Deputeti i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Daut Haradinaj, ka reaguar ashpër pas vendimit të Ministrisë së Punëve të Brendshme për suspendimin e katër pjesëtarëve të Njësisë Speciale të Policisë së Kosovës, të cilët raportohet se kishin bërë shaka me kryeparlamentarin Dimal Basha. Haradinaj e cilësoi këtë veprim si “ndërhyrje të pastër politike” dhe akuzoi qeverinë për ushtrim të diktatit dhe përdorim të policisë për interesa ditore. “Masat ekstreme të marra ndaj katër policëve janë dëshmi e ndërhyrjes së pastër politike, me qëllim të ushtrimit të diktatit përmes masave arbitrare – më parë nga Presidenca, e tash nga ‘kërkushi hiç’. Kurdo që të konstituohet Kuvendi, interpelanca është e domosdoshme për kidnapuesin e zyrës së Ministrisë së Brendshme”, ka shkruar Haradinaj. Ai shtoi se menaxhimi aktual i Policisë së Kosovës është i dëmshëm dhe po shndërron një institucion profesional në instrument për demonstrim force. “Policia nuk është vegël përmes së cilës herë dëshironi të tregoni ‘muskuj’, e herë të shtypni sipas agjendave tuaja politike ditore”, përfundoi Haradinaj.
