Brickos

Jahja Rejhan Danuza (27.4.1971 - 29.3.1999)

Jahja Rejhan Danuza (27.4.1971 – 29.3.1999)

Ndërsa në Prekaz të Drenicës e në Gllogjan të Rrafshit të Dukagjinit zhvilloheshin luftimet ndërmjet luftëtarëve të lirisë dhe forcave çetnike serbe, në Rrafshin e Anadrinit formohen këshillat e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe vlonin përgatitjet për të dalë haptazi kundër të gjitha formave të dhunës që ushtronte policia serbe kundër popullatës së pambrojtur shqiptare. Përgatitjet e këtilla zhvillohen edhe në Rahavec, veçanërisht pas themelimit të dhjetësheve lokale të Hasit e pas daljes së formacionit të parë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në fshatin Drenaj, më 26 prill të vitit 1998. Ndikim relevant për rahavecasit kishte lajmi se Xhelal Hajda, me nofkën Toni, kishte depërtuar në Gllogjan dhe se Selajdin Mullabazi – Mici, e Hamdi Mullaliu – Rrushi, gjendeshin në Likoc. Në radhën e “Djemve të Rahavecit” që shpejtonte për t’u bashkuar me shokët, në Prekaz, në Gllogjan, apo edhe në Drenaj, u shqua dëshmori i kombit Jahja Rejhan Danuza nga Rahaveci.
Jahja Danuza është i lindur në pranverën e vitit 1971, më 27 prill, në Rahavec. Rrjedh prej një familjeje të varfër zejtare, por të njohur për veprimtari kombëtare. Të parët e Jahjasë ishin shquar si atdhetarë, luftëtarë në zë, veçanërisht kundër bandave serboçetnike, e veçanërisht i njohur ishte Malush Rahaveci me çetën e tij të njohur. Edhe babëgjyshi i Jahjasë, kafenenë që e kishte në ,,Gurra” të Rahavecit, me kohë e pati shndërruar në çerdhe për organizimin e rezistencës kombëtare kundër regjimit antishqiptar titist.
Shkollën fillore e kreu në vendlindje, mirëpo nuk i kishte kushtet për ta vazhduar të mesmen, pasi babai, Rejhani dhe nëna Habibja, me katër fëmijë; dy djem e dy vajza e me një zejtari të lodhur, e me të ardhura të një punëtori, as që mund të mendonte për shkollimin e bijve në shkollat e mesme. Megjithë kushtet e vështira, Jahja Danuza punësohet, afirmohet si sportdashës, dhe mbaron shkollën e mesme në Rahavec. Gjatë shkollimit dhe punës, asnjëherë nuk lë anash veprimtarinë organizative të formave të ndryshme për manifestimin e revoltave gjithëpopullore.
Me formimin e Shtabit Operativ Lokal të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës për shtrirjen kah Anadrini, Jahja Danuza, është së bashku me Xhelal Hajdën dhe Selajdin Mullabazin në shkollën fillore të fshatit Astrazub dhe menjëherë fillon veprimtarinë konkrete në rrafshin logjistik dhe operativ. Kishte përgatitje të duhur fizike; sportist e korpulent, i shkathët dhe i gatshëm si për aksione guerile, ashtu edhe për front. Xhelal Hajda – Toni, menjëherë e sistemon në skuadrën “Dallëndyshet”, me detyrë që të depërtojë nëpër korridorin logjistik Shqiponjë – Gllogjan – Bajram Curr. Jahja Danuza këtë rrugëtim e merr me shokët: Selami Merxha, Selami Hajrullaga, Ilvi Salihmusa, Hasan Rexha, Selim Shabandula, Bilall Durguti, Dritan Hamza, Mehmed Tara, Shaban Jupa, Sabit Jupa, Fazli Hasani, Behar Haxhimustafa, Fadil Durguti e Samir Nurkasa, të gjithë nga Rahaveci.
Aktivitetet luftarake, Jahja Danuza i zhvillon në pozicionet: “Maja e Shkodranit”, “Rrasat e Rahavecit”, “Ura e Aliagës” dhe “Rrihjet e Rahavecit”, ndërsa shkëlqeu me heroizëm e trimëri në betejën te “Lugu i Shqipeve” më 26 korrik të vitit 1998, në të cilën thërmohen tërësisht formacionet serbo-çetnike që vinin prej “Rrasave të Rahavecit” në drejtim të Malishevës. Edhe pse i lodhur në këtë betejë, ndër më të lavdishmet në Rrafshin e Anadrinit, luftëtari Jahja Danuza pranon që, së bashku me Asllan Kleçkën, dëshmor i kombit dhe Hamdi Mullaliun, luftëtar i lirisë, të depërtojë në Rahavecin e djegur. Për të hyrë, zgjedh korridorin prej Zatriqi nëpër Drenaj, Nushpal, Burim i Epërm, Burim i Poshtëm, Kryqi i Rrastojës, Ura e Dervish Hamzës e Vorret e Shtavicës, për ta bërë tërheqjen e një pjese të rahavecjanëve të mbetur, por edhe të trupave të pajetë të Sanije Alirifës, Ferat Dakës dhe të Fatime Bugarit, që ishin vrarë ndërsa tërhiqej popullata e Rahavecit. Gjatë kthimit, treshi i Jahjasë, sulmon forcat paramilitare serbe pranë Burimit të Epërm, “Maqinave”, “Kazanave”, “Shpatit të Remnikës” dhe depërton deri në “Rrasat e Rahavecit”.
Me braktisjen e pozicioneve veriore, Jahja Danuza i prin një skuadre për të depërtuar sërish në Rahavec, por nga verilindja; nëpër Pagarushë, Dabërdelan, Samadraxhë, Apterushë, Reti, “Izbisht”, Hoçë e Vogël, “Malet e Brestosit” e “Rrihjet e Rahavecit”. Por, Xhelal Hajda – Toni, i mbetur pa material luftarak, vendos për ta riarmatosur batalionin, prandaj edhe Jahja Danuza udhëton për Shqipëri. Ushtron nëpër stërvitore dhe disa herë përpiqet për të hyrë në Kosovë, por shtimi i forcave serbe nëpër vijën kufitare e pengonte këtë dëshirë, veçanërisht pas rënies së grupit të Xhelal Hajdës – Tonit, Muhamet Malsorit, Mujë Krasniqit, e Agim Zenelit nëpër Reti, Garazhup, Lug të Zi e Rogovë, kur thyerja e kufirit vështirësohet edhe më shumë.
Dhe, më në fund, më 28 mars të vitit 1999 zgjedhet dhe niset grupi prej dyzetekatër luftëtarëve shumë të përgatitur, të pajisur me armatim tejet modern i cili nuk ishte parë më herët në formacionet e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, niset nga Vlahna e Hasit për ta thyer kufirin duke marshuar kah Kosova. Grupi me të cilin ishte edhe Jahja Rejhan Danuza, i sistemuar me djelmoshat elitorë të brigadave të Zonës Operative të Rrafshit të Dukagjinit, e kishte parasysh se në vijën kufitare, gjatë ditëve të marsit, veçanërisht pas bombardimeve të NATO-s, ishin shtuar forcat kufitare, madje edhe ishin pajisur me arsenal të rëndë luftarak. Grupi kalon kufirin, duke u tërhequr gjithnjë nga e majta dhe depërton në thellësi të Kosovës. Të gjithë ishin të këputur nga lodhja e madhe, duke u ngjitur shkrepave me peshën e barrës së rëndë të zjarrit të lirisë, gjë që ishte e zakonshme për Ata që bartën “Zjarrin e Lirisë”. Pas mesnatës së 29 marsit, kah ora 2,15 minuta, mbi Shishman të Bokës, te “Livadhet e Gata”, grupi bjen në pritë të kurthuar në mënyrë të porositur e të vendosur në një pozicion të papërshtatshëm për luftime. Në këtë betejë të përgjakshme te “Livadhet e Gata” marrin përjetësinë katërmbëdhjetë luftëtarë të lirisë: Armend Sefedin Qymyri i Gjakovës, Besim Ali Rama i Botushës, Bujar Beqir Shala i Rashiqit, Bujar Esat Syla i Gjakovës, Florim Elez Sejdia i Smolicës, Ibrahim Kadri Asllani i Devës, Jashar Zejnullah Jashari i Strofcit të Vushtrrisë, Kadri Muhamet Berisha i Pozharit, Mehdi Adem Zabeli i Lumit të Madh të Vushtrrisë, Mon Muhamet Maqi i Shishmanit, Naim Shain Avdiu – Lata, i Smolicës, Nuhi Haxhi Elezaj i Lubizhdës së Hasit, Xhemajl Idriz Abdullahu i Gjakovës dhe Jahja Rejhan Danuza i Rahavecit, ndërsa janë plagosur njëmbëdhjetë luftëtarë.
Jahja Danuza pati mbushur pothuajse një vit lufte nëpër pikat më të zjarrta të Zonës Operative të Pashtrikut; nëpër frontet e Anadrinit dhe luftimet përreth Rahavecit, prandaj rënia e tij ishte humbje e madhe për luftëtarët që e prisnin në “Hamocet” e Rahavecit, ndërsa rënia e këtij grupi në Shishman të Bokës është njëra prej humbjeve më të mëdha në Zonën Operative të Rrafshit të Dukagjinit dhe për Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës. Atë ditë, më 29 mars, luftëtarët e rënë në Shishman të Bokës dhe dëshmori i kombit Jahja Rejhan Danuza i Rahavecit, vëjnë edhe nga një guri në këtë kala të Kosovës. Terreni ishte i minuar edhe të gjitha përpjekjet e Njësitit Special të Brigadës 137 ” Bedri Shala ” për t’i zbuluar dhe tërhequr shokët e mbetur dështuan, edhe pas kërkimeve katër – pesë ditëshe. Por, meqenëse forcat serbe kishin pozicione më të volitshme, arrijnë t’i marrin trupat e pajetë të katërmbëdhjetë dëshmorëve dhe pasi i bëjnë stivë, ua vëjnë zjarrin.
Në ditët e para të pasluftës shtohet aktiviteti i bashlëluftëtarëve nga Zona Operative e Rrafshit të Dukagjinit, veçanërisht e brigadave 134 “Bedri Shala ”dhe 137 “Gjakova” për të kërkuar hurdhë më hurdhë, sërish duke rënë në mina me ç’rast lëndohen edhe dy luftëtarë të lirisë.
Së bashku me rahavecjanin Jahja Danuza, ishin edhe luftëtarët nga viset e ndryshme të Kosovës, e nga zonat e tjera luftarake, por meqenëse kishin rënë në të njëjtën kohë, në të njëjtin vend e për një ideal, atëherë edhe më 30 qershor të vitit 1999 u varrosën me kortezh të përbashkët e me nderime të larta ushtarake u bë një arkivol në Varrezat e Dëshmorëve në Gjakovë. Sa ishin të mëdhenj, u bënë edhe më të madhërishëm, me vetë aktin sublim, prandaj edhe në rapsodinë për dëshmorët e Shishmanit të Bokës, rapsodi vë amanetin e Jahja Danuzës, lënë nënës Habibe:

”Amanet o mori nënë:
Unë po jes k’tu n’Shishman.
Unë po mbetem n’Shishman të Bokës,
Mos më ndani ju prej shokësh!
Armend Qymyrit e Besim Ramës,
Bujar Sylës e Bujar Shalës,
Florim Sejdis, Ibrahim Asllanit,
Kadri Berishës e Jashar Jasharit,
Prej Mon Maqit e Mehdi Zabelit,
Naim Latajt e Nuhi Elezit,
Ju më lini nën hije t’ahut,
Sa më pranë Xhemajl Abdullahut!”

Dhe në përvjetorët e “Dëshmorëve të Shishmanit”, krahas të gjitha nënave të dëshmorëve, motrave, bashkëshorteve dhe bonjakëve, nga Rahaveci, në orët e hershme të mëngjesit, e shoqëruar nga shokët dhe farefisi i dëshmorit, niset edhe nënë Habibja, me Luanin, të vetmin vëlla të dëshmorit Jahja Danuza, me dy bija, motra të dëshmorit; Jalldëzin dhe Besimen. Dhe kështu shtegton një kolonë e gjatë kah “Livadhet e Gata” ku kishin mbetur, Ata që tek tash jetojnë dhe shkëlqejnë si fanar, e pranë një përroi, në një pllakë modeste janë skalitur emrat e katërmbëdhjetë dëshmorëve.
Dëshmorin e kombit Jahja Rejhan Danuzën, me shrime e kanë përkujtuar: Hasan Hasani, Fetnete Ramosaj e Agim Metbala, ndërsa nxënësit e shkollave fillore të Rahavecit, belbëzimet e para poetike ia kushtojnë Jahja Danuzës. Edhe një rrugë në qytetin e 23 dëshmorëve, luftëtarë të Tonit e të Micit, mban emrin e Jahja Danuzës. (S. C.)

Kontrolloni gjithashtu

Elez Ramë Geci (11.2.1951 - 28.3.1999)

Elez Ramë Geci (11.2.1951 – 28.3.1999)

Elez Ramë Geci lindi më 11 shkurt të vitit 1951. Babai i tij, Rama i …