Deçani feston Ditën e Gështenjës në Belle

Një manifestim kulturor e me motive tradicionale është mbajtur në Deçan, duke shënuar kështu “Ditën e Gështenjës”. Aty u ekspozuan piktura e u mbajt edhe orë letrare me qëllim të promovimit të vlerave tradicionale dhe gështenjës. Ngjarja u organizua nga “Iniciativa për Zhvillim” dhe u mbështet nga Ministria e Kulturës dhe Komuna e Deçanit. Të rrethuar nga peizazhi i gjelbër i fshatit Belle, artistë të ndryshëm shqiptarë shpalosën veprat e tyre artistike, dhe u lexuan poezi kushtuar gështenjës. Ky aktivitet u mbajt në fillim të muajit tetor meqë ky muaj është koha kur në Deçan bëhet vjelja e gështenjave. Kjo trevë njihet për hapësira me gështenja, të cilat në shumë raste edhe sigurojnë jetesën e banorëve të fshatit Belle dhe fshatrave të tjetra përreth. Këtë e thotë edhe kryetari i Deçanit, Bashkim Ramosaj, për të cilin gështenjat kanë rëndësi të veçantë, meqë sipas tij, ato kanë mundësuar shkollimin dhe veshmbathjen e tij dikur. “Në një periudhë kohore kur unë kam qenë student, gjendja ekonomike në këtë vend, dhe gjithë ne studentët e asaj kohe edhe baballarët tanë përpara dhe gjeneratat më të vjetra se unë, mbijetesën e kanë bërë me gështenja, përveç me gjëra të tjera bujqësi e blegtori, por gështenja ka qenë një produkt i dhuruar prej Zotit që neve na ka mundësi me u shkollu, na ka mundësua me i ble teshat, këpucët, me pagu semestrin dhe banesat që me i kry studimet. Edhe gjyshet tona edhe stërgjyshërit tanë e kanë pasur një produkt të sigurte gjatë ecjes së tyre në këtë jetë dhe ka qenë një produkt që e ka mbajt ekonominë familjare në këtë vend. Për atë është një tendencë e drejtë që ne me respektua këtë ditë, këtë produkt që e kemi dhuratë prej Zotit dhe po ashtu me bashku edhe disa evenimente të tjera që me bë më komplekse, në këtë rast sot jemi mundur me i paraqitë piktorët e Deçanit dhe krejt Kosovës, me i ftu poetët e krejt Kosovës dhe Deçanit, dhe në këto banerat jemi munduar me promovua komunën e Deçanit me potencialin e produktet që  i ka”, tha ai. E Ajne Iberhysaj nga “Iniciativa për zhvillim” tregon që synojnë ta bëjnë tradicional ketë manifestim, që për herë të parë po mbahet në fshatin Belle. “Të promovohen vlerat tradicionale, turizmi lokal dhe gjithashtu vlerat natyrore të fshatit Belle. Të merr ky fshat pikërisht emërtimet përveç asaj që ka historike e kulturore, të merr edhe atë poetike”, tha ajo. Duke prezantuar veprat e tyre, pjesë e manifestimit ishin artistë nga Deçani, vende të tjera te Kosovës, e madje edhe nga ata që jetojnë në diasporë. Komuna e Deçanit njihet për sipërfaqe të madhe, cilësi dhe historik të gështenjave.

Kontrolloni gjithashtu

Bashkim Ramosaj: Komuna e Deçanit ka fituar të drejtën për shfrytëzimin e tokave në Parkun Kombëtar “Bjeshkët e Nemuna”

Fitimi i të drejtës për shfrytëzimin e tokave në Parkun Kombëtar “Bjeshkët e Nemuna” është …