Dilaver Goxhaj: Me Zajednicën luftën kemi te dera

Në datën  25
gusht 2015, në Bruksel, u nënshkrua Marrëveshja midis Qeverisë së Kosovës dhe
asaj të Serbisë, për krijimin e Bashkimit të Minikomunave Autonome Serbe të
Kosovës, e quajtur ndryshe “Zajednica”. Ky akt ngjalli reagim në mbarë
opinionin kombëtar shqiptar, nga shqetësimi se kjo marrëveshje duket si hapi i
parë i rikthimit të Kosovës nën Serbi ose i ndarjes së saj. Ndarja e territorit
të Kosovës ka qenë një prej opsioneve të përsëritura here pas here nga
politikanët serbë, gjatë luftës dhe deri sot. Ky shqetësim nuk është se
shtrohet nga historianët, por është shqetësim i mbarë popullit të thjeshtë
shqiptar, që e do Shqipërinë ashtu si e duan grekët Greqinë, serbët Serbinë, italianët
Italinë etj, një e të pandarë.

 

Përmes këtij shkrimi nuk kam për qëllim të bëj
propozime praktike, por të pohoj se si paraqitet nën këndvështrimin e popullit
tonë problemi i parandalimit të rikthimit të Kosovës nën Serbi apo ndarja e
saj, të cilat, nëse shtrohen për zbatim, si njëra edhe tjetra, mund të
shpërthejnë një luftë të re në Kosovë. Rreziku i shpërthimit të një konflikti
të armatosur si në vitet 1998-1999, por tashmë kundër qeverisë dhe strukturave
shërbyese e mbrojtëse të saj, nuk bën të mos merret në konsideratë, pasi kjo
marrëveshje është precedent për boshnjakëzimin e Kosovës, si dhe janë krijuar
shumë faktorë të tjerë, të nxitur nga keqeverisjet dhe pasurimi i padrejtë i
politikanëve gjatë këtyre 16 viteve, si: mungesa e respektit për qeverinë dhe
politikanët; mungesa e respektit për ligjin dhe pasuritë kombëtare, të cilat po
u jepen konçesionarëve të huaj; mbushja e administratës shtetërore me ish
shërbëtorë të verbër të regjimit titist; mungesa e shërbimeve të mjaftueshme
shoqërore; korrupsioni galopant në çdo qelizë të jetës shoqërore, duke bërë që
jeta shoqërore në Kosovë të përvehtësoi tiparet më të këqija që mund të ketë
një shtet demokratik. Të gjitha këto kanë krijuar një gjendje të përhershme
tensioni, që është gati të shpërthejë, dhe që kulmi arriti me miratimin e
Gjykatës Speciale dhe krijimin e Zajednicës.

 

Këto dukuri, që përbëjnë rrezikun e shpërthimit të
një dhune, i kanë vënë në dukje një sërë politikanësh dhe intelektualë  me ndikim në opinionin kosovar: Albin Kurti,
Driton Tali, Nezir Kraki, Visar Ymeri, Muhamet Kelmendi, Jakup Krasniqi, Fatmir
Limaj, Bashkim Iseni, Rexhep Selimi, Ahmet Qeriqi, Sheradin Berisha, Mehdi
Hyseni, Dastid Pallaska etj., si dhe kryetari i lëvizjes së shtet-ndërtimit të
Serbisë, Sllobodan Samarxhiq, por dhe ministri i Jashtëm i Austrisë, Sebastian
Kurtz, pa folur për forcat politike opozitare në Kosovë. Unë thjesht do të
“lundroj” në thëniet e tyre për këtë rrezik, duke i zgjeruar ato sadopak. Dhe
kjo është padyshim pikënisja më e mirë për këtë analizë, duke e zevendësuar
thënien e Albinit “për Thaçin, pushteti është liri”, me sinonimet e tyre “Dhuna
(Pushteti) është e Drejta (Liria)”.

 

E Drejta e popullit shqiptar për vetëvendosje dhe
Dhuna që përdor Qeveria aktuale e Kosovës për ngritjen e Gjykatën Speciale dhe
Zajednicës, të bekuara këto në Bruksel, përbëjnë kundërshtitë midis Qeverisë
dhe Popullit shqiptar në Kosovë. Kemi të drejtë ta quajmë Dhunë e Qeverisë së
drejtuar nga Isa Mustafa e Hashim Thaçi, pasi marrëveshja për Zajednicën nuk
është as vendim i Parlamentit dhe as vendim i popullit me referendum. Populli
nuk u pyet edhe për Gjykatën Speciale. Dhe këto i di çdo shqiptar i trojeve
tona apo emigrant i tyre në çdo skaj të ruzullit tokësor.

 

Në momentin që u nënshkrua Marrëveshja për
Zajednicën, konflikti midis Qeverisë dhe Popullit arriti në shkallën më
superore, konflikt i cili çuditërisht erdhi 
menjëherë pas miratimit po nga kjo mazhorancë qeverisëse i Gjykatës
Speciale, e ngritur posaçërisht kundër UÇK-së, pasi ngritja e saj amniston të
gjithë kriminelët serbë të Kosovës dhe të Serbisë, dhe krimet e tyre u
atribohen pjestërëve të UÇK-së. Realizimi i Marëveshjes për Zajednicën
menjëherë pas miratimit të asaj Gjykate Speciale, kuptohet që është planifikuar
qëllimish që të sfumohet zhurma që shkaktoi kjo Gjykatë, për të larguar
vemendien e popullit nga kriminalizimi që po i bëhet UÇK-së.

 

I referohemi UÇK-së dhe fitores së saj, ngaqë e
ndjejmë si nevojë për ta nderuar në çdo kohë atë fitore si e kaluara më
tragjike, por me fitoren për herë të parë të lirisë nga populli shqiptar në
Kosovë, pavarësishtë se politikanë të ndryshëm dhe publicistë të paguar prej
tyre po bëjnë të pamundurën ta mohojnë atë fitore të saj. Së dyti, duke i bërë
thirrje kujtesës së popullit për atë fitore të UÇK-së, aspirojmë për një lloj
shteti shqiptar tipik si ai i të gjithë popujve të tjerë europianë. Së treti,
thërrasim në UÇK për të kompesuar zhgënjimin që kemi pësuar nga mënyrat e
këqija politikbërëse të politikanëve të korruptuar të dalë nga ajo luftë.
Ndërsa dënimin e miratimit të Gjykatës Speciale nga mazhoranca qeverisëse dhe
marrëveshjen e Brukselit për Zajednicën i bëjmë ngaqë këto dy akte të mëdha
politike na e errësojnë të ardhmen e kombit shqiptar, e cila po bëhet gjithnjë
e shumë më e errët se ajo e para viteve 1998-1999.

 

Të tilla zhgënjime kanë lindur shpërthimin e një
emigrimi masiv në popull, emigrim me fluks më të madh se në vitet e para të
’90-tës. Nxitja e këtij emigrimi masiv, edhe pa qenë një strategji e menduar
mirë, çon pashmangshëm të mendosh se kemi të bëjmë me një strategji për të bërë
të mundur shpopullimin gradual e në afate jo shumë të largëta të trojeve etnike
shqiptare. Mirëpo, kjo do të sjellë si pasojë probleme demografike dhe, në
raport me pasuritë kombëtare që posedojnë trojet tona, kur të largohet një sasi
e konsiderueshme e shqiptarëve, padyshim që do të krijohet një boshllëk
popullsie dhe, detyrimisht do të vinë popuj të tjerë për ta plotësuar atë
boshllëk, me synimin final që në të ardhmen jo shumë të afërt të mos ekzistoi
shtet i pastër shqiptarësh në Ballkan. Ndoshta edhe mund të mos ndodhë kështu.
Megjithatë na ngacmon kujtesën ajo çka i ka thënë një funksionar shumë i lartë
amerikan Profesorit Arshi Pipa, në vitin 1975, kur zhvillohej Konferenca e
Helsinkit: “E, pra, dëgjomë mua, vërma veshin mirë, o Profesor i madh!…Sikur të
ndodhë që ju shqiptarët, të shfaroseni të tërë sa jeni atje ku populloni atë
tokë, kufi me Greqinë e Jugosllavinë, ne prapë do ta popullojmë atë me njerëz”.

 

Kjo ndoshta do të jetë një prej arsyeve kryesore se
pse iu dhanë ato të drejta Zajednicës që, pas një periudhe kohore e në një
moment të përshtatshëm, populli shqiptar në Kosovë të vihet para alternativës
referendare: Dëshironi ndarjen e Kosovës apo rikthimin e saj nën Serbi?
Natyrisht që populli, duke u vendosur midis dy të këqijave, do të zgjedhi të
keqen më të vogël, rikthimin e Kosovës nën Serbi. Ndërkohë emigracioni masiv
nga Kosova, Maqedonia, Presheva dhe Shqipëria do të ketë vijuar me hapa
galopante, prandaj dhe prej qeverive të tyre të njëpasnjëshme ndiqet politika e
varfërimit të popullit gjithnjë e më shumë.

 

Shpopullimi prej shqiptarëve i trojeve tona mund të
jetë strategji e largët e marrëveshjes për Zajednicën dhe Gjykatën Speciale.
Natyrisht që kjo strategji nuk është gjë tjetër veçse konflikt interesash, i
cili dashje pa dashje ka për të çuar në dhunë midis popullit dhe qeveritarëve e
politikanëvë autokratë. Mirëpo shpërthimi i një dhune midis popullit dhe
qeverisë quhet revolucion me armë. Dhe për të mos mbritur këtu, duhet ngritur
në protesta masive që të anullohen këto marrëveshje dhe të dështoi kjo
strategji, për të larguar nga skena politike politikanët e rrezikshëm, të cilët
e kanë sjellë Kosovën në gjendjen e sotme dhe vijojnë ta përkeqësojnë edhe më
shumë. Është pozitiv fakti që këta lloj politikanësh të rrezikshëm nuk janë
numur i madh për t’i larguar nga skena politike dhe se shumica e popullit do të
punojë për të mirën e vendit. Dhe për t’ia arritur këtij qëllimi duhet që të
aktivizohen gjithë forcat kombëtare, gazetat, revistat, mediat vizive, portalet
online, si dhe shoqatat e ndryshme atdhetare brenda dhe jashtë vendit.

 

 

 

Kjo duhet të jetë taktika më efikase kundërvënse e
popullit. Vetëm kështu do të bëhet e mundur eleminimi i këtij rreziku që po i
kanoset trojeve tona dhe që po eksperimentohet njëkohësishtë si në Kosovë e
Shqipëri, ashtu edhe në Preshevë, Mal i Zi e Maqedoni. Nuk është rastësi që
vetëm gjatë tetë muajve të këtij viti kanë emigruar nga të gjitha këto
territore shqiptare gati njëqindmijë shqiptarë! Dhe ky emigrim ka për të vijuar
me përmasa edhe më të mëdha, por “jo duke kërkuar azil, por në mënyrë të
rregullt duke kërkuar punë”, sikundër foli 
sot në 30 gusht Ministri i Brendshm i Gjermanisë, Thomas de Maiziere,
dhe disa orë më vonë mediat bënë të ditur se Gjermania vetëm për këtë vit është
e gatshme të presë 800 mijë emigrantë për punë! Kjo strategji ka filluar të
shfaqet në vitin 2014, qëllimi i të cilit është që njera palë të tërhiqet me të
gjitha pretendimet dhe kundërshtitë: ose populli shqiptar dhe forcat politike
në mbrojtje të tij, ose pala tjetër që diktoi këto dy marrëveshje. Kjo
kundërshti do të mbaroi kur imponimi i njërës do të eleminohet sistematikisht
nga imponimi (kundërveprimi) i tjetrës. Tashti jemi në gjendjen e saj
fillestare, e cila do të ndryshojë në përshtatje me zhvillimet.

 

Mirëpo, sikundër e dimë, ekziston një ligj në
fizikë, i cili thotë: Forca e madhe e mund forcën e vogël. Dhe dihet që ata, të
cilët imponuan marrëveshjen për Gjykatën Speciale dhe atë për Zajednicën, në
krahasim me ata që i kundërshtojnë, janë forcë shumë herë më e madhe.

 

Në këtë rast, më të dobëtve nuk u mbetet rrugë
tjetër, vetëm të zbatojnë atë taktikë që propozon psikologu Sigmund Frojd, në
letrën që ai i dërgonte Ajnshtajnit, në përgjigjen e pyetjes së tij, se si mund
të shmangej lufta: “Fuqia më e madhe e një individi të fortë, mund të
eleminohet nga bashkimi i shumë të dobëtve. Bashkimi bën fuqinë. Pushteti i
këtij bashkimi pasqyron të Drejtën, në kundërshti me Dhunën që vjen nga
individi i fortë. Por që të bëhet kapërcimi nga Dhuna tek e Drejta, duhet
plotësuar një kusht psikologjik: Bashkimi i shumicës së të vegjëlve duhet të
jetë i qëndrueshëm dhe jetëgjatë. Nëse do të realzohet qëllimi i këtij
bashkimi, pra luftimi dhe mposhtja  e një
të plotfuqishmi, dhe pastaj të shpërbëhet, përsëri nuk do të mbrihet asgjë.
Dikush tjetër që do të mbahej përsëri më i fortë, do të synonte përsëri
sundimin me dhunë, dhe loja do të përsëritej pafundësishtë. Kjo mendoj unë
është thelbësorja: Mposhtja e dhunës, nëpërmjet kalimit të pushtetit tek një
bashkësi e madhe të vegjëlish, antarët e së cilës qëndrojnë të bashkuar në bazë
të lidhjes së ndjenjave.” Kjo është arsyeja pse politikani Albin Kurti bëri
thirrje me zë të lartë: “Me Zajednicën te dera, e kemi luftën te dera.” Që do
të thotë: O shqiptarë, ejani të bashkohemi, për t’i ndaluar ato dy marrëveshje
dhe pasojat që rrjedhin prej tyre.

 

30.8.2015

Kontrolloni gjithashtu

Ahmet Qeriqi: Organizatat kryesore atdhetare në Kosovë nga LNDSH-ja, LRBSH-ja, OMLK-ja, LPK-ja, PKMLSHJ e të tjera

Përpjekjet e disa individëve, ish të burgosurve dhe e ishave të tjerë, me qëllim  për …