Në Kosovë, përçudnimi, përtej të qenurit modë, është shndërruar në mënyrë jetese. Është e natyrshme që në shoqëritë me kriza të thella të rrënohen muret morale. Në vazhdën e mendimit të Émile Durkheim-it për anominë – gjendjen kur normat morale dobësohen në kohë krizash ekonomike e shoqërore – mund të thuhet se shpërbërja e rendit normativ sjell pikërisht këtë rrëshqitje: një shoqëri që humb busullën morale.
Pyetja që lind natyrshëm është: çfarë u shpërbë në LDK nga rregulli normativ? Përgjigjja ironike do të ishte: asgjë. Sepse ajo, në thelb, nuk arriti kurrë të ndërtojë një rend të konsoliduar normativ; jetoi për vite nën diktatin e një tabuje të vetme – “Ai i di të gjitha” – kultit të Rugovës, i cili u shndërrua në mburojë dhe njëkohësisht në pengesë për ndërtimin e brendshëm.
Hapat e fundit drejt majës partiake, që shpesh e kapërcejnë arsyen, ngjajnë me thënien popullore: “kafshata e madhe pa pak marre nuk hahet”. Kjo shpreh jo vetëm etjen për pushtet, por një ekzistencializëm të shtrembëruar politik, ku mbijetesa në skenën e madhe bëhet qëllim në vetvete. Në këtë kuptim, ambicia për majën partiake, përtej çdo çmimi, merr trajta që ngjajnë me një pragmatizëm brutal të tipit saliberishian: pushteti si qëllim, jo si mjet.
Në filozofinë e Nietzsche-s, maja arrihet përmes kapërcimit të vetvetes, përmes aktit krijues dhe tejkalimit të frikës. Por LDK-ja, e mbetur peng e arsyes së ftohtë dhe e diskursit të “vrasjeve politike” të pasluftës, nuk arriti të prodhojë atë akt krijues që do ta çlironte nga hija e vet. Ajo nuk e realizoi kapërcimin e vetvetes; mbeti në rrethin e justifikimit dhe viktimizimit.
Historia e re e Kosovës nuk mund të kuptohet pa peshën që ka pasur LDK-ja si realitet politik dhe si fenomen shoqëror. Një lëvizje popullore që në vitet më të vështira dhe njëkohësisht të mbrapshta për Kosovën u mor peng nga një projekt i shërbimit sekret serb, sikur e thotë Mehmet Kraja te “Vitet e humbura”, dhe nuk ia doli asnjëherë të dilte nga ato duar të liga. Thyerja e madhe që solli konflikti i gjeneratave në LDK përqartësoi fundin e kësaj ngrehine pa bosht, e cila deri atëherë kishte një mbështjellës të forte, rugovizmin, nën të cilin, në mungesë të pushtimit serb, ajo vegjetoi. Viktimizimi, ky kafaz i projektuar për shqiptarët në Francuska 7 të Beogradit për faktor homogjenizimi të masave në shërbim të manipulimit dhe përdorimit, pas çlirimit u tkurr në dimensionin imagjinar të luftës civile, por në opinion u dha si pasojë reale, me çka në terrenin politik prodhoi rezultate të ndjeshme, të cilat prej dekadash thuhet se diktohen nga BIA dhe KOS-i serb përmes një dore të fshehtë, por tepër dhe përherë të pushtetshme.
Rënia e madhe e LDK-së i ka frikësuar liderët e rinj të saj, të cilët, nën efektin e frikës për fatin e tyre, edhe pse në pakohën e gjësë, u rikapën te “vrasjet politike” pa i parë gjërat në sy. Elektorati i LDK-së është po aq shqiptar sa edhe ata që po e ndiejnë padrejtësinë e Hagës. Ai bashkëndjen përdhosjen që Dhomat e Specializuara po ia bëjnë vendit tonë dhe Luftës sonë Çlirimtare, lirisë sonë. Ai elektorat ka dashur një shtëpi politike shqiptare, në të cilën ka besuar se përfaqëson identitetin e tij shqiptar e moral. Dhe sot, kur e kupton sa e fëlliqur është ajo nga brenda dhe sa i tradhtuar është ai si elektorat e si shqiptar, padyshim që do të rrjedhë drejt një besimi të ri, në kërkim të vetvetes, atje ku do të ndihet i plotësuar. Rritja e beftë e LVV-së këtë shpjegim ka.
Serbia ka investuar shumë dhe po investon në vazhdimësi, sikur thuhet edhe nga oponenca në Serbi, për destabilizimin e Kosovës dhe paraqitjen e saj para bashkësisë ndërkombëtare si një shtet i pabëshëm. Radikalizimi islamik brenda shoqërisë sonë dhe goditja e imazhit të UÇK-së, duke e kriminalizuar atë me deklarata të kurdisura, janë dy shtyllat ku Serbia e ka fokusuar objektivin e saj përmes agjenturave të veta. Vrasjet politike, që janë gjetje e saj, duhet të hetohen së pari në gjirin e saj. Zërat e zhurmshëm e të pandalshëm, nëse rezultojnë argatë të Serbisë, duhet të ndiqen nga organet ligjzbatuese. Ata mund të kenë qenë edhe shtrati nga ku shërbimet serbe kanë realizuar goditjet.
Kjo dorë përherë e fortë brenda LDK-së e ka përdorur këtë shtëpi të madhe të besimit popullor për ta vënë përballë çlirimtarëve. Kontributet e kësaj dore në goditjen e tyre me të bëmat e saj kanë bërë që shoqëria jonë të jetojë në tension të përhershëm. Këtë fitore Serbia nuk ka si ta humbë, andaj e mban të gjallë guximin e kësaj tradhtie përmes zërave zhurmues e linçues, duke e fshehur mirë nën siglën e partisë ikonë.
Mosvotimi i Rezolutës për mbështetjen e ish-krerëve të UÇK-së në Hagë nga këto mbetje në LDK nuk është vullnet i elektoratit të saj, ani pse mund të ketë zëra të pavetëdijshëm apo të shitur te shërbimi për Serbinë. Ky mosvotim duhet të shihet në optikën e fajit ndaj Kosovës që mban kjo dorë e fshehur dhe përherë e fortë brenda LDK-së, e cila po përpiqet që, bashkë me elektoratin që po rrjedh drejt Vetëvendosjes, të gjejë strehë të re. Por Vetëvendosja, me votimin e rezolutës, ua bëri me dije se nuk do ta ndjekë atë rrugë, duke u bërë kështu shtëpi e sigurt për elektoratin e pafajshëm të LDK-së.
Kjo dorë e fshehur, përherë e pushtetshme brenda LDK-së, do të mbetet me ashtin e fundit të Serbisë në dorë, sepse nuk do të ketë kujt t’ia shtrojë në sofër. Braktisja e elektoratit është edhe thirrje e madhe për drejtësinë që të fokusohet te kjo dorë e pushtetshme, për të mësuar të vërtetën për vrasjet e pasluftës – jo vetëm për atë listë të ngushtë që tundet herë pas here, por për një listë më të gjerë, ndoshta me shifra që shkojnë përtej disa qindrave.
LDK – përmes mosvotimit – po shkon drejt ashtit të fundit, i cili do t’i mbetet në fyt pikërisht asaj dore të fshehtë, përherë të fortë, zgjatjes serbe.
Radio Kosova e Lirë Radio-Kosova e Lirë, Radio e luftës çlirimtare, paqes dhe bashkimit kombëtar, Zëri i lirisë, besnikja e pavarësisë dhe e bashkimit të shqiptarëve.
