Brickos

Dërguti: Kryesia suspendoi 6 deputetë të opozitës

Pas hodhi gaz lotsjellës në mbledhjen e Kryesisë së Kuvendit, deputetja e Vetëvendosjes, Aida Dërguti ka bërë me dije se Kryesia mori vendim për përjashtimin e gjashtë deputetëve opozitarë nga seanca. “Qëllimi i këtij takimi ka qenë suspendimi i deputetëve nga ana e Kryesisë, por ata nuk kanë të drejte ta bëjnë këtë gjë. Ky vendim është i kundërligjshëm aq sa gazi lotsjellës”, u shpreh deputetja, Dërguti.


 


15. 12. 2015  ora 10.00


 


Në një njoftim të Lëvizjes Vetëvendosje thuhet se arrestimi i pesë deputetëve në dalje të Kuvendit, në mbrëmjen e datës 14 dhjetor 2015, është skandali i fundit që ndodh me pseudo-demokracinë e Veselit, Mustafës dhe Thaçit. Policia ka arrestuar  nënkryetarrn e Kuvendit, Aida Dërguti, kryetarin e grupit rlamentar të Vetëvendosjes,  Glauk Konjufca, si dhe deputetët: Besa Baftiu, Fisnik Ismajli dhe Faton Topalli. “Këta deputetë, ashtu si edhe të tjerët, janë arrestuar ndërkohë që janë mbajtës të mandatit dhe të imunitetit të deputetit, të cilin e kanë marrë prej votave të qytetarëve. Këta deputetë i shtohen deputetëve të arrestuar më parë po atë ditë, të cilët janë Ismajl Kurteshi i Lëvizjes Vetëvendosje, dhe Pal Lekaj, Time Kadrijaj dhe Teuta Haxhiu të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Numri total i deputetëve të arrestuar më 14 dhjetor 2015 është nëntë, ndërsa numri total i deputetëve të arrestuar është 13. Deputetët e arrestuar janë:  Albin Kurti, Albulena Haxhiu, Donika Kadaj- Bujupi, Aida Dërguti,  Besa Baftiu, Glauk Konjufca, Faton Topalli, Fisnik Ismaili, Pal Lekaj, Time Kadrijaj, Teuta Haxhiu, Ismajl Kuteshi dhe Haxhi Shala.


 


Kryeministri, Isa Mustafa ka kërkuar nga deputetët opozitarë që t’i thonë arsyet e vërteta të krijimit të  kësaj gjendje. Sipas tij, opozita po përdor mjete të paarsyeshme, po e djeg pronën private dhe po e shkatërron publiken. “Ftojë opozitën që të paraqet arsyet e vërteta, sepse për mua nuk është asociacioni apo demarkacioni. Duhet opozita të tregoj se ku i ka problemet e vërteta”, tha kryeministri Mustafa.


 


Zëvendëskryeministri, Hashim Thaçi në adresimin para deputetëve në sallën alternative, ka thënë se opozita me veprimet e saj i ka humbur vendit rreth 60 milionë dollarë. Sipas tij “dështuan katër marrëveshje ndërkombëtare për sjelljen e 60 milionë eurove në Kosovë”. Ai, më tej, ka propozuar një seancë të veçantë ku do të parashtrohej një deklaratë publike, për si] ka thënë ai, uzurpimin e objektit të Kuvendit nga një grup i armatosur. “Ne nuk mundemi të shkojmë vazhdimisht në tërheqje. Ne duhet të ndalojmë uzurpimin e dhunshëm të sallës se Kuvendit”, ka theksuar zëvendëskryeministri, Hashim Thaçi. Në mbështetje të propozimit të Hashim Thaçit është shprehur edhe shefi i Grupit Parlamentar të LDK-së, Ismet Beqiri. Ai ka thënë se e mbështetë dhënien e një deklarate të përbashkët për gjendjen aktuale dhe të tregohet se është uzurpuar Kuvend.


 


Në komunikatën e saj, Policia ka njoftuar edhe për zhvillimet  jashtë Kuvendit të Kosovës. Sipas njoftimit zyrtar, një grup prej 150 personash kanë qëndruar jashtë Kuvendit derisa po zhvillohej seanca. Pas orës 14:00, sipas Policisë, protestuesit kanë hedhur mjete të ndryshme me ngjyrë si dhe mjete të forta drejt zyrtarëve policorë dhe drejt ndërtesave shtetërore. “Si pasojë e dhunës së shfaqur nga ana e protestuesve, në disa lokacione të ndryshme  janë dëmtuar pesë vetura zyrtare, njërës prej tyre i është vënë zjarri nga persona të dyshuar”, thuhet në komunikatën e Policisë. Në njoftim përmendet edhe hedhja e një kokteji të mollotovit në drejtim të një veture të blinduar të Policisë, si dhe dëmtimi i dy veturave patrulluese policore nga hedhja e mjeteve të forta. Poashtu është evidentuar edhe dëmtimi i një veture civile. Sipas komunikatës së Policisë “protestuesit gjatë shpërndarjes dhe lëvizjeve të tyre në lokacione të ndryshme kanë tentuar të bllokojnë dhe pengojnë qarkullimin e trafikut, duke vendosur mjete të ndryshme në rrugë, duke përfshirë edhe kontejnerë mbeturinash”.  Në komunikatë, poashtu, bëhet e ditur se janë arrestuar dhe shoqëruar në stacion policor 3 protestues.


 


Situata e krijuar në Kuvendit e Kosovës, ka sjellë një takim në zyrën e Presidencës, midis kryetares, Atifete Jahjaga, kryeministrit, Isa Mustafa si dhe zëvndësit të tij, Hashim Thaçi. Takimi është mbajtur prapa dyerve të mbyllura. Madje, asnjëri nga krerët e lartë shtetërore nuk dha ndonjë deklarim për mediet, megjithë këmbënguljen e gazetarëve.


 


Kreu i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj ka thënë se energjia që pozita po shfaq për mbajtjen e seancave, sipas tij, të pakuptimta, duhet të drejtohet në shfuqizimin e marrëveshjeve me Serbinë dhe Malin e Zi. “Gjithë kjo energji me mbajt seanca të pakuptimta më mirë do të ishte të drejtohej në anulimin e marrëveshjeve dhe do të kishte normalitet”, ka thënë kreu i AAK-së, Ramush Haradinaj, duke shtuar se derisa janë marrëveshjet nuk do të ketë normalitet.


 


Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje!, Visar Ymeri, ka thënë se pushtetit aktual nuk i ka mbetur as fytyrë e as legjitimitet. Ai  ka shkruar se opozita do ta mbrojë Kuvendin e Republikës për të mos e lënë klikën e zaptuesve, Mustafës, Veselit e Thaçi, ta shndërrojnë atë në vegël të interesave të Serbisë. “Egërsia e Mustafës, Veselit e Thaçit, flet zëshëm për të vërtetën që e kanë kuptuar edhe ata: Këtij pushteti nuk i ka mbetur as fytyrë e as legjitimitet. Bashkë me marrëveshjet e tyre, këta e kanë humbur edhe argumentin. Krejt çfarë u ka mbetur është të shfryhen duke akuzuar, kërcënuar e nxitur aparatin shtetëror për ‘qërim hesapesh’ me opozitën. Nga skuta që po e quajnë sallë ata edhe një herë i shpërfaqën tendencat e tyre autoritare, duke kërkuar prapë më shumë polici, polici edhe më të dëgjueshme, për t’i sulmuar kundërshtarët politik, e për t’i shpërblyer bashkëpunëtorët e tyre Vuçiqin e Daçiqin. Ne do ta mbrojmë Kuvendin nga kjo klikë zaptuesish. Ne do ta mbrojmë Kuvendin e Republikës për të mos e lënë klikën e zaptuesve ta shndërrojnë atë në vegël të interesave të Serbisë. Ne do ta mbrojmë Republikën nga ‘Zajednica’. Këtë e kemi obligim dhe e kemi përgjegjësi legjitime”, ka deklaruar Ymeri.


 

Kontrolloni gjithashtu

Raportuesja për Shqipërinë në Parlamentin Europian, Isabel Santos, tha se i vjen keq nga deklaratat e Greqisë, për Fredi Belerin

Raportuesja për Shqipërinë në Parlamentin Europian, Isabel Santos, tha se i vjen keq nga deklaratat e Greqisë, për Fredi Belerin

Raportuesja për Shqipërinë në Parlamentin Europian, Isabel Santos, tha se i vjen keq  nga deklaratat e …