Ardhja në pushtet e Albin Kurtit ndodhi përmes një fijeje të hollë ideologjike, megjithëse populizmi, në vetvete, nuk është ideologji. Sidoqoftë, ashtu si shumë të tjerë në historinë e pushtetardhjeve, ai arriti ta përdorte populizmin si strategji dhe si instrument. Ndaj, duhet thënë: ia doli.
Nëse kjo ishte ide e tij apo një shtysë nga hijet e shërbimeve, siç vazhdon të thotë z. Haradinaj (dhe jo vetëm ai), tashmë ka pak rëndësi. Kryeministri Kurti e ka shterruar të mundshmen në tërësinë e asaj që mundi të nxjerrë nga dikotomia “Ne, të mirët – Ata, të këqinjtë, tradhtarët, plangprishësit.”
Tanimë, në eterin politik të Kosovës, po fryn një erë realiste e brezit të ri, që përpara mirëqenies shoqërore nuk njeh më kultin e figurave karizmatike: Rugova, Thaçi, Ramushi, as demagogjinë populiste që ushqehej nga gazmimi virtual i turmës, mbajtur gjallë përmes shantazhit publik të ushtruar nga armata digjitale e Vetëvendosjes.
Në sytë e secilit sot lexohet një tis zhgënjimi. Edhe ata që e besuan, edhe ata që kurrë nuk e besuan, në vetvete të gjithë donin që ai t’ia dilte — t’ia dilte për Kosovën.
Dhe si t’ia dilte, kur kurrë më parë si në këto pesë vite Kosova s’kish qenë kaq anemike ndaj pushtetit! Opozita e tronditur nga humbja e thellë dhe e pazonja në guximin për t’u marrë me temat e mëdha të vendit, nuk ndërmori asnjë aksion të mirëfilltë opozitar, ndërsa pushteti gjeti paqen në ngjashmërinë me pararendësit.
Përjashto simbolikën e PSD-së, të cilën e ngulfati vetë kreu i saj, duke i përfunduar aksionet plot materie dhe të pëlqyeshme për masën kritike të pakët, në filxhanin e mbushur me armiqësi dhe padurim personal.
Përtej kësaj përpjekjeje — të cilën ai vetë e mbyti me heshtje — pushteti gjeti paqen duke u bërë dëliri i vetvetes dhe dora e parë e shtetit.
Kjo mbeti e vetmja arritje e tij dhe shpurës që e ndoqi. Ndaj sot, kushdo e thotë; kush në vetvete, kush me zë të lartë: Ai është sikur ata.
Populizmi si strategji dhe instrument
Nga “Vetëvendosja” e viteve 2005–2013, e cila karakterizohej nga retorika antikoloniale ndaj UNMIK-ut dhe elitave të vjetra; “të shiturve, servilëve të kolonizatorëve që nuk e duan as vendin as bashkimin kombëtar me Shqipërinë mëmë”, lëvizja përfundoi në fjalimet e 2020-ës, ku Kurti shpalli “përdorimin e shtetit për drejtësi sociale.”
Ai e ndërtoi ngjitjen e tij mbi ‘dallimin moral’ mes popullit të pastër dhe pushtetarëve të korruptuar. Struktura e fjalës mbeti e njëjtë; ndryshoi vetëm armiku: dikur UNMIK-u, pastaj “klanet e pasluftës”, opozita dhe për fund mediat që e kritikonin. Kushdo që e kritikonte u pa armik dhe u trajtua i tillë nga armata digjitale. Një herë mendoj ta formonte një television të Vetvendosjes,. Shpejt hoqi dorë. Ai kishte kuptuar mesazhin e të qënit i pari që egoja ia mbante te hundët. Idenë për Tv të përbashkët të LVV-së e braktisi se nuk mund të duronte më bashkëautorësi e bashkëpronësi. Ai ishte njëshi dhe ia mësyu televizionit publik. Ai ishte vet shteti, ishte vet republika. Më nuk i duhej e treta sikur thirrte nga opozita i mjaftonte kjo që kishte qenë këtu prej çlirimit të vendit.
Gjithçka që po ndodhte nuk ishte domosdoshmërisht shenjë e konsekuencës, por e mungesës së zhvillimit ideologjik, vitet kalonin dhe Vetëvendosja mbetej peng i narrativës fillestare. Ndoshta këtë ngurtësi ia solli shkëputja e masës së madhe të kuadrove , e cila nuk e tumiri braktisjen e parimeve të deklamuara. Një brez i tërë që e ndoqi për idealin e vetëvendosjes morale e kombëtare, u përball me një pushtet që i ktheu idealet në slogane.
Deformimi i brendshëm u bë imponim, ndërsa dalja prej rreshtit – mëkat.
Ezaurimi i dikotomisë “Ne – Ata”
Në vitin 2021, kur VV fitoi mbi 50% të votave, zhurma ra. “Ata” u zhdukën, sepse pushteti u bë ajo pjesa e parë e dikotomisë “Ne”. Thuhet, se egoja e ngritur në pushtet nuk njeh ekzistencë tjetër. Sipas tyre, kishim ardhur në fundin e historisë: “Pushteti jemi ne. Gati sa nuk thanë: “Tani e tutje popull nuk ke nevojë të mendosh, sepse ne jemi Republika!”, Dhe ata vërtetë u bënë Republika në gjithçka e kudo!
Kjo e bëri të pamundur ruajtjen e ndarjes morale që i kishte dhënë jetë lëvizjes. Mungonte pjesa e dytë e ekuacionit, ajo që e bënte dikotominë, mungonin “Ata”, të këqinjtë. Opozita ishte inegzistente.
Fashitja për vdekje e opozitës, shpesh në shembuj banalë, e la pushtetin rinosh të ekspozuar ndaj syrit kritik, që domosdo një ditë do të përlindte “masën e re kritike, sikur po e lind. Por, Kurti me shpurën e tij nuk ia lanë fatin rastit vepruan me të gjithë mekanizmat që trashëguan dhe që ua dha pushteti.
Në praktikën e nuhatjes që kanë demagogët e sistemit, për të mbajtur gjallë frymën e përjashtimit, duhej medoemos krijuar sërish faktori “armik”. Meqë, opozita nuk përbënte më armikun aktiv për armiq të rinj u ricikluan: gazetarët, OJQ-të, institucionet e pavarura, madje edhe partnerët e koalicionit, si Agim Veliu me LDK-në, apo si përflitet, vetë presidentja Osmani, së cilës tashmë “ia kanë prerë ditët”.
Kështu, retorika e ndarjes u zëvendësua me shënjestrimin e brendshëm, tipar klasik i krizës së populizmit në pushtet.
Egoja e ngritur në pushtet
Në momentin kur pushteti bëhet identitet, çdo kritikë përjetohet si sulm personal dhe çdo kundërshtarë si armik.
Kështu ndodh me liderët që vijnë nga lëvizje morale: ata fillojnë duke përfaqësuar një kauzë dhe përfundojnë duke përfaqësuar vetëm veten. Kurti, që dikur fliste në emër të “popullit të shtypur”, sot flet në emër të “vetëdijes shtetërore”, një koncept që përjashton këdo që nuk pajtohet me të.
Ai nuk udhëheq më një lëvizje, por një pasqyrë: atë të vetvetes së projektuar si moral kombëtar.
Prandaj i duhet armata inkuizicioniste.
Armata digjitale – inkuizicioni modern
Rrjetet sociale të afërta me VV-në, të njohura si “aktivistët digjitalë”, krijuan një atmosferë ngulfatjeje në debat. Çdo zë kritik, nga brenda apo jashtë partisë, u etiketua si “i blerë” ose “armik i popullit.” Kjo kulturë e linçimit virtual e ktheu debatin publik në mjet kontrolli dhe vrau një nga një hapësirat e lirisë. Ky mekanizëm u bë membrana mbrojtëse e demagogjisë, paprekshmëria e një shpure që dita-ditës po han këdo që guxon të matet me hijen e mëngjesit.
Ngjashmëria me pararendësit
Ashtu si qeveritë e mëparshme, edhe ajo e Kurtit shfaqi një centralizim të plotë të vendimmarrjes.
Emërimet partiake në borde, negociatat e mbyllura me Serbinë dhe sjellja paternaliste ndaj institucioneve të pavarura janë dëshmi të qarta se pushteti i ri u bë kopja morale e atyre që dikur i quante “të shitur”.
Për të qenë të sinqertë, duhet thënë: ai e përçoi deri në fund arrogancën e pushtetit.
Nga spektakli i keqpërdorimit të pushtetit e deri te armiqësimi me këdo (brenda e jashtë vendit), çdo zhvillim e dëshmon të njëjtën gjë: Ai është më keq se ata.
Këto nuk i them për të shënuar një dikotomi të re midis së mirës e së keqes – sepse s’ka më një të tillë. të gjithë janë njësoj. Vetëm se, Albin Kurti me shpurën e tij ka zbritur gjithë rrathët e së keqes, dhe pilafi më nuk mban ujë.
Kështu kemi ardhur në fundin e demagogjisë. Ky fund po e nxjerr Albinin me shpurën e tij në një zhvendosje të plotë dikotomike: Tashmë, të gjithë janë “Ata”.e filloi duke qenë “NE“ po e përfundon duke qenë “ATA“.
Derisa të mos kuptojmë se demokracia është vetë përballja e të mirës me të keqen, në domosdonë e bashkëjetesës në konkurencë që imponon përkatësia, Kosova jonë do të mbetet pa dikotominë, do t‘i kemi vetëm “Ata” – të këqinjtë.
Radio Kosova e Lirë Radio-Kosova e Lirë, Radio e luftës çlirimtare, paqes dhe bashkimit kombëtar, Zëri i lirisë, besnikja e pavarësisë dhe e bashkimit të shqiptarëve.
