Kosova mund të përballet shumë shpejt me një tjetër proces zgjedhor, nëse deri të martën nuk arrihet zgjedhja e presidentit të ri të vendit. Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka bërë të ditur se është i gatshëm të organizojë zgjedhje të jashtëzakonshme, në rast se Kuvendi shpërndahet pas dështimit të procesit presidencial. Sipas afateve kushtetuese, në një skenar të tillë zgjedhjet duhet të mbahen jo më larg se 7 qershori. KQZ ka njoftuar se nuk ka buxhet të paraparë për këtë vit për zgjedhje të reja, por nëse krijohen rrethanat, do t’i kërkohet Qeverisë sigurimi i mjeteve financiare. Vlerësimet fillestare tregojnë se organizimi i zgjedhjeve mund t’i kushtojë shtetit rreth 10 milionë euro, ndërsa shuma finale do të dihet vetëm pas shpalljes së tyre. Njohës të proceseve zgjedhore paralajmërojnë se koha e shkurtër për përgatitje paraqet sfidë serioze për institucionet, pasi kërkohen trajnime, logjistikë dhe administrim i plotë i procesit. Nga ana tjetër, analistët socialë vlerësojnë se zgjedhjet e shpeshta rrezikojnë lodhjen e elektoratit dhe zbehjen e besimit qytetar ndaj institucioneve demokratike. Nëse vendi shkon sërish në votime, këto do të ishin zgjedhjet e pesta brenda vetëm 16 muajve, një rekord i paprecedentë në skenën politike të Kosovës.
Radio Kosova e Lirë Radio-Kosova e Lirë, Radio e luftës çlirimtare, paqes dhe bashkimit kombëtar, Zëri i lirisë, besnikja e pavarësisë dhe e bashkimit të shqiptarëve.
