Dega e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, në Shtime ka reaguar ashpër ndaj veprimeve të Komunës së Shtimes dhe Lëvizjes Vetëvendosje, pas mbylljes së sallës së Kuvendit Komunal, duke pamundësuar mbajtjen e një mbledhjeje përkujtimore për përvjetorin e Masakrës së Reçakut më 15 janar. Sipas AAK-së, dera e sallës së Kuvendit Komunal ishte e mbyllur, duke penguar hyrjen e kryesuesit të seancës, Rrahman Jakupi, si dhe anëtarëve të opozitës, të cilët kishin për qëllim organizimin e një mbledhjeje përkujtimore kushtuar njërës nga ngjarjet më të rënda të historisë së re të Kosovës. Ndaj kësaj situate ka reaguar edhe kryetari i degës së AAK-së në Shtime, Ramë Bislimi, i cili përmes një reagimi publik ka deklaruar se këto veprime përbëjnë shkelje të rëndë të demokracisë lokale dhe uzurpim politik të institucioneve. “Mbyllja e Kuvendeve ka ndodhur vetëm në kohën e represionit serb. Sot jemi në liri falë dëshmorëve të UÇK-së dhe askush nuk ka të drejtë të sillet me mentalitet të pushtuesit brenda institucioneve të Republikës së Kosovës”, thuhet në reagimin e AAK-së. AAK në Shtime thekson se institucionet publike janë pronë e qytetarëve dhe jo e partive politike, duke paralajmëruar se do të kundërshtojë çdo tentativë për bllokim të punës së Kuvendit Komunal dhe çdo shkelje të parimeve të demokracisë lokale. “Institucionet janë të qytetarëve, jo të partive. Çdo përpjekje për uzurpim politik do të hasë në kundërshtimin tonë të vendosur”, përfundon reagimi i Degës së AAK-së në Shtime.
Radio Kosova e Lirë Radio-Kosova e Lirë, Radio e luftës çlirimtare, paqes dhe bashkimit kombëtar, Zëri i lirisë, besnikja e pavarësisë dhe e bashkimit të shqiptarëve.
