta kapitalizojnë në ego, pushtet dhe zhvatje.

Kontrolloni gjithashtu

Zyrtari i lartë i PDK-së, Arsim Bajrami, nuk do të jetë më pjesë e strukturave drejtuese të partisë

Arsim Bajrami: DËSHMIA E WESLEY CLARC-E VËRTETA E LUFTËS NË KOSOVË

Gjeneral Wesley Clark, me dëshminë e tij para Gjykatës Speciale, po dekonspiron dhe rrëzon akuzën …