Deputetët e Komisionit Parlamentar të Mbrojtjes të Gjermanisë vizituan MFSK-në

Deputetët e Komisionit Parlamentar të Mbrojtjes të Gjermanisë vizituan MFSK-në

 Ministri i  Forcës së  Sigurisë së Kosovës, Rrustem Berisha priti sot në ministri një delegacion të deputetëve të Parlamentit të Republikës Federale të Gjermanisë, anëtarë të Komisionit Parlamentar të Mbrojtjes, në krye me z. Wolfgang Hellmich. Në takimin e përbashkët të dy delegacioneve, të kryesuara nga z. Berisha dhe z. Hellmich, u bisedua për marrëdhëniet e shkëlqyera ndërshtetërore, Kosovë –Gjermani, në shumë fusha e me theks të veçantë në fushën e sigurisë.  Në fillim, ministri Rrustem Berisha e falënderoi shtetin dhe popullin gjerman për mbështetjen e pakursyer që kanë dhënë dhe po japin për Kosovën, në  ndërtimin, avancimin e institucioneve, me theks të veçantë në fushën e sigurisë si dhe profesionalizimin dhe avancimin e FSK-së.

Ministri Berisha gjithashtu potencoi rolin mjaft të rëndësishëm të Gjermanisë në shkollimin, trajnimin dhe pajisjen e FSK-së, si dhe në përgjithësi rolin mjaft aktiv të Ministrisë së Mbrojtjes dhe Forcave të Armatosura të Gjermanisë si një partner strategjik dhe i fokusuar në situatën në Kosovë, që nga viti 1999 e deri më tani.

Ministri Berisha i njoftoi deputetët gjermanë për misionin, detyrat, të arriturat, sfidat si dhe objektivat për zhvillimin dhe avancimin e FSK-së në të ardhmen, duke përmendur trajnimet dhe shkollimet si brenda ashtu edhe jashtë vendit të pjesëtarëve të FSK-së, pjesëmarrjen në stërvitje të përbashkëta me partnerët tanë,  integrimin e komuniteteve joshumicë dhe të gjinisë femërore, si dhe mbi objektivat e FSK-së për të ardhmen, për arritjen e së cilave rol të rëndësishëm padyshim luan edhe shteti i Gjermanisë

Kryetari i Komitetit të Mbrojtjes pranë Bundestagut Gjerman, z. Wolfgang Hellmich tha se Gjermania do të mbështesë Kosovën edhe më tutje: ,,Ju mund të llogarisni në mbështetjen tonë edhe më tutje’’. U shpreh gjithashtu se do të angazhohen që të gjejnë edhe më shumë fusha konkrete bashkëpunimi, si dhe shprehu gatishmëri për thellimin e këtij bashkëpunimi edhe në të ardhmen. Kjo ishte vizita e parë e Komitetit të Mbrojtjes të Parlamentit Federal të Gjermanisë, prej se ministri  Berisha është emëruar në krye të Ministrisë për Forcën e Sigurisë së Kosovës.

Kontrolloni gjithashtu

Ali Ahmeti feston fitoren e Frontit Europian në Tetovë dhe inkurajon mbrojtjen e mandateve për të ardhmen

Kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti, festoi fitoren e Frontit Europian në Tetovë duke e vlerësuar …