Bujar Beqir Shala (20.3.1978 – 29.3.1999)

Bujar Beqir Shala (20.3.1978 – 29.3.1999)

Dëshmori Bujar Shala, u lind më 20 mars të vitit 1978, në fshatin Rashiq të Pejës. Familja e tij brez pas brezi i doli zot atdheut, pa kursyer mundin as gjakun për lirinë e tij. Përpjeket shekullore të popullit shqiptar të kësaj treve, për familjen e dëshmorit Bujar Shala kanë nga një histori më vete, e posaçërisht lufta e fundit, në të cilën mori pjesë familjarisht. Në radhët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës ishte radhitur djalëria e Rashiqit, ndër të cilët edhe Beqir (Hamëz) Shala me tre të bijtë: Bujarin (dëshmor), Haxhiun e Agronin. Kontribut të çmueshëm dhanë edhe tre bijtë e tjerë të tij, që ndodheshin në mërgim: Shefqeti, Muhameti e Ismeti, të cilët në mënyra të ndryshme e ndihmuan luftën çlirimtare, qoftë me mjete materiale për blerjen e armatimit dhe gjërave të tjera të nevojshme për luftën, qoftë rreth organizimit. Shtëpia e Beqirit ishte shndërruar në një strehimore të të zhvendosurve nga vendbanimet e përfshira në luftë. Prindërit e dëshmorit Bujar Shala, Beqiri e Gjylzadja, patën tetë fëmijë të cilët nuk kursyen asgjë për lirinë e Kosovës.
Bujari shkollën fillore e kreu në fshatin Kryshec, ndërsa të mesmen, Gjimnazin “Bedri Pejani” në Baran të Pejës, kurse në vend të studimeve zgjodhi rrugën e luftës për lirinë e atdheut.
Në vitin 1996 familja e Bujarit ishte rrethuar nga policia serbe, me pretekst të kërkimit të armëve. Në atë kohë e arrestuan vëllain e dëshmorit, Ismetin, me pretekst se derisa gjendej në Norvegji kishte organizuar grumbullimin e mjeteve financiare për blerje të armatimit.
Duke ditur të kaluarën e familjes së tij dhe rrethanat që mbizotëronin në atë kohë, Bujari gjen mënyrën për t’ju përgjigjur zërit të atdheut. Kështu, në vitin 1997 vuri kontaktet me dajën e tij, Sadri Berishën (dëshmor), prej të cilit informohet për Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës, e cila vepronte në ilegalitet.
Bujari si 20-vjeçar u bashkohet radhëve të UÇK-së, në fundmarsin e vitit 1998. Me kohë ishte përcaktuar për rrugën e lirisë, ndaj ndiente kënaqësi që kishte fatin të jetë ushtar i UÇK-së. Ushtrimet ushtarake i kreu në Shtabin e UÇK-së për Rrafshin e Dukagjinit në Gllogjan, nën drejtimin e komandantit Bedri Shala (hero i kombit). Këso kohe nga Shtabi i Gllogjanit shkon në Shqipëri, për të sjellë armë të lirisë.
Më 21 prill 1998, forcat serbe ndërmorën ekspeditë të gjerë kundër fshatrave Baballoç e Gramaqel. Ky sulm paraqet fillimin e operacioneve të pandërprera të forcave serbe në rajonin e Dukagjinit, njëherësh edhe pjesëmarrjen direkte të ushtrisë serbe në operacione luftarake. Mirëpo ishin luftëtarët e UÇK-së që iu përgjigjën kësaj ushtrie. Në mesin e luftëtarëve trima që morën pjesë në këtë betejë ishte edhe luftëtari Bujar Shala dhe mitralozi i tij nuk pushonte së shkrepuri.
Duke parë vendosmërinë për luftën çlirimtare, shkathtësinë dhe përgatitjen e Bujarit, komanda e Shtabit Operativ të Rrafshit të Dukagjinit, e UÇK-së e dërgoi Bujar Shalën me disa bashkëluftëtarë të tij për operim në rajonin e Lugut të Baranit, përkatësisht në fshatin e tij të lindjes, Rashiq, për të ndihmuar organizimin e mbrojtjes dhe shtrirjen e organizimit të UÇK-së.
Vëllai i dëshmorit, Haxhiu, që punonte në mërgim, bashkë me bashkëfshatarë të tjerë grumbullojnë mjete financiare për të blerë armë. Kthehet në Shqipëri, ku siguron sasi të konsiderueshme të armëve, e më pas merr rrugën e mundimshme për në Kosovë. Ndërkohë edhe vëllai tjetër i dëshmorit, Agroni, i ndërpret studimet në Universitetin e Prishtinës dhe u bashkohet vëllezërve në luftë. Ata gjithnjë e patën edhe mbështetjen e babait të tyre Beqirit, qoftë duke u dhënë kurajo për luftë, qoftë duke bërë roje në pikat e vështrimit. Këso kohe Bujari veproi në kuadër të Shtabit Lokal të UÇK-së në Rashiq. Veproi si pjesëtar i Njësisë Speciale, e cila intervenonte në vija të luftës, kudo që paraqitej nevoja. Veç pjesëmarrjes në betejën e Baballoçit e të Gramaçelit, Bujari mori pjesë edhe në luftimet e zhvilluara në Loxhë, në Gllogjan të Pejës, në Bokshiq, Kijevë, Çeskovë, Milqeviq, Kryshec, te Përroi i Gërvallës, në Vranoc, Raushiq, Jabllanicë, Gllogjan të Deçanit, Dubravë etj. Kudo tregoi guxim e heroizëm të pashoq.
Në historinë e UÇK-së, një kapitull të veçantë zë edhe furnizimi me armë, ku vetëm në kufirin e dhunshëm shqiptaro-shqiptar ranë për të mos vdekur kurrë shumë prej luftëtarëve më të mirë. Edhe pse të ndodhur përballë forcave të shumta pushtuese serbe, të koncentruara përgjatë gjithë brezit kufitar me qëllim të ndërprerjes së furnizimit me armë që ishte aorta kryesore e luftës sonë, liribërësit nuk e ndalën rrugëtimin për asnjë çast, edhe pse ishin të vetëdijshëm se në çdo hap i priste vdekja. Kështu ndodhi edhe në rastin e Bujar Shalës me bashkëluftëtarë. Më 28 mars 1999, grupi i përbërë prej dyzet e katër luftëtarëve të pajisur mirë me armatim niset sërish nga fshati Vlahnë e Shqipërisë për të marshuar drejt Kosovës, edhe pse e dinin se në brezin kufitar, sidomos pas fillimit të sulmeve ajrore të NATO-s ishin përqendrur forca të shumta serbe me arsenal të rëndë luftarak. Kishin kaluar kufirin. Kishin hyrë brenda në thellësi të territorit të Kosovës, të lodhur e të rraskapitur nga pesha e rëndë e rruga e gjatë dhe e mundimshme. Pas mesnatës, rreth orës 2.15 minuta të 29 marsit 1999, në vendin e quajtur Çerret mbi Shishman të Bokës, në një pozicion mjaft të papërshtatshëm për luftime, luftëtarët e lirisë bien në pritën e forcave serbe.
Të gjendur në mes të zjarrit të gërshetuar të mitralozëve të rëndë, në betejë të pabarabartë bien heroikisht katërmbëdhjetë luftëtarë të lirisë, kurse njëmbëdhjetë të tjerë plagosen rëndë e lehtë. Shumica prej të rënëve e kishin mbushur vitin nëpër fronte të ndryshme të luftës, ishin dalluar e kishin bërë emër në beteja të njëpasnjëshme, shumë prej tyre plagët ua kishin hijeshuar shtatin në beteja të rrepta frontale në Zonën e Dukagjinit, të Drenicës e të Pashtrikut. Por këtë ditë, në momentet më të vështira për popullin dhe fatet e luftës çlirimtare, dëshmorët Bujar Shala, Armend Qymyri, Besim Rama, Bujar Syla, Florim Sejdiu, Ibrahim Asllani, Jahja Danuza, Jashar Jashari-Komandant “Duraku”, Kadri Berisha, Mehdi Zabeli, Mon Maçi, Naim Avdiu-Lata, Nuhi Elezaj e Xhemajl Avdullahu po e shkruanin bashkërisht historinë e lavdishme. Eshtrat e këtyre dëshmorëve, në ditët e para të lirisë, më 30 qershor 1999, në një arkivol të përbashkët u varrosën me nderime të larta ushtarake. në Varrezat e Dëshmorëve në Gjakovë.
Dëshmori Bujar Shala nuk ka qenë i martuar. Emrin e axhës dëshmor, sot e mban me nder djali i vëllait, Haxhiut. Familja Shala është nderuar me mirënjohje të shumta për djalin dëshmor si nga Qeveria e Përkohshme e Kosovës, Komuna e Pejës, Komanda e Zonës Operative të Dukagjinit, Shoqatat e dala nga Lufta e UÇK-së etj. Katërmbëdhjetë dëshmorëve të rënë në Shishman të Bokës u është ngritur pllaka përkujtimore në vendin e rënies. Në vendlindjen e dëshmorit, është ngritur përmendorja e përbashkët e dëshmorëve dhe martirëve të Rashiqit, në të cilin janë skalitur emrat dhe portretet e pesë dëshmorëve: Bujar Shala, Agush Gjocaj, Sylë Bezeraj, Fadil Bezeraj dhe Demë Shala. (F. R.)

Kontrolloni gjithashtu

Feriz Faik Guri (2.7.1970 – 22.4.1999)

Feriz Faik Guri (2.7.1970 – 22.4.1999)

Feriz Guri u lind më 2 korrik të vitit1970 në fshatin Nikaj të komunës së …