leoni

Dëshmori i kombit, Fejzullah Hajdaraj dekorohet nga kryetari Thaçi më Urdhrin "Hero i Kosovës”

Dëshmori i kombit, Fejzullah Hajdaraj dekorohet nga kryetari Thaçi më Urdhrin “Hero i Kosovës”

Sot me datë 16.05.2020 Familja e Dëshmorit Fejzullah Ibrahim Hajdaraj nga Abria e Epërme pranoi Dekoratën Urdhri “Hero i Kosovës” nga Kryetari i Republikës së Kosovës z.Hashim Thaçi.

Heroi i Kosovës Fejzullah Hajdaraj i lindur me datën 08.03.1980 i biri i Ibrahimit e Fahries, kishte dy vëllezër dhe katër motra. Shkollën fillore e kreu në SH.F.M.U “Shote Galica” në Abri të Epërme, ndërsa arsimin e mesëm e kishte filluar në shkollën “Gjergj Kastrioti-Skënderbeu” në Drenas, ku në atë kohë mësimi zhvillohej nëpër shtëpi të shndërruara në mësonjëtore, por nuk kishte arritur ta përfundoj pasi që në Kosovë e posaçërisht në Drenicë lufta kishte marr përmasa të mëdha. Fejzullah Hajdaraj si shumë bashkëmoshatarë të tij iu përgjigj zërit të atdheut për t’iu bashkuar Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, radhëve të kësaj ushtrie të lavdishme u ishin bashkuar edhe vëllezërit e Fejzullahut, Avdullahu e Zejnullahu dhe motra Rahimja.

Shtëpia e Fejzës, siç e quanin shokët, shërbente si vendqëndrim për një pjesë të madhe të pjesëtarëve të UÇK-së, të cilët ushqeheshin dhe qëndronin aty. Përvojën e parë në luftime direkte Fejzullahu e zhvilloj në betejën e Llapushnikut në maj të vitit 1998. Pas strukturimit të UÇK-së, në gusht 1998, Fejza ishte sistemuar në Kompaninë e parë, në batalionin e dytë në brigadën 113 Zonën Operative të Drenicës. Fejza do shquhet për guxim e trimëri gjatë luftimeve në Tërdec, Baicë, Terstenik, Damanek, Krajkovë Llapushnik dhe në të gjitha betejat që u zhvilluan ku morën pjesë pjesëtarët e Brigadës 113 Mujë Krasniqi.

Në maj të vitit 1999 luftime ishin tmerrësisht të ashpëra, ku ishte paraqitur mungesë e madhe e municionit dhe ushqimit, në çdo moment rrezikohej jeta e tij dhe e shokëve e veçanërisht e popullatës së pafajshme, që ishte strehuar prapa pozicioneve të UÇK-së në luginat e fshatit Tërdevc, në këtë fshat ishin grumbulluar rreth 5000 njerëz të moshave të ndryshme por shumica nga ta ishin gra, fëmijë e pleq të sëmurë.

Në këto rrethana duhej të largohej popullata nga aty dhe të dërgohet në malet e Berishës ku në atë kohë ishte vend i sigurt dhe kontrollohej plotësisht nga UÇK-ja. Në mbrëmjen e 16 majit 1999, Fejza me disa bashkëluftëtarë të kompanisë së parë, organizon kalimin e popullatës përmes Kosmaqit për t’i dërguar në Berishë.

Pararoja po kalonte përmes malit të Kosmaqit dhe nata ishte shumë e errët sikur të mos mjaftonte kjo edhe shiu po binte gjatë tërë natës pa ndërprerë, për mijëra civilë që ishin pas tyre, këta djem ishin shpresa e vetme në këtë natë të errët e me shi, të lodhur e të rraskapitur, e me pak municion që iu kishte mbetur po përpiqeshin ta bënin të pamundurën të mundur që t’i shpëtonin gjithë këta njerëz që iu vinin prapa, papritmas kishin hasur në një pritë të forcave serbe që ishte ngritur rrëzë malit në fshatin Krajkovë, fillojnë të shtëna nga të dyja palët.

Gjatë kësaj kohe derisa këta djem po rezistonin, disa nga bashkëluftëtarët e tyre arrijnë që të gjithë civilët t’i kalojnë për në malet e Berishës. Gjatë këtyre luftimeve bie për të mos vdekur kurrë Dëshmori Fejzullah Hajdaraj, tani Hero i Kosovës. Fejzullah Hajdaraj nuk kursej as jetën e tij që të shpëtoj mijëra jetë të të tjerëve sepse ky ishte ideal dhe mision i ushtarit të UÇK-së.

Kontrolloni gjithashtu

Shoqata “Kosova për Sanxhakun” e njofton opinionin publik dhe institucionet relevante për një rast të ndjeshëm kulturor dhe kombëtar që ilustron gjendjen e shqiptarëve autoktonë në Sanxhakun e Pazarit të Ri. Rrafshnalta e Peshterit, një trevë e rëndësishme në Sanxhak, me mbi 95 për qind të popullsisë myslimane me prejardhje shqiptare, u okupua nga Serbia dhe Mali i Zi në vitin 1912. Në më shumë se 200 vendbanime të kësaj zone, edhe sot në disa fshatra dëgjohet gjuha shqipe, e cila ka mbijetuar, pavarësisht mohimit të identitetit kombëtar dhe të drejtës për vetëdeklarim. Një rast i tillë është ky i fshatit Ugëll (Ugao), në kufi me Malin e Zi, ku banorët na kanë dërguar fotografi të të dy epitafeve të shkruara në gjuhën shqipe për Fatë Aliçkaj (1910–1966), e lindur në Jezgroviq të komunës së Tutinit dhe e vendosur në Ugëll. Epitafet janë përgatitur për të shënuar varrin e saj në varrezat e fshatit Ugëll, por për arsye ende të paqarta nuk janë vendosur kurrë. Dyshohet se për shkak të tekstit të epitafit në gjuhën shqipe, familjarët nuk kanë pasur guximin t’i vendosin ato. Kjo po ndodh pavarësisht faktit se në kohën e vdekjes së saj, gjuha shqipe flitej nga të gjithë banorët e zonës. Në emër të Kryesisë së Shoqatës “Kosova për Sanxhakun”, i drejtohemi Ministrisë për Evropë e Punë të Jashtme të Republikës së Shqipërisë, respektivisht Ambasadës së Republikës së Shqiptare në Beograd, që ta vizitojnë këtë fshat dhe të njihen nga afër me gjendjen e të drejtave të shqiptarëve në Sanxhak. Shoqata jonë ka nënshkruar Memorandum Bashkëpunimi me Këshillin Kombëtar Boshnjak (BNV), përmes së cilës ka status participues e konsultativ në këtë institucion dhe vepron në Sanxhak. Rasti i epitafeve është vetëm një nga qindra shembuj të diskriminimit që pengon zhvillimin e jetës normale në këtë krahinë të banuar me shqiptarë autoktonë. Ismet Azizi Kryetar i Shoqatës “Kosova për Sanxhakun”

“Kosova për Sanxhakun”: Rasti i epitafit në gjuhën shqipe në fshatin Ugëll të Peshterit në Sanxhak

Shoqata “Kosova për Sanxhakun” e njofton opinionin publik dhe institucionet relevante për një rast të …