KEK
Fillimi / Opinione / David Phillips: SHBA nuk garantoi marrëveshjen Kosovë-Serbi, ky është lajmi i mirë që doli nga Uashingtoni
David Phillips: SHBA nuk garantoi marrëveshjen Kosovë-Serbi, ky është lajmi i mirë që doli nga Uashingtoni

David Phillips: SHBA nuk garantoi marrëveshjen Kosovë-Serbi, ky është lajmi i mirë që doli nga Uashingtoni

David L. Phillips, drejtori i Programit për Ndërtimin e Paqes dhe të Drejtat e Njeriut në Institutin për Studimin e të Drejtave të Njeriut në Universitetin Columbia në New York, ka folur për marrëveshjen Kosovë-Serbi, të nënshkruar më 4 shtator në Uashington. Ai ka thënë se presidenti amerikan Donald Trump, ka përdorur delagacionet e Kosovës dhe Serbisë, për fushatën e tij presidenciale. Megjithatë, duke folur për gazetën “Bota sot”, njohësi i mirë i rrethanave politike në rajonin e Ballkanit Perëndimor, e ka vlerësuar pozitivisht njohjen e Kosovës nga Izraeli. Ai ka theksuar se njohja erdhi me ndihmën e zyrtarëve amerikanë.

“Donald Trump ishte fituesi. Ai përdori delegacionet e Kosovës dhe Serbisë si mbështetëse për fushatën e tij, duke njoftuar vendosjen e marrëdhënieve diplomatike midis Kosovës dhe Izraelit me shumë bujë. Unë përkraha fuqimisht marrëdhëniet midis Kosovës dhe Izraelit dhe së fundmi kam botuar një editorial që bën thirrje për njohje të ndërsjellë me Dr. Alush Gashin në The Jerusalem Post. Sidoqoftë, duhet të jemi të vetëdijshëm se negociatat mbi njohjen e Izraelit kanë qenë në punë për shumë vite dhe ka disa zyrtarë të Kosovës në administratën aktuale dhe atë të mëparshme që meritojnë nderim. Për të dhënë nderim aty ku duhet nderi, normalizimi u finalizua me ndihmën e zyrtarëve amerikanë”, është shprehur Phillips.

E lajm të mirë që doli nga takimi i Uashingtonit, eksperti e ka cilësuar mos përmendjen fare të idesë për ndarjen e Kosovës që përfshinte shkëmbimin territorial. Madje, ai ka thënë se propozimi tashmë ka vdekur.

“Kishte një lajm të mirë që doli nga takimi në Uashington. Nuk u përmend propozimi fals i ndarjes që përfshinte shkëmbimin territorial. Ndërrimi ose dhënia e tokave ishte gjithmonë një ide e keqe, e cila u refuzua nga populli i Kosovës. Ndërsa disa vjet u harxhuan duke diskutuar detajet e ndarjes, propozimi tani ka vdekur”, ka deklaruar David Phillips për “Bota sot”.

Phillips më tej ka vlerësuar se marrëveshja është një ribotim i marrëveshjeve të mëparshme, të cilat janë kryesisht të favorshme për Serbinë dhe jo Kosovën. Sipas tij, Kosova do të përfitojë nga tarifat e tranzitit.

“Është mirë që Kosova dhe Serbia të dialogojnë për normalizimin. Sidoqoftë, thelbi i deklaratës së Uashingtonit – një paketë masash që promovojnë bashkëpunimin ekonomik rajonal – nuk është asgjë e re. Njoftimi ishte një ribotim i marrëveshjeve të mëparshme, të cilat janë kryesisht të favorshme për Serbinë. Lidhja rrugore dhe hekurudhore dhe hyrja në një port në Adriatik, do të ndihmojë eksportin e mallrave nga Serbia në tregjet në Kosovë dhe Evropën Juglindore. Kosova do të përfitojë nga tarifat e tranzitit. Për të qenë një mjet efektiv për ndërtimin e paqes, bashkëpunimi ekonomik rajonal duhet të sjellë përfitime thelbësore për të dy palët”, është shprehur ai.

Ai ka theksuar edhe mangësitë e marrëveshjes pesëmbëdhjetë pikëshe mes të dyja vendeve.

“Deklarata pesëmbëdhjetë pikëshe nuk përfshin një thirrje që Serbia të njohë Kosovën brenda kufijve të saj aktual si një vend i pavarur dhe të vendosë marrëdhënie diplomatike. Deklarata as nuk u bëri thirrje 5 vendeve të BE-së që refuzojnë të njohin Kosovën të braktisin politikën e tyre të mosnjohjes. Deklarata gjithashtu dështoi të mbështesë anëtarësimin e Kosovës në OKB”, ka thënë eksperti amerikan.

Ai ka thënë se marrëveshja do të duhej t’ia ngarkonte fajin Serbisë për bllokimin e zbatimit të 33 marrëveshjeve të arritura më herët mes të dyja vendeve.

“Deklarata nuk bëri thirrje për krijimin e një mekanizmi zyrtar për të rishikuar dhe detyruar zbatimin e 33 marrëveshjeve ekzistuese të arritura më parë përmes dialogut Beograd-Prishtinë. Ajo do të duhej t’ia ngarkonte fajin Serbisë për bllokimin e zbatimit të tyre”, ka deklaruar David Phillips.

Mungesë e ka vlerësuar edhe mos përmendjen e liberalizimit të vizave për qytetarët e Kosovës dhe çështjen e personave të zhdukur.

“Në deklaratë nuk përmendet liberalizimi i vizave të BE-së për poseduesit e pasaportave të Kosovës. Liberalizimi i vizave është një masë thelbësore e ndërtimit të besimit, që ndikon në ndërmjetësimin e BE-së në vazhdim. Lidhur me personat e zhdukur, deklarata është e gabuar nga ekuivalenca morale. Nga 1,700 persona që ende janë të zhdukur nga lufta, pothuajse të gjithë janë shqiptarë të Kosovës. Duhet të ketë një proces sistematik për të sqaruar statusin e personave të zhdukur, për të vendosur përgjegjësinë për zhdukjen e tyre dhe për të siguruar kompensim për familjet, përfshirë kompensimin për pronat e dëmtuara ose të vjedhura”, është shprehur më tej ai për “Bota sot”.

Phillips ka thënë se në Uashington u nënshkrua “deklaratë” dhe jo marrëveshje ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, pasi as SHBA-ja nuk veproi si garantuese.

Sipas tij, përmes heshtjes së saj ndaj Serbisë, administrata Trump po bëhet bashkëpunëtore e saj.

“Unë e përdor termin “deklaratë” qëllimisht. Nuk ishte një marrëveshje ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. As SHBA-ja nuk veproi si garantuese. Serbia vazhdon të pengojë përparimin. Përmes heshtjes së saj, administrata Trump është një bashkëpunëtore në kundërshtimet e Serbisë”, ka shtuar për “Bota sot” analisti David Phillips.(BS)

Kontrolloni gjithashtu

Shoqeria Levizja

DEKLARATË POLITIKE e Shoqërisë LËVIZJA

Shoqëria LËVIZJA –  Për institucionet e Republikës së Kosovës, për  institucionet e BE-së dhe për ...